(*) Deri tani e kam vënë theksin te ajo që është më e dukshme. Do të doja të kaloja tash te gjërat pak më të fshehura, duke treguar sesi televizioni, në mënyrë paradoksale, mund të fshehë duke treguar, d.m.th. duke treguar tjetër gjë nga ajo e cila do të duhej të tregonte po të bënte atë që do të duhej të bënte, pra të informonte; më tej akoma, edhe duke treguar atë që do të duhej të tregonte, por në mënyrë të tillë që të mbetet e patreguar, ose që të bëhet e parëndësishme, ose duke e ndërtuar ngjarjen në të tillë mënyrë që të marrë një kuptim që nuk i korrespondon fare realitetit.
Në këtë pikë do të merrja dy shembuj që shënohen në veprat e Patrick Champagne[i]. Në La Misère du Monde Patrick Champagnei kushtoi një kapitull pasqyrimit që mediat i bëjnë fenomeneve të ashtuquajtura “të periferive” dhe ai tregon sesi gazetarët të ndikuar nga zakone inherente të zanatit të tyre, nga botëvështrimi i tyre, nga formimi i tyre, nga dispozitat e tyre, por edhe nga logjika e vetë profesionit, përzgjedhin prej këtij realiteti të veçantë, që është jeta në periferitë, një aspekt komplet të çuditshëm, në funksion të kategorive të perceptimit që sipas tyre janë normale. Metafora që përdoret më shpesh nga profesorët për të shpjeguar këtë nocion të kategorisë, pra këtë strukturë të padukshme që organizon të perceptuarit, është ajo e gjyslykëve. Këto kategori janë produkt i edukimit tonë, i historisë etj. Gazetarët kanë “syze” të veçanta, përmes të cilave ca gjëra i shohin dhe ca jo; dhe gjërat që shohin i shohin në një mënyrë të caktuar. Ata bëjnë një përzgjedhje, dhe një rindërtim të asaj që është përzgjedhur.
Principi i përzgjedhjes është kërkimi i sensacionales, i spektakolares. Televizioni thërret për dramatizim, me kuptim të dyfishtë kjo: vë në skenë, në imazh, një ndodhi duke ia ekzagjeruar rëndësinë, gravitetin, karakterin dramatik dhe tragjik. Te periferitë ajo që do të ishte interesante, janë trazirat. Trazira vetë është fjalë e madhe… (Rëndësi të veçantë i kushtohet po ashtu përzgjedhjes së fjalëve. Me fjalë të zakonshme nuk i “habisim dot borgjezët” dhe as “popullin”. Duhen fjalë të jashtëzakonshme. Në fakt, paradoksalisht, bota e imazhit është e dominuar nga fjala. Fotoja nuk është asgjë pa legjendën, që tregon atë çka duhet të lexohet – legendum – që shpesh janë bash legjenda, të cilat të bëjnë të shohësh atë që s’gjendet. Ta emërtosh diçka, ne e dimë, është ta bësh atë të dukshme, ta krijosh atë, ta sjellësh në ekzistencë. Dhe shpesh fjalët mund të sjellin dëme: islam, islamik, islamist – shamia është islamike apo islamiste? Po sikur të bëhej fjalë për një shall të thjeshtë dhe vetëm kaq. Ndonjëherë kam dëshirë që ta marr secilën fjalë të prezantuesve që shpesh flasin cekët, pa e pasur as idenë për problematikën dhe peshën e asaj që shkaktojnë dhe përgjegjësitë që marrin duke e evokuar atë gjë përpara mijëra telespektatorëve, pa i kuptuar dhe pa e kuptuar që nuk i kuptojnë. Për arsyen se fjalët bëjnë gjëra, krijojnë fantazma, frikëra, fobira apo në rastin më banal, pasqyrime të rreme). Gazetarëve, në përgjithësi, u intereson e jashtëzakonshmja , ajo që është e jashtëzakonshme për ta. Ajo që mund të jetë banale për