Lucian Kim
Reuters
Më 9 nëntor, gjermanët do të festojnë 25 vjetorin e njëri prej momenteve më të bukura në historinë e tyre të trazuar: ditën që njerëzit e thjeshtë, me aspirata të thjeshta, shembën Murin e Berlinit. Nuk u shkrep asnjë armë, nuk u dredh asnjë pikë gjak, dhe në më pak se një vit, Gjermania e ndarë u ribashkua, duke shtruar rrugën për ribashkimin e kontinentit të ndarë më dysh nga Lufta e Ftohtë.
Paradoksi i Murit të Berlinit është se u rrëzua saktësisht për të njëjtën arsye që u ndërtua. Më 1961, Gjermania Lindore komuniste ngriti “murin mbrojtës antifashist” për të ndaluar largimin qytetarëve për një jetë më të mirë në Perëndim. Njëzet e tetë vjet më vonë, ndërsa blloku komunist filloi të çahej dhe gjermano-lindorët arratiseshin për në Gjermaninë Perëndimore përmes Hungarisë dhe Çekosllovakisë, regjimi i Berlinit Lindor e ndjeu që me hapjen e kufirit do të ulte presionin e brendshëm në rritje.
Pas një kontrolli nga disa zyrtarë – dhe këmbëngulja e ca qytetarëve më shumë të neveritur prej izolimit të tyre – një sistem shtypës i mbështetur nga “komunizmi shkencor” dhe arsenali nuklear i Bashkimit Sovjetik u shkërmoq brenda natës. Gjermanët kanë të drejtë të jenë krenarë për revolucionin e tyre paqësor dhe të huajt mund të marrin pjesën e tyre në frymëzimin e tij. Megjithatë, gjatë festimeve të këtij viti, mund të ketë një masë frenimi, sepse për herë të parë që nga rënia e Murit të Berlinit, premtimi i 1989-ës – Europa e lirë dhe e bashkuar – ka pësuar goditje.
Berlini i ndarë, dikur simboli më tipik i Luftës së Ftohtë, e ka harruar të shkuarën. Shumica e qyteteve evropiane kanë më shumë gjurmë nga fortifikimet e tyre mesjetare se ka Berlini pjesë nga muri i urryer. Qyteti i ndarë fizikisht nga Europa Perëndimore, tani është qendra politike dhe krijuese. Periferitë e margjinalizuara ku kalonte Muri i Berlinit tani janë pjesë e qendrës së qytetit: pika e kalimit të kufirit Checkpoint Charlie është kthyer në pikë turistike, pallatet luksoze janë mbjellë si kërpudha në ish-rripin e vdekjes, ku trupat gjermano-lindore bënin vrasjet. Kundërkultura e mënjanuar e Berlinit Perëndimor tani është bërë mainstream.
Normaliteti i ri është befasues dhe i rehatshëm. E shkuara e Luftës së Ftohtë i duket e çuditshme një brezi evropianësh skeptikë, postmodernë, të cilët s’kanë përvojë personale nga jeta në kontinentin e ndarë. SHBA nuk shikohet më si garantuese e demokracisë perëndimore. Përkundrazi, pas luftës së paprovokuar në Irak dhe pas zbulimeve për shtrirjen globale të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, sidomos të rinjtë gjermanë, e shikojnë SHBA-në më shumë si të dëmshme sesa të dobishme. Nuk është rastësi që Berlini është kthyer në parajsë për disidentët amerikanë si regjisorja Laura Poitras dhe aktivisti i WikiLeaks Jacob Appelbaum.
Pakënaqësia e gjermanëve me SHBA është e kuptueshme. Presidenti George W. Bush vrapoi mbi patkonj kundrejt aleatëve më të ngushtë në përgatitje për luftën në Irak, dhe Barack Omaba e përsëriti fyerjen me “lëvizjen” e tij strategjike drejt Azisë Lindore. Obama, i cili ishte i lumtur ta përdoret Berlinin si trampolinë për fushatën e 2008-s, e ofendoi kancelaren Angela Merkel kur nuk mori pjesë në 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit.
