Shkup, Maqedoni – Një skandal thuajse surreal, me qindra mijëra biseda të incizuara në fshehtësi, i ka kapur zyrtarët e lartë duke folur për gjithçka, nga vjedhja e votave te fshehja e vrasjeve.
Dy ministra dhe kreu i shërbimeve sekrete kanë dhënë dorëheqje. Mijëra njerëz kanë dalë në rrugë duke kërkuar largimin e qeverisë. Javën e kaluar, 25 milje në veri të kryeqytetit, një shkëmbim i beftë zjarri la 8 policë dhe 14 “terroristë” të vrarë dhe pjesa tjetër që habiteshin pse ndodhi kjo, dhe pse tani.
Maqedonia, me një temperament nacionalist në rritje dhe një histori vetëm 24 vjeçare, është në buzë të shpërbërjes. Ngadalë, Maqedonia ka lëvizur gjatë dekadës së fundit drejt sundimit autoritarian të një partie që ka kufizuar të drejtat e shtypit, ka shtuar forcat e sigurisë, ka dominuar gjyqësorin, madje një herë përzuri dhe opozitën nga parlamenti.
Përderisa Maqedonia, me përzierjen etnike delikate të saj, qëndron në kryqëzimin e konflikteve të panumërta ballkanase, së bashku me propozimin rus për kalimin e një naftësjellësi, qeveritë perëndimore po ndjekin me vëmendje ngjarjet e turbullta dhe rrjedhën e thashethemeve dhe teorive konspirative.
“Në Ballkan njerëzit nuk qeshin me teoritë konspirative,” tha Marko Trosanovski,drejtori i Institutit Demokratik “Societas Civilis,” një grup jo qeveritar studimesh në Shkup. “Ata janë mësuar t’i marrin ato me seriozitet.”
Në një shpërthim nacionalist, kryeministri i fuqishëm Nikola Gruevski, zbatoi një program ndërtimesh të mëdha, duke e mbushur buzën e lumit të kryeqytetit me ndërtime neo-klasike. Një duzinë statujash gjenden thuajse në çdo shesh publik.
Për tre muaj, opozita e majtë ka publikuar një radhë nga ato që i quan “bomba”, pjesë incizimesh nga 670 000 biseda, nga më shumë se 20 mijë numra telefonikë, të incizuara nga qeveria mes vitit 2007 dhe 2013, që i janë dhënë opozitës, thonë ata, nga patriotë që punojnë në shërbimin civil.
Objektivi i përgjimeve ishin gazetarët, klerikët, aktivistët dhe diplomatët e huaj, por dhe disa zyrtarë të lartë në qeveri. Edhe gjerësisht i admiruari, e gjerësisht i frikshëm, Mr. Gruevski shfaqet në rastësisht, kur ndodh që flet në telefon me një person nën përgjim.
Qysh nga shkurti janë publikuar 31 një biseda, dhe disa të tjera janë premtuar të publikohen para protestës masive të dielën (e ardhshme) në Shkup. Deri tani askush nuk e ka mohuar që përgjimet janë autentike, megjithëse qeveria këmbëngul se disa prej tyre janë nxjerrë nga konteksti dhe janë redaktuar.
Qeveria e ka mohuar t’i ketë bërë incizimet, dhe thotë se ajo është punë e “shërbimeve sekrete” të një vendi të huaj që ka punuar me bashkëpunëtorë në ministrinë e Brendshme për të rrëzuar qeverinë.
Gjashtë persona, përfshi një ish-shef të shërbimeve sekrete, janë arrestuar dhe akuzuar për nxjerrjen e përgjimeve, ndërsa Zoran Zaev, lideri i opozitës, i cili ka nisur fushatën e përhapjes së “bombave”, është akuzuar për kërcënim me dhunë kundër zotit Gruevksi.
Por ajo që ka tronditur njerëzit po aq sa përmbajtja e bisedave është toni i tyre, mënyra se si ministrat përpiqen të ndëshkojnë kundërshtarët e tyre. Në një bisedë të përgjuar, kreu i shërbimit sekret, i cili është dhe kushëri i kryeministrit, flet me entuziazëm për përdhunimin e një kundërshtari politik në burg.
“Këta janë kaq vulgarë,” tha Jabir Deralla, president i një grupi lokal për të drejtat njerëzore dhe monitorues i zgjedhjeve i quajtur Civil. “Me sa lehtësi flasin për jetën dhe vdekjen e njerëzve.”
As zoti Gruevski asnjë nga ndihmësit e tij kryesorë nuk pranuan të intervistohen.
Por Aleksandar Pandov, një analist politik, i cili është ish-deputet për partinë në pushtet dhe që e mbështet me forcë qeverinë, shpjegoi pikëpamjen e qeverisë për skandalin.
“Mund të dëgjoni diçka që është ndoshta vulgare, por jo dëshmi krimi,” tha ai. “Bisedat janë të prera, të nxjerra nga konteksti. Nuk dimë në kanë ndodhur një pjesë e gjërave që janë biseduar.”
