Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një seri festimesh gjatë këtij viti me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Festimet kanë kaluar nëpër një varg të gjatë datash që konsiderohen me rëndësi për Luftën Nacional Çlirimtare, shumica e të cilave janë tepër të diskutueshme mbi vlerën e tyre, duke krijuar pështjellim, nëse po glorifikohet lufta apo Partia Komuniste si udhëheqëse e saj. Në fakt, Kryeministri Rama ka kohë që është vënë në shërbim të një angazhimi të tillë. Prej vitesh, nëpërmjet Bashkisë së Tiranës, ai ka promovuar kremtimin e Natës së Bardhë në 29 Nëntor, me turma të rinjsh që zbarkojnë në Bllok e në Pezë, duke e shndërruar kryeqytetin në një kabare gjigande ku shkrihen tok pencionistë me shaje partizanë të shtirur si veteranë dhe të rinj që harbojnë deri në orët e para të mëngjesit, duke kremtuar gjakun e dëshmorëve me drogë, seks e tallava. Gjithçka bëhet duke eklipsuar totalisht ditën e pavarësisë, gjatë së cilës kryhet veç ndonjë ceremoni zyrtare e ftohtë, sa për qokë, që as mund ta vakë ndopak atmosferën.
Relativizmi totalitar
Nga ana tjetër një mori historianësh, kryesisht trashëgimtarë të katedrave nga regjimi i kaluar, kanë kohë që bëjnë propagandë mbi luftën, duke promovuar në kor vlerat e saj dhe duke predikuar nevojën që brezat e sotëm të përkujtojnë e nderojnë sakrificën e atyre që u përfshinë në të. Përveç kësaj ata propozojnë gjithashtu një qasje relativiste ndaj regjimit komunist, duke pohuar se ai duhet njohur “me të mirat dhe të këqijat e tij” dhe lufta është argumenti kryesor i përdorur në funksion të kësaj retorike. Ata nuk kanë ngurruar as të organizojnë konferenca në Akademinë e Shkencave ku Mehmet Shehu vlerësohet si “burrë shteti”, ndërsa nuk mungojnë vlerësimet se komunizmi arsimoi, elektrifikoi e industrializoi vendin. Nga kjo premisë ata përpiqen të delegjitimojnë qendrimet morale, që e denoncojnë diktaturën si një sistem kriminal, shkatërrimtar e rrënues për vendin, i cili përbën një nga fatkeqësitë më të mëdha të këtij kombi. Sipas tyre, ky është gjykim i njëanshëm që nuk vlerëson edhe “të mirat” e regjimit.
Duke i parë gjërat nga një perspektivë ekstremisht relativiste (gjë kjo krejt e pazakonshme për natyrën totalitare të të menduarit të tyre, që nuk është çliruar ende nga skemat e së kaluarës), e keqja dhe e mira humbet kuptimin për sa kohë gjithçka në botë ka domosdoshmërisht diçka nga të dyja. Me vetëdije të plotë ata neglizhojnë vlerën e proporcionit, si një përcaktues i domosdoshëm për të mundësuar arritjen e një përfundimi, e për rrjedhojë, edhe të një qendrimi moral midis të mirës dhe të keqes. Kjo mënyrë të menduari eleminon gjykimin nga mendimi historik, duke shkatërruar mundësinë që shoqëria të nxjerrë mësime nga e kaluara. Më interesantja është se kjo qasje përdoret ekskluzivisht vetëm për komunizmin. Çdo objekt tjetër i së shkuarës i nënshtrohet një gjykimi të ashpër moral e ideologjik nga kjo kategori studiuesish.
Rikonstruktimi i mitit të luftës
Qëllimi eksplicit i qeverisë dhe i gardës akademike, ish dhe tash komuniste, në këto manifestime është të promovojnë vlerat e luftës, duke himnizuar heroizmin e pjesëmarrësve të saj. Kjo do të thotë se rrjedhimisht synohet të shfaqen disa vlera pozitive edhe për aktorë kriminalë të historisë së këtij vendi, të cilët lyen duart me gjak e robëruan një popull të tërë, siç është edhe vetë Enver Hoxha. Prania masive e portreteve të tij në çdo ceremoni përkujtimore të organizuar nga qeveria nuk është e rastësishme. Vetëvetiu, klishetë e ndërtuara mbi luftën të çojnë në nderimin e xhelatëve të këtij vendi. Por ky është edhe qëllimi i vërtetë i kësaj propagande: Të bëjë të mundur rehabilitimin moral të një force politike me një histori kriminale. Të gjitha sofizmat mbi nevojën e brezit të ri për të gjetur frymëzim tek dëshmorët tanë, janë thjesht një gënjeshtër që zor se besohet, për sa kohë në ballë të saj shohim njerëz që nuk kanë shfaqur kurrkund veneracion për ndonje vlerë apo ideal, e madje përkundrazi, shumica prej tyre nuk kanë lënë zullum pa i bërë këtij vendi e nuk kanë lënë vlerë pa shkelur e shkatërruar. Ky patriotizëm i beftë, i shfaqur për aspekte shumë të dyshimta të historisë sonë, bie erë.
