Një literaturë mjaft e gjerë e shkencave politike përpiqet të shpjegojë arsyet pse votojnë dhe mënyrën se si votojnë njerëzit. Autorë të ndryshëm japin shpjegime të ndryshme. Disa besojnë se një nga forcat shtytëse është altruzimi. Të tjerë e quajnë një sjellje të zakonshme të nxitur nga spotet televizive dhe gjithfarësoj reklamash të tjera. Profesori i psikologjisë i universitetit të Berkley-it Kevin Lanning, që ka studiuar prej vitesh psikologjinë e zgjedhësve në fushata ndryshme, sheh tek egocentrizmi një pikë kyçe. Ai thotë se njerëzit duan të shprehen, të pohojnë veten, të thonë “unë jam”. Disa njerëz votojnë se mendojnë që vota e tyre mund të bëjë diferencën etj. Në përgjithësi studiuesit janë të mendimit se votimi është irracional, se më shumë ai ndikohet nga faktorë të tillë si zemërimi, ankthi, frika, krenaria etj, se sa nga analiza të ftohta, nga dëgjimi i programeve, nga hulumtimi i kandidatëve, profilit, personalitetit të tyre etj.
Në Shqipëri është e pamundur të flasësh në terma të tillë për mënyrën e votimit dhe për arsyet e votimit të njerëzve. Partitë ju premtojnë vende pune në bashki apo në zyra shteti disa votuesve duke i zhveshur ata nga të qenit zgjedhës të zakonshëm. Ato i kërcënojnë ata që janë në punë me largim nga puna. Iu ofrojnë njerëzve para, iu ofrojnë pantallona, oriz, miell, vaj në përpjekje për ti shndërruar në makina votuese.
Kandidatja e LSI për kryetare bashkie në Gjirokastër e pranoi vetë në televizion se stafi i saj ka çuar arka me birra te komuniteti rom për ti uruar ata për një festë të tyren. Kandidati i shumicës në Rrogozhinë organizoi një disko verore në Spille ku u ftuan banorët të pinë birra falas deri në mesnatë dhe u kthyhen të dehur në shtëpi. Kandidati i LSI dhe ai i PD janë mbërthyer në luftë shitblerje vote, shpërndarje mielli në Vorë. Raportime të tilla ka nga Kukësi, Pogradeci, Kavaja etj. Në terren flitet gjerësisht me këto terma për të nxjerrë njerëzit në zgjedhje dhe për t’u marrë atyre votën. Kjo është e padiskutueshme.
Megjithatë askush nuk mund të llogarisë se në ç’shkallë votuesi do të mpihet nga kjo sjellje e pistë e partive, përkundrazi. Daniel Kahneman, fitues i çmimit Nobel, duke iu përgjigjur kolumnistit të New York Times David Brooks pas zgjedhjeve brenda partiake në Iowa dhe New Hampshire thotë se “shpesh njerëzit veprojnë në një mënyrë të caktuar pa e paditur pse po veprojne në atë mënyrë.” Disa dekada më parë Kahneman së bashku me Amos Tversky, një ikonë e psikologjisë konjitive, shtjelluan idenë se gjykimi i njeriut është më shumë një përpjekje për të përshtatur gjërat e reja tek modelet familjare se sa llogaritje apo analizë probabilitetesh.
Teoricienë të njohur thonë se votuesi nuk i kushton shumë rëndësi premtimeve, se nuk janë premtimet ato që përcaktojnë mënyrën se si ai voton. Një rol kyç ka ajo që Joseph Nye i Harvardit e quan inteligjenca emocionale, aftësia e kandidatëve, e liderëve në garë për të arritur tek ndjenjat e njerëzve. Gjyqtari legjendar i gjykatës supreme Oliver Wendell Holmes i cili nuk e duronte dot presidentin Roosvelt (për shkak se i dukej shumë majtist) tha pas takimit me të se ai ishte një intelekt i nivelit të dytë, por një temperament dhe karakter i nivelit të parë. Shumica e historianëve ia atribuojnë në fakt suksesin e Roosveltit, natyrës së tij të mirë, dashamirësisë, dhembshurisë etj. Presidenti Truman rrëzoi çdo lloj sondazhi që e nxirrte humbës dhe fitoi bindshëm dhe pikërisht për shkak të karakterit të tij. Ai shihej nga njerëzit si një prej tyre. Presidenti Reagan e dërrmoi plotësisht presidentin Carter pikërisht për shkak të mënyrës se si ai arriti tek ndjenjat e njerëzve. Joseph Nye thotë se ndryshe nga sa mendohet se emocionet turbulllojnë mendimin, aftësia për të kuptuar dhe rregulluar emocionet mund të rezultojë në një mendim më të drejtë dhe më efektiv.
