Ardian Muhaj
Krejt procesi i përshpejtuar i arritjes së marrëveshjes dhe nxitimi i madh për ta ratifikuar sa më shpejt, i ngjan një komedie të keqvënë në skenë, por në fakt ngërthen në vetvete një tragjedi të pashmangshme, copëtimin territorial të trojeve etnike shqiptare nga i njëjti copëtues që ka rreth një e shekull e gjysmë është fryrë aq shumë me territore shqiptare sa të vjen turp ta mendosh se po i japim prapë që të fryhet akoma edhe më shumë.
Përmes kësaj marrëveshjeje të arritur befasisht lehtë me palën malazeze por të kundërshtuar fuqishëm nga specialistët më të mirë të Kosovës, nga shumica e deputetëve dhe politikanëve si edhe nga opinion i gjerë dhe krejt popullsia shqiptare, Republika e Kosovës, humbet zyrtarisht, në tavolinë, në kohë paqeje dhe ndaj një shteti që nuk ka qenë dhe nuk ndodhet në luftë, rreth 8200 hektarë, ose 82 km2, që i bie, jo pak por 1 përqind e territorit të Republikës së Kosovës.
Nevoja e ngutshme për të miratuar zgjerimin e disatë rradhaz të Malit të Zi në kurriz të shqiptarëve ka nxjerrë në pah edhe çudira të tilla si ai i një Profesori të gjeografisë, i cili pohonte se sipërfaqja e Kosovës me marrëveshjen e shënjimit të kufirit “nuk ka ndryshuar por thuhet se sipërfaqja e Malit të Zi është rritur”. Tomorr Çela, pra profesori në fjalë, e bën telef Ajnshtajnin me këtë alkimi gjeografike sipas së cilës me një të lëvizur të kufirit edhe Kosova nuk zvogëlohet edhe Mali i Zi zmadhohet. Sa mirë do të ishte sikur alkimia të funksiononte të paktën njëherë tash më se dy shekuj në kahun e kundërt, pra që edhe Mali i Zi të mos zvogëlohej edhe Kosova të zmadhohej. Në fund të fundit, një patriot i mirë nuk kërkon të zvogëlojë fqinjin por thjesht të zmadhojë shtetin e vet në kurriz të fqinjit?!
Formula magjike që e bën të mundur këtë alkimi gjeografike, nuk është tjetër veçse mbështetja në regjistrin e hipotekës, pra të titujve individualë të pronësisë, duke mos e marrë parasysh aspak pronën shtetërore të Kosovës, a thua se po bëhet demarkacioni mes Halilit e Milutinit dhe jo mes Kosovës e Malit të Zi. “Kriteri kadastral për herë të parë është përdorur në Kosovë”, pohon me sinqeritet të paqortueshëm Profesori që mbështet komisionin e Thaçit e Mustafës përkundër opinionit kundër të ekspertëve të botës akademike.
Të njëjtën alkimi promalazeze e përdorin edhe triumvirati, Thaçi, Veseli, Mustafa. Ata ngulin këmbë se asnjë shtetas i Kosovës nuk humbet asnjë centimetër katror tokë. Pra nuk u cenohen tapitë. Por, këtu del qartë se flasin si kryetarë fshati por jo si shtetarë, sepse u bë tashmë katërçipërisht e qartë se shteti i Kosovës humbet 1 përqind të territorit të vet, pa humbur asgjë individët e caktuar, për faktin e thjeshtë se toka që po falet është tokë shtetërore. Precedenti i faljes së tokës shtetërore, në rast se nuk cënohen pronat individuale, mund ta çojë Kosovën në një qorrsokak të ardhshëm prej të cilit nuk dihet se a do mund t’ia dalë.
