Me themelimin e MTV(Music Television) në vitin 1980, thelbi i të qënit muzikant u shkund jo pak. Grupi Buggles asokohe, jo më kot, publikoi pikërisht në MTV një këngë me titull “Video killed the radio star”.
A nuk gjendemi në një situatë analoge me të mësipërmen aktualisht?! Fjalën e kam për marrdhënien areciproke që qëndron mes gazetës së shtypur dhe asaj dixhitale.
Tre palët në ballafaqim
Nga njëra anë, në gazetat e printuara, kemi ose kishim, gazetarë profesionistë të cilët kanë ndërtuar individualitet, personalitet, prestigj e pas një pafundësie me punë (mbi të gjitha me veten) më në fund u janë publikuar artikujt. Sistemi i filtrimit profesional ka dhënë frytet e tij në një sërë organesh të rëndësishme të shtypit të shkruar. Jo më kot ato kanë gjeneruar personalitete me potencial dhe kapacitet jo të stisur poliedrit. Kjo e fundit është domosdoshmëri më vete, për ata që shkëlqejnë vërtete në gazetari.
Në anën tjetër, në portalet informative, qëndrojnë në rastin më të mirë profesionistë dhe njohës të mirë të marketingut, dashamirës të fjalës së shkruar dhe prestigjatorë të informacionit. Them prestigjatorë për të vetmen arsye se në personat e tyre mund të gjendet kufiri i fundëm i iluzionit për një shtyp të lirë e të pavarur. Pra këta profesionistë, jo detyrimisht të fjalës, por fjalëpërdorës, janë partizanë të një qëllimi shumë fisnik, që është pavarësia e medias. Ndaj edhe ata e mbrojnë me zjarr të drejtën e tyre për të publikuar lirisht, ndaj gjithfarë cënimesh. Një ndër të cilët u kanosej nga lartë, me projektligjin mbi median virtuale dhe rrjetet sociale.
Në një moment të caktuar të evolucionit të teknologjisë dhe përparimit çoroditës e marramendës të teknikave të përqasjes ndaj informacionit ndodhin edhe shndërrimet tek individi. Për befasinë e fare pak mosbesuesve, gjejmë profesionistë të vërtetë të shtypit të shkruar, të cilët i shohin mediat online si më të rëndësishme se mediat e printuara. Për fanatikët që i mbrejnë ende qerret tek e kundërta, përgjigjen do ta japë e ardhmja. Kjo e fundit është ndër ato pika referimi të pashmangshme që tremb më së shumti ata që i gjen pa mendje.
Është e vërtetë kryekëput profetësia e “Video killed the radio star”. Sot nuk kemi më këngë, por vetëm videoklipe. Askush nuk dëgjon më albume muzikore. E shumçka nga krijimtaria artistiko-muzikore që nuk finalizohet me shoqërim nga imazhi video, thjesht humbet. Thjesht nuk është, sepse nuk merret në konsideratë. Dhe ligjet e shkencës janë vrastare. Një krijim, shpikje, vepër madhore, sado e vyer të jetë, nëse nuk gjen përkrahje dhe mirënjohje masive, me anë të botimit a publikimit, kurrë nuk do të quhet asgjë tjetër veç diçka e humbur.
Si mund të arrihet ky masivitet, ky publikim, ky përbotësim? Vetëm në rrjet. Aty ku miliarda njerëz nga e gjithë bota, filtrojnë të dhëna për tu informuar, argëtuar, komunikuar, krijuar etj.
Në qerthullin e informacionit online që flet shqip e që përbën edhe një treg të ri në llojin e tij, gjejmë shumë portale. Disa janë sipërmarrje personale, disa janë sipërmarrje në grup. Numri i tyre nuk mund të përcaktohet me saktësi edhe pse një sërë portalesh informative shërbehen me informacione të piratuara.
Ndoshta nëse ligji i përmendur pak më lartë do të qe efektiv vetëm si regullator i mardhënieve mes sipërmarrjeve online, e jo çensor i të drejtës së shprehjes, ku i dihet, ndoshta nuk do të haste në kaq shumë kundërshtime.
Megjithatë piratimi i të dhënave, nuk është problemi më madhor që ushqehet nga mediat në rrjet. Sepse njëfarë kodi etike midis shkruesve, duket se është vënë në zbatim. Gjithsecili minimalisht nuk mungon të citojë burimin e lajmit, për aq sa mund të vlejë kjo.
Gazetat e printuara qëndrojnë në avantazh në këtë pikë.
