Protestë dhe ngritje zëri, për të denoncuar zbërthimin dhe humbjen e kuptimësisë së individit karshi jetës dhe përgjegjësive që ka mbi të.
… ku e kishte fjalën Pashko Vasa?
Tani më shumë se në çdo vit tjetër jemi të vetëdijshëm se diktatura nuk erdhi kot. Atë nuk na e solli njeri, por e gjetën këtu mes nesh. Në zemrat e në mendjet tona të tmerrshme përkundej ngahera si në një stanjacion verbal dëshira për një sundimtar të madh, të gjatë e të gjerë, stoik të patundur deri në neveri të absurdshme, tek i cili të mund të ngulnim të gjithë kunjat e Nastradinit që na kishin mbetur nëpër xhepa. Tek ai të zvargen si gjymtyrë kandrash të ngordhura të gjitha hallet tona edhe ato më të moçmet. E në fund të trazirës, për pazgjidhshmërinë e këtij batalioni hallesh, të bënim fajtor pikërisht sundimtarin, patriarkun, monarkun, diktatorin.
Por, grotesku publik donkishotesk jemi ne. Të dobët në bindje politike, që valviten si vela velieri, për të marrë drejtimin e erës. Me një kulturë që pandehim se e rilindëm, por po e shuajmë sepse në të nuk gjejmë më asnjë epikë të jetës. Aty ku ka zbrazëti letrare, amatorët e të kaluarës vetëm ëndërrojnë për vepra të pashkruara, të papikturuara, të pagdhendura e skulpturuara, të pakundruara, kënduara e recituara. Ëndërrojnë për sisteme 5 ose 10 vjeçare që do sjellin begatinë, siç thoshë një parrullë. Pjellin mendërisht pasigurinë, demagogjinë dhe barku i mendjes së tyre është gjithnjë i fryrë e lëkurtendosur si bunker betoni. Gati për të pjellë ideale të tjera, gati për të pjellë domosdoshmëri të tjera, pse jo edhe domosdoshmërinë e një revolucioni të ri komunist në vend, me qëllimin e vetëm për të risjellë efendikoin e ri, me një fytyrë krejt të re. Modern kokë e këmbë, i paisur me bizhu të teknologjisë së fundit ndoshta, interaktiv më shumë se kurrë. Farsat komike kapërdijnë njëra-tjetrën dita ditës, teksa fjalët boshe kapërcejnë njëra-tjetrën. Veprat tona, zhgënjimi dhe padija të përbëra nga i njëjti helm. Po vërtetojmë laboratorikisht dhe jo vetëm, se çdo popull e meriton qeverinë që ka.
Ne vlejmë aq sa vlen injoranca që na përgjon mendimet. Nuk vlejmë aq sa kushtojnë shtëpitë, makinat, leckat e trupit. Vlejmë saktësisht aq lirë sa e shesim veten, fytyrën, dinjitetin dhe integritetin tonë. Entuziastë deri në sëmundje të mosdijes, ose të paktën të mospërçapjes për dije, po vërtetojmë se me pak institucionalizëm teatral, këtu mund të vijë në pushtet saktësisht kush t’i teket. Pa pasur kurrfarë pëlqimi popullor, kurrfarë energjie pozitive sistematike, me anë të eliminimit të qëllimshëm politik, të çdo mjeti dhe personi që do mund të realizojë trampolinimin e tyre nga maja e degëve më të bleruara, drejt bataqeve nga ku i kanë rrënjët, …shqiptari u zu si zog ndër leqe. Ngjarje të hidhura, misticizëm, vetmohim, paradokse, vetmi, hipokrizi, keqdashje e urrejtje, po bëhen elemente të përjetshëm të egzistencës, po bëhen pjesë e traditës. Traditës së pashmangshme, të paracaktimit të gjendjes së vështirë.
Po ç’ta duan këtë Shqipëri të vogël, me kaq ngut?! Dihet. Që ta punojnë kurvë sa lartë e sa poshtë brigjeve, bulevardeve, hoteleve, zyrave, institucioneve ndërkombëtare. Duke pasur tashmë të qartë mendësinë e shqiptarëve, që për një dorë para e shprishin edhe vetë gjakun, nderin mund t’ua blesh me letra, si në pazar mëkatesh e mishrash, pa kurrfarë kundërvënie të mëtejshme. Fatkeq dhe vulgarë njëherazi, peshkohen historikisht nga abuzues arrogantë, thjesht me pak fjalë goje dhe u shuhet në fytyrë ajo dritë e brendshme, paksa e çuditshme e fisnikëruese, që ua lakmojmë të tjerëve. Këtë të fundit plot popuj perëndimorë e lindorë e kanë. E ne i përcjellim shikimet e tyre, si të ishin të një lloji tjetër njerëzish. Faqet e tyre të bardha shkëlqyese, i bëjnë zili mjekrave tona në errëta e të lëtyrëta, flokët e tyre të gjatë e të shkrifëtuar u bëjnë zili leshrave tanë të plurosur e të llangosur zije. Shtatet e tyre të hedhur, duart e tyre të bardha, kallin zili në eshtrat tona të kërrusura, në duart tona që nuk i lajnë dot deri më një kusuret. Shkurt e mbyturazi gjithnjë themi “të zbukuron leku”. Sa e shurdhët është kjo mendje! Kur mendon madje se kushdo që ka siguruar një jetë stabël në perëndim, është bërë njeri. Po ju, ne, çfarë jemi?!
