Enis Sulstarova
Asnjëherë mos e vendos solidaritetin përpara kritikës
Eduard Said
Në Shqipëri intelektuali është një nga kategoritë shoqërore më të abuzuara. Shumëkujt i pëlqen ta gëzojë këtë status, ta thërrasin “intelektual”, por me sa më pak mund e djersë dhe duke e pasur fjollë me të fuqishmit. Rënia e vlerës kulturore e simbolike e intelektualit vihet re me mbipopullimin e kategorisë, që sjell dhe zhvlerësimin peshës që ka çdo intelektual më vete. Partitë politike kanë filluar të garojnë se cila do ta bëjë më të gjatë listën e intelektualëve që i mbështesin për këtë apo atë çështje dhe që harrohet brenda disa ditëve. Mbi 100 intelektualë, firmosën para ca kohësh një peticion, teksti i të cilit ishte një turp i vërtetë dhe duhej t’i kishte bërë të skuqeshin. Kur fillon e mendon për ndonjë intelektual publik që mbron në vijimësi dhe me vetëmohim ndonjë një “çështje të humbur”, që si Don Kishoti përpiqet të ruajë një frymë idealizmi në kohën tonë të maskarenjve, të vijnë në mendje dy apo tri emra, jo më shumë. Ndoshta kaq intelektualë, pra zëra moralë që i thonë të vërtetën në sy pushtetit, ka pasur dhe ka çdo brez njerëzor i një shoqërie, sepse të guximshmit janë të rrallë dhe shumica është gjithmonë në anën e më të fortit, e gatshme që të vërë aftësitë intelektuale në shërbim të pushtetit për ndonjë përfitim apo privilegj: ka disa që u vardisen kryetarëve të partive për ndonjë vend deputeti, të tjerë kanë kërkesa më modeste drejtorësh dhe ndonjë tjetër nuk lakmon diçka më shumë se ndonjë dekoratë apo çmim të republikës, që t’i dëshmojë tërë botës që është intelektual dhe çfarë intelektuali se! Intelektualë kemi shumë, por mbrojtës të vërtetës, që është detyra e intelektualit, kemi shumë pak!
Që të vëmë pak rend në këto shënime për intelektualin, ky i fundit mund të përkufizohet në dy mënyra. Mënyra e parë është “strukturore”, sepse e kupton intelektualin si një shtresë, apo kategori, të shoqërisë moderne. E thënë thjesht, shoqëria moderne varet shumë nga prodhimi i dijes dhe përdorimi i saj. Sot ne kemi nevojë për inxhinierë, mjekë, fizikantë, mësues, juristë, shkrimtarë, poetë, filozofë, artistë, gazetarë etj. dhe për këtë qëllim shumë individë arsimohen dhe specializohen në këto fusha. Të gjithë këta quhen intelektualë. Zgjerimi i arsimit dhe lindja e shoqërisë pasmoderne të shërbimeve dhe informacionit, e ka bërë këtë kategori gjithmonë e më të gjerë e të kudondodhur, ndërsa e ka zvogëluar statusin e saj. Para disa dhjetëvjeçarësh të merrje një diplomë universitare ishte një arritje, sot pasja e saj është kthyer gati-gati në një të drejtë që duhet ta ketë gjithkush.
