Që në krye, duhet thënë se titulli i këtij shkrimi është i pasaktë, por është nxjerrë nga një pikëpyetje që buron nga një mendësi e shtresëzuar në një truall mendimi bipolar, e cila e sheh elektoratin shqiptar të destinuar për tu ndarë në dy grupe të mëdha, ndaj dhe krijimi i një poli të tretë duhet doemos t’i hyjë në hise njërit prej tyre. Prej këtej, çdo përpjekje e re për të kandiduar në zgjedhje, nëse nuk hyn në koalicion me ndonjë prej partive të mëdha, konsiderohet si kalë troje i njërit kamp kundër tjetrit. Në fakt, kjo ka funksionuar deri diku në raste të caktuara. Rasti i Hysni Milloshit psh. ishte shumë përcaktues në humbjen e Edi Ramës në zgjedhjet e kaluara, por a do të thotë kjo se duhet të kërkojmë një Hysni në çdo kandidat jashtë vullnetit të dy partive?
Ky lloj arsyetimi me pretendime realiste, por që shfaq më shumë skepticizëm determinist dhe një prirje të ekzagjeruar konspiracioniste, në të vërtetë prodhon një paradoks fatalist. Nëse shumica prej nesh e pranojnë që të dyja partitë e kanë qelbur, sado që jo në mënyrë të barabartë, atëherë si do të mund të gjejmë një forcë politike më të mirë, nëse çdo përpjekje për të krijuar një të tillë do ta shohim si subversion të një pale kundër tjetrës? A nuk jemi duke i shërbyer vetë ne, mbetjes peng në lojën e tyre?
Nuk flas këtu për militantët e të dyja palëve, dhe as për këdo që ka ende shpresë tek ndonjë prej tyre. Nëse 25 vjet nuk kanë mjaftuar për të kuptuar se nuk mund të ketë më shpresë tek PD-ja, e aq më pak tek PS-ja, nuk ia vlen të diskutojmë më gjatë. Këtu flas për atë kategori njerëzish që vazhdojnë dhe vadisin truallin e pengmbetjes në batakun e bipolaritetit, me pretekstin e mbështetjes së «të keqes më të vogël». Ndryshe nga grupi i parë, arsyetimi i këtij të dytit është deri diku i respektueshëm, por përvoja ka treguar se e keqja nuk është zvogëluar duke eleminuar gjithmonë atë që mendojmë se është e keqja më e madhe. Ne votojmë për të keqen më të vogël dhe, kur ajo vjen në pushtet shndërrohet në një të keqe më të madhe se ajo e mëparshmja, e kështu me rradhë, çdo ndërrim pushteti ka sjellë rritjen e saj, diku më shumë e diku më pak.
Ralf Dahrendorf në përsiatjet e tij për të trajtuar konfliktin modern si një mekanizëm zhvillimi nëpërmjet kompeticionit, nuk harron të trajtojë edhe rrezikun e bipolaritetit, si një mundësi për eleminimin e çdo opozite të vërtetë. Në një situatë politike bipolare, palët mund të arrijnë të merren vesh, qoftë edhe në heshtje, për të ruajtur hegjemoninë e tyre të pakërcënuar nga rivalë të tretë apo të katërt. Kjo në të vërtetë i jep mbrojtje statuquosë së të keqes, duke pezulluar kompeticionin, si kusht themelor i demokracisë. Palët mbrojnë njëri-tjetrin nga rivalët e tyre, gjë që mohon shancet e daljes në skenë të forcave të reja politike. Dhe ky është një rrezik i madh për demokracinë. Mendësia që denoncon çdo forcë të re politike si të shitur tek «e keqja më e madhe», nuk bën gjë tjetër vetëm se i shërben të dy të këqijave të bashkëndajnë skenën politike, duke i mohuar vendit një alternativë më të mirë.
Kandidimi i Gjergji Bojaxhiut në garën për Bashkinë e Tiranës, i ka turbulluar disi ujërat e politikës shqiptare, sidomos djathtas. Të dyja palët janë munduar ta luftojnë me heshtje rivalitetin e tij, me idenë që mënyra më e mirë e shmangies është harresa. Megjithatë ka një kategori qytetarësh, të angazhuar djathtas, të cilët e shohin atë si një pykë të Ramës për të ndarë votat e djathta. Në fakt, kjo retorikë, më shumë se të tregojë një të vërtetë, ka për qëllim të prodhojë një realitet. Duke ofruar një shpjegim konspirativ hipotetik, natyrisht që nuk mund të vërtetohet gjë, por nëpërmjet këtij arsyetimi, të paktën ruhet rrjedhja e supozuar e votave.
