Qarkulloi këto ditë nëpër disa media shqiptare lajmi rreth njëzetvjeçares nga Kosova, fillimisht të përdhunuar e më pas të detyruar në lidhje martesore me dhunuesin e saj, për t’u ndarë, më në fund, me një gjyq në Zvicër, ku bashkëshorti rezulton të jetë dënuar për aktin e përdhunimit të shumëfishtë. Pa hyrë në detajet e narrativës, që mund të jenë ose jo të vërteta, dhe sidoqoftë shpjegohen e kuptohen nga lexuesi vetëm nën fokusin 360 gradë të ngjarjeve e jo vetëm të njërës palë, interesant është spektakli i dhuruar nga media, e cila me delikatesën e lopës e lëshon informacionin në arenën e komenteve, ku amalgama e injorancës me përjashtimin prodhojnë perlat e shëmtisë. Aty faji ose hidhet tek importimet kulturore («ne kongo, ne afrik», «race arabesh») ose te zonat e veçanta («race e keqe kosovaret, e ulet», «ju kosovaret jeni plehra te vertete»), që prodhojnë replika të ngjashme («ne kosovaret jemi shume me te edukuar se ju shqiptaret e shqipnis»), e në fund në të njëjtat media konsumojmë tezat e bashkimit kombëtar.
Po japim në vijim një rast të famshëm italian, që në fakt sjell në vëmendjen e lexuesit një fenomen social, si dhuna seksuale, e justifikuar nga rrethanat shoqërore dhe veçanërisht nga legjislacioni i një shteti të Bashkimit Europian. Kjo tregon se ka vende, nga ku pretendojmë të importojmë vlera, në të cilat dhunimi seksual është riparuar ligjërisht me martesë dhe se kjo “plagë” është shëruar me ndërhyrjen dhe emancipimin e aktorëve të ndryshëm socialë, përfshi mediat, përndryshe do të kishte vijuar e patrazuar. Zgjidhja nuk qëndron tek etiketimi e as te hedhja e fajit te Tjetri.
Franca Viola thotë ‘Jo’: Dhuna gjinore, aprovimi dhe ligji italian i viteve 1960
Më 8 mars 2014, një grua siciliane 66 vjeçare u nderua me titullin Grande Ufficiale dell’Ordine al Merito della Repubblica nga presidenti italian Giorgio Napolitano. Ai ia dha titullin më lartë të Republikës Italiane Franca Violës, në ceremoni publike për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Grave, duke nderuar rolin e saj në një çështje gjyqësore që kishte tronditur vendin gati 50 vjet më herët, më 1966.
Rasti i rrëmbimit dhe përdhunimit të Violës ishte një vijë ndarëse në përmirësimin e statusit të grave në shoqërinë italiane kryesisht për shkak të shembullit të vendosur nga Viola dhe familja e saj. Si pjesë e kërkimeve të mia mbi ndryshimin e zakoneve të martesës në Italinë e pas luftës, kam eksploruar mbulimin e gjerë të medieve të kësaj çështjeje të njohur, duke i kushtuar rëndësi të veçantë faktit se çfarë zbulon ky trajtim për ndryshimin e të kuptuarit të gjinisë, seksualitetit dhe emocioneve, si dhe identitetet lokale dhe kombëtare.
Në dhjetor 1965, Franca Viola 17-vjeçare u rrëmbye dhe u përdhunua nga ish i dashuri i saj Filippo Melodia. Rrëmbimi i vajzave të reja me qëllim detyrimin e tyre për martesë ishte një praktikë deri diku e tolerueshme në Sicili dhe jugun e Italisë që ndodhte me raste deri në vitet 1960. Raste të tilla ishte e vështirë të dalloheshin nga rastet e largimit fshehurazi, dhe rrëmbyesit e Violës synonin ta shfrytëzonin këtë ambiguitet mes dashurisë dhe dhunës. Ata kishin dhe ligjin në anën e tyre: sipas kodit ligjor italian përdhunimi mund të shfajësohej, nëse gruaja pranonte të ashtuquajturën “martesë korrigjuese” me dhunuesin e saj.
Megjithatë, rasti i Violës u shfaq ndryshe që në nisje. Ndërsa rrëmbimet përgjithësisht bëheshin kur gratë ishin në vende publike, Viola ishte rrëmbyer nga shtëpia e saj, pavarësisht kundërshtimit të nënës dhe vëllait të saj dhe ishte qartësisht një krim i dhunshëm, e jo një largim fshehurazi. Për më tepër, ndërsa çiftet në shumicën e rasteve të rrëmbimit ktheheshin në shtëpi pas disa ditësh me premtimin për martesë, për të cilën tani binin dakord vajza dhe familja e saj, familja e Violës lajmëroi menjëherë policinë dhe ajo u gjend pas një kërkimi dramatik të policisë pas një jave e rrëmbyer.
Ajo që e dalloi rastin e Violës, megjithatë, ishte vendimi saj për të mos pranuar “martesën korrigjuese” që i ofroi Melodia, dhe kjo çoi në dënimin e tij. Më 1966 ajo ishte e para grua siciliane në histori që refuzoi zyrtarisht dhe publikisht një martesë të tillë, duke refuzuar qartazi idenë tradicionale se ajo ishte “çnderuar” nga rrëmbyesi dhe përdhunuesi i saj, dhe duhej të riparonte turpin e saj me anë të martesës. Në vendimin e saj, Viola u mbështet dukshëm nga familja e saj, e cila e shkeli gjithashtu traditën siciliane duke preferuar lumturinë e vajzës së tyre dhe jo “nderin” e familjes.
