William Johnson
Reuters
Identiteti i Japonisë si shtet, siç përkufizohet në nenin 9 të kushtetutës, është gjithnjë e më shumë në kundërshtim me realitetin. Marina Detare Ushtarake japoneze është marina e dytë më e fortë në rajon, pas aleatit të saj të ngushtë, SHBA-së. Japonia ka buxhetin e mbrojtjes të shtatin në botë; Ministria e Mbrojtjes është departamenti më i madh në gjithë qeverinë japoneze.
Nga ana strategjike, një Japoni ushtarakisht e fortë e lejon SHBA – aleat i ngushtë i saj – të mbajë distancë nga përplasja ushtarake me Kinën në lidhje me mosmarrëveshjet territoriale. Kjo ia heq Kinës argumentin që SHBA nuk është as pjesë e mosmarrëveshjes dhe as vend i rajonit. Problemi për SHBA qëndron në bindjen e aleatëve, veçanërisht Korenë e Jugut, se një Japoni ushtarake në rritje nuk rrezikon në rikthimin e imperializmit japonez.
Neni 9 i kushtetutës japoneze, e miratuar më 1947, e ndalon Japoninë të mbajë “forca ajrore, detare e tokësore si dhe forca të tjera të mundshme.” Ky nen e paraqiti Japoninë si një shtet paqësor, por më 1950 pati nevojë për ndryshime, pasi SHBA i zhvendosi forcat e saj nga Japonia në Kore dhe e la Japoninë të pambrojtur. Për të përmbushur këtë boshllëk, gjenerali Douglas MacArthur autorizoi krijimin e forcave të mbrojtjes kombëtare për të mbrojtur ishujt e Japonisë. Qysh atëherë ka pasur interpretime të shumta, deri në pikën që forcat e vetëmbrojtjes japoneze janë një ushtri në gjithçka, përveç emrit.
Forcat japoneze mbetën të kufizuara vetëm në territoret japoneze pa shumë ndryshime deri më 1992. Atëkohë Japonia miratoi një ligj, duke riinterpretuar nenin 9, që i lejonte forcat e saj të vetëmbrojtjes të merrnin pjesë misione paqeruajtëse të OKB.
Në 2004, Japonia dërgoi trupa për ndihmë humanitare në Irak, kur u lejuan të qëllonin vetëm në rast se dikush hapte zjarr ndaj tyre, dhe nuk lejoheshin t’u shkonin në ndihmë forcave të tjera të koalicionit që mund të ishin në betejë. Veli i pacifizmi, megjithëse i hollë, i mbulonte ende mjaftueshëm gjithë aspektet e forcave japoneze. Por në vitet e fundit, pjesa më e madhe e kësaj mbulese është hequr.
Vitin e kaluar qeveria japoneze miratoi një ligj, duke e riinterpretuar sërish nenin 9, që i lejonte forcat të vepronin për “mbrojtje kolektive”. Tani forcat japoneze mund të lejohen t’u shkojnë në ndihmë aleatëve që sulmohen. Ndërsa SHBA dhe Filipinet e mirëpritën, ndërsa vendet e tjerat nuk ishin entuziaste. Nuk është befasi që Kina, e cila e ka kritikuar prej kohësh Japoninë që nuk ka denoncuar krimet e së shkuarës, e kundërshtoi ndryshimin. Por një reagim negativ i ashpër nga SHBA dhe Korea e Jugut duhet t’i ketë tronditur planifikuesit ushtarakë të SHBA. Edhe Australia, që përgjithësisht bën ç’bën Amerika, reagoi vakët.
Zgjerimi i veprimtarisë së ushtrisë japoneze po e ndryshon peizazhin e mbrojtjes në rajon. Japonia ka biseduar për marrëveshje bashkëpunimi me Vietnamin dhe Filipinet në stërvitje detare dhe për patrullimin e zona të kundërshtueshme në Detin e Kinës Jugore, gjë që do ta bëjë Kinën të mendojë për hapin e saj të radhës në rajon.
Kryeministri Japonez e ka mbrojtur prej kohësh idenë e ndryshimit të kushtetutës japoneze që të lejojë Japoninë të bëhet një shtet “normal”, me zhvillimin e ushtrisë në përputhje me nivelin e instrumenteve ekonomike dhe diplomatike të pushtetit. Ndërsa ai nuk është në gjendje ta artikulojë këtë me zë të lartë, inaugurimi i anijes Izumo muajin e kaluar e ka normalizuar goxha fuqinë detare të Japonisë. Izumo është një aeroplanmbajtëse, më e madhja në marinën japoneze. Japonezët bëjnë kujdes të mos e quajnë aeroplanmbajtëse, gjë që do ta bënte një sistem armësh sulmuese, por në madhësi dhe kapacitet, është e ngjashme me aeroplanmbajtësen amerikane të helikopterëve.
Megjithëse tani mund të transportojë vetëm helikopterë me qëllime të përgjithshme, Izumo mund të modifikohet për të transportuar helikopterë sulmues, V-22 Osprey ose F-35B. E parë me këtë sy, Izumo është një barazim i qartë me aeroplanmbajtësen e vetme të Kinës.
Imazhi i pacifizmit të Japonisë tashmë është kthyer në një gjethe fiku. Japonezët por zhvillojnë kapacitet që i lejon të luftojnë kundër çdo kundërshtari. Gjethja e fikut do të bjerë shumë shpejt.