Kur jemi në orët e fundit para hapjes së kutive të votimit për zgjedhjet e së dielës gjithkush e kupton se socialistët, Kryeministri Rama dhe kandidatët e tij nuk do të fitojnë për shkak të premtimeve. Kryeministri më kot flet për rilindje që do të marrë trajtë me bashkitë e reja, më kot flet për mijëra vende pune, për transformim rrënjësor etj. Edhe lideri i opozitës nuk do të votohet sepse po premton ulje taksash apo se kandidatët e tij do të ndryshojnë qytetet apo do të hapin vende pune. Do të ketë edhe në zgjedhjet tona një rol të madh inteligjenca emocionale.
Rama nuk arrin më tek ndjenjat e asnjë votuesi, ai nuk shihet më nga asnjë votues si bartës i një natyre të dhembshur, si njeri i përshkuar në gjithë qenien e tij nga sensi të drejtës kur ka patur vetvarje për mospagim energjie, apo arrestime nënash me fëmijë, kur ka patur ndërprerje energjie në shtëpi me fëmijë që bëjnë dializë (nuk janë në diskutim militantët, ai trup solid përkatësie). Edhe lideri i opozitës Basha nuk duket se po arrin tek ndjenjat e njerëzve. Ai nuk shihet si bartës i dhembshurisë, i një karakteri të cilin njerëzit mund ta shohin pranë tyre. Megjithatë Basha po përpiqet ti bëjë hallet e njerëzve halle të fushatës. Ai po flet vazhdimisht për to dhe nuk bën sikur ato nuk janë. Kreun e LSI nuk po e përfshijmë fare në këtë diskutim.
Duke qenë zgjedhje lokale, një peshë shumë të madhe do të kenë kandidatët për bashkitë. Në Tiranë, Halim Kosova është dëshmi e inteligjencës emocionale. Ai është ndoshta gjëja më e natyrshme e shfaqur ndonjëherë në politikën shqiptare. Njerëzit e shohin si shumë pranë vetes, si të dhembshur, karakter të drejtë. Kandidati socialist Erion Veliaj është ana tjetër. Ai shihet si i pasinqertë, shihet si njeriu që është aq larg sa ai iu betohet atyre se është afër. Veç kësaj, referuar tezës së Kahneman dhe Tsverky, sipas të cilës njerëzit kërkojnë më shumë të përshtasin gjërat e reja me modele familjare, Veliaj nuk mund të përshtatet me gjëra të cilat njerëzit i duan, i kanë për zemër dhe i kanë familjare. Veliaj përpiqet të sillet si djali i mirë, i vuajtur, si familjari i mirë, si njeriu i ndershëm pikërisht për të gjetur vend në modelet e njerëzve. Kosova ndërkohë këtë e bën natyrshëm. Çdo njeri e përshtat atë menjeherë në modelin e tij familjar.
Thënë shkurt njerëzit do të donin të afërm, miq, familjarë si Halim Kosova por ndoshta jo si domosdo si Erion Veliaj, ose do të donin më shumë si Kosova dhe më pak si Veliaj. Në qoftë se fushata e Veliajt ia ka arritur ti bindë njerëzit se ai është në të vërtetë djali i mirë, i ndershëm, i dhembshur dhe i vuajtur, ai do të fitojë qartë. Në të kundërt ai do të humbë qartë. Një analizë e tillë gjykuar nga inteligjenca emocionale mund të bëhet edhe për Durrësin, Elbasanin, Vlorën, Korçën etj, por në Tiranë kjo analizë është shumë domethënëse për shkak të dallimeve të thella mes kandidatëve dhe për shkak të ndikimit disi më të vogël të taktikave të pista për të mpirë votuesin. Sido që ndodhë, shumica dhe kandidatët e saj e kanë humbur kudo betejën për inteligjencën emocionale.