Bryan Doerries
Eskili shkroi në dramën e tij “Agamemnoni” që “njerëzit të mësojnë prej vuajtjes”, por për shumë njerëz sot, parja ose leximi i tragjedive greke duket si vuajtje e shkaktuar vetë, pa vlerë të dukshme edukuese. Kur dëgjojmë fjalët “tragjedi greke”, ne përfytyrojmë imazhe aktorësh historikë veshur me çarçaf dhe sandale të praruara, që lëvizin në mënyrë uniforme, duke u ankuar për fatin, dhe duke iu lutur perëndive olimpike të padukshme. Si objektet artistike në një muze, këto drama duken të largëta nga shqetësimet e njerëzve të shekullit të 21.
Megjithatë, tragjeditë greke kanë diçka urgjente për të na thënë tani, diçka për të cilën ne kemi nevojë ta dëgjomë. Ne jetojmë në një kohë kataklizmike, bota jonë është e përfshirë nga lufta, uria, emigrimi masiv, dhuna sektare, terrorizmi, epidemitë, dhe katastrofat mjedisore. Pavarësisht përparimeve teknologjike që na kanë çuar në nivele komunikimi dhe interkomunikimi të pashoqe në gjithë planetin, ne jemi, në disa drejtime, të izoluar nga instrumentet tona. Tani, më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për rrëfenja, mite pa kufi që na bashkojnë në komunitet dhe na ndihmojnë të përballemi me disa nga aspektet më të errëta të humanizmit tonë.
Athinasit gjatë shekullit të pestë para erës sonë jetuan rreth 80 vjet në luftë, si dhe murtaja që shfarosi një të tretën e popullsisë. Duke përshkruar ekstremet e ankthit njerëzor, dramat e Sofokliut dhe bashkëkohësve të tij ishin projektuar të bashkonin përvojat, për të shpërndarë në mënyrë të barabartë mbi supet e gjithë qytetarëve peshën e luftës dhe traumave të tjera. Dramat nuk ishin thjesht argëtim, por një teknologji që lindi nga nevoja për dëshmitar kolektiv të vuajtjes njerëzore.
Gjatë shtatë viteve të fundit ka drejtuar qindra seanca të leximi të tragjedive greke në vende jo të zakonshme, si në baza ushtarake, spitale, burgje, dhe qytete të shkatërruar nga droga për njerëz që janë prekur nga trauma dhe humbja. Kur shikojmë përpjekjet e tyre pasqyruar në histori 2500 vjeçare, ndodh diçka e fuqishme. Ata hapen. Citojnë vargje nga dramat dhe i lidhin këto vargje me historitë personale që i mungojnë. Duke dëgjuar këto rrëfime, kam mësuar më shumë për tragjeditë dhe për atë që ato përfaqësojnë sot sesa nga çdo burim tjetër.
Më 2008, pas një shfaqje të dramës Ajaks të Sofokliut – një dramë për vetëvrasjen e një luftëtari të shquar e të respektuar – për një audiencë me ushtarakë në San Diego, gruaja e një ushtaraku u zgjat te mikrofoni dhe tha, “Burri im shkoi në luftë katër herë, dhe çdo herë që kthehej, si Ajaksi, fuste trupa të padukshëm në shtëpinë tonë. Lufta erdhi në shtëpi me të. dhe të citoj nga drama ‘Shtëpia jonë është një thertore’”.
Duke thënë të vërtetën e përvojës së saj me luftën, dhe duke u lidhur me një rrëfenjë të lashtë, ajo u dha – për pasojë – leje të gjitha bashkëshorteve në audiencë të ngriheshin e të tregonin të vërtetat e tyre. Pas një shfaqjeje të Bakët të Euripidit – një dramë për fuqinë shkatërruese të Dionisit, zoti i verës dhe dehjes – në një qytet malor amerikan që përshkruhet si baza e epidemisë së drogës, një adoleshente vendase rrëfeu të vërtetën para komunitetit. “Unë kam prindër që marrin drogë dhe kanë vendosur një shembull të keq për familjen time”, tha ajo, me zërin që i dridhej. “Unë jam më e pjekur se prindërit e mi. Ata vijnë te unë për këshilla. Ata më kërkojnë para. Po përpiqem shumë, por…”. Vajza u mbështet në përqafimin kolektiv të shokëve të saj të shkollës 9-vjeçare dhe u shkreh në lot, duke i bërë të rriturit në audiencë të përloteshin. Drama e Euripidit përshkruan shkatërrimin ndërmjet brezave nga Donisi, diçka që ishte shumë e njohur për banorët e Hazard, Kentaki.
Pas shfaqjes Gratë e Thrakës të Sofokliut – një dramë në të cilën heroi që është duke vdekur, Herkuli, i lutet të birit adoleshent që ta ndihmojë t’i japë fund jetës – në një shkolle mjekësore të Harvardit, një infermier familjeje u afrua te mikrofoni dhe tha: “Më falni… ndihem e detyruar t’u kërkoj falje gjithë mjekëve në audiencë që nuk gjenden me pacientët e tyre kur ata vdesin. Unë kam një punë të vështirë. Por shikoj mrekullia çdo ditë”.
Infermieri nuk ishte duke lavdëruar vdekjen. Ai thjesht donte të thoshte që mjekësia ishte diçka më shumë se veç shpëtimi i jetës. Sa më shumë ka dëgjuar nga këto reagime të audiencës ndaj tragjedive greke, aq më shumë jam i bindur për ngjashmërinë e tyre me jetët tona. Dhe ajo që kam parë në fytyrën e anëtarëve të audiencës – natë pas nate – është një ndjenjë prekëse çlirimi prej zbulimit që nuk janë vetëm: nuk janë vetëm në komunitetin e tyre, nuk janë vetëm në botë, e nuk janë vetëm në kohë.