Andis Muka
Nga të gjitha trevat e etnike, Shqipëria duket se është e vetmja ku shqipfolësit kanë alergji të trashëguar për njëri-tjetrin, jo aq në nivel individual sesa në raporte enklavash. Përsiatja e Agron Gjekmarkajt për të shpjeguar historinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke, duke shfrytëzuar si pretekst mbrojtjen e Vangjel Dules, rastësisht pas mbrojtjes së vetëtimshme të Nard Ndokës, përveçse një brikolazh injorance historiografike rreth atij shteti të cilin zotëria e ka përfaqësuar në cilësinë e këshilltarit të Presidencës, është e tejngopur me mllefin që i vërtitet famëkeqes Perandori osmane dhe trashëgimisë së saj, deri në atë pikë sa edhe nacionalizmi shqiptar goditet ashpër, duke lartësuar Greqinë vetëm e vetëm për të refuzuar ata që “cimbisin kadaif”. Dikush duhet ta udhëzojë profesorin se edhe po u përjashtua kadaifi me ligj, trileçja nuk është zëvendësuesja e tij pellazge, e as ka prodhuar ndonjë variant alternativ mendësia e izolimit, dhe se nacionalizmi shqiptar, përpunim teorik edhe i disa bejlerëve si puna e Samiut (mes të tjerëve), lind pa dyshim në konflikt me interesat territoriale e politike të Greqisë.
Vërtetë Greqia si shtet ka sulmuar Shqipërinë (si shtet), në Luftën e Dytë Botërore, por kjo sepse njohja e pavarësisë së Shqipërisë është më e vonë se 1912. Autori përpiqet të argumentojë se edhe gjatë kësaj lufte shqiptarët u përfshinë nga një kombinim i pushtuesit të huaj, Italisë – që autori ka harruar t’ia përcaktojë përkatësinë kulturore e gjeografike – dhe beut Shefqet Vërlaci. Kurse aneksimin e Çamërisë ai e justifikon si “marrje” të një territori të “Perandorisë Osmane”, sepse Shqipëria nuk ishte akoma shtet. Paradoksi është se njëkohësisht ai pretendon që shqiptarët bejlerë paskan qenë “tmerri i Greqisë ndër shekuj”, në një kohë që Greqia nuk ka ekzistuar, ashtu si Shqipëria, sepse kanë qenë pjesë e “zgjedhës së urryer osmane”. Pra bejlerët thjesht paskan vepruar mbi tokat osmane, ashtu si Greqia ndaj Çamërisë, me ndryshimin thelbësor që bejlerët i shërbyen herë interesave personale e herë Portës, kurse Greqia, vendi mik i shqiptarëve (sipas autorit), që është detyruar ta sulmojë Shqipërinë vetëm një herë, këto toka i aneksoi dhe popullin mik, kur nuk e vrau, e dëboi, sa në Shqipëri e sa në Turqinë kemaliste, njëherësh anti-osmane, shekullare, moderniste, e cila, për t’i bërë qejfin Gjekmarkajt sot, duhej t’i kishte lënë të vdisnin si shqiptarë më mirë sesa t’i pranonte si turq.
Absurdi arrin deri aty sa veprimet e Venizellosit në jugun shqiptar justifikohen si pasojë e “terrorit të bejlerëve”, përndryshe, me sa duket, nuk do të kishte ndodhur asgjë e keqe ndaj shqiptarëve. Do të thotë se kur serbët vrisnin shqiptarë në Kosovë ishin të justifikuar nga memoria e Ivo Andriçit, të ofruar prej autorit si burim historik, dhe ne nuk kemi përse të revoltohemi, aq më tepër kur Serbia thjesht ua mori Kosovën osmanëve, siç bëri Greqia mike me Çamërinë. Po kështu, pasardhësit e 6 milionëve të Holokaustit, sipas këtij gjykimi, kot ankohen, sepse ca bejlerë të tyre e vunë djalin e Zotit në kryq. E ky inversion nuk ka të sosur. Aq i rrënjosur është sa drejtori aktual i Arkivit Qendror të Shtetit, Gjetë Ndoj, historian me karrierë policore, në librin e tij (E vërteta mbi shqiptarët. Ilirët “kalojnë” nëpër Mirditë (Dukagjin) për të ardhur në kohën tonë) ndan pak a shumë të njëjtin mendim me Gjekmarkajn, por të përkthyer në territorin e Shqipërisë, kur i konsideron grabitjet gjatë shekujve të kaluar si marrje legjitime nga ish-pronat, duke lënë një dritare të hapur edhe për ngulimet pas 1990, të nënkuptuara si rikthime në tokat e rrëmbyera nga osmanët, bejlerët apo regjimi komunist.