Mënyra e dytë për ta përkufizuar intelektualin është si formues dhe mobilizues i opinionit shoqëror për nga vetë kapitali kulturor dhe aftësitë që ai ka në një fushë të caktuar. Edhe nëse specializimi i tij është në një fushë të dijes, intelektuali ka për detyrë të jetë përgjithësues në ndërhyrjet e tij publike për të orientuar dhe drejtuar qytetarët për çështje që kërkojnë interesimin dhe angazhimin e tyre. Sipas një thënieje të njohur, të Zhan Pol Sartrit, ai specialist që punon për krijimin e bombës atomike është thjesht një shkencëtar, por kur ai shqetësohet për efektet që mund të sjellë krijimi i tij për njerëzimin dhe merr vendimin që të firmosë një peticion kundër përdorimit të armëve bërthamore, atëherë ai kthehet në një intelektual. Gjithashtu zgjerimi i mundësive të ndërveprimit publik të qytetarëve si pasojë e formave të reja të teknologjisë së informacionin e ka rutinizuar punën publike që më parë e kryente intelektuali. Opinionisti mund të na flasë përnatë nga disa ekrane televizioni njëherësh; shumëkush mund të botojë opinionet e tij si libra, artikuj shtypi apo para mikrofonit të gazetarit në rrugë; shumëkush mund ta verë emrin, apo pseudonimin e vet në komentet për një artikull të një gazete virtuale, poshtë apo krahas emrit të autorit; gjithkush mund të komentojë ngjarjet publike në rrjetet sociale virtuale; dhe çdonjëri mund të ndërmarrë një fushatë për nënshkrime peticioni në Facebook, për çfarëdolloj çështje apo teme që t’i vijë ndërmend. Të gjithë që i përdorim këto teknologji jemi bërë mobilizues të opinionit dhe nga pak intelektualë.
Në kuptimin e dytë, që do t’i përmbahemi në vijim, dallimi i intelektuali nga qytetarët e tjerë tashmë nuk është sipas asaj që ai bën, por sipas etosit universal, stilit të tij dhe guximit që ai ka. Intelektuali është një kritik i rendit shoqëror dhe denoncues i padrejtësive, në emër të parimeve universale. Intelektuali tregon problemin, mendon për zgjidhjen, mobilizon, ushtron presion, por edhe i udhëheq të tjerët për zbatimin e kësaj. Atij i duhet të zbresë në rrugë, të komunikojë me njerëz nga shtresa të ndryshme, të përpiqet bashkë me ta. Intelektuali nevojitet që të jetë një misionar dhe një shembull për t’u ndjekur nga të tjetër. Dhe për këtë kërkohet guxim e vetëmohim. Gjithashtu, intelektuali duhet të dijë të tërheqë të tjerët me fuqinë e fjalës dhe bukurinë e shprehjes. Jo më kot kandidatët e parë për të qenë intelektualë janë shkrimtarët dhe gazetarët.
Sigurisht që po ta shohim në këtë mënyrë, detyra e intelektualit duket e rëndë, por nuk është e pamundur. Në shtetet ku ekzistojnë liria e shprehjes dhe ajo e organizimit kolektiv, detyra bëhet më e lehtë, sepse intelektualit i duhet që t’i shfrytëzojë ato për qëllimin që i ka vënë vetes. Aty ku këto liri nuk ekzistojnë, detyra bëhet më e vështirë, madje e rrezikshme, sepse fillimisht intelektuali duhet të luftojë për këto liri. Në pamundësi për të luftuar në vendin e vet, beteja e intelektualit zhvendoset në mërgim. Bota e lirë është plot me shkrimtarë të mërguar prej botës së robëruar, që vazhdojnë të shkruajnë dhe të mbrojnë kauzën e tyre edhe pse regjimet e vendeve të tyre ua kanë penguar apo minimizuar kontaktet me publikun e gjuhës amtare. Disa akoma enden fshehurazi nëpër botë, për të mos u diktuar nga vrasësit që mund t’i arrijnë edhe në mërgim (Selman Ruzhdije është më i njohuri ndër ata).
Intelektuali i vërtetë nuk e ndan jetën e tij nga veprimtaria publike. Ai jeton për çështjet publike dhe këto janë për jetike për të. Edhe pse i zhytur në çështjet që shqetësojnë shoqërinë e tij, popullin, kombin apo njerëzimin, intelektuali, në mënyrë që të vazhdojë të luajë rolin e vet kritik, është njëkohësisht i distancuar nga grupimet e ndryshme. Po të përdorim një metaforë të një ikone të intelektualizmit, kritikut palestinezo-amerikan Eduard Said, intelektuali është gjithnjë i mërguar. Pozita e të mërguarit ishte për Saidin sa një fat që iu imponua, por aq edhe një zgjedhje që ai e përqafoi për të qenë në gjendje të mbronte idetë e tij dhe për të mos bërë kompromise kur vinte puna te e vërteta dhe te e drejta, në emër të asnjë lloj përkatësie përveçse ndërgjegjes së tij.