Mosmiratimi i demarkacionit e mbron shtetin e Kosovës jo vetëm nga copëtimi që propozohet, por edhe nga nga copëtimi i mëtejshëm. Kjo do të shërbejë si precedent për demarkacionin e radhës atë më të vështirin dhe më të rëndësishmin me Serbinë. Përveç demarkacionit me Kosovën, Serbia ka në dorë edhe Zajednicën. Me këto dy mjete të forta, Serbia do të luajë harushë me shtetin e Kosovës përderisa ka gjithë atë vijë kufitare për të shenjuar. Serbia do e marrë stafetën e copëtimit nga Mali i Zi, në Sanxhak, dhe deri në kufi me Maqedoninë. Precedenti i paprecedent që po ligjërohet vetëm në Kosovë dhe ndaj Kosovës, do të jetë një armë e përsosur në duart e Serbisë dhe dashnorëve të saj në Kosovë, për të mos lejuar cenimin e pronës së asnjë shqiptari të Kosovës, por vetëm të shtetit të Kosovës. Kështu, një shembull ku mund të aplikohej precedenti aktual është çështja shumë e nxehtë dhe nevralgjike e minierës së Trepçës. Asnjë qytetar i Kosovës nuk e ka në tapi minierën e Trepçës dhe sipas precedentit të komisionit të triumviratit, Thaçi-Veseli-Mustafa, ajo mund t’i jepet Serbisë ose Zajednicës serbe, mbasi zyra kadastrale e Murat Mehës garanton se asnjë shqiptari nuk i cenohet prona e babës.
Vetë Mali i Zi, në përcaktimin e kufijve të diskutueshëm me Bosnjën dhe Kroacinë nuk e ka përdorur dhe as marrë fare në konsideratë kriterin kadastral, apo të tapive individuale. Për çudi në rastin e Marrëveshjes midis Malit të Zi dhe Kroacisë mbi kufirin detar në Prevlakë, të dy palët kanë arritë në një marrëveshje të përkohshme. Protokolli i Marrëveshjes së Përkohshme midis Zagrebit dhe Podgoricës i vitit 2002 vazhdon ende sot të mbetet në fuqi. Këtu kemi të bëjmë me një zonë strategjike që kap gadishullin e Prevlakës pranë Bokës së Kotorrit me një hapësirë prej 6 mijë hektarësh. Zagrebi dhe Podgorica vazhdojnë ta respektojnë këtë marrëveshje pa shkaktuar asnjë incident apo problem ndërshtetëror.
Edhe sa i përket çështjes së demarkacionit të vijës kufitare me Kosovën Podgorica zyrtare ka treguar gatishmëri që problemi të trajtohet përmes bashkëpunimit të gjithanshëm, pa përjashtuar edhe ndonjë marrëveshje të përkohshme. Më malazez po tregohen Murat Meha me triumviratin Thaçi-Veseli-Mustafa, se sa autoritetet e Podgoricës. Në fakt, Podgorica po tregon qartë me këtë qëndrim se përfitimi i 1 për qind të territorit të Kosovës, është një budallallëk që i ka brirët aq të mëdhenj sa që po të mos këmbëngulnin qeveritarët e Prishtinës kurrsesi nuk do t’i kishte kërkuar. Kjo për arsyen e thjeshtë se precedenti i kriterit kadastral, do ta penalizonte vetë Malin e Zi, ashtu siç po e penalizon tash Kosovën, dhe siç ka me e penalizu akoma edhe më shumë në të ardhmen.
Alkimistin Murat Meha bashkë me promalazezët e tjerë në Prishtinë do t’i ftoja të zbatonin kriterin kadastral ndaj Malit të Zi, në rastin e kufirit të Malit të Zi me Shqipërinë, veçanërisht në zonën e Shkodrës. Shumë familje shkodrane deri në vetizolimin e flaktë komunist, kanë pasur prona në fushën e Zetës e deri në rrethet e Podgoricës. Në periudhën e mbretërisë shqiptare këta shkodranë ishin të pajisur me “Karta Kufini” në dy gjuhë, serbisht e shqip, ku specifikohej e drejta e kalimit të lirë dhe prona ku kishin të drejtë këta shtetas shqiptarë të shkonin për ta punuar dhe shfrytëzuar.
