Glendi Dukaj
Reforma në Drejtësi pretendohet se do të forcojë një ndër institucionet kryesore të demokracisë siç është gjyqësori. Në fakt, në të njëjtën kohë, paketa e propozuar e ndryshimeve kushtetuese po cenon një tjetër institucion po aq të rëndësishëm, siç është institucioni i familjes. Në këtë kontekst, në draftin që i është dërguar Komisionit të Venecias, grupi i Ekspertëve të Lartë ka përfshirë në propozim një nen që në mënyrë indirekte në Shqipëri lejon martesat gay. Për këtë çështje ka pasur një diskutim publik në vitin 2013, i cili vinte nga një propozim i Igli Totozanit, Avokatit të Popullit, i njohur si person mjaft aktiv në lidhje me mbrojtjen e LGTB. Edhe përfaqësues të LGTB janë shprehur haptazi për legalizimin e martesave gay, jo më larg se nëntori i vitit 2015, duke dashur ta bëjnë Shqipërinë vendin e parë në Ballkan në këtë drejtim. Iniciative e LGTB u mbështet nga qeveria Rama, që në fillimet e saj në tetor të vitit 2013. Por në ndryshim nga sot, me gjithë mbështetjen publike të ofruar nga Erion Veliaj (asokohe ministër i Mirëqenies Sociale) dhe Elona Gjebreas, zëvendësministre e Ministrisë së Brendshme asokohe, ka pasur një reagim publik të përfaqësuesve të legjislativit si deputetët Mesila Doda, Tritan Shehi, i ndjeri Sokol Olldashi dhe ish-deputeti Andis Harasani. Reagime ka pasur dhe nga përfaqësues të komuniteteve fetare, por edhe nga një grup intelektualësh. Për habinë e kujtdo sot, martesa gay, në mënyrë indirekte po përshihet në Kushtetutë dhe kjo po kalon pa asnjë diskutim publik. Më konkretisht, paketa kushtetuese e propozuar parashikon se në nenin 18/2 te Kushtetutës, ka shtuar togfjalëshin “orientimi seksual”. Konkretisht ky nen propozohet që të bëhet: “Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, orientimi seksual, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore”.
Pse atëherë ishte e nevojshme që të parashikohej edhe në Kushtetute “orientimi seksual” dhe kush janë pasojat direkte të saj?
As grupi i Eksperteve të Lartë në raportin që i dërguan Komisionit të Venecias, dhe as partitë politike të shumicës apo opozitës, që kanë bërë rezerva me shkrim në Komisionin e Venecias rreth draftit të ekspertëve, nuk kanë dhënë ndonjë argument ligjor apo faktik se përse është i nevojshëm një ndryshim i tillë në Kushtetutë (përveç një paragrafi shumë të shkurtër të opozitës). Një ndryshim i tillë kaq thelbësor i konceptit të “martesës” dhe “familjes” në Shqipëri, me siguri që duhet t’i nënshtrohej debatit publik e politik, me qëllim që qytetarët shqiptarë të marrin një vendim të informuar rreth kësaj çështjeje. Po cila është pasoja direkte e shtimit të këtij togfjalëshi (orientimit seksual) në Kushtetutën shqiptare?
