Robert Reich
huffingtonpost.com
Në një kohë që shumë kandidatë presidencialë republikanë dhe legjislatorë shtetërorë janë të fokusuar me zemërim te morali privat – ajo që njerëzit bëjnë në dhomat e gjumit, seksi i mbrojtur, aborti, martesat homoseksuale – Amerika po përjeton një krizë shumë më të rëndësishme në moralin publik.
CEO [drejtorë menaxhimi] të kompanive të mëdha tani fitojnë 3000 herë më shumë se paga mesatare e punëtorëve. Pazaret e brendshme janë epidemikë në Wall Street [bursa amerikane], ku pronarët e hedge-fund [fonde investimesh spekulative jashtë Amerikës] dhe kapitalit privat [private-equity, kapital investimesh jashtë bursës] çojnë në shtëpi qindra milionë dollarë.
Një grusht njerëzish jashtëzakonisht të pasur po investojnë shuma të pashoqe në zgjedhjet e ardhshme [presidenciale], me synim ta manipulojnë ekonominë për të mirën e tyre akoma më shumë nga ç’është manipuluar tashmë.
Megjithatë, pagat e punëtorëve të thjeshtë vazhdojnë të vuajnë, ndërkohë që vendet e punës largohen jashtë vendit ose u kalojnë “kontraktuesve të pavarur”.
E gjithë kjo është në kontrast me tri dekadat e para pas Luftës së Dytë Botërore.
Asokohe, një CEO jo më shumë se 40 herë më shumët se një punëtor i zakonshëm, dhe Wall Street ishte diçka e mërzitshme.
Asokohe, të pasurit nuk përpiqeshin të kontrollonin zgjedhjet elektorale.
Dhe në atë periudhë, pagat e shumicës së amerikanëve u rritën.
Firmat e suksesshme nuk i pushonin nga puna punëtorët e tyre. Nuk i zëvendësonin punëtorët me kohë të plotë me kontraktues të pavarur, ose nuk i prishnin sindikatat. Ato u jepnin punëtorëve të tyre një pjesë të konsiderueshme nga fitimet e tyre.
Konsumatorët, punëtorët, dhe komuniteti konsideroheshin aksionerë thuajse me të drejta të barabarta.
Ne investuam për arsimin, autostradat dhe shërbimet shoqërore. Të gjitha këto i financuam me taksat tona.
Taksa anësore mbi të ardhurat [taksa progresive, pak a shumë] e larta nuk zbriti kurrë nën 70 për qind. Ne ndanim të njëjtën ndjenjë morali publik sepse e dinim që ishim përgjegjës të gjithë. Ne kishim kaluar Depresionin e Madh dhe luftën e tmerrshme, dhe e kuptuam varësinë te njëri-tjetri.
Me kalimin e kohë harruam.
Ndryshimi filloi kur Wall Street bindi qeverinë e Reganit dhe qeveritë pasuese të shfuqizonte ligjet e miratuar pas krizës së vitit 1929, me qëllim që të evitoheshin ekzagjerimt që kishin çuar në Depresionin e Madh.
Kjo e kaloi ekonominë amerikane nga kapitalizmi i përgjegjshëm në kapitalizimin aksioner, qëllimi i vetëm i të cilit është të maksimizojë fitimet e aksionerëve.
Kapitalizmi aksioner kaloi në një periudhë teprimi. Në vitet 1980, kjo solli skandale me obligacionet spekuluese dhe tregtinë e brendshme [në bursë, duke shfrytëzuar informacion të paligjshëm].
Në vitet 1990, kjo solli një valë spekulimesh që kulmoi me tullumbacen dotcom [spekulimet në internet]. Me kërkesën e Wall Street, Bill Clinton shfuqizoi Vendimin Glass-Steagall, i cili kishte ndarë investimet nga biznesi bankar tregtar.
Në 2001 dhe 2002, kjo prodhoi Enron [firmë piramidale] dhe skandalet e grabitjes nga korporatat, duke nxjerrë në dritë jo vetëm ca nga kompanitë mëtë admiruara në Amerikë, por dhe bashkëpunimin e Wall Street, shumë nga tregtarët e të cilit ishin të përfshirë në to.
Kumari i Wall Street që pasoi në derivate dhe kredi të rrezikshme çoi në krizën e vitit 2008, dhe në financimin masiv të kompnive të dështuara me paratë e taksapaguesve.
Vendimi Dodd-Frank u përpoq të mbretëronte në Wall Street, por lobistët e Wall Street bënë gjithçka të mundshme për ta hequr. Republikanët nuk gjetën kurrë paratë e nevojshme për ta zbatuar.
Goditja përfundimtare ndaj moralit publik erdhi kur shumica e Gjykatës Supreme vendosi që korporatat dhe individët e pasur kanë të drejtë, sipas Amendamentit të Parë, të shpenzojnë sipas dëshirës në zgjedhje.
Morali publik nuk mund të përkufizohet me ligji, por mund të inkurajohet.
Vendimi Glass-Steagall mund të rikthehet. Bankat e mëdha duhet të copëtohen.
Pagesa e CEO duhet frenuar. Pagesat 1 milionë dollarë nuk duhet të zbriten nga taksat mbi të ardhurat e korporatave. Korporatat me paga të larta për drejtuesit ekzekutivë krahasuar me pagat e punëtorëve duhet të kenë taksa më të karta se ato që kanë pagesa më të ulëta për drejtuesit.
Njerëzit që fitojnë dhjetëra milionë dollarë në vit duhet të paguajnë të njëjtën taksë, 70 për qind, si para vitit 1981.
Dhe paratë e të pasurve duhet t’i largojmë nga politika – duke i anuluar ato vendimet e Gjykatës Supreme, zgjedhjet të bëhen me financime publike, dhe të bëhen publike të gjitha burimet e financave në fushatë zgjedhore.
Asnjë nga këto nuk realizohet pa një mbështetjet ë gjerë të qytetarëve për të shpëtuar demokracinë tonë, të rikthejmë ekonominë, dhe të rivendosim një standard minimal në moralin publik. Problemi i Amerikës nuk ka asgjë të bëjë me atë që ndodh në dhomën e gjumit, apo nëse gratë lejohen apo jo t’i japin fund shtatzënisë.
Problemet tona kanë të bëjnë tërësisht me atë që ndodh në dhomat e bordeve, dhe nëse korporatave dhe individët e pasur lejohen apo jo të minojnë demokracinë tonë.