të tjerët, mund të jetë e jashtëzakonshme për ta, ose anasjelltas. Atyre u intereson e jashtëzakonshmja, ajo që është larg së përditshmes, ajo që s’është e përditshme – pra të përditshmet duhet të ofrojnë përditë të mospërditshmen, e kjo s’është e thjeshtë… Prej kësaj kuptojmë se pse i caktohet ai vend parësor të jashtëzakonshmes së zakonshme, që do të thotë asaj çka është e parashikueshme në mënyrë krejt të zakonshme: zjarrvënia, përmbytjet, vrasjet, kronika e zezë. Por e jashtëzakonshmja është gjithashtu dhe mbi të gjitha ajo që nuk është e zakonshme krahasuar me edicionet e tjera. Ajo që është e ndryshme nga e zakonshmja, dhe ajo që është e ndryshme nga ajo që edicionet e tjera quajnë si të zakonshme, apo nga ajo çka ato thonë zakonisht. Është presion i tmerrshëm ai që imponon ndjekjen e scoop-it. Që të jenë të parët që shohin a që bëjnë diçka, ata janë gati të bëjnë gjithçka, dhe duke qenë se kopjohen në mënyrë të ndërsjellë duke dashur t’ia kalojnë njëri-tjetrit, ta bëjnë përpara tjetrit, apo ta bëjnë ndryshe nga tjetri, përfundojnë duke bërë të gjithë të njëjtën gjë. Kërkimi i ekskluzivitetit, që në fusha të tjera sjell origjinalitetin dhe singularitetin, në këtë rast prodhon uniformizim dhe banalitet.
Ky kërkim i lajmit që ka interes e ka uri për të jashtëzakonshmen, mund të ketë efekte politike po aq sa shërbimet direkte politike, apo sa autocensura e frymëzuar prej frikës nga përjashtimi. Duke pasur në dispozicion këtë forcë të jashtëzakonshme, që është ajo e imazhit televiziv, gazetarët mund të prodhojnë efekte të pakrahasueshme. Pamja e përditshme e një periferie, në monotoninë dhe në grinë e saj, nuk i thotë asgjë askujt, nuk i intereson askujt, e gazetarëve edhe më pak se të tjerëve. Por edhe po të kishin qenë të interesuar ata për atë që ndodh realisht në periferitë, edhe po të donin ta rrëfenin të përditshmen reale, kjo sidoqoftë do të kishte qenë jashtë mase e vështirë. S’ka gjë më të vështirë se sa të transmetosh ndjenjën e realitetit në banalitetin e vet, ta bësh të ndihet realiteti në banalitetin e tij. Floberit i pëlqente të thoshte: “Pikturimi i mediokritetit, lyp piktor të aftë”. Ky është problemi që hasin sociologët: të bëhet e jashtëzakonshme e zakonshmja; të evokohet e zakonshmja në atë farë mënyre që të bëhet e kuptueshme për njerëzit se sa e jashtëzakonshme është ajo.
Rreziqet politike që janë inherente në përdorimin e përditshëm të televizionit kanë të bëjnë me faktin se imazhi ka një veçori, ai mund të prodhojë atë që kritikët letrarë e quajnë efekti i reales, që mund të të bëjë të shohësh, dhe të të bëjë të besosh tek ajo që të bën të shohësh. Kjo fuqi evokuese ka efekte mobilizuese. Ajo mund të bëjë të ekzistojnë ide apo pasqyrime, po gjithashtu edhe grupe. Kronika e zezë, aksidentet apo incidentet e përditshme mund të jenë të ngarkuara me implikime politike, etike etj., të afta për të shkrepur ndjenja të forta, si racizmi, ksenofobia, frika/urrejtja ndaj të huajit. Për ta thënë më thjesht, fakti i të raportuarit, i të regjistruarit (to record) prej reporterit, implikon gjithnjë një ndërtim social të realitetit, të aftë që të ushtrojë efekte sociale mobilizuese (apo demobilizuese).
