Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu ka hedhur në gjyq portalin Lapsi.al me akuzën për shpifje dhe dëmtim të imazhit publik. Bëhet fjalë për një shkrim të publikuar nga ky portal mbi një pyetje që z. Veliu i bëri kancelares gjermane Angela Merkel, në konferencën për shtyp të mbajtur gjatë vizitës së saj në Shqipëri. Z. veliu e pyeti kancelaren mbi hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, gjë të cilën Lapsi.al e ka konsideruar si një pyetje me porosi nga zyra e shtypit të Kryeministrit. Në lajm thuhet se z. Veliu vetëm sa e cicëroi pyetjen, e cila në fakt i kish ardhur nga Rama. Kjo e ka çuar Veliun në dyert e gjykatës, ku denoncon drejtuesit e Lapsit.
Në faqen e tij në facebook z. Veliu ka bërë të ditur hapjen e padisë, duke reaguar ashpër ndaj portalit:
«Sot në Shqipëri, disa nga portalet informative, jo vetëm që kanë tejkaluar ç’do skaj moral të informimit të publikut, por krejt çuditërisht janë kthyer në denigrues dhe përçmues të profesionit të gazetarit/reporterit. […] Nuk do doja kurrë të isha në një betejë ligjore përballë asnjë kolegu gazetar, por nuk mund të mos nis betejën, përballë çdo kolegu shpifës që shfrytëzon një hapësirë të pakontrolluar, të parregulluar me ligj, që shpif e trillon, që vetëm lidhje me gazetarinë nuk kanë, e që për synimin kryesor të klikimeve nuk njohin asnjë barriere morale dhe akoma më shumë nuk njohin atë profesionale».
Kemi qenë vazhdimisht të vëmendshëm ndaj etikës së mediave dhe rolit të tyre në shoqëri, duke analizuar, kritikuar e denoncuar shpesh herë shpërdorimin e detyrës, shkeljen e etikës nga shumë operatorë, të cilët abuzojnë me pushtetin që media ofron dhe e përdorin atë si mjet linçimi, denigrimi e shantazhi e madje edhe gjobëvënieje. Ciladoqoftë e vërteta, mënyra sesi Lapsi e ka trajtuar lajmin është denigrues. Është e qartë dhe elementare se çdo informacion ka nevojë për një burim, dhe mungesa e një reference apo sqarimi se përse është nxjerrë ky konkluzion e kthen këtë në një spekulim të pastër.
Se ç’nevojë ka një portal të merret me hamendësime mbi burimin e një pyetjeje të një gazetari mund të shpjegohet nga konkurrenca e ashpër në një treg, ku me dhjetra portale përpiqen të bëjnë audiencë pa kursyer edhe tundimin e sajimit të skupeve nga hiçi. Jemi shndërruar në një vend ku linçimi e baltosja e imazhit të tjetrit, duke e kthyer atë në objekt talljeje e fyerjeje nga armata e gatshme e komentuesve perversë, është normalitet i parazuar mediatik.
Pa dashur të zgjatemi për të analizuar këto fenomene, na takon të themi se ky realitet duhet të ndryshojë dhe, sidoqoftë, paditja në gjykatë është një akt që i kontribuon sadopak rritjes së përgjegjshmërisë së gazetarisë shqiptare. Por kjo nuk mjafton. Janë fillimisht mediat, aktorët e kësaj fushe dhe shoqatat e gazetarëve, që heshtin gjithmonë në këto raste, e në fakt ata duhet të shqetësohen sepse vetë janë gjahtarë dhe gjah. Indiferenca e vazhdueshme i kontribuon humbjes së besueshmërisë së tyre, duke krijuar një realitet ku njerëzit po binden gjithmonë e më shumë se gazetarët nuk mashtrojnë më pak se politikanët.