Shqipëria gjendet në një udhëkryq, ku fati do të varet nga kahu që do të zgjedhin udhëheqësit politikë në vend, ndërsa Europa nuk mund të bëjë asgjë, përveç se të pikturojë atë çfarë sheh në këtë vend. Në fillim të viteve 2006, kur shkova për herë të parë në Gjermani, një ditë tek barisja në një nga stacionet e metrosë të këtij vendi, më kapi syri një pllakat të madh që më tërhoqi vëmendjen. Ishte monumenti i Leninit, rrëzuar përtokë, kapur pas qafe me litar dhe nën të me shkronja të kapitale fjalët: “Nuk ka perandori të përjetshme”. Miku që më shoqëronte e vuri re habinë time kalimtare dhe duke soditur pllakatin, me gjysmë buzagaz më pyeti: “Pse a nuk është kështu?”. S’ka dyshim që kështu është, iu përgjigja. Asnjë shtet apo sistem shoqëror nuk i shpëton dialektikës së historisë. Miku im, një malësor nga veriu i Shqipërisë, i dashuruar e krenar pas atdheut të dytë, nuk e ngau më tej bisedën.
Të gjithë ëndërrojnë! Ka njerëz që ëndërrojnë me sy hapur, ka njerëz që ëndërrojnë ndërsa flenë, duke hedhur shkelma. Ka të tjerë që ëndërrojnë pa dashje, madje duke e refuzuar ëndrrën e tyre të paqëllimtë. Kjo e fundit, zakonisht quhet makth .(Këtë të fundit po shikojnë shqiptarët për 24 vite demokraci). Të tjerë e shohin edhe realitetin si një ëndërr që u kalon para syve pa kuptuar, njësoj si një film i gjatë plot ngjyra, që edhe ekziston edhe nuk ekziston. Qeveria e korrupsionit (këtë nuk e thash unë, e thotë opozita)… Arritje në luftën kundër korrupsionit (nuk e thash unë, e thotë maxhoranca)….
Historitë me ëndrra janë thënë e stërthënë nga ata që quhen psikoanalistë. Ëndrra është një gjë e bukur, madje edhe kur është makth. Është një pjellë e fantazisë, gjësë më të bukur që ka shpikur ndonjëherë mendja e djallëzuar njerëzore. Pikërisht, prandaj me të merren të tërë, të marrë, doktorë, filozofë, gra që shikojnë filxhanin e kafesë, fallxhore rome, teto ndër provinca të harruara dhe kohët e fundit edhe politikanë e njerëz të mediave Nuk është në qëllimin tim që me atë që do them më poshtë t’i detyroj të tjerët të mendojnë si unë, kurrësesi, por ama nuk mund ta marr me mend se ka politikanë që frikësohen nga vdekja, se ka të tillë që frikësohen t’i bien malit përmes, qoftë natën ose ditën, vetëm se diku në mes të tij do hasësh në të papritura, ose pse në thellësitë e tij gjendën puse kënetash, ku s’ke rrugë tjetër nga të kalosh, duke iu rënë përmes.
Mirëpo, të mbytësh në kënetat politike për shkak të përkuljeve të imponuara gjatë ecjes së njeriut nëpër labirinthët e kësaj bote, është padyshim vetëvrasje e rëndë. Meqë se shpirti të del prej gazepit, do të përpelliqesh i tëri me baltën e rëndë të tyre, që është mjaftë vështirë që ta pastrosh vetën ndonjëherë. Përzgjedhja e rrugës politike, e cila është përplot me rreziqe për shkakun se ke qenë kurreshtar, ose pse nuk i ke parë më herët të papriturat e saj, është verbëri, or shok. Si të mos jetë vërbëri për politikanin, i cili, me vetëdije ose pa të, bie në heshtje mediokre dhe nuk e gjykon me asnjë fjalë krimin e shumllojshëm që ndodhë brenda kombit ku bënë pjesë, krim i llojllojshëm që ndodh para syve të tij?! Si nuk është vdekje për së gjalli për atë, i cili i thotë vetes i arsimuar e në asnjë mënyrë nuk e ngriti zërin kundër formave të ndryshme të dhunës që manifestohet brenda shoqërisë, pjestarë i të cilës është edhe vetë?!