Duhen shkrues të mirë e të lire
Problemet, ose çështjet me rëndësi, në mediat online janë mekanizmat përzgjedhës dhe subjektivizmi që i përfshin ato. Në rrjet katalizatorët janë të shumtë, por jo të gjithë të përgjegjshëm, ndërsa rregullatorët, të paktë e më së shumti moralizues e konservatorë të ngurtë. Të gjendet në këtë situatë e mesmja e artë, si në gjithçka tjetër, kërkon mjaft sakrifica. Sidomos financiare. Themeluesit e këtyre portaleve, përgjithësisht paraqiten dobët financiarisht, ndaj edhe sakrifica e tyre shfaqet në cilësi. Gazetashkruesit e rrjeteve sociale ose blogeve kanë idenë, por jo gjithnjë potencialin për ta shprehur. Kanë të dhënat, por jo gjithnjë i formësojnë në lajm. Kanë dëshirën, por jo gjithnjë mundësinë. Këto bloge bëhen mundësia e tyre, për tu qorollepsur edhe ca pas dëshirës së tyre. Profesionistët e vërtetë të fjalës, jo gjithnjë vlejnë aq sa paguhen, por gjithnjë kushtojnë shtrenjtë. Autoriteti i tyre do të thoja se përbën diferencën.
Pra për të bërë një dallim të qënësishëm: duhet prestigj. Për t’ia mbërritur atij duhet shkoqur vullneti deri më një, për të dhënë, dhënë, dhënë cilësi nga vetja. Vetëm cilësia e punës mbetet të jetë dalluesi themeltar. Pasi përpunimet grafike, paraqitja trajtesat e shumanshme janë teknikalitete e astete në dorë të kujtdo. Individualiteti në krahun tjëtër përbën diferencën dhe i rradhit humbësit me humbësit e fituesit me fituesit.
Po flasim për “soft news” si dhe kronikat e njohura si “rozë”. Këto mund të jenë fletrrufetë e kohëve moderne. Një kokolepse personazhesh dhe informacioni pa kurrfarë rëndësie, por që thonë se përbën lajm. Problemi qëndron pikërisht tek personat që e bëjnë një pohim të tillë. Pasi të thuash se një banalitet i ulët përbën lajm, kërkon guxim dhe përgjegjësi profesionale, që mesa duket të gjithë i bëjnë bisht sepse mbi gjithçka i tremben shterpësisë së tyre dhe aftësisë së kufizuar që kanë për të sendërtuar diçka disi më serioze.
Megjithatë, një tjetër nxitës i tregut, është i ashtuquajturi trend. Moda. Ndjekësit e saj janë mprehës të dukjes, të fasadës, të vitrinës. Të këtillët përbëjnë shumicën e lexuesve sot. Ndaj edhe shembujt nga “bota e spektaklit”, përbëjnë në njëfarë mënyre manekinin e përsosur për tu imituar në veshje e posturë, në dyqanin mediatik. Sugjerimi im për mediat me qëllime disi më të larta, nuk do të qe përjashtimi i kësi lajmesh. Por vetëm diferencimi i dukshëm i tyre. Pra mosnakatosja me tharmin serioz të portalit.
Marketingu si diktues
Mekanizmat fitimprurëse të portaleve informative janë paksa komplekse. Megjithatë mjafton të kihet parasysh se sa më shumë lexues (klikime) të ketë një faqe, aq më shumë përfitime ajo gjeneron. Një tjetër formë përfitimi, përpos atij virtual, është sponsorizimi i drejtpërdrejtë, që gjithashtu varet nga ndjekshmëria. Nëse një site përbën interes për një numër të konsiderueshëm përdoruesisht të rrjetit, atëherë edhe kompani të ndryshme do kërkojnë të reklamojnë produktet e tyre në këtë faqe. Kleçka është kur sponsorizuesi kërkon të bëhet aktor dhe faktor. Kjo është një sprovë jo shumë për individin se sa për lajmin ose për faktin, që mund të pësojë mutacione. Shembuj të kësaj natyre nuk kanë munguar, nuk mungojnë e nuk do të mungojnë kurrë.
Stoicizëm për të vërtetën
Në lidhje me sa më lartë, Balzaku ka lënë të shkruar mjeshtërisht në një vepër të tij; cit. “Ka dy histori: historia zyrtare, gënjështare që ua mësojnë nëpër shkolla, historia ad usum delphini (…që u mësohet pasardhësve të udhëheqësve dhe bijëve të monarkëve Lat.) dhe historia e fshehtë, ku përfshihen të gjitha shkaqet e ngjarjeve, një histori e turpshme.”
Nëse ne i përmbahemi vetëm kësaj historie të turpshmë, por të vërtetë, ndoshta do të kemi një përgjigje, për pyetjen që shumëkush ia bën të tjerëve e shumëkush ia bën vetes. Pse një tjetër portal informativ?
Julian Assange, themeluesi i Wikileaks, ka thërrmuar sqimën e përndjekësve të tij me fare pak fjalë. cit
“Ose sundoje informacionin që merr, ose qëndro injorant dhe lejo që dikush tjetër që nuk është injorant të të sundojë.”