As ironia nuk ka të sosur, sepse kategoritë që kanë zaptuar flamurin e antikomunizmit, shqiptarizmit, nacionalizmit, patriotizmit, burrërisë, besës etj, janë edhe ricikluese të zjarrta të ligjërimit komunist. Shënjestrimi i bejlerëve, për shembull, duket sikur është copy-paste i fragmenteve të fjalimit të Mehmet Shehut mbajtur në 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Dhe e njëjta kategori po i lëpihet në mënyrën më patetike Edi Ramës, atij që nostalgjikët e regjimit i vërtiten si satelitë natyrorë. Ec e gjeje ku i ka gjurmët burrëria dhe si përkufizohet ajo për këtë kategori.
Për ta refuzuar Turqinë, që kategoria Gjekmarkaj shikon te Çamëria, autorit nuk i mbetet tjetër veçse të bëjë tifo për Greqinë. Pasi fillimisht i ka grumbulluar të gjithë bejlerët në një thes, përfshi ata pa të cilët nuk kanë kuptim nacionalizmi, romantizmi, gjuha shqipe, shteti shqiptar e me radhë, duke anashkaluar, sigurisht, ndonjë Preng me titull Pasha e ndonjë Llesh me ngjyra, që vriste shqiptarë e grekë, i paguar për këto shërbime nga Porta me të drejtën e sundimit dhe statusin autonom të zonës së vet, Gjekmarkaj fajëson Perandorinë për mosnjohjen e shtetit shqiptar në 1914, por jo Greqinë që spastroi etnikisht Çamërinë. Konceptin ‘vorio-epir’ e quan abuzim dhe këtë të fundit ia vesh “grupeve të caktuara të politikës nacionaliste e ksenofobe në Greqi”. Do të thotë se kur një Mitropolit bënte thirrje të celebrohej përkujtimi i 101 vjetorit të Protokollit të Korfuzit, moment historik i shpalljes së autonomisë së Vorio Epirit, dhe kur i njëjti, para dy javësh, buçet Atdheu në rrezik, apo kur zyra e Presidencës së Greqisë, para disa muajsh, u raportua se cilëson Himarën pjesë të Vorio Epirit, janë të gjitha shprehje të ksenofobisë!
Duke konsideruar dhjetëra raste homologe, në këtë lartësi të hierarkisë institucionale greke, shtetërore e fetare, rezulton se marrëdhëniet shqiptaro-greke mbijetojnë falë interesave të ndërsjella. Nuk ka në mes as miqësi e as përkatësi të identitetit europian, sepse në një rast të tillë Greqia, të paktën, nuk do të pretendonte ujërat territoriale shqiptare, falë edhe kombinimit me një shëmti të qeverisë së kaluar. Gjithashtu, nëse do të ishte identiteti kriter, atëherë Greqia nuk do të rrezikonte të flakej jashtë BE-së.
Shqiptarët e kanë dëshmuar tradicionalisht që e kanë më të lehtë t’i lëpihen brejtësve të interesave kombëtare për hir të interesave personale e sektare. Parë nga ky aspekt, nacionalizmi ose të paktën patriotizmi mbeten ndjesi të huaja. Derisa Gjekmarkajt çami i duket turk, jo thjesht se politikani Idrizi është në raporte të afërta me politikën aktuale turke (po aq e mbase më pak se i biri i Kristaqit), dhe kjo e shtyn deri aty sa të justifikojë veprimet e Greqisë ndaj shqiptarëve gjatë shek. XX, do të thotë se në radhë të parë nuk janë pranuar akoma shqiptarët si shqiptarë. Vetëm kështu mund të kuptohet përse është kaq i natyrshëm asocimi me dhunën ndaj çamëve. Shqiptarët akoma nuk e pranojnë njëri-tjetrin në bashkësinë kombëtare dhe janë të gatshëm të lustrojnë përfshirjen me grekët në një bashkësi më të gjerë e të hiqen njëkohësisht si atdhetarë të flaktë, arsye për të cilën edhe Skënderbeu i pas ’90 interpretohet pikërisht nga simbolika e bashkësisë më të gjerë, në të cilën nuk bëhen letra thjesht duke qenë shqiptar: edhe Idriz edhe shqiptar nuk lejohet. Me këto mendësi çamët ndodhen sërish para tehut të thikës. Mbase Dule mund ta shikojë si mundësi kandidimin në zonat ku minoritarët nuk janë të tillë nga përkatësia greke.