Në një logjikë më të ftohtë, ky shqetësim i të djathtëve duket i kotë. Pikë së pari, nëse z. Kosova humbet zgjedhjet, kjo nuk do të ndodhë për shkak të Bojaxhiut, pasi të gjitha gjasat tregojnë se PD-ja e ka shumë të vështirë fitoren. Aktualisht Tirana është sot një bastion i së majtës. Të ardhurit nga jugu kanë krijuar shumë zona të majta në Tiranë, duke transformuar kështu shpërndarjen elektorane të kryeqytetit. Z. Basha mezi arriti ta barazojë Ramën, megjithë votat e LSI-së e me gjithë faktin që PD-ja ishte një forcë në pushtet, gjë përgjithësisht demotivon shumë votues në opozitë. Këtij realiteti i shtohet edhe ndarja e re administrative, ku Paskuqani (hambari i PD-së) i kalon Kamzës, ndërsa Tiranës i shtohen një sërë fshatrash e rrethinash historikisht të majta. Vetëm ndonjë mrekulli, nëse njerëzit vërtetë kanë reflektuar nga thika në palcë e qeverisë së Rilindjes, mund të sjellë ndonjë përmbysje, por shqiptarët nuk kanë treguar prej kohësh një nivel të tillë mençurie.
Nga ana tjetër nuk një arsye bindëse përse Bojaxhiu t’i marrë djathtas votat e tij. Ai përfaqëson atë pjesë të elektoratit që është zhgenjyer nga të dy palët dhe natyrisht që të tillë ka majtas e djathtas. Nga ana tjetër, dy kandidaturat e partive të mëdha (z. Kosova dhe z. Veliaj) ofrojnë më shumë mundësinë që Bojaxhiu të marrë vota majtas se djathtas. Nëse z. Kosova është një kandidaturë e pëlqyer nga të djathtët, – për emrin e mirë që ka gëzuar si mjek, për profilin e tij babaxhan, për imazhin e njeriut të thjeshtë, punëtor e të pakorruptuar, – kandidatura e Veliajt gjen shumë pakënaqësi edhe brenda vetë PS-së. Z. Veliaj është prej kohësh objekt talljesh, përqeshjesh e akuzash edhe për shumë simpantizantë të së majtës. Kjo do të bëjë që shumë vota të majta, që nuk aprovojnë kandidimin e tij, të mund të gjejnë z. Bojaxhiu si një alternativë më përfaqësuese.
Kandidatura e Bojaxhiut sjell për herë të parë një mundësi të tretë vërtetë serioze midis dy palëve. Z. Bojaxhiu ka vërtetë një histori të suksesshme në politikë, ku ka arritur të fitojë respektin e shumë njerëzve. Ai është vlerësuar jo vetëm për aftësi drejtuese e menaxhuese, duke pasur edhe një karrierë të mirë profesionale edhe jashtë politikës, por edhe si njeri me integritet, i përjashtuar nga strukturat e PD-së pikërisht për shkak të moskonformimit me lidershipin e saj. Në një truall ku shumë kolegë nga brezi i tij i politikanëve, janë bërë antipatikë për shkak të depersonalizimin që prodhon koniuktura, ai ka humbur vërtetë PD-në, por ka arritur të fitojë një emër të mirë.
Kjo ka bërë që rreth kandidaturës së tij të bashkohen shumë zëra seriozë, të indinjuar me realitetin politik aktual. Figura e Bojaxhiut grumbullon sot rreth vetes një kategori të gjerë qytetarësh nga shtresat e mesme të popullsisë, të distancuar nga realiteti politik aktual e të papërfshirë në interesat e pushtetit. Në këtë mënyrë, Bojaxhiu përfaqëson në këto zgjedhje një fashë votuesisht që refuzojnë të ushqejnë ndonjë prej dy të këqijave të mëdha të këtij vendi: PD dhe PS, – duke iu dhënë tashmë, për herë të parë, një alternativë këtyre zërave. A do t’ia dalë ai të tërheqë një kategori të madhe votuesish? Kjo vlen të shihet. A do t’ia dalë ai të jetë zëri i duhur në përfaqësimin e tyre dhe a do të dijë të mbetet i papërlyer me llumin ekzistues? Kjo mbetet për t’u parë, por tek e fundit edhe për t’u provuar. Fundja te keqen e kemi në xhep me realitetin ekzistues dhe nuk mendoj se mund t’i shtojmë gjë duke provuar alternativa të reja.