Popujt që kanë një frymëmarrje të çlirët mijëravjeçare, janë të parët që kanë shpikur konceptet integritet e dinjitet. Asnjë tufë parash nuk mund ta blejë këtë bruajtje komplekse të vetes. Ndonëse varfëria jonë është meraku dhe mëkati më i madh që na rëndon e përvëlon, jo çdo gjë përvallet e pozicionohet në hijet e qeta e të patrazuara të mirqënies. Pyetjet janë: Sa do sakrifikonit ju si individ për të arritur mirqënien? Sa do sakrifikonit ju si individ për tu bërë njerëz (si ata)? Të dyja këto qëllime, edhe pse të ngjashme, kërkojnë rrugë krejt të kundërta për tu arritur. Ndërsa ne na shesin mugëtirë, për kaltërsi qiellore, vetë zgërdhihen gazit, me pafundësitë e mundësive të abuzimit që kanë në dorë, e që kurdisin dita-ditës, në kurriz të të sunduarve. Që kullosin grumbulluar në një burg, bashkë me gratë, pleqtë e fëmijët e tyre.
Ndërkaq Shqipëria ekspozohet ndyrazi e përqeshurazi rrugëve të Europës, duke lypur epshet e investitorëve të mëdhej, në këmbim të trupit të saj. Mundin e dertet i heq ajo që prostituon, paratë e benefitet e gjithfarëshme i gllabërojnë protektor-diktator-ët e rradhës. E në fund, kësaj ZONJE TË RANDË, i mbetet ta quajnë kurvë, dhe politikën po ashtu e etiketojnë kurvë, por politika nuk ndodh vetë, si era, shiu, bora etj. Atëherë kujt i përket ky epitet disi morboz?
…ku e kishte fjalën Ali Asllani
Desha vetëm të shkruaj një mendim të momentit për këtë spektator të heshtur e të tulatur, që frika nga morrat dhe parazitët e tjerë të sistemit, e ka lënë në pozitën e popullit e mejhanexhiut. Kur shkova në një kioske fare te vogel, një mbrëmje, për të gjetur një artikull studimor shumë interesant, në numrin e ri të një reviste, për një të afërmin tim, që nuk jeton në Shqiperi, zonja që shiste aty, duke qënë se nuk e njihte fort mirë këtë revistë, menjëherë ju referua si ajo revista e hollë 1 mijë lekshe. Për aq kohë sa potenciali i çdo gjëje do bazohet nga kapaciteti komercial që ajo gjë ka, atëherë zonja në fjalë do ta ketë kioskën e saj plot me gazeta e revista bajate, të boshatisur nga librat siç edhe e kishte. Shëndeti i dinjitetit të kapaciteteve tona intelektive është një artikull i çmuar që duhet marrë në dorë me seriozitetin dhe sinqeritetin e duhur. Është përpjekje e vazhdueshme për perfeksionimin e lirisë së mendimit dhe veprimit. Larg politikave shit-blerëse, larg medias gojëmadhe që pështyn dhe përtyp po të njëjtat gjëra. Pse çuditërisht njerëzimi zhvillimin e tij më të madh mendor e ka pasur, kur ndër duar i janë gjendur materiale cilësore për të lexuar dhe nuk ka pasur asnjë material filmik, radiofonik apo digjital për të shqyrtuar.
Po ju them se gjenialiteti i kësaj bote ka lindur kur u njohën botërisht veprat e Hygosë, Balzakut, Molierit, Pushkinit, Gëtes, Shilerit, Shekspirit, Bethovenit, Moxartit, Lajbnicit, Frojdit, Ajnshtajnit, Edisonit, Teslës etj. Vetë arti klasik, si zë më vehte, është ndoshta shfaqja më virtuoze dhe dinjitoze që njerëzimi mund t’i ketë servirur vetes përgjatë të gjitha kohërave, sa i rafinuar dhe i stërholluar, aq edhe zhdërvjelltësues shqisash e ndjenjash të holla thellësisht fisnike. Pritej më shumë prej shekujve të rinj, pritej me ankth e ardhmja që përfaqësonin vitet 2000. Natyra e prirjes së mendimit që sjell mungesa e keqtrajtimeve dhe e persekutimeve tek vetë mendimi, tashmë i lirë, është e një lloji vetëshpërblyes. Besomëni! As vetë nuk mund ta përcaktoj në detaj, sepse nuk është diçka amorfe, por konceptuale. Puna është e madhe për individin, i cili nuk duhet të zbatojë më norma të ngurta kolektive, rruga është e gjatë dhe e shtrenjtë tashmë. Duhet mbruajtur mendimi shkencor, mendimi letrar, mendimi filozofik, psikologjik, artistik. Duhet kuptuar se imagjinata është më e rëndësishme se dija, siç thoshte Ajnshtajni. Imagjinata është mëmë e padiskutueshme e vetë konceptit dije e më pas e dijes në vetvete.