Bazuar në rëndësinë që ka Kushtetuta, si akti juridik më i rëndësishëm i shtetit (Neni 116 i Kushtetutës), realiteti është krejt ndryshe. Vendosja e togfjalëshit “orientim seksual” në Kushtetutë do të sillte si pasojë direkte shfuqizimin e nenit 7 të Kodit të Familjes në Shqipëri, duke e konsideruar si nen në kundërshtim me Kushtetutën. Pra, institucioni i “martesës” dhe “familjes”, nga heteroseksuale që është aktualisht, midis një mashkulli dhe një femre, do të konsiderohej si antikushtetues, dhe do të shfuqizohej nga Gjykata Kushtetuese, duke lejuar në këtë mënyrë martesën ndërmjet homoseksualeve në Shqipëri. Aktualisht, sipas Nenit 7/1 të Kodit të Familjes: “Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç”. Pra qartësisht, kusht për t’u martuar në Shqipëri është që secili nga bashkëshortët të ketë gjini të ndryshme: “burrë” dhe “grua”. Nëse Neni 18 i Kushtetutës do të ndryshohet duke shtuar edhe togfjalëshin “orientim seksual”, automatikisht, dispozita e Kodit të Familjes që kërkon gjini të ndryshme të bashkëshorteve për t’u martuar do të konsiderohej në kundërshtim me Kushtetutën. Pra ky nen i Kodit të Familjes do të shfuqizohej nga Gjykata Kushtetuese. Është e paqartë pse është kërkuar që “mosdiskriminimi për çështje seksuale” të përfshihej në Kushtetutë. Një shpjegim është që të shmanget mundësia e një referendumi, i cili mund të vinte si kërkesë nga shoqëria, duke ditur kompleksin që ka klasa politike me ndërkombëtarët në këtë drejtim. Mosdiskriminimi për çështje seksuale është zgjidhur me ligj që në vitin 2010, konkretisht me Ligjin Nr. 10221, datë 4.2.2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”. Në këtë ligj është krijuar edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ky Komisioner ka edhe kompetenca ligjore që të vendosë gjoba deri në 600 000 lekë (të rinj) për arsye diskriminimi orientimi seksual. Dhe juridikisht, LGTB është e mbrojtur në këtë drejtim.
Minoriteti Dominues
E gjithë kjo sjellje e “grupit të Ekspertëve” apo dhe e kujtdo që qëndron pas këtij “makiavelizmi” kushtetues është në kundërshtim edhe me vetë teoritë e demokracive liberale, mbi të cilat mbështetet mbrojtja ndaj diskriminimit seksual. Vendosja në mënyrë jo demokratike në dokumentin më të lartë juridik të vendit në hierarkinë e ligjeve siç është Kushtetuta, është sjellje tipike, që Habermasi do ta quante një imponim i “borgjezisë” në hapësirën publike nëpërmjet imponimit të normave juridike nga lart duke mos ju nënshtruar debatit publik. Dhe kjo sipas Habermasit dëmton gjithë përfshirjen, e cila është themeli i demokracive liberale. Mënyra sesi është përfshirë ky nen në paketën e propozuar kushtetuese, tregon se LGBT nuk është një komunitet, i cili diskriminohet, por është një grupim, i cili vepron tipikisht me instrumente të “superstrukturave” për t’iu imponuar kontratës sociale. Është një sjellje e një “minoriteti dominues” i cili cenon dhe tejkalon të drejtat e mazhorancës, duke ripërcaktuar kuptimin e institucionit të familjes në aktin më të lartë juridik, pa asnjë lloj konsensusi ose diskutimi publik. Ky nen nuk është artikuluar apo debatuar në publik nga media, analistët e ndryshëm, politikanë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare. Kjo apati sociale tregon ose pandjeshmërinë e shoqërisë ndaj këtij problemi, ose kompleksin ndaj diskutimit mbi konceptin e LGTB për familjen. Ose tregon që kjo iniciativë është produkt i një axhende, e cila do të vazhdojë derisa publiku të lodhet dhe të dorëzojë lirinë që i ka dhënë demokracia për të debatuar moralin e saj publik përballë superstrukturave, të cilat i imponohen shtetit me forma jo demokratike. Dhe këtu qëndron dhe paradoksi me këtë paketë kushtetuese.
