Në përgjithësi të gjitha problemet e keqqeverisjes i atashohen performancës së dobët të Ramës si kryeministër apo ministrave të tij. Megjithëse ky konstatim mbart një të vërtetë ai nuk është i plotë për të kuptuar shkakun e vërtetë të krizës qeverisëse që më pas përkthehet në krizë ekonomike dhe politike. Në fakt një ndër burimet kryesore të krizës qeverisëse sot është kriza kushtetuese. Konstitucionalizmi në Shqipëri ka rënë de jure që me ndryshimet e kushtetutës së vitit 2008, dhe rrezikon të thellohet me ndryshimet kushtetutese që priten të ndodhin së shpejti. Pra ka rënë ajo që në konceptin juridik njihet si legjitimiteti kushtetues. Rama në një mea culpa premtoi që do ta risjelli legjtimitetin politik në garancitë kushtetuese të kushtetutës së vitit 1998 dhe kjo nuk po ndodh. Është e vështirë që kryeministri të ngrejë alibi për mos pasjen e votave të duhura në parlament për ta bërë këtë akt të nevojshëm i cili do të garantonte dhe reformën e nisur në sistemin e drejtësis. Do të ishte shumë e vështirë të kuptohej sesi reforma në gjyqësor do të realizohej e pa cënuar nga pushtetet e tjera nëse kushtetuta aktuale nuk arrin ti ofrojë garancitë kushtetuse në balancimin e pushteteve.
Një krizë e kontrollit dhe balancimit të pushteteve shfaqet në përgjigjen që është menduar ti jepet të njëjtit problem që kanë legjislativi dhe gjyqësori. Zgjidhja për dekriminalizmin e legjislativit është menduar të bëhet me një ligj të cilin akoma nuk e kemi kurse për reformën në drejtësi janë menduar rreth 50 amendime të kushtetutës. Pra për institucionin që bën ligje problemi zgjidhet me një ligj kurse për institucionet që interpretojnë ligjet janë menduar 50 nene Kushtetuese dhe riformatim i pothuajse të gjithë institucioneve që lidhen drejt për së drejti me kontrollin administrativ të gjyqësorit dhe prokurorisë. Kjo përgjigje disporpocinale vjen në momentin që garancitë kushtetuese të të dy pushteteve (legjislativi dhe gjyqësori) janë sot shumë të brishta përballë ekzektuivit. Nëse kushtetuta nuk e garanton dot këtë balancë pushtetesh ajo ka dalë jashtë funksionit dhe është në krizë. Dhe problem më i madh është mungesa e kontrollit efektiv kushtetues të ekzekutivit.
Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe ligjit zgjedhor shkatërruan kontrollin e brendshëm dhe të jashtëm ndaj kryeministrit dhe qeverisë së tij. Këto ndryshime prodhuan qeveri dhe kryeministra të ligjshëm, por jo legjitimë.
Legjitimiteti kushtetues është njohja dhe legjitimiteti e autoritetit qeverisës në menyrë direkte dhe indirekte nga shoqeria nëpërmjet votes ose diskursit publik. Kurse ligjshmëri do të thotë të qeverisësh nëpërmjet ligjit, por jo në mënyrë legjitime. Kur legjitimiteti ndeshet me ligjshmërinë, legjitimiteti kushtetutues ka rënë dhe si rrjedhim ka rënë kushtetueshmëria e qeverisjes. Kjo e fundit është garancia për ndalimin e autoritarizmit. Rënia e konsitutcionalizmit bie kur bie mundësia për të kontrolluar legjitimitetin e qeverisë dhe kjo bëhet nga kontrolli i brendshëm politik dhe ai i jashtëm. Kontrolli brendshëm politik është ai partiak.
Ndryshimet e Kodit zgjedhor në vitin 2008 ndryshuan sistemin zgjedhor nga një sistem miks në një sistem propocional me lista të mbylluara. Ky sistem eleminoi meritokracinë brenda partisë dhe si rrjedhim u rrit pushtet i kryeministrit tek deputetët e dalë nga partia e tij, apo mazhoranca në rastin e shumicës. Pra deputetët nuk zgjidhen nga populli, por zgjidhen nga kryetari i partisë dhe vetëm miratohen nga vota popullore. Sot kemi një parlament që më shumë i ngjan ekzekutivit se sa legjislativit, një parlament të emëruarish nga kryetarët e partive dhe jo një parlament të zgjedhurish nga populli. Kaq të friksuar ishin kryetarët e partive sa, përveç mekanizmit të listave të mbyllura, eleminuan edhe kontrollin e jashtëm ndaj qeverisë ose kontrollin e legjislativit ndaj ekzekutivit.
Me ndryshimet kushtetuese të 2008 ra kontrolli i parlamentit ndaj qeverisë. U dobësuan mocionet e mosbesimit si të shumicës dhe të pakicës. Sipas ndryshimeve të 2008, propozimi për mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit dhe qeverisë së tij, është bashkuar me propozimin për Kryeministrin e ri. Bashkimi i të dy proceseve, krejtësisht të ndarë para ndryshimeve kushtetuese, në një të vetëm, në fakt, e neutralizon mocionin e mosbesimit si mekanizëm parlamentar për të rrëzuar një qeveri
Këto ndryshime dobësuan edhe kontrollin brenda ekzekutivit, atë të Presidentit të Republikës ndaj procesit të zgjedhjeve. Sipas kushtetutës së vitit 1998 nga 7 anëtarë që kishte KQZ, dy zgjidheshin nga presidenti, 3 nga KLD dhe vetëm 2 nga parlamenti. Mbas ndryshimeve të 2008 ndikimi i Presidentit në zgjedhjet politike u eleminua. Jo vetëm kaq, por u dobësua dhe pozita e tij politike dhe institucionale përballë qeverisë dhe legjislativit. Presidenti nga një institucion konsesual që garanton unitetin politik në reformat themelore është transformuar në një `agjenci` të forcës politike që e emëron.
Prishja e formulës së kushtetutës së vitit 1998 dëmtoi garancitë ndaj një qeverisje pa kontroll, dëmtoi legjitimitetin. Kjo është një ndër arsyet kryesore të krizave qeveritare të pas vitit 2008 dhe sidomos të kësaj qeverije. Vështirësia qëndron se edhe reforma në drejtësi nuk ka marrë fare në konsideratë të përmirësojë makanizmat e kontrollit ndaj ekzekutivit. Kjo e fundit është fokusuar vetëm në rritjen e përgjegjshmërisë së gjyqësorit dhe prokurorisë. Në kontekstin e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, reforma aktuale në drejtësi është një hap tjetër drejt rritjes së pushtetit të ekzekutivit ndaj një pushteti tjetër siç është ai gjyqësor. Në këtë kuptim kriza e kësaj qeverie dhe qeverive në vazhdim do të vazhdojë për sa kohë pushteti i ekzekutivit vazhdon të fuqizohet në `kurriz` të legjislativit dhe gjyqësorit.