Kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës i jepet titulli «Qytetar nderi i fshatit global», me motivacionin «mik i mirë në ditë të vështirë». Flamur Bibe nderohet për kurajën e treguar gjatë këtyre ditëve me akordimin e titullit të lartë të nderit për një ndër personat më të padëshiruar të momentit. Pikërisht në kulmin e indinjatës ndaj Kryetarit të Federatës Armando Duka, z. Bibe i gjendet pranë duke i dhënë titullin e nderit të qytetit. Ky është një gjest që meriton respekt të thellë. Z. Bibe nuk pyeti për imazhin e tij personal, por u ngrit mbi të gjitha talljet duke pranuar të bëhet gazi i botës, vetëm e vetëm për t’iu gjendur pranë mikut, në këto ditë të vështira. Njerëz pranë tij u shprehën për postbllok se janë të vetëdijshëm se ky titull nuk do t’ia pastrojë aspak fytyrën Kryetarit të Federatës, por sidoqoftë Kryetari i Bashkisë ka bërë të vetën. «Fundja, kaq mundësi kemi – u shpreh një nga anëtarët e kabinetit të z. Bibe. Po të kishim më shumë, do ta bënim me gjithë shpirt».
Pyetjes sonë se çfarë lidhje ka Duka me qytetin e Gjirokastrës, anëtari i kabinetit nuk iu përgjigj, me argumentin se kjo është një pyetje tendencioze. «Federata është e të gjithëve – u shpreh ai, – Duka gjithashtu është i të gjithëve».
Bashkia thotë se propozimi erdhi nga një grup sportdashësish, të cilët kanë parë tek Duka njeriun e sakrificës dhe përkushtimit për sportin shqiptar. «Ai na nderoi – thotë një prej tyre – pranoi poshtërimin që i bënë serbët kur ishte në stadium, kur i kontrolluan çantat megjithëse ishte kryetar i një delegacioni me status diplomatik, duroi më pas akuzat e palës serbe dhe madje edhe dënimin e UEFA-s, e megjithatë nuk u lëkund, por qëndroi kokëulur e i duruar, për hir të kombëtares, pa nxjerrë nga goja gjysmë fjale». Gjithashtu «sportdashësit» numërojnë me qindra probleme të cilat Duka i menaxhon me durim si: dhunën në stadiume, intrigat në federatë, shitjet e ndeshjeve, korrupsionin me arbritrat, korrupsionin në grumbullimet e lojtarëve, mungesën e investimeve në fusha, stadiume, ekipe zinxhir etj. Sipas tyre Dukës i është dashur të përballojë të gjithë këtë gjendje të mjeruar ku ndodhet futbolli shqiptar, e megjithatë ai reziston. «Kjo tregon gjenialitetin e këtij njeriu të paepur, që nuk dorëzohet përballë asnjë vështirësie» – shprehet një prej tyre. Tifozët shpresojnë shumë që Duka do të ndihmojë ekipin e Gjirokastrës të arrijë suksese të larta në kampionatin shqiptar, tashmë që vetëm ata iu gjendën pranë në këto ditë.