Reforma në Drejtësi synon lirinë e gjyqësorit nga kontrolli i shtetit apo i çdo lloj superstrukture siç është krimi i organizuar apo elitat e korruptuara. Ndërkohë, neni i propozuar i imponohet shoqërisë pa kaluar filtrin demokratik. Kjo lloj axhende e një pakice dominuese nuk është produkt shqiptar ajo tashmë është evidentuar edhe nga figura serioze e së drejtës. Gjyqtari i njohur i Gjykatës Supreme Amerikane, Antonio Skalia në çështjen Lawrence v. Texas (2003) shprehet në mendimin e pakicës të kësaj gjykate se “mendimi i sotëm është produkt i një Gjykate, e cila është produkt i një kulture të ligjit si profesion, i cili ka nënshkruar kryesisht në të ashtuquajturin axhenda gay, me të cilën unë kam parasysh axhendën e promovuar nga disa aktivistë homoseksualë, e orientuar drejt eliminimit dhe përbuzjes morale që i është bashkangjitur sjelljes së homoseksualëve tradicionalisht….” Sipas Skalias, e ashtuquajtura “e drejtë kushtetuese” kundër diskriminimit është një shpikje e shumicës e cila është “e paduruar ndaj ndryshimit demokratik”. Me pak fjalë, ndryshimet kushtetuese dhe ligjore duhet të vijnë si nevojë shoqërore dhe jo të imponuara sepse në të kundërt janë shenja të një sjelljeje jodemokratike të minorancave dominuese, të cilat instrumentalizojnë ligjin për axhendat e tyre, të cilat bien ndesh me korpusin e të drejtave të gjithëpranuara nga shumica e shoqërisë. Me pak fjalë, përfshirja e këtij neni në propozimet për ndryshimet kushtetuese është akt jodemokratik.
A duhet të vendoset në Shqipëri lejimi i martesave ndërmjet homoseksualëve?
Deri tani, përfshirja e ë këtij neni në Kushtetutë është mbajtur tërësisht jashtë vëmendjes së publikut e të medias shqiptare, si nga grupi i ekspertëve, nga partitë politike, e po ashtu edhe nga vetë grupet LGBT në Shqipëri. I vetmi subjekt që ka prekur shumë sipërfaqësisht këtë çështje është Partia Demokratike, e cila ne Pikën 5 të Raportit dërguar Komisionit të Venecias për ndryshimet Kushtetuese thotë se: “në parim ne jemi dakord me nenin 4, që shton “orientimin seksual” në hipotezën e ndalimit të diskriminimit. Megjithatë, ne vërejmë se raporti shpjegues nuk shpjegon nevojën për të shtuar këtë parashikim. Gjithashtu, është e paqartë nëse në lidhje me këtë parashikim ose hipoteza të tjera të mundshme, është marrë mendimi i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”.
Ka pak rëndësi nëse i gjithë ky “terr informativ”, përfshirë opozitën, është neglizhencë apo tërësisht e qëllimshme. Ajo që është thelbësore është që përgjigja e kësaj pyetjeje mjaft delikate, që ka të bëjë me ndryshimin e konceptit ligjor të “martesës” dhe “familjes”, përfshirë traditën e kulturën shqiptare, nuk është dhe nuk mund të jetë kompetencë ekskluzive thjesht e klasës politike shqiptare, dhe aq më pak e një grupi ekspertësh që nuk janë zgjedhur nga populli. Përgjigja e pyetjes nëse duhet apo jo të lejohet martesa e homoseksualeve në Shqipëri, duhet t’i nënshtrohet një debati të gjerë, të hapur, e të sinqertë publik dhe në fund t’i nënshtrohet një referendumi popullor (neni 2 i Kushtetutës), ashtu si në mjaft vende të tjera demokratike (Kroacia është fqinji ynë më i afërt, që mbajti një referendum të tillë në vitin 2013, ku u vendos ndalimi i martesës homoseksuale me Kushtetutë). Kalimi i kësaj çështjeje kaq thelbësore për shoqërinë shqiptare, në mënyrë të fshehtë, pa debat publik apo referendum, është asgjë më pak se sa dhunim i hapur i Kushtetutës aktuale shqiptare.