Evropa ka njohur dhe vazhdon të njohë tronditje të forta. Një nga goditjet më të forta i është dhënë jo shumë vite më parë në Ballkan. Si pasojë e një konflikti të ashpër u kryen krime të kobshme, sidomos në Bosnje dhe në Kosovë. Kjo Evropë po njeh edhe sot një tjetër tronditje, në Ukrainë.
A rrezikon Ukraina të kthehet në një “Bosnje të Dytë”?
Lindja e Ukrainës është shndërruar në një fushë-betejë mes forcave shtetërore ukrainase dhe forcave separatiste pro-ruse. Historiani amerikan Timothy Garshon Ash ka parashikuar se Ukraina ka gjasa të shndërrohet në një “Bosnje të dytë” për Evropën. Kjo ndodhi. Ashtu si në Bosnje, ku Serbia kreu luftë e krime, situata e luftës është e rëndë edhe në Ukrainë. Deri më tani nuk mund të thuhet se të dyja rastet mund të barazpeshohen, pasi në Bosnje krimet e luftës kundër civilëve kanë qenë më të kobshme. Megjithatë ukraina është nën terrorin e një lufte kriminale.
Një tjetër tezë e hedhur po nga ndërkombëtarët, është edhe ajo, sipas së cilës Rusia ka hyrë në luftë në Ukrainë edhe “për inat të Kosovës”. Duke qenë se Serbia, e mbështetur nga Rusia e humbi luftën dhe Kosova sot është e pavarur, “inati rus” po shfryhet në Ukrainë.
Rusia luftënxitëse
Kur Ballkani ose më saktë ish-Jugosllavia u përfshi nga flakët e luftës në fundvitet e nëntëdhjeta, një nga shtetet që kreu krime më të tmerrshme mbi civilë ishte Serbia. Shteti serb, i lidhur tradicionalisht me Rusinë dhe i përkedhelur jo pak nga Evropa, guxoi që, në zemër të kontinentit të vjetër, të vrasë civilë. Serbia e sistemit socialist me fytyrë etnike e Slobodan Millosheviç me siguri nuk do qe kaq e guximshme sa ti dalë kundër Evropës, në rast se nga pas nuk do të kishte një fuqi të madhe politike si Rusia.
Ndërsa dikur Rusia shërbeu si “luftënxitëse” në Ballkan, sot Moska po provon ti kundërvihet Evropës drejtpërdrejtë. Me pretekstin se në lindje të Ukrainës banojnë rusë, Rusia gjen justifikimin të hyjë në luftë duke akuzuar ndërkohë edhe Perëndimin se “ecën me parime naziste”.
Sot bota ndodhet në prag të Luftës së Ftohtë dhe kjo, natyrisht vjen kryesisht për faj të Rusisë. Separatistët rusë që luftojnë në lindje të Ukrainës, edhe pse lokalisht mund të konsiderohen “heronj të rusëve dhe Rusisë”, në parimet universale që njeh bota e qytetëruar, pa frikë mund të cilësohen si rrezik potencial të terrorizmit.
Lufta e padrejtë e Rusisë në Ukrainë
Ka shumë nga ata që mendojnë se, duke qenë se në lindje të Ukrainës banojnë rusë, është e drejtë që Rusia të ndëryjë në Ukrainë. Por pa dyshim, një premisë e tillë është e gabuar. Rusia do të kishte të drejtë të ndërhynte në pjesën e Ukrainës të banuar nga rusët vetëm në rast se rusëve do t’iu shkeleshin të drejtat themelore, të përcaktuara në Kushtetutë.
Një tjetër premisë është ajo, sipas së cilës Rusia e ka patur dikur Krimenë dhe se kërkon ta rimarrë atë. Pa hyrë në detaje se kujt i përket Krimea, më e pakta që mund të thuhet është që të luftosh për të pushtuar territore dhe jo për të mbrojtur të drejta është kthim mbrapa në epokën totalitare. Në kushtet kur Rusia nuk ka ndërmend të heqë dorë nga lufta në lindje të Ukrainës, është e nevojshm që Perëndimi të ndërhyjë kundër aneksimit të Krimesë.
Rreziku Putin
Qarkullojnë një sërë mendimesh të ekspertëve ndërkombëtarë lidhur me figurën kryesore të politikës ruse, Vladimir Putin. Ka patur nga ata që e kanë cilësuar si “rreziku i botës moderne”, por dhe nga ata që, për nga shkalla e rrezikshmërisë, e kanë krahasuar edhe me ISIS-in. Ash e konsideron Putinin një gjysmë-diktator të ngjashëm me Slobodan Millosheviçin. Njëjtë sikundër Millosheviç, i cili kreu luftë me synimin final krijimin e një Republike ku banojnë vetëm serbë, edhe Putini kërkon të ashtëuquajturën “Rusi e re”, që nënkupton një Rusi të banuar vetëm nga rusë. Të dy liderët politikë në mendjen e tyre kanë një sistem politik me “fytyrë etnike”.
Prej këtej mund të thuhet se, në rast se Putini guxon edhe më tej të vazhdojë të “luajë gurët e shahut”, ai mund të jetë edhe më rrezik se Millosheviçi. Kjo për shkak se Putini nuk nxit vetëm destabilitet të Ukrainës, por edhe të shteteve të tjerë, që dikur kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik, dhe për më tepër, po e çon botën në një “luftë të ftohtë”.