Saidi, të cilin këtu po marrim këtu si përfaqësues të intelektualit, ishte si të thuash i përgatitur qysh herët për një jetë mërgimtare. Ai u lind në Jeruzalem gjatë mandatit britanik. Feja që trashëgoi nga familja ishte protestantizmi, gjë që i bënte të ndjeheshin disi të veçuar jo vetëm midis çifutëve e arabëve myslimanë, por edhe midis arabëve të krishterë të zonës. I ati mbante edhe nënshtetësi amerikane dhe kishte degë të sipërmarrjes së tij edhe në Egjipt. Familja e Saidit ishte në gjendje të mirë ekonomike dhe ai mund të konsiderohej i privilegjuar në shanset e jetës. Saidi qysh herët u largua nga Jezulemi për t’u shkolluar në shkollat elitare evropiane në Egjipt dhe më pas në SHBA. Në këtë vend ndoqi karrierën akademike dhe u bë profesor i letërsisë së krahasuar në Universitetin e Kolumbias të Nju Jorkut, një nga institucionet arsimore më të njohura në vend.
Pas krijimit të Izraelit dhe luftërave të tij me shtetet arabe, që u pasuan nga mërgimi i palestinezëve, familja e gjerë e Saidit u shpërnda nëpër Lindjen e Mesme, kurse familja bërthamë në SHBA. Saidi u bë një i mërguar, edhe pse nuk përjetoi skamjen, pasigurinë e arbitraritetin e kampeve që po përjetojnë prej disa brezash shumica e palestinezëve. Edhe në statusin e mërgimtarit, fati i Saidit dallonte. Edhe pse qytetar amerikan dhe i mbrujtur qysh herët me kulturën elitare evropiane, gjëra këto që i mundësonte një karrierë akademike dhe një jetesë komode në SHBA, Saidi zgjodhi të mos identifikohej me politikën e jashtme të vendit të tij, e cila përkrahte fuqishëm Izraelin, por të solidarizohej me çështjen palestineze. Ai u bë zëri më i njohur në SHBA i çështjes palestineze dhe u zgjodh për ca kohë si anëtar i pavarur i parlamentit palestinez në mërgim. Kjo zgjedhje e vuri atë në një pozitë të veçuar me pjesën më të madhe të kolegëve akademikë, me vetë politikën zyrtare të shtetit, me lobin e fuqishëm çifut dhe me pjesën më të madhe të opinionit publik. Ai nuk u lëkund në pozicionet e tij as përpara etiketimeve si “profesori i terrorizmit”, sulmeve verbale apo kërcënimeve me vdekje që mori disa herë. Saidi nuk mund të mos ndjehej i mërguar edhe nga atdheu i tij i dytë.
Angazhimi i Saidit me çështjen palestineze ishte një zgjedhje për tërë jetën. Kjo për të nuk do të thoshte aspak përkrahje për Arafatin dhe OÇP-në kurdoherë dhe në çdo rast. Pas marrëveshjes së Oslos të vitit 1993 për krijimin e Autoritetit Palestinez, Saidi u bë një nga kritikët më të mëdhenj të Arafatit, për shkakun se ai besonte se në negociatat Arafati ishte dorëzuar para kërkesave të izraelitëve. Sovraniteti palestinez, kufijtë e vitit 1967, kthimi i refugjatëve dhe një pjesë e Jeruzalemit, nuk mund të ishin gjëra që do të vendoseshin më vonë, por duhej të ishin diskutuar dhe vendosur në bisedime. Ai e akuzoi Arafatin se më shumë mendonte për pushtetin dhe pasurinë e vet se sa për popullin palestinez. Në vitin 1996 ai madje deklaroi se Arafati “nuk është president, por realisht zbatuesi me mjete të tjera i pushtimit ushtarak izraelit”. Në atë kohë, Saidi u etiketua si i çmendur, luftënxitës, i paarsyeshëm etj. Atij iu ndalua hyrja në territorin e kontrolluar nga Autoriteti Palestinez dhe librat e shkrimet e tij nuk u lejuan të qarkullonin. Atë e mërguan nga vetë populli i tij, sepse zgjodhi që të thoshte të vërtetën, sado e dhimbshme dhe e papëlqyer të ishte ajo. Dështimi i marrëveshjes së Oslos ndodhi vërtet siç e parashikoi ai dhe palestinezët e zhgënjyer shpërthyen Intifadën e Dytë. Gjithashtu, Saidi ka kritikuar diktaturat dhe korrupsionin e regjimeve arabe në Lindjen e Mesme, qofshin laike apo fetare, por kjo nuk e ka penguar aspak që njëherazi të denoncojë atë që ai i quante politikë të jashtme imperialiste amerikane në Lindjen e Mesme dhe mënyrat degraduese e raciste me të cilat paraqiteshin arabët me mediat perëndimore. Mbi përkatësitë e tij arabe dhe amerikane ai vuri luftën intelektuale për drejtësinë dhe të vërtetën. Besnik ndaj pasionit të tij për një jetë intelektuale, ai u ndje gjithmonë pa një vend, apo “jashtë vendit” (Out of Place), siç e ka titulluar autobiografinë e vet.
