Besueshmëria e mediave është diçka që nuk bind më njeri, përveç poetëve të mitologjisë së fjalës së lirë nga shoqatat e gazetarëve. Shumë prej tyre nuk duan ta pranojnë këtë, duke u përpjekur të bëjnë dallimin midis gazetarisë politike dhe asaj jopolitike. Sipas tyre, e prishur është vetëm gazetaria politike, për vetë faktin se detyrohet të përfshihet në një realitet të korruptuar e korruptues.
Në çdo fushë të gazetarisë vërehet se ka një shpërndarje të barazpeshuar paaftësie dhe korruptueshmërie. Të ndalemi te kultura. A mund të thotë njeri se ka nivel dhe objektivitet në gazetarinë kulturore? Vëren kush raportim kritik e objektiv mbi ndonjë vepër arti, botim apo event kulturor? Ndeshet gjekundi gatishmëria për të denoncuar abuzimet që ndodhin në këtë fushë?
Përveç komenteve, të cilat janë individuale dhe jo redaksionale, kritika është thuajse e papranishme në gazetarinë shqiptare. Përkundrazi, faqet e gazetave, kronikat e lajmeve apo minutazhet e emisioneve kulturore ofrojnë me shumicë konsum masiv banaliteti. Mungesa e profesionalizmit, por edhe mungesa e interesit, e ka bërë gazetarinë e kulturës një Ricycle Bin, ku mblidhet gjithë kalbësia jonë kulturore. Përveç raportimeve të thata dhe pa asnjë interesim mbi vlerat, në shumicën e rasteve gazetarët bëjnë më shumë qoka ndaj autorëve sesa informim real.
Mbi të gjitha, gazetarët e kulturës kanë boshllëqe personale të atilla sa bëhen shpesh burim humori. Në rrethet e e tyre qarkullojnë anekdoda mbi injorancën e kolegëve që kërkojnë të bëjnë intervista me shkrimtarë të vdekur prej kohësh, apo që iu ngatërrojnë profesionet njerëzve të shquar për të cilët shkruajnë. Në përgjithësi kjo gazetari reflekton çinteresimin e madh për objektin e saj. Raportimet mbushen kryesisht me fraza që nuk kanë për qëllim të thonë asgjë, nëdrsa informimi i publikut nuk është qëllimi i lajmit.
Hapet një ekspozitë pikture për shembull dhe menjëherë gazetat raportojnë mbi eventin: “Tablotë e piktorit X paraqesin fragmente nga jeta e njerëzve të thjeshtë dhe të vuajtur. Mbizotërojnë ngjyrat e ndezura dhe kontrastet e përdorura me mjeshtëri e finesë. Autorin e tërheq figura e gruas shqiptare, të cilën preferon ta paraqesë në përditshmërinë e saj”.
Çfarë ka këtu? A përbën vlerë në vetvete fakti që autori pikturon gra e jo burra, që përdor ngjyra të ndezura e jo të zbehta, që paraqet përditshmërinë dhe jo momente të veçanta? Lajmi do të qendronte po njësoj sikur të shprehej e kundërta: “Tablotë e piktorit X paraqesin fragmente nga jeta e njerëzve të pasur e të palumtur. Mbizotërojnë ngjyrat e zbehta dhe tonet e njëtrajtësuara të shkrira me finesë e mjeshtëri. Autorin e tërheq figura e burrit shqiptar, të cilën preferon ta paraqesë në momentet e tij më domethënëse”.
Në të dyja rastet nuk thuhet asgjë: asnjë vlerësim, asnjë informacion mbi atë çfarë komunikon vepra, asnjë kritikë apo debat. Në lajmet televizive kronikave iu shtohet zakonisht edhe ndonjë intervistë nga ndonjë koleg, që pa asnjë hezitim nuk ngurron t’ia bëjë qefin mikut me vlerësime stratosferike, ndërsa, pse jo, mikrofoni nxjerr edhe vlerësime nga politikanë, spikerë lajmesh, balerinë etj. Jo më larg se dy javë, gjatë ceremonisë mortore të Petro Zhejit, mediat iu turrën Ilir Metës për t’i marrë një vlerësim mbi vepren e të ndjerit. Vetëm në vende si Shqipëria mund të jetë lajm vlerësimi i një politikani për një personalitet të letrave, madje aq më tepër, një politikan që nuk ka absolutisht asnjë lidhje me letrat, përveç atyre të hesapeve.
Ajo që “shkëlqen me mungesën e saj” në gazetarinë shqiptare është pa dyshim kritika. Kultura është një hapësirë e sheqerosur e shumë optimiste për t’u besuar në një realitet si ky. Asnjë kritikë, asnjë debat, asnjë analizë objektive, thua shqiptarët kanë arritur vërtetë Olimpin në kulturë. Gazetaria përtej politikës paraqitet si një hapësirë paqeje, ku sundon mirkuptimi dhe toleranca, e konsoliduar nga sistemi i qokave dhe përfitimeve të vogla. Çdo ekspozitë që hapet, çdo koncert që zhvillohet, çdo libër që botohet përbën për gazetarinë shqiptare një ngjarje të madhe me vlerë kombëtare. Çdo njollë bojaxhiu mbi telajo, çdo bashkësi tingujsh që sazexhiu i parë arrin të shpërndajë në sallën e Pallatit të Kongreseve apo Teatrit të Operave (varet se kujt prej drejtorëve ia ka gjetur anën), çdo përmbledhje rimash që del nga shtypshkronja, përbën një event me rëndësi kombëtare. Më shumë se gazetari kjo mund të quhet në fakt: Marketing.
Mungesa e kritikës në mediat shqiptare tregon paaftësinë tonë për t’u ngritur në nivelin e një kulture të emancipuar. Me ndonjë përjashtim të rrallë, gazetaria shqiptare ka në referencë luajalitetin ndaj koniukturës ekzistuese. Hapja e një ekspozite, një festival kënge, një konferencë shkencore apo botimi i një libri nuk janë aspak ngjarje që ngjallin interes publik në vetvete për të, por janë mjete për të afirmuar autorët, duke rikonfirmuar parreshtur pushtetin. Mediat bëhen përçues të autoritetit dhe vegla të pushtetit, e për rrjedhojë nuk mund të sjellin ndryshimin apo zhvillimin, por thjesht ruajtjen e gjendjes ekzistuese.