Shkarkimi i Armand Shkullakut nga posti i Drejtorit të ABC News, rihapi debatin mbi shtypin, por si përherë, pa u ngritur dot mbi politikën e ditës. Reagimet nga një pjesë e konsiderueshme opinionistësh u përqendruan kryesisht në profilin e tij si gazetar, duke e zhvendosur objektin nga qeveria tek mediat. Siç ndodh shpesh në Shqipëri, shumica shikon gishtin kur i tregon hënën.
Largimi nga puna i një drejtori televizioni nuk përbën kurrfarë interesi publik, nëse motivet e këtij shkarkimi nuk janë politike. Për këtë arsye objekti i debatit nuk ka përse të jetë Shkullaku dhe ABC News, por lloji i qeverisjes që kemi dhe kontrolli që ajo ushtron mbi jetën publike.
Në një vështrim të shpejtë, ky televizion kish mbetur nga të paktat media konvencionale, ndonëse gjithsesi jo i fuqishëm, që denonconte problemet e qeverisë në një mjedis të shurdhuar nga propaganda e korit mediatik të kapur nga pushteti. Për këtë arsye, rënia e tij nuk është thjesht një problem i medias, por është epilogu i triumfit të pushtetit mbi shtypin. Pasi ka shtrirë kontrollin kudo në mediat e mëdha, qeveria tashmë po zbret në periferi, e vendosur për të mos toleruar asnjë hapësirë kritike a opozite.
Fakti që ajo ndjehet e kërcënuar nga çdo media jashtë kontrollit të saj, tregon shumë për degradimin që ka pësuar pushteti. E zhytur në korrupsion, skandale e dështim të të gjitha reformave, ndërsa ka premtuar rilindje e transformim rrënjësor të vendit, qeveria nuk ka rrugë tjetër përveç propagandaës për të mbuluar realitetin e vërtetë. Por propaganda është e brishtë dhe e paaftë për të triumfuar në një mjedis ku funksionon sadopak liria e shtypit, ndaj dhe qeverisë i duhet të shtjerë në dorë çdo kanal komunikimi për t’ia dalë. Një produkt surrogato siç është propaganda nuk mund të konkurrojë në një treg të lirë, ndaj, për t’a bërë atë të shitshëm, duhet monopolizuar tregu. Pushtetit i mbetet të shtyhet pashmangshëm drejt autoritarizmit, qoftë nëpërmjet presionit, qoftë nëpërmjet korrupsionit.
Alexsis de Tocqueville, në analizën e tij mbi demokracinë në Amerikë, vë në dukje se, me gjithë problemet e shumta që mund të ketë shtypi, liria e tij është jetike, sidomos për një vend ku institucionet nuk e bëjnë punën e tyre. Kur, bie fjala, gjykatat nuk ofrojnë drejtësi, shoqërisë i mbetet vetëm publiku si gjykatës. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm shtypi. Sovraniteti i popullit, sipas tij, lidhet tërësisht me lirinë e shtypit, e cila bëhet e vetmja garanci për lirinë dhe sigurinë e qytetarëve. Në një shoqëri ku qytetari nuk ka ku të informohet, nuk mund të ketë vullnet të lirë të popullit. Për pasojë qeverisja fiton dorë të lirë të sillet në mënyrë gjithnjë e më despotike, korruptive e shkatërrimtare.
Në një situatë të tillë, është vërtetë cinike të shohësh shumë analistë që problemin e kërkojnë tek gazetarët, duke u ankuar se në Shqipëri nuk ka shtyp të lirë, pasi edhe kur kritikojnë qeverinë, e bëjnë këtë, jo nga një pozicion i paanshëm, por si të shitur tek opozita. Duke kërkuar virgjëreshën në një kuplara, ata në fakt janë duke i barazpështyrë të gjithë. Dhe kjo i shërben më së miri atyre që kurvërojnë më fort dhe më shëmtuar në këtë moçal, e sidomos tutorëve në pushtet.
Në të vërtetë, në parametra të tillë, media e pavarur nuk ekziston në asnjë vend të botës. Kudo mediat mbajnë qëndrime që, dashur pa dashur, do t’i shëbejnë dikujt në politikë. Në telb, pavarësia e shtypit nënkupton, jo paanshmërinë e mediave tek e tek ndaj qeverisë apo politikës, por pamundësinë e qeverisë për ti nënshtruar ato. Ajo çfarë e mban në jetë shtypin e pavarur është ndër të tjera konkurrenca, e cila kërkon domosdoshmërisht një standard të caktuar përgjegjësise profesionale për të ruajtur besueshmërinë e publikut. Por kur njëri kamp asgjëson tjetrin dhe monopolizon skenën, atëherë nuk kemi më informim, por propagandë. Debati shndërrohet në monolog dhe publiku nuk është më gjykatës, por spektator.
Pra, objekt i analizës në këtë rast nuk duhet të jenë mediat, por qeveria. Spostimi i objektit tek problemet e shtypit dhe gazetarëve, megjithë problemet serioze që shtypi shqiptar ka në të vërtetë, nuk bën gjë tjetër vetëm se largon vëmendjen nga thelbi duke i dhënë dorë të lirë qeverisë të vazhdojë invazionin e saj mbi fjalën e lirë. Duke luftuar keqpërdorimet e lirisë, thotë Tocqueville, mund të përfundojmë në këmbët e një despoti.
Cinizmi i të gjithë atyre që patën luksin të diskutojnë mbi problemet e shtypit, kur qeveria uzurpon çdo medium një nga një, është shfaqje e mercenarizmit më të shëmtuar. Ekstravaganca etike që kujdeset për barazlargim nga të gjithë palët duke shpërfillur kandarin e rrezikut të autoritarizmit, është naiviteti më i madh dhe një patericë e fortë ku ky pushtet mbahet.