Edhe pse i angazhuar thellësisht me çështjen e popullit palestinez, në atë mision që ai e quante “nacionalizëm mbrojtës”, ai asnjëherë nuk i mohoi të drejtat e popullit çifut dhe asnjëherë nuk i përkrahu teoritë dy-lekëshe të komplotit botëror sionist. Ai vazhdimisht shprehej se “palestinezët ishin viktimat e viktimave”. Kjo shprehje nderonte vuajtjen e kundërshtarit dhe njëherazi ishte një akuzë ndaj kundërshtarit: si mundeshin çifutët, pasi kishin pësuar jo shumë kohë më parë përzëniet, mërgimin dhe masakrat, tani të bënin të njëjtat gjëra ndaj një populli tjetër? Si mundej populli që u kthye në tokën e tij të lashtë të mos e lejonte fqinjin që të kthehej në vendin e tij? Nga gjysma e dytë e viteve 70, si anëtar i parlamentit në mërgim ai këshillonte që lëvizja palestineze ta njihte shtetin e Izraelit, por u kritikua për këtë nga Fatah dhe organizata të tjera të OÇP-së, një hap që ato vetë do ta merrnin vite më vonë. Fillimisht ai i ishte përkrahës i planit të dy shteteve sovrane, por pasi vizitoi Izraelin e Palestinën në vitin 1992, ai u bë kampion i idesë së një shteti dy-kombësh, laik e demokratik për çifutët dhe palestinezët. Një shtet palestinez plot me enklava çifute dhe i rrethuar me mure e tela me gjemba nuk mund të jetë funksional. Saidi thotë se “Palestina historike” është e humbur, por po kështu është edhe “Izraeli historik”, sepse palestinezët janë brenda tij dhe nuk mund të zhduken. Prandaj, herët a vonë do të jetë i nevojshëm një rregullim i përbashkët i përshtatshëm për të dyja kombet, jo për t’i ndarë por për t’i bërë që të jetojnë bashkë. Nga fundi i jetës, atë harmoni që nuk arriti ta shikonte në politikën e Lindjes së Mesme, u përpoq që ta krijonte në muzikë. Së bashku me dirigjentin çifut Daniel Borenboim më 1999 themeloi orkestrën Divani Perëndim-Lindje, ku muzikantë çifutë dhe palestinezë luajnë së bashku muzikë klasike.
Sikurse ai i bënte thirrje publikut perëndimor që të mos e shikonte Orientin, apo fenë islame si diçka monolite, por kështu publikut arab e mysliman i kujtonte se nuk ka një Perëndim armiqësor ndaj tyre, se Perëndimi është shumë më i larmishëm se sa politikat e shteteve të caktuara perëndimore në Lindjen e Mesme: “Nuk mund ta denoncosh imperializmin amerikan (ose kolonializmin sionist) nga sallat e Bejrutit apo Kajros, pa e kuptuar se Izraeli dhe Amerika janë shoqëri të ndërlikuara dhe jo gjithmonë janë me të vërtetë të përfaqësuara nga politikat e trasha ose mizore të qeverive të tyre”.
