«Gastronomia është shkenca e dhimbjes» pohonte Anthony Bourdain në një artikull provokues, një vit para daljes në treg të bestsellerit të tij Kitchen Confidential (2000), në të cilin do t’i kushtonte ‘dhimbjes’ një kapitull më vete, të titulluar food is pain, ku në fakt dhimbja (vuajtja, shqetësimi) i referohet procesit të gatimit me kompleksin e ligjësive të tij, e raporteve njerëzore të krijuara në një vend pune gati-gati të mekanizuar dhe të standardizuar (ngjashëm me prodhimin në seri), e pasionit, e ambicies, e përfitimit ekonomik dhe në fund, jo për nga rëndësia, e manipulimit të ushqimit (food). Në thelb Bourdain e çshenjtëron gatimin: teksa klienti pret në një ambient të këndshëm përmbushjen e nevojave fiziologjike dhe emocionale, gatimi realizohet në një ambient të shkëputur dhe të dhunshëm. Ndër të tjera, fama e librit i detyrohet pikërisht transformimit hiperbolik të mundit në dhunë, që kombinohet më së miri me synimin për të ofruar spektakël me potencialin e ushqimit, gjithsesi duke i ruajtur këtij të fundit rolin qendror, ndryshe nga brendi Master Chef (i rinovuar në 2005 dhe i popullarizuar sidomos pas 2010), i cili e shndërron gatimin tërësisht në show, ku pjesëmarrësit aktrojnë, dhunojnë e dhunohen për kënaqësinë e spektatorit.
Master Chef paraqitet si vend ‘nxënieje’, me iluzionin e dhënies së një mundësie për të rinj të pasionuar, që sidoqoftë garojnë në kushte të pabarabarta, meqenëse disa janë profesionistë e disa amatorë. Iluzionit të garës i shtohet pastaj ai i ushqimit, i cili serviret me receta të globalizuara, nganjëherë kozmike fare, pa respekt dhe përpjekje për reinterpretimin e kulinarisë lokale, madje edhe kur produktet janë të industrisë vendase, dhe pikërisht kur janë vendase, duke u ekspozuar, e banalizojnë gatimin në publicitet të ndonjë vere apo të ndonjë kafeje të rëndomtë, e cila për nga emri dhe grafika duket si produkt sexy shop-i.
Aktorët garues, nën diktatin e master-master shefave, i tregojnë spektatorit të magjepsur, që ndërkohë mundohet i gjori të fiksojë ndonjë recetë, se ushqimet, ashtu si ngjyrat, mjafton të përzihen dhe diçka do të dalë, e sa më jashtëtokësore të paraqitet aq më e arrirë do të jetë ajo diçka. Problemi është se ka ndryshime humnerore mes një shkarravine, një tabloje të Edi Ramës e një tabloje të Kandinskij-t, dhe se të shijuarit është shqisë (shumë) më intime se të tjerat, aq sa në radhë të parë ndërmjetëson mbijetesën, më pas traditën, kulturën personale, tek e cila shkrihen nevojat artistike. «Njeriu është çfarë ha» (der Mensch ist was er isst), përpara se të privatizohet nga Blerina Bombaj – si çdo autorësi e nëpërkëmbur në këtë vend –, ishte sinteza e përparësisë së ushqimit mbi trupin, shpirtin, moralin, inteligjencën dhe njohjen, e shkruar nga filozofi gjerman Ludwig Feuerbach në 1862. Pra terreni është delikat, jashtëzakonisht subjektiv dhe i pashkëputshëm nga identiteti i njeriut.
Në një vend ku arroganca, cinizmi e deri edhe sadizmi janë gjella e përditshmërisë, Master Chef është në habitatin e duhur. Edhe mund të kapërdihet një tiramisú me tre kokrra shege, një fileto transparente pule e dy gjethe spinaq, por t’i përzien zorrët pështymja e ushqimit dhe sidomos e punës së Tjetrit, i cili poshtërohet si “nxënës”, si “punonjës”, si “koleg” dhe “edukator” i ardhshëm, e nuk ka rëndësi se është spektakël, pasi garuesit i përfaqësojnë gjithsesi këto kategori. Nuk është art, edukim e as ndonjë arritje e madhe (pikërisht sepse është shumë i thjeshtë) poshtërimi i një nxënësi, punëtori, nëpunësi, vartësi apo nevojtarit përpara një sporteli publik. Mbase moderniteti i një autoritarizmi të cilin shqiptarët e shijojnë në shtëpi, në shkollë, në rrugë, më pas në punë e deri në sportelet publike mund të qëndrojë vetëm tek çshenjtërimi i ushqimit dhe i raporteve sociale që ai prodhon. Tanimë mund t’i pështyhet Tjetrit në ushqim (bukë, jetë, mikpritje, mund, sakrificë, kohë) dhe përpjekje, por duke qenë përherë në anën komode të Maliqit, sepse në tjetrën janë pulat e gjelat që presin për t’u bërë fileto.
Megjithëse njeriu i origjinave e kundërshtoi Zotin nëpërmjet ushqimit, duke dhënë leksionin e parë të lirisë, garuesit e Master Chefit kanë zgjedhur si model të kundërtën, të rrugëtojnë duke iu nënshtruar tërësisht njeriut. Mësohen ose detyrohen të heshtin, të mos e mbrojnë zgjedhjen e tyre, të bëhen dikush në jetë duke u përulur e mosreaguar, të akumulojnë agresivitet që më pas, kur potencialisht të kenë “vartësit” e tyre, të hakmerren. Pas gjysmë shekulli aliazhi komunizëm-materializëm, pas një çerekshekulli xhungël, me Drejtësi të huaj në çdo hallkë sociale, me autoritete që dhunojnë kudo, edhe në teatër, e kishim vërtet të nevojshëm transmetimin te brezi i ri të normalizimit të shkeljes së dinjitetit.
Një pjesë e kategorisë ‘teleshikuesi’, arsyeja e suksesit dhe ekzistencës së këtij produkti televiziv, para se të jetë konsumator i tij, është njeriu që e jeton të qenurit pasiv çdo ditë e nga shumë drejtime, si rutinë ose të brendësuar. Për rrjedhojë, frustrimi i akumuluar deri në nivele pavetëdijeje shndërrohet në motor joshës për këtë masë që zbulon te poshtërimi i Tjetrit valvulën e shfryrjes. Zhanri i filmave horror ka evoluar drejt torturës së viktimës pikërisht për të plotësuar kërkesën në rritje të telesadizmit, aq sa vampiri i dikurshëm nuk frikëson më dhe duhet të shndërrohet në sex simbol nëse do të qëndrojë brenda kinematografisë. Ndaj edhe gjykatësi i produktit Master Chef duhet të hyjë në personazhin e ‘poshtëruesit’ dhe “nxënësit” në atë ‘të nënshtruarit’ pa kushte, me ndryshimin thelbësor se një produkt kinematografik shitet si fiction, ndërsa ky spektakël shitet si reality, si model, mënyrë suksesi, punësimi dhe ndërtimi të një të ardhmeje, duke i shndërruar dy personazhet nga të pranishme në shoqëri në të domosdoshme.