Pas një periudhe çvlerësimi për Luftën Nacional Çlirimtare, ku ajo është parë si faktor që solli tragjedinë komuniste, ose të paktën është lënë jashtë vëmendjes si diçka pa interes, tashmë miti i luftës po rikonstruktohet në përputhje me realitetin e ri të krijuar pas rënies së regjimit. Ky mit na vjen i transformuar, duke përdorur tullat e klisheve të ideologjive të reja të përqafuara nga politika. Lufta nuk shihet më në përputhje me doktrinën dhe retorikën politike të regjimit të Enver Hoxhës, por shihet në përputhje me aspiratat e reja ideologjike të shoqërisë shqiptare. Ajo nuk ofrohet më, bie fjala, si frymëzim dhe model i rezistencës heroike të një populli të vogël, që pretendonte të ishte fanar ndriçues për gjithë botën, por tashmë ajo paraqitet si një angazhim i madh që na rreshtoi përkrah vendeve aleate, paçka se, në të vërtetë, ne nuk ishim me aleatët perëndimorë, por bisht i kavallit të Bashkimit Sovjetik, që ishte një forcë po aq shkatërrimtare sa ajo fashiste. Dhe vërtetë Europës nuk ia ndjeu shumë për “sakrificat” tona pas përfundimit të luftës po na la përtej perdes së hekurt në ferrin e Stalinit, ndërsa mbështeti copërtimin territorial të Shqipërisë, duke ua rifalur Kosovën jugosllavëve.
Megjithatë, një rezistencë antifashiste, sado e vogël, qoftë edhe simbolike është diçka me vlerë për dinjitetin e një kombi dhe një angazhim i tillë ka ekzistuar në Shqipëri. Por ky angazhim nuk ka qenë vetëm nga ana e komunistëve, siç monopolizohet sot nga qeveria dhe historiografia shqiptare. E vërteta është që fashizmi është luftuar me seriozitet edhe nga një sërë formacionesh të tjera si balli, legaliteti e madje edhe formacione të pavarura. Madje e vërteta është se komunistët e kanë penguar luftën duke iu hapur luftë formacioneve të tjera, të cilat ata i perceptonin si rivale, përveç se sabotuan krijimin e një fronti të përbashkët. Kjo ndodhi pikërisht për shkak se lufta e tyre nuk ishte kombëtare, por ideologjike totalitare. Ajo ishte një luftë e iniciuar dhe udhëhequr nga jugosllavët dhe motivohej nga interesat e tyre në raport me Shqipërinë, ndërsa nga ana e krerëve vendas motivohej pastërtisht nga etja për pushtet. Ata ishin në gjendje të bënin çdo lloj poshtërsie për këtë, pa përjashtuar këtu edhe shitjen e interesave parësore të vendit. Historia e provoi qartësisht këtë, me atë çfarë komunistët bënë kur e morën pushtetin.
Standard i dyfishtë
Megjithatë, pa dashur të ndalemi këtu, pyetja që duam të shtrojmë është: Përse i gjithë ky rizgjim i interesit për luftën, dhe përse kjo nevojë kaq e madhe për t’u treguar brezave vlerat e saj?
Nëse vërtetë qeveria dhe akademikët e ish-nomenklaturës interesohen për edukimin e shoqërisë, duke kërkuar që ajo të frymëzohet mbi vlerat dhe sakrificat e paraardhësve, do të shihnim gjithashtu një interesim po kaq të madh të tyre për glorifikimin e vuajtjeve dhe sakrificës tragjike të njerëzve të persektutuar, përndjekur, dhunuar e masakruar nga regjimi komunist; do të shihnim që kjo armatë njerëzish do të interesohej për zbardhjen e historive dhe dëshmive rrënqethëse që ata na kanë lënë; do të shihnim angazhimin e tyre për të përkujtuar mizoritë e regjimit dhe kultivimin e respektit për vuajtjen e atyre që u dergjën burgjeve e kampeve të përqendrimit, apo u masakruan nga plumbat e togave të pushkatimit, duke mbetur në shumë raste edhe pa varr, apo të hedhur nëpër gropa të përbashkëta.