Saidi mbeti i mërguari i përhershëm. Edhe një nga veprat e tij e fundit i kushtohet veprës së Frojdit, një tjetër figurë e mërguar, mbi Moisiun dhe lindjen e monoteizmit, vepër që trajton kthimin e çifutëve të lashtë nga mërgimi egjiptian. Përvojën e tij të mërgimit, Saidi e ktheu në një etos dhe e integroi në meditimet që vitin 1994 botoi mbi rolin e intelektualit (Representations of the Intellectual). Sipas tij, intelektuali ka detyrën të synojë universalen, që do të thotë të kapërcejë siguritë që i jep formimi, gjuha, kombësia e vet, për të rrokur përvojat dhe këndvështrimet e kulturave të tjera. Gjithashtu, universalitet do të thotë që intelektuali të përdorë të njëjtat kritere gjykimi si për kulturën dhe vendin e vet, po ashtu edhe për ato të vendeve të tjera. Prandaj, për t’i qëndruar besnik rolit të vet, intelektuali duhet të përpiqet me veten që të pezullojë, apo të largohet disi nga detyrimet që ushtrojnë përkatësitë kulturore, kombëtare, klasore, profesionale, gjinore, familjare etj. Ky është “mërgimi metaforik” i intelektualit që përmend Saidi, sepse, siç shkruan te libri Përfaqësimet e intelektualit, “detyra parësore intelektuale është kërkimi për një pavarësi relative nga trysni të tilla. Prandaj unë e karakterizoj intelektualin si mërgimtar, si të mënjanuar, si amator dhe si autor i një gjuhe që i thotë të vërtetën pushtetit”.
Statusi i mërgimtarit nuk do të thotë që intelektuali nuk solidarizohet. Saidi thotë se intelektuali e ka për detyrë të solidarizohet me grupet e pafuqishme që kanë nevojë për zërin e tij, për përfaqësimin e tij dhe se çdo akt përfaqësimi është një akt solidarizimi. Mirëpo intelektuali nuk duhet ta vejë solidaritetin përpara kritikës, pra të heshtë përpara padrejtësisë, dhunës apo gënjeshtrës, sepse kështu e kërkon interesi i grupit ku ai bën pjesë.
Intelektuali duhet të mërgojë në skajet e shoqërisë dhe të kulturës për të formuluar këndvështrimin e tij kritik, por atij i duhet të udhëtojë sërish në qendër, në mainstream, për të bërë të mundur që kritika e tij të dëgjohet. Fjala e tij duhet thënë në mënyrë strategjike, aty ku ka më shumë peshë dhe krijon efektin më të gjerë: “T’i thuash të vërtetën në sy pushtetit nuk është një idealizëm prej Panglosi: ta bësh këtë do të thotë që peshosh me kujdes alternativat, të zgjedhësh të duhurën dhe pastaj me zgjuarsi ta përfaqësosh aty ku ajo mund të gjenerojë të mirën më të madhe dhe të shkaktojë ndryshimin e duhur”. Saidi vetë nuk do ta kishte ndërruar Nju Jorkun me asnjë vend tjetër, sepse ky metropol kozmopolit atij i jepte mundësitë, të cilat diku tjetër nuk do t’i kishte, për të ndikuar mbi opinionin botëror. Diku ai ka shkruar se vija e frontit palestinezo-izraelit nuk është në Lindjen e Mesme, por në televizionet amerikane, sepse aty mund ta bësh për vete publikun e vendit më demokratik dhe më të fuqishëm të botës dhe aty ke shansin për ndikuar në rrjedhat e politikës botërore.
