Komisioni Displinor i UEFA-s dha vendimin për ndeshjen e 14 tetorit, Serbi-Shqipëri, e cila u ndërpre në minutën e 41, për shkak të dhunës që shpërtheu në fushë, kundër lojtarëve shqiptarë. Ndeshja ishte e vlefshme për eliminatoret e Euro 2016. Komisioni e vlerësoi ndeshjen 3-0 në favor të Serbisë, me argumentin që lojtarët shqiptarë nuk kishin pranuar të vazhdoni lojën. Nga ana tjetër, Komisioni i hoqi Serbisë 3 pikë, sepse ndeshja u ndërpre dhe ajo ishte përgjegjëse për sigurinë. Të dyja federatat u gjobitën me nga 100 mijë euro, ndërsa ajo ekipi serb u ndëshkua dhe me dy ndeshje pa tifozë. Ky vendim u prit me pakënaqësi në të dy vendet dhe federatat e të dyja vendeve kanë deklaruar se do ta apelojnë vendimin. Lajmi është pasqyruar dhe në shumë medie ndërkombëtare, por më shumë është trajtuar ftohtë, me natyrë raportimi, dhe ende nuk ka pasur komente të mirëfillta mbi vendimin e Komisionit.
Gazeta britanike The Guardian thotë se Serbia u shpërblye me fitore 3-0, por të dyja palët nuk përfitojnë asnjë pikë, sepse Serbisë iu hoqën 3 pikë gjithashtu. “Vendimi është etiketuar tashmë si “kontrovers” nga avokatët e federatës shqiptare, të cilët mendojnë se lojtarët e tyre u vendosën përballë rrezikut për jetën për shkak të paaftësisë serbe në kontrollin e turmës në Beograd,” shkruan The Guardian.
Duke i referuar burimeve shqiptare, e përditshmja britanike shkruan se lojtarët shqiptarë u “qëlluan me gurë e çakmakë dhe bërtisnin “Vrisni shqiptarët”.
BBC, Daily Mail, Washingdon Post
Edhe BBC shkruan në faqen zyrtare se “Serbia u shpërblye për largimin e shqiptarëve për shkak të dhunës.” BBC citon një zyrtar të FSHF, i cili, duke iu referuar vendimit, thotë se “kjo është një ditë e trishtuar për futbollin evropian.” Sipas zyrtarit shqiptar, “Ky është një vendim zhgënjyes, jo vetëm nga këndvështrimi i tifozëve shqiptarë, por është një vendim që është i papranueshëm dhe nga një këndvështrim ligjor dhe teknik. Me të njëjtën ftohtësi, dhe me gati në të njëjtat argumenta, lajmi është trajtuar dhe nga e përditshmja tjetër britanike Daily Mail dhe e përditshmja amerikane Washington Post, të cilat e kanë përcjellë lajmin përmes raportimeve të agjencisë amerikane të lajmeve AS. .
Rrjeti televiziv amerikan CNN shkruan në faqen e tij elektronike se “Serbia u fajësua zyrtarisht për trazira të tifozëve, hedhje fishekzjarrësh, pushtimin e fushës, organizim të pamjaftueshëm, dhe përdorimin e një pene me lazer.” Kurse Shqipëria u fajësua për “shfaqjen e një banderole dhe mospranim për të vazhduar lojën.” CNN citon kryeministrin shqiptar të ketë shkruar në tweetter: “Në lidhje me atë që ndodhi në Beograd, sot nuk është dhënë drejtësi.” CNN citon dhe presidentin e FSH, Armand Duka, sipas të cilit “dënimi nuk ishte proporcional.