Nëse vërtetë do të shtyheshin nga parime të tilla morale do të duhej t’i shihnim këta njerëz të përkujtonin, jo vetëm masakrat e gjermanëve, por edhe ato të forcave partizane, si dhe ato të regjimit terrorist që u instalua pas lufte. Fakti që këta historianë nuk shprehin asgjë të kësaj natyre, por përkundrazi, na broçkullisin mbi hidrocentrale, fabrika e kantiere që partia na i lulëzoi gjatë udhëheqjes së saj, si të mira që duhet t’ia njohim atij regjimi, – ndonëse realisht vendi shkoi në një mjerim të tmerrshëm ekonomik e kulturor, – tregon se asgjë etike nuk ka në këtë angazhim. Përkundrazi, gjithçka është politikë dhe vijueshmëri e një kriminaliteti të trashëguar nga regjimi, prej të cilit nuk ka asnjë mea culpa.
Qëllimi kryesor i këtij angazhimi për të promovuar luftën partizane është kësisoj, njësoj si qëllimi i atyre që e organizuan atë: Pushteti. Pasardhësit e regjimit kanë nevojë sot për legjitimitet, kanë nevojë për histori, për të mbajtur gjallë një luftë klasash të pakuptimtë, e cila i mban në pushtet. Kjo e bën luftën e tyre të nevojshme dhe të vetmin burim legjitimiteti për luftën e sotme.
Luftë me interes
Prej këtej kuptohet pra se se këto përpjekje për promovimin e luftës partizane motivohen politikisht dhe kanë për qëllim të zbusin qendrimet publike ndaj krimeve dhe kriminelëve që drejtuan këtë vend për 50 vjet. Kjo klasë politike e intelektuale është e lidhur nëpërmjet fijesh të ndryshme me atë regjim, – dikush nëpërmjet trashëgimisë familjare (ndikimi i së cilës i garanton pushtetin e sotëm), dikush nëpërmjet përfshirjes së tij personalisht në krimet apo zullumet e së shkuarës, – ndaj dhe ndjen nevojën të shplahet në kënetën e një retorike bajate mbi vlera historike të sajuara.
Pa asnjë dyshim zbutja e qendrimeve ndaj regjimit, zbutja gjykimit dhe peshës morale që rëndon ndaj tij, do të sillte edhe zbutjen e delegjitimitetit të vetë aktorëve të përfshirë në këtë propagandë. Ata ruajnë kështu autoritetin e tyre, të fituar në këmbim të favoreve imorale me regjimin e kaluar, ndaj dhe pozitat e tyre lidhen fort me gjykimin e atij sistemi. Kjo është arsyeja që i bën sot të gjithë akademikët e atij regjimi të bëhen gardh për të mbrojtur ideologjinë e re të rivlerësimit të komunizmit apo dekonstruktimit të kriminalitetit të regjimit, siç e quan Paskal Milo, kryetari i komisionit për rishkrimin e historisë, të mandatuar së fundmi nga qeveria.
Në fakt historiografia shqiptare është krejtësisht e pamotivuar për të zbardhur historinë e vërtetë, qoftë mbi luftën, qoftë mbi diktaturën. Kemi një mungesë të plotë studimesh, monografish analizash shkencore mbi këto objekte studimore dhe gjithçka që prodhon historiografia pencioniste shqiptare është retorikë, propagandë, klishe. Kjo tregon se qëllimi i tyre është të fshehin e të shtrembërojnë të shkuarën e jo ta ndriçojnë atë dhe kjo vjen sepse ata janë vetë të përfshirë tek kjo e shkuar, e cila është ende e afërt për të qenë jashtë implikimeve të tyre. Kështu, historiografia shqiptare është në konflikt interesi me të shkuarën ndaj, më shumë se histori, ajo bën propagandë në funksion të një politike të pamoralshme.
Duke qenë në këtë pozitë historiografia shqiptare është si askund tjetër e interesuar më shumë për harresë kolektive ose kujtesë haluçinante, sesa për kujtesë reale. Qëllimi i saj është të fshehë dokumentet dhe të frenojë, demotivojë e shantazhojë çdo studiues të ri, që kërkon të zbardhë të vërtetën, duke i kërcënuar karierën. Kjo është edhe arsyeja përse ata ekzekutojnë me terma të tillë si, tradhëtar, mohues, baltëhedhës, këdo që shfaq kurajo intelektuale për të dalë nga bataku i tyre. Ata e rrëfejnë historinë si një tempull, pikërisht për të përzënë që andej racionalitetin.
Këta pra janë nyja ku e shkuara jonë, lidhet me të tashmen, duke na penguar për të ecur drejt së ardhmes. Këta mbajnë peng jetën tonë, duke prodhuar stërkëmbësha ndaj çdo zhvillimi që kapërcen kënetën e tyre.