Të dyja palët në lidhje janë dembelosur. Strategjistët amerikanë e nënvleftësojnë Gjermaninë si shumë e dobët për të bashkëpunuar në punët e pista të luftës së pafundme kundër terrorit, kurse gjermanët e marrin të mirëqenë prosperitetin e tyre, duke mos e vënë re faktin që ata janë gjendje të jenë pacifistë sepse për mbrojtjen e tyre mendon SHBA. Nëse Amerika e ka të vështirë të mposhtë arrogancën e superfuqisë, Gjermania s’e ka problem të bëjë rolin e xhuxhit.
Presidentit rus Vladimir Putin i është dashur që të fokusohet në të dyja anët e kontinentit. Me aneksimin që i bëri Krimesë dhe ndërhyrjen në Ukrainën lindore, Putini i zbuloi botës vragat prej plagëve psikologjike që mori më 1989. Rënia e Murit të Berlnit nuk bëri vetëm ribashkimin e qytetit, vendit, dhe kontinentit – por Kremlini humbi kontrollin mbi gjysmën e Europës.
Asokohe Putini punonte si agjent i KGB-së në Gjermaninë Lindore, dhe e pa se si fuqia e popullit e shembi sistemin që ai kishte detyrë ta mbronte. Ai personalisht ndaloi një turmë gjermanësh që donin të ndërhynin në ndërtesën e KGB-së në Dresden. Kur mbetjet e Ushtrisë së Kuqe u larguan nga Gjermania Lindore pas bashkimit gjerman më 1990, ushtarët e perandorisë sovjetike të rrënuar ngjallnin keqardhje, jo frikë.
Rusia e gëlltiti poshtërimin – shumë vetë fajësonin Mihail Gorbaçovin për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik – dhe vazhduan me rendin e ri botëror aq sa mundën. Pasi erdhi Putini në pushtet më 2000, iu kthye përvojës së tij gjermane për të krijuar lidhje të ngushta me Gjermaninë e bashkuar, me qëllimin për t’u larguar nga lidhja transatlantike. Kur ish-kancelari Gehard Shrëder e kundërshtoi hapur sulmin e njëanshëm në Irak, Putini pa një mundësi. Shrëderi u bë mik personal dhe një nga avokatët më të mëdhenj të Kremlinit në Europë. Pasi u largua nga detyra më 2005, ai filloi të paguhej nga një njësi e gjigantit rus të gazit, Gazprom.
Mergeli, e cila u rrit në Gjermaninë Lindore, ka qenë më pak pozitive karshi Putinit. Pas aneksimit të Krimesë, ajo u bë interlokutorja kryesore e Perëndimit me Kremlinin pa u ndrojtur të mbajë qëndrim të fortë. Megjithatë, edhe pasi përfshirja e Rusisë në Ukrainë u thellua, një pjesë e madhe e popullsisë gjermane besonte argumentin e Putinit se Perëndimi – Veçanërisht SHBA – ishte fajtor për konfliktin. Mosbesimi ndaj qëllimeve të Amerikës kanë shtruar terrenin për teori konspirative të shumta.
Beteja për liri që filloi më 1989 nuk është histori – nuk ka mbaruar. Protestat në sheshin Meidan të Kievit dimrin e kaluar ishin një episod i ngjashëm me Revolucionin e kadifejtë që përfshiu Europën 25 vjet më parë: qytetarë të ngritur për të drejtat e tyre, përfshi dhe ata që iu bashkuan familjes evropiane. Putini i ndëshkoi ukrainasit duke ua copëtuar vendin, jo vetëm se te protesta e tyre pa një kërcënim për pushtetin e tij. Ajo ishte një hakmarrje për botën që humbi më 1989.
Dmitry Medvedev, presidenti rus atëkohë, mori pjesë në përvjetorin e rënies së Murit të Berlinit pesë vjet të shkuara. Askush nuk pret që Putini të shkojë sivjet.