“Kur qëndroj këtu dhe dëgjoj një aeroplan, që fluturon ulur tani, e dalloj nga zëri. Nëse është sipër jush – ju mund ta dalloni që është sipër jush, sepse atëherë zhurma është në maksimumin e saj – dhe nëse është një avion rus, atëherë nuk godet aty ku jemi ne. Godet dy ose tre kilometra më tutje.”
Rami Jarrah më tregon si i dallon se cili shtet bombardon tani civilët në Alepo të Sirisë. Kjo ishte një pyetje që përgjigjej vetë – por jo më, duke pasur parasysh që në ajër lëvizin avionë sirianë, rusë dhe të aleatëve. Avionët sirianë, thotë ai, dikur fluturonin aq poshtë sa mund të shikoje pilotin në kabinë; avionët rusë me krahë të fiksuara fluturojnë shumë lartë saqë duken si kryqe ose simbol plusi në re. Ata qëllojnë nga larg, me qëllim t’u shmangen plumbave të Dushka-s (emër që do të thotë “ëmbëlsirë” në rusisht), një mitraloz kundërajror i periudhës sovjetike, që është arma tipike që kanë gjithë rebelët kundër Asadit për të gjuajtur helikopterët dhe avionët luftarakë, herë-herë me sukses.
Jarrah jeton në kryeqytetin e provincës industriale të Sirisë i rrënuar nga lufta, duke dokumentuar përmasat e luftës civile të shumëfishtë për shërbimin e tij të lajmave ANA. I lindur në Qipro dhe shkolluar në Londër, ai u bë i njohur më 2011 si dëshmitar anglishtfolës në televizionet perëndimore, për atë që asokohe ishte ende një protestë paqësore kundër diktaturës bathiste. Ai e quante veten Aleksandër Page, një pseudonim për të cilin s’ka më nevojë, sepse ç’të hyn në punë një pseudonim përballë avionëve të Putinit?
Në pesë vitet e fundit, ai ka hyrë e ka dalë në Siri. Ai u kthye dhe zuri një apartament në atë që dikur ishte qyteti më i madh i vendit, shumë afër vijës së parë të frontit të luftës mes forcave pro dhe kundër Asadit. “Dyqind metra më tej nga ku jam tani gjenden ushtarët e regjimit.” Për këtë arsye, shton ai, fëmijët e Alepos tani mësojnë në apartamente në vijë të parë, sepse shkollat e tyre janë bombarduar nga Rusia. Në këtë situatë, frika kryesore janë “bombat elefant”, raketat tokë-tokë të regjimit të prodhuara në vend (quhen kështu sepse bëjnë një zhurmë si ulërimë elefenati kur lëshohen), të cilat godasin 60 ose 70 herë në ditë.
Jarrah u kthye në Alepo dy muaj më parë, sepse donte të shikonte me sytë e tij ndërhyrjen e rusëve. A ishte rritur tashmë vdekja e bashkatdhetarët të tij, me vdekjet e civilëve që e kalonin numrin e të vrarëve nga regjimi? Moska këmbëngul se po godiste ISIS-in dhe “terroristë” të tjerë – jo dyqane fruta-perimesh, furra buke, dhe spitale. Ministria e Mbrojtjes ruse nuk ka pranuar ende përgjegjësi për ndonjë vrasje civilësh dhe shpesh e mohon që ka goditur zona të banuara me civilë, ndërkohë që faktet tregojnë të kundërtën. Por pretendimet e rusëve për dëme kolaterale, më thotë Jerrah, janë “absolutisht të vërteta. Rusia vret civilë dhe po bën luftë informacioni. Unë dua që këtë ta dijë çdo banor i planetit, pavarësisht nëse e pranojnë rusët apo jo.”
Vëzhgues të tjerë të konfliktit bien dakord. Sipas Rrjetit Sirian të të Drejtave të Njeriut, 570 civilë janë varë nga bombardimet ruse mes 30 shtatorit, dita e parë e bombardimeve, dhe 1 dhjetorit. Human Rights Watch ka dokumentuar përdorimin e bombave me mina (kur bien në tokë, bombat përhapin një numër të madh minash), në shkelje të rezolutës 2139 të Këshillit të Sigurimit të OKB, e cila u miratua me ndihmën e Rusisë, për t’i dhënë fund “përhapjes së armëve pa kriter në zona të banuara”. Në një raport 28 faqe të publikuar javën e kaluar, Amnesty International deklaroi se kishte ekzaminuar gjashtë bombardime ajrore ruse të ndryshme – dhe konfirmoi vdekjen e 132 civilëve. “Disa bombardime ajrore ruse kanë goditur direkt civilët ose objekte civile në zona të banuara pa objektiva ushtarake të dukshme e madje ka goditur edhe ndërtesa mjekësore, duke vrarë e plagosur civilë,” sipas Philip Luther, drejtor i Progamit të AI për Lindjen dhe Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Si përgjigje, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka kërkuar të mësojë identitetin e burimeve në terren të OJF-ve, ose, përndryshe, ministria ka kërcënuar t’i gjejë vetë.
Kenan Rahmani, një aktivist siriano-amerikan, e kaloi pjesën më të mirë të nëntorit në Idlib, provinca siriane veriperëndimore, e cila është nën bombardime ruse të vazhdueshme. Në qytetin Maarat al-Noman, thotë ai, “ata bombarduan gjysmë kilometri tej vendndodhjes sime, duke vrarë tre nënës shkolle. Banorët e qyteti janë mësuar me bomba barrel,” thotë ai, duke iu referuar kanistrave metalike mbushur me shrapnel dhe eksploziv që hidhen nga helikopterët sirianë. “Por këto kishin shkallë dëmtimi më të kufizuar. Rusët shkatërrojnë më shumë godina dhe i zvogëlojnë mundësitë që njerëzit brenda të mbeten gjallë. Por është e njëjta formë ndëshkimi kolektiv. Nëse doni të jetoni në zonat e opozitës, këto janë pasojat.”
Goditjet në Alepo janë keqësuar veçanërisht në 10 ditët e fundit. Ndërsa në fillim të muajit qyteti mund të goditej tre-katër herë në ditë, tani kjo shkon në 20, natë e ditë, afërsisht gjysma natën. Kjo është një shenjë tjetër e luftës ajrore ruse. Avionët e Asadit sulmonin vetëm ditën, të Putinit sulmojnë gjatë 24 orëve.
Rusët nuk kalojnë vetëm një herë, të hedhin ngarkesën dhe të largohen. Sipas Jarrah, herë-herë ata kthen disa herë në të njëjtin vend, shpesh gjuajnë të parët që reagojnë nga të ashtuquajturit Mbrojtje Civile ose Helmetat e Bardha, të cilët nxjerrin viktimat nga rrënojat e goditjes së mëparshme. Këto përfshijnë gra e fëmijë, siç tregojnë videot e ANA-s.
Më 15 dhjetor, avionët rusë bombarduan tregun Madh’had në zonën e quajtur Saif al-Dawla, një treg qendror në Alepo. (ANA Press ka filmime të pasojave). “Dhjetë metra në të djathtë dhe raketa do të kishte rënë brenda tregut, duke vrarë 200-300 njerëz,” thotë Jarrah. “Goditjet nuk janë dhe aq precize.
Fillimisht ai habitej pse rusët rrezikonin të vrisnin kaq shumë njerëz. Pastaj iu kujtua logjika e vrasjeve të regjimit të Asadit në ditët e para të revolucionit.