pb
Për javë të tëra parlamenti i Kosovës është bllokuar nga opozita, e cila kërkon të pengojë me çdo mjet miratimin e marrëveshjeve të fundit me Serbinë, që rrezikojnë të sabotojnë shumëçka në formimin e shtetit. Marrëveshja e kthen Kosovën në një shtet të kushtëzuar nga Serbia, duke e shndërruar në një Bosnje të dytë, të falimentuar e të paaftë për të vendosur stabilitet. Beogradi jo vetëm do të ketë në dorë të diktojë politikat shtetformuese në Kosovë, por, nëpërmjet Zajednicës, serbët gjithashtu kanë fituar territor shtesë brenda vendit, duke krijuar autonomi lokale në çerekun e tij.
Përballë reagimit të opozitës të përshkallëzuar deri në gazin lotsjellës, duket se i gjithë shteti, strukturat, institucionet, përfshi këtu edhe ato ndërkombëtare, madje edhe jopolitike, janë ngritur në këmbë të dënojnë veprimet e opozitës. Ato po thonë se përdorimi i gazit lotsjellës në sallë është dhunë, pengim i institucioneve demokratike – a thua se marrëveshja e ndërmarrë nga vullneti i një grushti njerëzish qenka demokratike –, dëmtim i imazhit të vendit (ndërsa nënshtrimi ndaj Serbisë i bie të jetë një veprim dinjitoz), dhe pengesë për zhvillimin e vendit, për shkak të moslejimin e miratimit të ligjeve që parlamenti i merr në dobi të qytetarëve.
Paradoksalisht, po vërehet i gjithë ky shqetësim i madh për imazhin e tymit të shkaktuar nga gazi lotsjellës në parlament, si dhe për problemet e mëdha që i shkaktuaka Kosovës bllokimi i seancave, ndërsa nuk shprehet asnjë shqetësim për të ardhmen e rrënuar që sjell ky projekt, nënshtrues për shumicën shqiptare ndaj pakicës serbe. Reagimi u zgjeruar deri te Dhoma e Tregtisë së Kosovës, madje edhe FMN-ja, e cila ngriti alarmin se bllokimi i parlamentit penguaka miratimin e ligjeve jetike për zhvillimin ekonomik. Duke artikuluar një gjuhë të kulaçit dhe kërbaçit, policit të mirë dhe policit të keq, FMN u shpreh se vonimi i miratimit të buxhetit, mund të bëjë që ajo të na anulojë borxhin, të cilin e paskësh miratuar me vështirësi, për shkak të shumë zërave kundërshtues. Kjo do të bëhet pengesë për një rritje ekonomike prej 3.8 {27a26d44c9c795719c11a40db985c5750e2ed32f08477077955f29848ab5c8fa}, që FMN parashikon për vitin e ardhshëm në Kosovë.
Shtimi i shumtë i zërave, që gjejnë pretekste nga më të ndryshmet për të reaguar kundër bllokimit të parlamentit, tregon vetëm rëndësinë në dëm të Kosovës që ka miratimi i marrëveshjes me Serbinë, e cila tentohet të kalohet sa më lehtë. Fakti që qeveria dhe ndërkombëtarët nuk tërhiqen nga marrëveshja dhe nuk pranojnë as ta shtyjnë miratimin e saj, tregon se zullumi i saj është shumë më i rëndësishëm sesa gjithçka që na thotë FMN-ja e ndërkombëtarët.
Ironike është se kjo klikë politike e la vendin pa qeveri për muaj të tërë pas zgjedhjeve për hir të mosmarrëveshjeve në pazare dhe askush nuk e ndjeu kaq shumë mungesën e shtetit. Befas, tani bie alarmi se tre javë pa parlament janë dramatike, dhe se po shkatërrojnë shtetin, i cili në fakt nuk funksionon për asgjë.
Akoma më ironike është akuza se gazi lotsjellës ‘prish imazhin’ e Kosovës nëpër botë! Cilin imazh? Atë të mjerimit që dy forcat politike PDK-LDK kanë mbjellë gjatë gjithë këtyre viteve? Kosova sot është vendi numër një në Europë për emigracion. Njerëzit ikin si lumi, përfshi këtu edhe shumë prej atyre që luftuan në front kundër represionit serb. Ata që e zhytën vendin në këtë mjerim, pasi zhvatën dhe shkatërruan gjithçka, pasi ia shitën çfarë mbeti Serbisë, flasin për imazh e për turp përpara botës! E pra dinjitet është të reagosh e protestosh kundër këtij nënshtrimi, por jo rreshtimi në radhët e atyre që shesin gjithçka për hir të interesave të veta