Jetojmë në një botë ku kurdoherë ka mbretëruar informacioni. E nëse informacioni i saktë është mbret, bartësi i këtij informacioni është jo pak i privilegjuar dhe prurësi i tij është entitet shumë i vyer. I tillë entitet është media dhe shërbimi që ajo i bën publikut, shpesh merret si i mirqenë, por jo kurdoherë ka qenë kështu. Jo kurdoherë të dhënat dhe lajmet kanë qenë një pronë publike. Siç e ka zbukuruar këtë të vërtetë me artin e tij të shprehjes edhe Umberto Eko: Jo të gjitha të vërtetat janë për të gjithë veshët. Për mirë a për keq kjo, këtë e ka gjykuar herë pas herë historia, por edhe kjo e fundit, fillimisht s’është asgjë më shumë se lajm kronike, e më pas bëhet mirfilli shkencë. Varet pra nga zbuluesi i këtij mbreti, nga trajtimi që i bëhet dhe nga ndajshtesat e retushet që i bashkangjiten atij.
“Sinoptikanët” e fakteve
Përpos konçizitetit të lajmit të vërtetë, të faktit të vërtetuar, ka edhe një tjetër kategori që, në hierarkinë monarkike të mendimit, ende nuk e di se çfarë emërtimi apo grade mban. Orakull e quanin dikur, profet, lexues fati, fallxhor etj. Sot e quajnë analist, opinionist, dijetar me profesion gjithçkaditës.
Janë për tu pasur zili këta gjithçkaditësit, nuk e fsheh. Për dijet e tyre, më shumë se sa për personalitetin e tyre që duhet të shtiret i paditur për të marrë ndonjë lëmoshë si honorar. Aq shumë duhet të shtiren të paditur sa sosin me cene të parekuperueshme mendore, sepse mbas njëfarë kohe cinizmi ua pushton krejt trupin tej e tej dhe binden se ç’do dije është vetëm për ta, u përket vetëm atyre.
Dituria kërkon përsonalitet të fortë që të mjeshtërojë pushtetin që sjell me vete.
Ndërsa shfletoja faqet e aktualitetit, nuk mund t’i qëndroja indiferent artikujve që i kushtoheshin një ngjarje të rrallë mondane siç qe ajo e dasmës së nipit të Mbretit Zog. Pjesmarrja e Mbretëreshës Sofi, e Dukës së Edinburgut, e pasardhësve të Romanovëve etj, të jep përshtypjen se influenca e familjes mbretërore shqiptare, është jo pak inponuese. Përfshirja e tupanave të veriut dhe isove të jugut, e klerikëve përfaqësues të të gjitha besimeve fetare, flet vetë për populizmin e dëshiruar të kësaj ngjarje.
Në ato dritaret e vogla brenda monitorit të telefonit, aty ku ka disa vite, që gjithsecili përpiqet të lerë gjurmën e tij, të kuptimtë e të pakuptimtë, në këtë botë, u vargëzuan përshtypjet breshëri. Në varësi të kapacitetit celebral, gjithsekush komentoi duke filluar që nga gjatësia e shtatit të dhëndrrit, fustanet e nuses, përhumbja e vjerrës, deri tek qëllimet e cermonisë madhështore. Pra kush ishin destinacionet e ardhshme të mendimit panshqiptar, pas kësaj dasme me jehonë botërore. Këtu komentet vërshuan nga intelektualët e mohuar e të dështuar. Njohësit e pafundëm të filologjisë, historisë e jurisprudencës, i shpalosën lakrat e tyre nga nostalgjia e gjyshërve, si për t’i legjitimuar mes dijesh të tjera të përbotshme.
Sipas komenteve të tyre, që prej kërshërisë i lexoja njëherësh, është e ditur që në kohën e Zogut, ka qenë më mirë (Për disa edhe në kohën e Xhaxhit ka qenë shkëlqyeshëm)! Është e ditur se sipas të dhënave të sakta të gjyshit të dikujt, në 1921, është garantuar pavarsia e vërtetë, nën flamurin e kuq me shqiponjë dykrenare.
Çështë e vërteta shumë prej nesh e vlerësojnë kështu, për hir të një sërë të vërtetash historike. Po aq e ditur sipas “atyre” është se në kohën e Zogut u sendërtua një shtet i vëtetë, me institucione të vërteta funksionale dhe legjenda e çon historinë në kufij me përrallën kur thonë se me një xhandar mbahej gjithë fshati. Dhe fshati ishte i banuar nga shqiptarë. Po të njëjtët shqiptarë që njohim edhe sot, në mos më të sertë, për hir të prapambetjes.
Sipas analizës së shumëpritur e stërholluar të disa fytyrave fejsbukjane, për hirë të së vërtetës pa emër njeriu, në referendumin e ’97, monarkia fitoi, por një dorë keqbërëse manipuloi procesin.
Ka disa njerës që vërtet dinë më shumë se të tjerët dhe disa të tjerë që thjesht nuk mund të pohojnë se nuk dinë asgjë konkretisht. Mes nesh, këta të fundit janë më të shumtë, pasi ata të parët nuk ndodhen më në Shqipëri. Këta të fundit ulërasin më fort sepse nuk janë të ndërgjegjshëm për koktulësinë e tyre.
Pozitiv, në mendimin tim modest, e në koherencë me ngjarjet dhe me ato çka dimë sot, është fakti që asokohe njihej prona private dhe e drejta e lirisë së lëvizjes ndërshtetërore. Pasi me zhbërien e këtyre të dyjave, historia tregoi, jashtë ironisë, se e mori ferra jo vetëm uratën, por edhe kishën, xhaminë dhe teqenë.