Manipulimi me Amerikën dhe me deklarimet e zyrtarëve amerikanë është i paskrupullt. Argumenti i stërpërsëritur nga triumvirati, Thaçi-Veseli-Mustafa, është se marrëveshja për demarkacionin ka marrë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Simbas Veselit “pritet përgjegjësi shtetërore nga ana jonë që ta votojmë më 1 shtator. Dhe kjo do të ndodhë pasi miratimi i demarkacionit forcon partneritetin tonë me NATO-n dhe Malin e Zi si shtet fqinj, por edhe me vendet perëndimore. Shënjimi i kufirit me Malin e Zi është një arritje me rëndësi të jashtëzakonshme për Republikën e Kosovës, pasi konsolidon integritetin territorial duke u bërë një vend që ka tre nga katër kufijtë e saj të pranuar në mënyrë konsensuale. Prandaj unë bëj thirrje tek të gjithë qytetarët në përgjithësi, dhe deputetët në veçanti, që të mos bien pre e dezinformimit apo manipulimit, por të kenë besim tek institucionet e Kosovës dhe tek shtetet mike të cilat thonë se marrëveshja e demarkimit përcakton kufij të saktë. Deputetët duhet ta dinë qartë se miratimi i demarkacionit i hapë rrugë perspektivës së shtetit, ndërsa alternativa tjetër e çon Kosovën në rrugë të paditur”.
Nuk do mend shumë të kuptosh se Amerika apo kushdo qoftë nuk mund të kundërshtojë një marrëveshje dypalëshe përderisa kjo marrëveshje nuk i cenon interesat e asnjë pale të tretë. Pra Amerika nuk e kundërshton marrëveshjen kështu siç është, por nuk do ta kishte kundërshtuar edhe sikur marrëveshja e arritur mes Malit të Zi e Kosovës të bënte të kundërtën, t’i jepte Kosovës 8 mijë hektarë tokë. Përderisa qeveria malazeze e Podgoricës dhe qeveria promalazeze e Prishtinës kanë rënë dakord, përderisa janë marrë vesh për këtë, Amerika dhe askush nuk do të vijë t’u thotë që të mos merren vesh. Amerika nuk mbështet mosmarrëveshjen, ndërmjet dy shteteve mike të saj. Ajo mbështet marrëveshjen që është arritur prej tyre, ashtu siç i ka hije, një supershteti mik i të dy palëve. Përndryshe do të akuzohej si luftënxitëse. Pra, problemi nuk është marrëveshja me malazezët, por se marrëveshja nuk është e duhura, se ajo është e dëmshme për Kosovën.
Edhe manipulimit me gjoja lidhjen e demarkacionit me liberalizimin e vizave me BE-në i dolën në dritë të diellit këmbët e shkurtra. Mali i Zi as nuk është shtet i Bashkimit Europian, që të mund të vendosë veton ndaj Kosovës në marrdhëniet me BE-në, as nuk është fqinji i vetëm përmes të cilit shtetasit e Kosovës udhëtojnë drejt vendeve të BE-së. Në se demarkacioni i kufirit me Mali e Zi do të kërkohej si kusht për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Malit të Zi, prapë do kishte kuptim, por jo mes Kosovës dhe Bashkimit Europian.
Pyetja që shtrohet natyrshëm është pse të mos mbështesë BE-ja një ngrirje të çështjes apo në rastin më të mirë një marrëveshje të përkohshme, përderisa përditë na thuhet se edhe bashkimi kombtar i shqiptarëve do të arrihet në kuadrin e integrimeve europiane. Madje i kemi një shpurë të mirë intelektualësh, pa llogaritë qeveritarët e politikanët, edhe këtej edhe andej kufirit shqiptaro-shqiptar, që na e përmendin përditë këtë ide.
Një analizë e përciptë e qëndrimit të këtyre intelektualëve dhe politikanëve për çudinë e çudirave, tregon se paradoksalisht, nga njëra anë mbështesin idenë e dorëheqjes nga bashkimi kombtar, dhe atë të bashkimit të shqiptarëve në një Europë të bashkuar, dhe nga ana tjetër, të njëjtit janë për të nxituar sa më shpejt në përcaktimin e kufirit me Malin e Zi. Me një fjalë, kur është fjala për t’i bashkuar Malit të Zi, nja 8 mijë hektarë të Kosovës, nuk duhet pritur por duhet bërë që tani, kurse kur është puna për t’i bashkuar dy copat e ndara të kombit shqiptar, duhet pritur që të bëhen në kuadrin e integrimit europian. Si thoni a ta lëmë edhe dhënien e 8 mijë hektarëve për më vonë, kur e gjithë Europa të bashkohet e kur kufijtë nuk do të kenë më rëndësi? A nuk është e ardhmja e Shqipërisë, e Kosovës e Malit të Zi dhe e të gjithë rajonit në Europën e Bashkuar? Le t’i themi po Europës dhe “JO” demarkacionit!