Zoti Pandov tha se mënyra për të ecur përpara ishte që personat e përfshirë në biseda të jepnin dorëheqjen, kush të gjendje fajtor të shkonte në burg, dhe zoti Gruevski të qëndrojë në pushtet.
“Gjithë situata po shkon drejt përfundimit,” tha zoti Pandov.
Për tani, opozita ndihet e fortë. Në një intervistë, zoti Zaev ulur në një dhomë konferencash, nuk pranoi të futej në detaje në lidhje me taktikat e për protestën e të dielës – e cila, thotë ai, do të përfshijë shumë grupe, jo vetëm përkrahës të qeverisë të tij, e do të arrijë deri në 70 mijë vetë e ndoshta më shumë.
Ai nënkuptoi se mund të përdoren kordonë njerëzorë për të rrethuar godina qeveritare të rëndësishme dhe për të bllokuar ura, dhe që protestat do të vazhdojnë.
“Do të përdorim sistemin e Gandit,” tha ai. “Do ta bëjmë gjithë procesin absurd.”
Dorëheqja e ministrit të transportit, të brendshëm dhe shefit të shërbimeve sekrete nuk ndryshojnë planin, shkroi në Facebook zoti Zaev. Kjo vetëm konfirmon ato që ka thënë opozita dhe ka nevojë të vazhdohet, tha ai.
“Nuk është koha të festojmë,” tha zoti Zaev. “Është vetëm një hap tjetër drejt fundit të sundimit të Nikola Gruevskit.”
Ndërkohë, ata që qeveria i quan “terroristë shqiptarë” u shfaqën për herë të parë muajin e kaluar, kur një grup u tha se kishte marrë një postë kufitare në kufirin me Kosovën dhe mbajti peng për pak kohë katër zyrtarë maqedonas. Ajo zonë ishte një vend luftimesh të ashpra më 2001, por që atëherë kishte rënë në qetësi.
Shumë kritikë të qeverisë qeshën, duke e parë si të kurdisur në kohë për të tërhequr vëmendjen nga skandali i përgjimeve, por zyrtarët e qeverisë këmbëngulën që ishte kërcënim real serioz nga një bandë shqiptarësh etnikë të stërvitur mirë. Megjithatë, episodi i javës së kaluar në Kumanovë, ishte ndryshe. Qyteti u rrethua dhe zjarri vazhdoi gjithë ditën. Në fund, qeveria tha se më shumë se 30 luftëtarë nga Kosova dhe Maqedonia u dorëzuan.
Zoti Gruevski tha se grupi i armatosur kishte planifikuar të godiste godina publike dhe supermarkete në Maqedoni, me shpresë të destabilizonte qeverinë, dhe shpalli dy ditë zie kombëtare. Opozita i pezulloi protestat përkohësisht. Por dyshimet vazhduan se kjo ishte e orkestruar, ose u shfrytëzua, për të tërhequr vëmendjen nga skandali. Në një deklaratë të përbashkët, ambasada e SHBA, Natos dhe BE, OSBE në Shkup e quajtën episodin “një fenomen të izoluar” dhe i bënë thirrje qeverisë të përballet me krizën politike dhe ndërmerrte ndryshimet e nevoshjme.
Gordan Kalajdziev, president i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni, tha se problemi kryesor ishte që maqedonasit kishin shumë pak përvojë demokratike dhe njohje sipërfaqësore të nocioneve si checks and balances. Qeveria, sugjeroi ai, ka shumë pak prirje për të ndryshuar kurs ose për të hequr dorë nga pushteti.
“Ata nuk japin dorëheqje sepse e dinë që edhe nëse dorëhiqen, ata do të ndiqen penalisht,” tha ai.
Zoti Pandov tha se qeveria nuk ishte e shqetësuar për protestën e planifikuar të së dielës ose për protestat që janë zhvilluar. “Partia në pushtet do të bëjë manifestimin e saj më vonë dhe do të tregojë që përkrahja e saj është më e madhe,” tha ai.
Në një nga protestat e fundit, fillimisht protestuesit u mblodhën para godinës kryesore qeveritare rreth orës 6 të mëngjesit. Ishin të moshave të ndryshme, megjithëse dominonin të rinjtë. “Jep dorëheqjen!” thërrisnin. Kur policët nuk i lejuan të ecnin përpara, turma prej rreth 1000 veta u kthye drejt parlamentit në anën tjetër të qendrës së qytetit. “Ejani me ne!” u bënin thirrje kalimtarëve dhe disa iu bashkuan.
Turma kishte mbërritur në 5000 vetë kur mbërriti para godinës së parlamentit. Një gardh tjetër policësh i priste aty.
“Nuk jam anëtar i asnjë partie,” tha Tashe Strezovski, 28, që punonte në aeroportin e Shkupit. “Dhe shumica e këtyre njerëzve nuk janë. Ne jemi vetëm qytetarë të thjeshtë që e duan vendin e tyre.”
I vetmi përfundim, tha ai, është që zoti Gruevski të japë dorëheqjen.
“Nuk kam frikë,” tha zoti Strezovski. “Askush nuk ka më frikë. Kjo qeveri është demistifikuar.”