Shembulli tjetër që marr nga Patrick Champagne është ai i grevës së gjimnazistëve në vitin 1986, ku duket qartë sesi gazetarët munden, me gjithë qëllimin e mirë dhe me gjithë naivitetin, duke e lënë veten të udhëhiqen prej interesave të tyre, prej asaj që u intereson – paragjykimeve të tyre, kategorive me të cilat perceptojnë dhe çmojnë situatat, pritshmërive të pavetëdijshme, të prodhojnë efekte të reales dhe efekte brenda reales, efekte që nuk u dëshiruan prej askujt, dhe që në disa raste mund të quhen edhe katastrofike. Gazetarët kishin në kokë majin e vitit 1968 dhe frikën se mos humbnin një “68 të re”. Në fakt kishin të bënin thjesht me adoleshentë, jo mjaftueshëm të politizuar, që s’dinin mirë të flisnin kështu që gazetarët përzgjodhën zëdhënës mes tyre (pa dyshim përzgjodhën si zëdhënës ata që ishin më të politizuarit) dhe filluan të merrnin seriozisht zëdhënësit që edhe veten nisën ta merrnin seriozisht. Dhe me rrjedhën e ngjarjeve, televizioni që pretendon të jetë një instrument regjistrimi kthehet në një instrument që krijon realitetin. Gjithnjë e më shumë po shkohet drejt një universi ku bota shoqërore përshkruhet-parashkruhet nga televizioni. Televizioni bëhet arbitri që të jep qasje në ekzistencën shoqërore e politike. Supozojmë sikur të kisha për synim politik arritjen e së drejtës për daljen në pension në moshën 50 vjeç. Para ca viteve do të kisha organizuar një manifestim me pankarta, do të kishim marshuar rrugëve me to, do të kishim shkuar në Ministrinë e Arsimit; ndërsa sot – pa ekzagjeruar shumë – do të duhej të merrja një këshilltar të aftë komunikimi. Do të tërhiqnim vëmendjen e medias, do të bënim ndonjë truk për t’i bërë për vete: do të përdornim ndonjë maskë a ndonjë kostum interesant, dhe do të mbërrinim prej televizionit një efekt të tillë që ndoshta s’është shumë i ndryshëm nga ai që arrihet përmes një manifestimi me 50000 pjesëmarrës.
Një nga mjetet e luftës politike, në shkallën e shkëmbimeve të përditshme, apo dhe në shkallë globale, është kapaciteti për të imponuar principe të vizionit për botën, për të ofruar pra gjyslykë të tillë që njerëzit ta shohin botën sipas disa ndarjeve të caktuara (të rinjtë e të vjetrit, të huajt e francezët…). Duke imponuar këto ndarje, ndërtojmë grupe të mobilizueshme, të cilat duke u mobilizuar ndodh që krijojnë dhe bindjen për ekzistencën e tyre, fillojnë të bëjnë presion dhe mbërrijnë të fitojnë ndonjë përparësi. Në këto beteja, në kohët e sotme, televizioni luan një rol vendimtar. Ata që besojnë ende se mjafton të manifestosh, pa u shqetësuar për televizionin, rrezikojnë të mos kenë asnjë rezultat: gjithnjë e më shumë manifestimet nevojitet të prodhohen për televizionin, domethënë manifestime të asaj natyre që i intereson njerëzve të televizionit, duke i ditur se cilat janë kategoritë e tyre të perceptimit, sepse manifestimet e shfaqura dhe të amplifikuara prej tyre do të mbërrinin efikasitetin e plotë.
[i]Sociolog francez i afërt me Bourdieu, që nga viti 1973 anëtar i Qendrës për Sociologjinë Europiane në EHESS, profesor në Universitetin Paris I (Panthéon-Sorbonne).
_____________________________
* Pjesë nga libri i Pierre Bourdieu, Mbi Televizionin: botim i Pika pa Sipërfaqe (2015).