Më thoshnin shpesh të afërm dhe kolegë, madje dhe një herë shitësja te furra e bukës:
“Albatros pse shkruan vetëm për dashurinë?”
Nuk kisha si të shkruaja për ndjenja të tjera njerëzore veç dashurisë pa pasur një frymëzim.
Po bëja ca petulla kur dëgjova zërin e saj si puhizë avulli vinte dhe më ngrohte kraharorin e ftohur pardje në atë të ftohtin e madh kur po pija duhan në penxhere.
Me petull në dorë i thashë vetes kthehe kokën, shikoje muzën tënde Albatros.
Pas një pasthirme “oh” nuk rezistova dot më, kthej kokën nga televizori dhe shikoj tek fliste Erjon Braçe.
E kisha parë vetëm në akte burrërie, nuk e dija që edhe burrat e dheut si ai qajnë.
Gjithë ato lot dhimbje të sinqerta u derdhën pa kursim në parlament dhe jo vetëm.
Kuptova se konkurecën se kush do qante më shumë e fitonte Jozefina Topalli. Ajo dallohej për një stil të qari me narracion dhe me një lot kokërrmadh, mbi të gjitha ajo e kollitura në mes i jepte ngjyrim emocional situatës.
Braçe kishte një të qarë interesante, kur shtrëngohej i dilte një klithmë seksi shoqëruar me një lot të hollë fin, i cili rrëshkiste te faqja pa rrudha dhe përfundonte te buza.
Astrit Patozi kishte një të qarë si me silenciator, lotonte pa u kuptuar dhe nuk e jepte shumë veten.
Zemra të copëtuara, sy me lot, dhimbje shpirtërore.
Vetëm nga një dhimbje e vertetë mund të arish të nxjerësh një vepër arti të vërtetë.
Si mund të mos pëlcisja në të qarë me ngashërim kur shikoja kryeministrin që ishte katandisur në atë derexhe emocionale, i ishte bërë zgavra e syrit si digë hidrocentrali.
Aty plasa , oo maaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaa mojjjjjjjjj fillova, ooooo mmaaaa moj ku jeeeee.
E hoqa nga kryeministri se nuk e shikoja dot duke qarë më dukej sikur thika më futeshin në zemër. Lidha një shami në kokë dhe mbajta zi .
Ju lutem mos qani më se po më shkatëroni jetën.
*E-mail i mbërritur në redaksi nga adresa false e z.Albatros Rexhaj