E kam thënë dhe e them botërisht: për mua organet e varura mediatike, janë sharlatanizëm. Një cirk i shëmtuar i mendimit, më keq se plehrat tabloide me ngjyrë rozë, me mungesa thellësie dhe elegance në fluiditet mendimi, koherence dhe elokuence. Paçavure të pashembullta. Pleh tabloidesh, plot me figura, fotografi zyrash dhe zyrtarësh të lartë, ministrash e deputetësh, pseudoartistësh e shoumenësh, haremxhinjsh, ahengxhinjsh e bushtricash gjinjpërpjeta. Plot deri në gati-derdhje me hamenj idesh e neopikturistësh shpërfytyrues krejt të shkundur nga gryka e sipër, thellojnë pafund kallpësinë e jetës të cilën e himnizojnë ne. Të shtyjnë të kesh një shtëpi plot me objekte të stërbukura, të kesh për grua një zonjë super seksi, elegante, me njohuri sipërfaqësore të asaj që është femër, e pa asnjë konotacion të femrës së vërtetë. Këto revista e gazeta të yshtin të masturbosh mendërisht, fizikisht, konceptualisht dhe asgjë më shumë. Në fund, ti gjendesh në një hale luksoze, brenda një shtëpie luksoze me një gazetë a reviste të shtrenjtë në dorë, me gjenitale të ndezura dhe me mendjen totalisht dërrasë. Mendon vetëm për seks dhe për asnjë dëfrim tjetër kohëmbushës. Nuk di të ndërtosh familje, por di të ndërtosh vetëm një marrëdhënie të limituar nga egzigjenca injorante, plot padije, me përtesa, me shpenzime dhe me pretendime krejtësisht idioteske.
O milet! …koha është e maskarenjve, por Atdheu i shqiptarëve. Mendoje pak! Koha është në shërbim të atyrë që vetëm thellojnë një gropë të madhe në dheun e etërve tanë, me qëllim që aty një ditë të vendosen themelet e shtetit. Por këto themele ku janë?! Shpejt mandatit katërvjeçar i soset koha dhe ne na e lënë si derrin maç, dheun e atit, me një gropë aq të humnershme në të, sa gati na përpin të gjithëve.
Ky shkrimi im modest zanafillën e ka tek vargjet e “O moj shqypni” me autor Pashko Vasën dhe “Hakërrim” me autor Ali Asllani. Vargjet janë vërtet shumë të hershëm, por edhe një sy i pakujdesshëm menjëhere ja arrin të bëjë përafrime shumë të sakta mes fjalëve në rreshta dhe aktualitetit të ditëve le të themi moderne.
Përse të mos i kthehemi mendimit, leximit, shfletimit, arsyes. Sa turp që njerëzit janë të detyruar të lexojnë vetëm nga facebook-u dhe nëse materiali është i gjatë për tu lexuar, as që e vrasin mendjen. Drejtojuni asaj që ju zbukuron vërtet, asaj që ju jep forcë mendore e potencial intelektiv. Për të shijuar jetën maksimalisht e me predispozita për pozitivitet kurdoherë. Mua nuk më intereson e kurrë nuk më leverdis të di biografinë e veprimtarinë njerëzore të një personi. Mua më mjafton të di se çfarë mendon në vazhdimësi ky njeri. A e vret mendjen ai ose ajo dhe mundem, pa asnjë dyshim të vendos pikat mbi i-të e njohjes time karshi atij/asaj. Shqiptarët më të shquar sot, bluajnë në mendje dhe zemër vetëm paranë. Por kjo duhet të ndryshojë. Sepse Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për para, por mbi të gjitha për njerëz të vetëdijshëm e me kapacitet kurdoherë në absorbim të së resë dhe të pakufijshmes. Çdo njeri i ka të gjitha mundësitë që të shndërrohet në gjeni, thoshte Bethoveni, mjafton të ushtrohet. Ndaj pse të mos ushtrohemi të jemi më të mirë kudo e kurdo, për të mirën tonë dhe për të mirën e vendit.