Përveç metaforës së mërgimit, Saidi përdor edhe atë të “amatorizmit” për të cilësuar punën e intelektualit. Me këtë ai kërkon të na kumtojë se intelektuali duhet të dalë nga kufijtë e profesionit të tij, prej disiplinës, prej paradigmave teorike të cilat ka mësuar dhe ka ushtruar në punën e tij dhe të ndjekë, me pasionin e amatorit, çështjet publike dhe të mbajë qëndrim për to, pa u frikësuar prej akuzave se nuk qenka “specialist”, apo “ekspert” për gjërat që thotë. Për fat të keq, në kulturën e përgjithshme shqiptare është ngulitur kuptimi “joserioz” për fjalën “amator”. Mirëpo, mjafton t’i hedhim një sy Fjalorit të Gjuhës Shqipe për të parë se amator është “ai që është i dhënë pas diçkaje me endje dhe dashuri”. Kjo është ideja e amatorizmit që propozon Saidi: zgjedhja e lirë e një çështjeje publike dhe ndjekja e saj me pasion, guxim dhe mendje të hapur për të mësuar dhe hetuar mbi atë. Intelektuali publik duhet ta mërgojë “ekspertizën” prej vetes, sepse ndonëse ajo është e nevojshme për përparimin në dije, ajo është edhe një mjet i pushtetit për të kontrolluar mendjet dhe vullnetet e njerëzve, për t’i mbajtur ata të painteresuar për çështjet përtej kufirit disiplinor dhe, në fund për t’i ndarë qytetarët nga njëri-tjetri. Shpeshherë problemet publike paraqiten nga pushteti si probleme teknike që kuptohen e zgjidhen vetëm nga specialistët e fushës dhe kjo bëhet pikërisht që pushteti të realizojë qëllimet e veta pa dhënë llogari përpara publikut. Pushteti me këtë tregon mospërfillje ndaj njerëzve të thjeshtë “që nuk marrin vesh nga kjo punë” dhe është detyra e intelektualëve, sidomos e atyre që janë specialistë për problemin në fjalë që të marrin rolin e “amatorit” dhe t’ua shpjegojnë çështjen dhe rrezikun që ai mbart publikut në terma të kuptueshëm dhe ta bëjë këtë të reagojë.
Amatorizëm për Saidin do të thotë edhe që intelektuali punën e tij e hap ndaj një publiku më të gjerë se sa rrethi i ngushtë i specialistëve/ekspertëve të fushës. Ai shkruan në Përfaqësimet e intelektualit se është përpjekur të ruhet prej grackave të profesionalizmit dhe censurës politike. Saidi ka refuzuar që të punojë si analist vetëm në një media, sepse kjo do të thoshte që të mos u drejtohej mediave të tjera. Ai ka refuzuar të përgatisë dokumente politikash për qeverinë dhe në vend të kësaj ka zgjedhur auditoret e universiteteve. Në krahun tjetër, ai kapitalin e tij të intelektualit sa herë që i është kërkuar për të përfaqësuar grupe të shtypura që u mohohen liritë dhe të drejtat nëpër botë. Kjo nuk do të thotë se ka pasur gjithmonë të drejtë, se ndonjëherë nuk ka arritur të shquajë se në një botë aspak ideale, ka edhe veprime arbitrare që e ndihmojnë viktimën. Kështu, Saidi ishte i rezervuar për ndërhyrjen perëndimore në Kosovë në vitin 1999 pa mandatin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sepse me të drejtë ai vërente se po këta shtete që bombarduan Jugosllavinë nuk kanë pasur vullnetin për ta bërë Izraelin që të zbatojë një sërë rezolutash OKB-së për tërheqjen prej territoreve të pushtuara dhe kthimin e refugjatëve. Mirëpo, e ligjshme ose jo, ndërhyrja ndërkombëtare e ndërpreu gjenocidin serb në Kosovë. Serbia mund të hiqej si viktima e radhës e arbitraritetit të Amerikës, por nuk mund ta fshihte nga opinioni botëror atë po i bënte shqiptarëve. Sidoqoftë, edhe pse mund ta ketë gjykuar gabim këtë rast, Saidi së paku tregoi guximin vetjak për të shkuar kundër rrymës. Sepse vetëm zgjuarsia dhe përdorimi i shkathët i gjuhës e i penës nuk mjaftojnë për të qenë një intelektual.