Për të qenë tragjika intelektuale edhe më e rëndë, disa e përkrahin atë, qoftë duke heshtur, qoftë duke iu bërë anë. Si nuk është vërbëri intelektuale dhe politike kur i shkolluari pajtohet dhe nuk lufton kundër dukurive negative në shoqëri, kundër të këqijave, siç janë gënjeshtrat, shpifjet, të pavertetat, dhuna në familje, vrasja e fjalës dhe e mendimit të lirë (mjerisht të përgjakura gjatë viteve të fundit), kundër vrasjeve me motive hakmarrëse, etj, të përdorura këto haptazi dhe shpeshherë si mjet “disiplinues”?! E, pra, ç’mund t’i thotë ndërgjegjës së vet ai politikan që nuk lufton as dukurinë e drogës dhe të prostitucionit brenda shoqërisë ku jeton, por e ul kokën, duke u shtirë se nuk sheh asgjë se ç’po ndodhë në afërsi të tij? I fut veshët në lesh dhe ecën i lakuar rrugëve të lagjës, ku fëmijtë i fishkëllojnë pas, e ai gjithnjë mbarohet, duke harruar se është shqiptar…
Shqipëria e Sali Berishës dhe e Edi Ramës sot po vazhdon kapitalizmin anarkik, të informalitetit. Në kapitalizmin anarkist shteti e ligji nuk kanë kontroll as mbi territorin e as mbi ekonominë, përkundrazi ata punojnë thjeshtë në interesa të oligarkëve që kanë kapur shtetin, duke e mbajtur atë qëllimisht të dobët. Po kush humbet këtu? Si gjithmonë populli e ha këtë. Nuk po e them unë, por duhet pranuar. Por ju mos u mërzisni, sepse që ne kemi njё shtet, përkundër pëshpërimave qytetare se te ne nuk ka një të tillë, kjo është e sigurt. Por ka një dallim, sepse pёrkundёr arsyes publike tё ekzistencёs sё tij, ky shtet funksionon në formën e një organizmi privat. Njerëzit hanë, pinë, marrin frymë, gëzohen, nё verё dhe nё dimёr, marrin pjesё, shijojnё hapёsirёn dhe trishtohen pёr rrjedhën e pashlyeshme tё kohёs, nën hijen e çadrës së shtetit tё tyre. Fakti qё te ne shteti ngjan me një biznes privat, nuk është aq i thjeshtë sa një vëmendje aktorësh, për të mos qenë realitet.
Për më tepër, në zgjedhjet e fundme në Shqipëri, “deviza politike” e sistemit të dekoruar nga dyshja e Rama-Berisha, nxori në shesh argumentet e pamohueshme se proceset demokratike në Shqipëri janë vetëm një maskë e rrezikshme e “demokracisë së premtuar”, që në esencë nuk duron, as nuk pranon asnjë mendim a ide të ndryshme që shfaqen nga të tjerët (qoftë edhe përbrenda “kokës” së partisë përkatëse), qoftë ato që janë në funksion të mbrojtjes së interesit të përgjithshëm të kombit dhe të shtetit. Këto i shpallë frakcioniste, antikombetare dhe të huaja për qeniet e tyre, të normativizuar sipas logjikës utopiste-ideologjike dhe burokratike të sistemeve totalitare, që në mënyrë permanente prodhojnë vetëm dështime dhe divergjenca në sferën e normatives dhe reales, midis reales dhe së mundshmes, midis programeve dhe veprave. Në relacionet e këtilla mjetet shndërrohen në qëllim dhe stimulojnë ndërgjegjën se, qëllimi i justifikon të gjitha mjetet, edhe në rastet kur ato nuk janë në përputhje me parimet e moralit, qoftë indvidual, grupor apo kolektiv të një rendi të caktuar shoqëror.