Gjyqi i Melodisë, i mbajtur në dhjetor 1966 në qytetin sicilian Trapani, rroku vëmendjen e kombit. Në dekadën e kaluar, “mrekullia ekonomike” e Italisë pas luftës u shënua me ndryshime të shpejta dhe të mëdha shoqërore dhe kulturore, gjë që çoi dhe ndryshimin e qëndrimit ndaj gjinisë dhe seksulaitetit. Falë zhvillimeve ekonomike të qyeteve industriale të veriut, Italia kishte bërë kalimin nga një shoqëri kryesisht bujqësore, ku varfëria ishte sunduese në shumë zona malore, në një shoqëri urbane industriale ku rritja ekonomike ishte në linjë me zhvillimin e pas luftës të Europës perëndimore.
Megjithatë, zhvillimi ishte ende i pabarabartë dhe rasti i Violës nxori në pah degradimin që vuanin gratë në shoqërinë rurale të jugut. Ideja që Sicilia dhe jugu ishin “të prapambetur” dhe jo në ritëm me shoqërinë italiane të pas luftës ishte një nocion që ishte i pranishëm tashmë në mediet italiane si dhe në kinema e letërsi. Rasti i Violës i zgjoi shqetësimet rreth dallimeve rajonale dhe identitetit kombëtar, ndërsa i ofroi njëkohësisht shtetit në modernizim një ikonë ideale të feminizmit: një grua modeste rurale me vlera tradicionale, e cila, e përkrahur nga familja e saj, e mbrojti çështjen e saj me dinjitet të heshtur. Ideja e vjetër e nderit e lidhur me dëlirësinë femërore nuk u pranua thuajse universalisht në rastin e Violës, dhe gjyqi u fokusua te përcaktimi i dashurisë dhe familjes.
Mbrojtja e Melodisë u përpoq të pikturonte një pamjen e një romance tragjike dhe të fuqishme e krijuar vetëm vështrimeve, dhe e ndrydhur nga babai despotik i Violës. Nocioni i dashurisë u fokusua te pasioni i burrit dhe idealizoi gruan që mundej të shikonte, por jo të fliste. Ajo vazhdoi të kishte vlerë në shoqërinë siciliane sepse vajzat e reja të fshatit shfaqeshin shumë rrallë në publik dhe kishin pak mundësi të përziheshin me burra të pamartuar. Franca Viola e kundërshtoi këtë me deklaratën e saj të famshme: “Unë do martohem me burrin që dashuroj.” Këtu ajo anoi nga nocioni modern i martesës bazuar në zgjedhje, barazi, shoqëri dhe respekt.
Prokuroria dhe media e përkrahën përkufizimin e saj të dashurisë, me gazetarët që vazhdimisht i referoheshin faktit që Viola “ndiqte ndjenjat e saj” në mospranimin e “martesës korrigjuese”. Megjithatë, fokusi te emocionet e largoi vëmendjen nga dhuna seksuale në qendër të çështjes. Krimi i Melodisë ishte ende i përkufizuar së pari si shkelje e nderit të Violës dhe familjes së saj, edhe kur ideja që ajo ishte çnderuar u hodh poshtë nga të gjithë. Ideja e përdhunimit si një krim kundër personit, në vend të shklejes kundër shoqërisë ose familjes, ishte ende në fillimet e saj në ligjet italiane. Megjithatë, gazetarët e përqeshën versionin e ngjarjeve të Melodisë. Italia e zhvilluar dhe me vetëbesim e viteve 1960 dukej e prirë që të distancohej nga stilet e maskulinitetit që ishin të lidhura me të shkuarën dhe jugun rural.
Gazetari napolitan Renato Filizzola, për shembull, shprehu shpresën e tij se të tjerë të rinj do të dekurajoheshin nga “kjo rrugë “romantike”, kurthet sentimentale të të cilës ishin, të citoj kodin penal: dhunë seksuale e vazhdueshme, pengmarrje, thyerje dhe hyrje në shtëpi, dhunë fizike” (Il Mattino, 20 dhjetor 1966).
Në fund Melodia u dënua me 11 vjet burg. Megjithëse neni ligjor i “martesës korrigjuese” u abrogua më 1981, çështja e Franca Violas përfaqëson një moment të rëndësishëm në politikën moderne italiane të gjinisë. “Jo”-ja e famshme e saj përfaqëson një hap të rëndësishëm në ripërkufizimin e martesës si vendim bazuar në dashuri, barazi dhe respekt, dhe jo në turp e detyrim, dhe në njohjen e dhunës seksuale dhe gjinore në shoqërinë italiane. Megjithëse, Franca Viola i refuzoi të gjitha intervistat dhe shfaqjet në publik pas vitit 1966 deri vitin e kaluar, gruaja enigmatike në qendër të kësaj çështjeje pati një ndikim të thellë mbi shoqërinë bashkëkohore italiane. Në një shoqëri ku dhuna gjinore perceptohet ende si një problem kombëtar akut, njohja zyrtare nga shteti italian e rolit të Franca Violës në luftën kundër dhunës seksuale dhe gjinore ofron një shenjë të rëndësishme ndryshimi potencial.