Para disa ditësh, në median e shkruar e në TV shqiptare u publikua një video ku një person që, deklarohet ish i përndjekur politik, urinonte mbi varrin e diktatorit komunist Enver Hoxha. Media jonë është e mbushur, për fat të keq, me të tilla lajme ordinere. Nuk do të më kish tërhequr vemendjen ky akt i publikuar sikur personi, varri i të cilit dhunohej, dhe personi i cili kryente dhunimin të mos kishin një ngacmim të posaçëm në ndërgjegjen time. Gama e krimeve në “mëmëdhe” është nga më të larmishmet. Nga vrasjet e pensionistëve me qese në fyt e deri tek vjedhja a kangjellave në varreza për skrap. Përdhosja e varrezave po kthehet në “tendencë”.
Në memorje e në atë çka njoh mbi këtë fenomen, praktika e dhunimit të varreve fillon me marrjen në dorë të pushtetit nga kriminelet komunistë. Është i njohur botërisht fati i jetës e i vdekjes së mijëra grave e burrave përgjatë atij rregjimi: Vrasje e tortura pafund, por, si “risi ” e pa dëgjuar kurrë më parë në Shqipëri, përdhosja e varreve të viktimave, nxjerrje e përdhosje eshtrash, djegie e tyre me gëlqere, hedhje në gropa malesh a në lumenj, etj. Fantazia makabre e nekrofile e regjimit nuk kish limit dhe arkitekti i këtij makabriteti ishte vetë Enver Hoxha.
Me rrëzimin e regjimit të tij gjakatar, me mijra familje të persekutuara filluan kalvarin e kërkimit të eshtrave të familjarëve me shpresën që t’i gjenin ato e, në një farë mënyre, t’u jepnin prehje të denjë, ashtu si ne të gjallët mendojmë se duhet t’a kenë. Ende sot, mbas kaq vitesh, shumë prej tyre nuk kanë mundur t’i gjejnë. Arsyet janë nga më të ndryshmet por, sipas meje, më e rënda është indiferentizmi i qeverive në vazhdim këto 23 vjet e, po aq, një farë menefregizmi i shoqërisë karshi këtij fenomeni. Kjo përpëlitje e të persekutuareve në këtë kalvar vuajtjesh që përsëriten, është gati fiziologjike e mund të çojë nga një gjendje impotence deri në ekstremin e veprimeve nga më radikalet.
Me ç’kujtoj, di e njoh, deri tani nuk ka patur veprime radikale karshi personave të implikuar në krime komuniste dhe nuk ka patur kurrë përdhosje varresh. Kurrë një i persekutuar, i denjë për këtë nominim, nuk mori hak mbi të gjallë e aq më pak mbi të vdekur. Do ishte dashtë po, një impenjim e përkushtim i pafund për dënimin e kriminelëve akoma në jetë, e çuarjen e tyre para drejtësisë, por kjo nuk u bë në asnjë rast e shpesh, edhe për fajin tonë (jam pjesë e grupit të madh të të persekutuarve nga regjimi komunist), ndërsa për të vdekurit, në të madh të vet, Zoti do të dijë t’i gjykojë…
Por me sa duket, ardhja e Papa Franceskut e fjala e tij, vendosja e fotove të dhjetra martirëve në bulevardin e Tiranës e deri dhe ndeshja futbollit Serbi-Shqipëri, lanë në harresë ditlindjen e kriminelit Hoxha në këtë “70 vjetor çlirimi”. Këtë harresë nostalgjikët e regjimit nuk mund t’a pranonin. U gjet një mjeran, që kurrë e kurrë nuk mund të përfaqësojë klasën tonë, për të tërhequr vëmendjen me këtë veprim të turpshëm. Nërsa mediat që pothuajse kurrë nuk bënë një investigim serioz mbi fatin e eshtrave të mijëra viktimave të regjimit, tani lidhen nyje mbas shurrës së një maskarai për të denigruar një grup fisnik të shoqërisë shqiptare e për të nxjerr nga varri një kërrmë akoma të pakalbur nga koha.
_______________
Për arsye etike, vendosëm të mos e ilustrojme shkrimin me foton e publikuar në shtyp ku paraqitet akti i përdhosjes së varrit të diktatorit.