Vendimi i UEFA-s për ndeshjen Serbi-Shqipëri ishte një ndër turpet më të mëdha në historikun e futbollit Europian. Në mënyrë flagrante UEFA mbajti anën e dhunuesve, duke ua falur ndeshjen në tavolinë, teksa më pas, për sy e faqe, u detyrua t’ia hiqte ato tre pikë, pasi dhuna skandaloze e racizmi i shfaqur në sytë e gjithë botës nuk kish asnjë mënyrë për t’u kapërdirë.
Gjithçka duket e paramenduar mirë. Dënimi i Shqipërisë u justifikua me refuzimin e skuadrës shqiptare për të rivazhduar lojën, ndërsa në të vërtetë, federata duhej të kish dënuar gjygjtarin që nuk ka marrë vendim ta ndërpresë atë në kushtet kur vetem futboll nuk mund të luhej. Çfarë garancie jepte gjyqtari që ajo turmë kafshërore nuk do rihynte në stadium, për ta shndërruar në kasaphanë?! Federata, në vend që të ndëshkojë gjyqtarin për këtë papërgjegjshmëri, ndëshkon lojtarët tanë, pse nuk pranuan të rishkojnë edhe njëherë me këmbët e tyre në thertore.
Gjykimi është bërë në mënyrë pa asnjë procedim logjik. Ai nuk denjon të marrë në konsideratë aspak se pamundësia e ekipit shqiptar për të luajtur nuk ka ardhur nga qefi i tyre, por për shkak të dhunës esktreme e kafshërore të ushtruar nga tifozë, policë e kujdestarë të stadiumit. Lojtarët tanë ishin të nxirë në fytyrë, të gjakosur e të sakatuar dhe kjo, jo si rezultat i dëmtimit në ndeshje, por nga faktorë jashtë saj, pikërisht nga ata që janë përgjegjës për mbarëvajtjen e saj. UEFA-s nuk i intereson faji dhe shkaku i problemit, por vlerëson në mënyrë literale një pikë të rregullores, totalisht jashtë qëllimit të saj. Natyrisht qëllimi i kësaj pike të rregullores është për të penguar tërheqjen e ekipeve nga loja në kushte normale dhe nuk mund të detyrojë lojtarët të vdesin në fushë: O jetën o trepikëshin! Por qartazi, UEFA-s nuk i intereson drejtësia, por i intereson të dënojë shqiptarët, për t’iu bërë sadopak qejfin serbëve.
Pyetja shtrohet, përse serbët kanë kaq shumë peshë në UEFA dhe ne shqiptarët kaq pak?! Përse UEFA detyrohet të shkelë me të dyja këmbët rregullat dhe të cënojë imazhin e vet duke u bërë gazi i botës për të mbrojtur serbët, ndërsa shqiptarëve nuk u jepet as e drejta më minimale?! Kjo tregon jo vetëm paaftësinë tonë për t’u mbrojtur, por më shumë mungesën e prestigjit që kemi në organizmat ndërkombëtare. Ne jemi servilë dhe për servilët nuk ka respekt askush.
Por nuk është vetëm UEFA, një institucion i kalbur nga korrupsioni, mediokriteti dhe degradimi institucional, që tallet në këtë mënyrë me shqiptarët. Zëdhënësja e znj. Ashton, përgëzoi autoritetet serbe për menaxhimin e ndeshjes ndërsa fajsoi shqiptarët për provokimin nëpërmjet dronit të ngritur mbi stadium. Kjo tregon se ka diçka më shumë se fëlliqësia, korrupsioni dhe putinizmi i UEFA-s në këtë histori. Me shqiptarët kështu sillen në çdo hapësirë ndërkombëtare.
Politika europiane sillet me ne si me fëmijë kopshti, gjë që nuk ndodh me asnjë vend tjetër në rajon. Ne pranojmë që çdo i huaj të fusë hundët në punët tona të brendshme, iu servilosemi dhe iu nënshtrohemi atyre, heqim dorë nga çdo e drejtë kur ata na e kërkojnë dhe kurrë nuk dijmë të ngremë zërin për atë që na takon, apo për t’u ankuar kur nuk shkelen të drejtat. Ne nuk kemi asnjë axhendë konkrete në diplomaci. Politika jonë e jashtme është: Bëj ç’të thonë!
Përfundimi, serbët fitojnë gjithmonë përballë nesh: vendosin kushte për statusin e Kosovës, për bisedimet, ndikojnë në zhvillimin e hetimeve dhe gjykimeve ndërkombëtare mbi anëtarët e UCK-së, ndërkohë që strehojnë kriminelë lufte dhe vazhdojnë të destabilizojnë Mitrovicën, duke e izoluar nga pjesa tjetër e vendit. Për këtë kanë bekimin e ndërkombëtarëve, e jo vetëm kaq, por fitojnë para nesh statusin e vendit kandidat në BE. Dhe vërtetë, serbët e meritojnë më shumë se ne të jenë europianë, sepse nuk janë servilë, sepse tregojnë respekt për veten, gjë që ne nuk e bëjmë.
Në këto kushte ajo çfarë njerëzit duan nuk janë më thjesht 3 pikët e menderosura të Platinisë, as suporti që UEFA i jep futbollit shqiptar, si një kockë për “sjelljen e mirë”. Ne kemi nevojë të refuzojmë poshtërimin që na është bërë për të rivënë në vend dinjitetin tonë. Ne kemi nevojë t’i tregojmë të tjerëve se nuk jemi leckë që pranojmë të shkelemi e të përdhunohemi dhe më pas të pranojmë ndëshkimin për sjellje jo të mirë gjatë përdhunimit.
Ne kemi nevojë të ndjehemi të barabartë me të tjerët dhe këtë nuk mund ta fitojmë me servilizmin dhe paaftësinë e institucioneve tona përfaqësuese. Drejtuesit e tyre janë nga ajo racë njerëzish që nuk e njohin dhe nuk e kuptojnë fjalën dinjitet, pasi ata njohin vetëm paranë si vlerë me të cilën matet njeriu. Kjo është edhe arsyeja përse dinjiteti na mungon në raport me vendet e tjera. Ne përfaqësohemi nga pjesët më të kalbura të shoqërisë sonë dhe kjo është fatkeqësia jonë, e shfaqur në formën e vet më të shëmtuar në ngjarjet e fundit.