Fareed Zakaria
Washington Post
Korrektesa politike e Presidentit Obama është nën akuzë për shkak se ai nuk i akuzon grupe si Shteti Islamik për “ekstremizëm islamik”, por zgjodhi një term më të përgjithshëm, “ekstremizëm i dhunshëm”. Kritikët e tij thonë se ai nuk mund të luftojë një gjë që nuk e emërton. Edhe mbështetësit e tij mendojnë se qasja e tij është tepër “profesionale”.
Presidenti me qëllim ka zgjedhur të mos e theksojë dimensionin fetar të Shtetit Islamik për arsye strategjike dhe politike. A do ta bombardonte Perëndimi më shumë këtë grup [nëse etiketohej islamik]? A do dërgonte më shumë trupa për ta luftuar? Jo, por, kjo do t’i bënte shumë myslimanë të mendonin se besimi i tyre njolloset padrejtësisht. Dhe kjo do t’i demoralizonte udhëheqësit myslimanë, të cilët vazhdimisht e kanë denoncuar IS si një grup që nuk përfaqëson islamin.
Por “Shteti Islamik është islamik. Shumë islamik,” shkruan Graeme Wood në esenë e tij në revistën Atlantic këtë muaj. Eseja është një përshkrim i detajuar i ideologjisë që përdor Shteti Islamik. Këta nuk janë njerëz shekullarë me qëllime racionale, thotë ai; ata besojnë realisht në ideologjinë e tyre fetare. Kjo ese më kujton disa trakte mbresëlënëse nga Lufta e Ftohtë që theksonin se komunistët besonin realisht te komunizmi. Sigurisht shumë nga udhëheqësit e IS e besojnë ideologjinë e tyre. Pyetjet reale: pse kjo ideologji shpërtheu në këtë moment, dhe pse është tërheqëse për një grup – në fakt, një grup i vogël – myslimanësh? Eseja thotë se IS ka “rigjallëruar tradita që kanë qenë pasive për qindra vjet”. Pikërisht: IS ka rizbuluar – madje shpikur – një version të islamit për qëllimet e veta sot.
Wood shkruan në esenë e tij se ata janë “kthyer te islami i hershëm” – që është islam siç praktikohej në shkretëtirë 1400 vjet më parë. Sigurisht pika më e theksuar nuk është që islami mesjetar përmban praktika mesjetare si skllavëria (që shfaqet dukshëm dhe në Bibël, gjithashtu), por fakti pse ky version i islamit ka gjetur përkrahje sot.
Wood është i ndikuar shumë nga pedagogu i Princeton-it Bernard Haykel që thotë se njerëzit duan ta anashkalojnë ideologjinë e IS për arsye politike. “Ka njerëz që duan ta shfajësojnë islamin,” thotë Haykel, i cituar prej tij. “Për këtë arsye: “Islami është fe paqësore thuhet. Sikur islami është diçka që ekziston. [Islami] është ajo çfarë bëjnë myslimanët.” E drejtë. Në botë janë 1.6 miliardë myslimanë dhe ndoshta 30 000 anëtarë të IS. E megjithatë, Haykel mendon se besimin e përkufizon ajo që bëjnë 0.0019 për qind e myslimanëve. Atëherë, kush arsyeton politikisht?
“Gjëja më interesante e ideologjive janë shkaqet përse ato triumfojnë në një kohë të dhënë,” thotë Sheri Berman, profesor në Kolegjin Barnard. “Një ideologji triumfon kur ajo zëvendëson disa nga idetë e tjera që kanë dështuar.” Në gjithë Lindjen e Mesme, idetë që kanë dështuar janë koncepte si pan-arabizmi, socializmi, shekullarizimi dhe (në këndvështrimin e vendasve) demokracia. Regjimet që përfaqësuan këto parime në përgjithësi u kthyen në diktatura shtypëse, prodhuan frenim ekonomik dhe prapambetje shoqërore. Në disa raste u shembën vetë shtetet. Duke pasur parasysh kësi dështimesh, grupe si IS thonë se “zgjidhja është islami”.
Beteja e ideologjive duket qartë në jetën e një njeriu, Islam Yaken, e botuar në New York Times nga Mona El-Naggar. Yaken, një instruktor palestre nga Kajro, pëlqente paratë dhe femrat. “Çdonjëri pëlqen të ketë biceps të bukur që të heqë këmishën në plazh ose në pishinë dhe njerëzit ta shikojnë me habi,” citohet të ketë thënë në një video para dy vjetësh. Por “ëndrra e tij mori fund me rënien ekonomike të Egjiptit dhe trazirat politike,” shkruan artikulli. Ai nuk gjente punë të mirë dhe filloi të mendonte për largim nga Egjipti. Me rënien e demokracisë dhe rikthimin e diktaturës në Egjipt, armiqësimi i tij politik u rrit. Ai u tërhoq nga një ideologji krejt e ndryshme, një version i islamit që është i ashpër dhe militant.
Yaken, 22 vjeç, lufton për IS në Siri. Gjatë muajit të Ramazanit vitin e kaluar, ai publikoi në Tweeter fotografinë e një kufome pa kokë. Shënimi i tij ishte: “Natyrisht, pushimi nuk mund të kompletohet pa foton e kufomës së qenit”. Islam Yaken është tani një besimtar i vërtetë. Por pyetja është, si u bë i tillë? Çfarë forcash e ndihmuan të arrinte aty? Ta thërrasësh islamik nuk ndihmon të kuptoni asgjë nga këto.