Një krijesë, që e dinim të vdekur është ringjallur. Një krijesë, që e dinim se mbarë Evropa e bota e konsideronte se ishte gjakatare e kriminale, ka zënë në befasi një komb të tërë, që po flet për këtë çështje. Krijesa në fakt është një shtet, i cili nuk ekziston më në hartë dhe quhet Serbia e Mali i Zi. Shteti në fjalë është shkatërruar, mirëpo ai “funksiononka” për disa zyrtarë evropianë. Ngjarja për të cilën po flet thuajse çdo shqiptar etnik, kudo ai jeton është se në Basel të Zvicrës, shumë pranë me Francën, nga autoritetet franceze është ndaluar Ramush Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës dhe lider i AAK-së.
Befasia e ndalimit
Fakti që ka befasuar të gjithë shqiptarët, është sesi ka mundësi që Ramush Haradinaj të mund të nalohet nga ana e autoriteteve franceze. Jo më larg se më 2016 ai ishte në Francë, duke ndjekur ndeshjet e Kampionatit Evropian dhe nuk është arrestuar nga askush. Gjasat janë që ai të jetë shoqëruar për shkak se në Aeroportin e Baselit ekzistojnë akoma fletë-arrestet e Serbisë dhe të Malit të Zi, gjë të cilën nuk e kanë aeroporte të tjera ndërkombëtare. Shpjegimi më i besueshëm është që Haradinaj të jetë shoqëruar, për shkak se Kosova nuk është pjesë e Interpolit. Nëse është kështu, kjo do të thotë se jo pak faj kanë edhe liderët politikë në Kosovë, që duhet ta kishin integruar shtetin në këtë organizëm të rëndësishëm të sundimit të ligjit.
Haradinaj është mbrojtur, me të drejtë nga ana e diplomatëve evropianë, si dhe nga njerëz që mbrojnë të drejtat e njeriut. Kreu i AAK-së ka dhënë llogari për akuzën e rëndë të krimeve kundër njerëzimit, përpara Gjykatës së Hagës. Është mësuar edhe se ky ndalim nuk ka asnjë lloj lidhjeje me Gjykatën Speciale, që vepron këtë vit në Kosovë. Pra, ky ndalim duket i habitshëm duke rikthyer vendimet e një shteti fantazmë, tashmë të shpërbërë.
Krimet e Serbisë
Serbia është shtet i vjetër në kohë, por jo pak kriminal. Një shtet, që nuk ka njohur krimet e veta në masë dhe që nuk ka dënuar si duhet kriminelët e luftës, duke mbajtur “të pastër” zyrtarët, gjeneralët e vet, që kanë lyer duart në gjak në luftërat e fundit të zhvilluara në rajon. Nga serbët, për ata që kanë kryer krime, janë dënuar vetëm krerët e ushtrisë, por se janë lënë jo pak të lirë, sidomos ata të niveleve të ulëta, duke qenë akoma të pranishëm në administratën serbe, njerëz që mund të jenë të përlyer në krime ndaj shqiptarëve, boshnjakëve etj. Kjo gjë është krenari për Serbinë, një shtet që e vazhdon kriminalitetin e vet.
Serbia është kriminale jo vetëm në këtë trajtë, duke mos ndjekur ligjërisht kriminelët e luftës, por edhe në trajtën se autoritetet e saj ligjore kanë ndjekur penalisht shtetas jo serbë, shqiptarë, boshnjakë, kroatë etj, vetëm pse këta të fundit i janë kundërvënë pushtimit nga ana e shtetit serb. Një shtet, pra që vepron me dy standarde, me autoritetet ligjor që vepron për joserbët dhe nuk vepron për serbët. Edhe lëshimi i fletë-arresteve për çlirimtarët nga ana e Beogradit, në të shumtën janë të natyrës politike, si hakmarrje ndaj asaj çka shteti serb ka humbur territorialisht prej fajit të vet. Derisa Serbia vijon të kryejë krime të tilla, dialogu me të tillë shtete duhet ndërprerë, deri në një vendim të dytë ose kur procesi të jetë normal. Nuk kanë kuptim bisedimet kur Kosova kryen gjithçka që duhet për paqen, kurse Serbia tenton të gllabërojë Kosovën.
Drejtësia ndërkombëtare, më e saktë
Nuk mund të jetë e drejtë që të merren parasysh ligjet e Serbisë, kur shteti serb është ai që ka pushtuar e kryer gjenocid në Kosovë. Drejtësinë nuk mund ta orientojnë xhelatët. Drejtësia ndërkombëtare ka dërguar përpara bankës të të akuzuarve mjaft serbë, të cilët edhe kanë vdekur në Hagë si Millosheviç, Mlladiç, Karaxhiç apo shovinisti Seselj. Ndërkohë, Haradinaj ka dalë dy herë i pafajshëm në Hagë, për krimet që iu ngjitën në shpinë. Vetëm drejtësia ndërkombëtare mund të shpallë dikë si të fajshëm e jo vende që kanë ushtruar dhunë, terror e gjenocid në Kosovë.