Po aq interesante më ngjajnë opinionet e vyera alla pazarçe! Sipas të cilave meqë jemi të stërzhgënjyer nga një “elitë” bastarde politike, e cila nuk i ka lënë shteg shpresës, atëherë pse të mos provojmë edhe monarkinë?! Përse të mos kalojmë edhe një tranzicion tjetër 20 e ca vjeçar derisa grupimet që janë antimonarkike të binden se mbreti është zgjidhja. Sepse është logjike që kur e ke një shtepi tënden, përkujdesja është në nivele më të larta se sa kur këtë shtëpi e merr thjesht me qera për katër vjet. Le të ndalim paksa hovin e sarkazmës në këtë pikë.
Hipoteza mbi rikthimin e monarkisë
“Sinoptikanët” e mësipërm të fakteve parashikojnë me anë të një parabole interesante, të ngjashme me atë se në ç’kushte do të quhej halla xhajë, se popullariteti në rënie i politikës konvencionale, brenda republikës sonë parlamentare, mund të shpjerë në rikthimin e monarkisë. Nonsens! E njëmendtë ndoshta për ata që tek kjo gjë shohin një tjetër mundësi për të eksperimentuar me jetët e tyre.
Absolutisht qëndrimi im është kundër, për arsye se ngado që ta kthejmë monedhen e administrimit të vendit, do ta lëmë atë sërisht në duar shqiptarësh. Jemi shprishur tashmë. Shpirtërisht, fizikisht, moralisht, mendërisht. Injoranca bën kërdinë kataklizmike, mes njërëzish që mendojnë se kanë rritur përqindjet e personalitetit të tyre, me anë të shtimit të zerove në llogaritë e tyre poshtë dyshekut. E kotë të theksoj se 6 apo 7 zero shtesë në llogari, janë vetëm 6 ose 7 zero pa asnjë vlerë shtesë për personalitetin që i mbart.
Kur mendon të rikthejë Legaliteti?! Nën cilët emra përpos Ekrem Spahisë?! Në respekt të plotë të familjes së re princërore, do të thoja se një klonim i monarkisë nuk është më i mundur. Përpos pompozitetit aristokrat dhe dukjes së lartë e të merituar, të një familje që ka bërë sa ka munduar, brenda kornizës së kushteve, për të mirën e kombit, asgjë tjetër jashtë cermonisë nuk ka mbetur për tu proklamuar. Kjo për arsye se edhe legalistët jetojnë në po të njëjtin qerthull shqipfolës, në po të njëjtën epokë të injorancës masive, që është një morbozitet mbarëbotërorë, për të qënë të sinqertë.
Legalistët si edhe gjithë shqipëtarët e tjerë, kanë provuar komunizmin, focën e pashtershme të të qenit spiun për 80 lekë! Kanë provuar së fundmi neokomunizmin dhe dëshirën që ai cyt për privilegje brez pas brezi! Vetëm Blloku ka njerëz me vlerë, dhe e gjithe Shqipëria është plot me katundarë. (Mendësia predominante e pushtetarëve të sotëm “neokomunistë” vetëm si prejardhje dhe thelbësisht fashistë në vendimarrje).
Legalistët, monarkistët etj. si gjithë shqipëtarët kanë provuar kapitalizmin jashtë kufijve të shqipërisë dhe se sa rehatë është të jetosh vetëm me përkrahjen sociale të kalamajve në Angli dhe Gjermani. Po ashtu kanë provuar neo-shqiptaro-kapitalizmin që në thelb të kërkon të votosh për njërën apo tjetrën palë politike, përndryshe ti dhe familja jeni të varrosur në pashpresësinë dhe vuajtjet e fukarallëkut të shkaktuar nga papunësia e përjetshme.
Shqiptarët dikur mprehnin shpatën për të hapur në dysh kokat e të padrejtëve që donin t’i vinin nën zgjedhë, sot mprehin gjuhën, për të shpëlarë e bërë të shndërritshmë edhe ato zona të prapanicës së eprorëve, ku nuk rreh kurrë dielli.
Të këtilla janë kohërat. Makiavelizëm në duar Gobsekësh. E vërteton përvoja dhe përvoja është trupi, përkundrejt hijes që është teoria.
Një shprehje e dëgjuar në Fushë Krujë thotë: “në qoftë se do të bësh armiqsi, dil dëshmitar, në qoftë se do të mbetesh pa lek, dil qefil (garant)”. Realistët që dalin dëshmitar të këtij realiteti dhe e demaskojnë publikisht atë, krijojnë shumë armiqësi. Ndërsa ata që i dalin garant këtij sistemi, me votat e tyre për pakgjë, miell a lek apo ku ta di unë, janë po të njëjtët që do mbeten sërisht pa një kafshatë në gojë.
Nga jeta ime, mes atyre që dua dhe uroj të më duan, por më mirë të mos e dij me saktësi këtë, sepse do luftoja me veten, që kjo vete të mos më hipë në qejf, kam kuptuar se ka ditë të mira dhe të këqija. Kjo është jeta. Kushdo qofshë, mbret, officer, kalorës apo ushtar, në këtë mat hyjnor që na ka rënë për pjesë, po t’i sigurosh shpirtit dashuri, edhe ditët më të këqija, në fund të tyre nuk ta kursejnë një buzëqeshje. Festa e djeshme dhe të gjitha dasmat në përgjithësi, mbi gjithçka kësaj duhet t’i kushtohen. Dashurisë së vërtetë.