Çelo Hoxha
Komunistët e projektuan dënimin e kriminelëve të luftës qysh gjatë luftës. Rregulloret e para ushtarake, të cilat përkufizonin krimet e luftës, i morën nga Jugosllavia (me shumë gjasa në pranverën e viti 1944 e mbrapa). Një sërë dokumentesh dëshmojnë se, arrestimet e të dyshuarve si kriminelë lufte (që më shumë se kriminelë ishin kundërshtarë politikë) filluan pa mbaruar ende lufta.
Deri në janar 1945, arrestimet bëheshin bazuar në rregulloret ushtarake. Ligji që komunistët përdorën më së shumti për dënimin e të dyshuarve si kriminelë lufte u krijua afërsisht dy muaj pasi lufta kishte mbaruar dhe u përdor me fuqi prapavepruese. Ligji nr. 41, “Mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Ushtarake,” u botua në Gazetën Zyrtare nr. 3-bis, 23 janar 1945.
Përkufizimi i krimeve të luftës, sipas këtij ligji, neni 14, ishte:
“Si kriminela lufte, qofshin Shqiptarë ose të huaj, konsiderohen: Ata që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, eksekutuar ose ndihmuar në vepra kriminale, si vrasje, tortura, turpërim femrash, shpërngulje të detyrueshme popullsish, dërgim në fusha përqëndrimi, dërgim popullsish në punë të detyrueshme, grabitje, djegje, vjedhje, shkatërrim, plaçkitje të pasunis Shtetnore e private; ata që kanë qenë bashkëpunëtorë ose ndihmësa të aparatit terrorist dhe formacioneve terroriste t’okupatorit; ata që kanë urdhëruar dhe ndihmuar mobilizimin e popullit shqiptar për ushtrinë e armikut.”’
Në përcaktimin e krimeve të komunizmit shumë autorë i janë referuar kodit të pashkruar të së drejtës natyrore të njerëzimit. Kodi i së drejtës natyrore është i nevojshëm kur veprimtaria kriminale e një subjekti politik apo ushtarak është kryer në përputhje me ligjet e krijuara prej vetë atyre subjekteve. Në rastin e PKSH-së dhe UNÇ-së kjo nuk është e nevojshme, sepse veprimtaria e tyre, siç do ta shohim më poshtë, bie ndesh, jo vetëm me kodin e së drejtës natyrore, por edhe me vetë ligjet e komunistëve. Arsyeja e një gjëje të tillë është, sepse PKSH-ja dhe UNÇ-ja vepronin pa asnjë lloj respekti për çdo lloj ligji.
Le t’i shohim të gjitha llojet e krimeve, të listuara në përkufizimin ligjor, sipas renditjes.
Vrasja: Një krim i konsumuar gjerësisht dhe në forma të ndryshme. Vrasjet me atentate janë krime të pastra, sidomos kur bëhen kundër shqiptarëve. Vetëm kriminelët bëjnë vrasje të paramenduara dhe pa gjyq. Në raportet e shkruara nga organizatorët e vrasjeve thuhet se, viktimat janë ekzekutuar si spiunë, por nuk jepet asnjë lloj dëshmie, se çfarë kanë bërë ata, për t’u klasifikuar si të tillë, cili është dëmi që i kanë sjellë shoqërisë, cili është ligji që iu jep vrasësve të drejtën t’i ekzekutojnë, etj. Ekzekutimi i njerëzve, me qëllim rritjen e popullaritetit të PKSH-së, ose mbrojtjen e saj nga “tradhëtarët”, apo frenimin e dezertimeve nga UNÇ-ja, nuk gjejnë asnjë lloj mbështetje ligjore apo morale, jashtë botës së krimit. Kjo, thjesht tregon se viktimat janë ekzekutuar, jo për shkak të kryerjes së një veprimtarie të ndaluar, por për shkak të asaj çfarë ishin si njerëz, bazuar në orientimin e tyre politik. Çdo pretendim, se këto ekzekutime ishin pjesë e luftës për çlirimin kombëtar nga pushtuesi është demagogji. Çlirimi i një territori të pushtuar, që nga fillimet e historisë e deri në ditët e sotme, është bërë duke luftuar kundër ushtrisë pushtuese.
Vrasjet e qytetarëve të thjeshtë, për arsye se ata nuk iu rrëfenin rrugën partizanëve, se ishin të pasur, se punonin në administratë apo për arsye të tjera, nuk kanë nevojë për koment.
Vrasja e robërve të luftës nuk përfshihet në përkufizimin e ligjit 41, por ka qenë i konsideruar si krim lufte nga të gjitha ligjet ndërkombëtare të luftës, që nga mesi i shekullit XIX. Brigada I ekzekutoi 130 ushtarë italianë, robër, por e bëri këtë, jo se ata ishin ushtarë pushtues (Italia kishte një muaj e gjysmë që kishte shpallur kapitullimin), por për t’iu marrë rrobat; një rast i qartë – dhe vulgar – plaçkitjeje. Pak ditë më vonë, i njëjti formacion partizan ekzekutoi 65 shqiptarë, luftëtarë ballistë të zënë rob. Ky krim u konsiderua vepër terroriste edhe nga Mehmet Shehu, autori kryesor i ekzekutimeve, pas vërejtjeve që i bënë eprorët (të cilët e dënuan krimin vetëm për arsye politike). As atëherë, as më vonë, Mehmet Shehu nuk u dënua për këto krime, apo të tjera që bëri më vonë.
Vrasjet e UNÇ-së nuk kishin lidhje me të ashtuquajturin çlirim të vendit, as me akuzat për kolaboracionizëm. “Unë jamë i mejtimit për deri sa nuk janë lidh akoma me gjermanët kjo pjesë reaksioni të spastrohet,” sugjeron Ramadan Çitaku në një letër për Enver Hoxhën. Ky citim nuk nënkupton se, “kjo pjesë reaksioni” do lidhej me gjermanët në të ardhmen. Çitaku propozon spastrimin, në momentin që kundërshtarët ai i konsideron të dobët, se lidhja me gjermanin nënkupton forcimin e tyre.
Torturat: Në nëntor 1944, partizanët kapën 12 veta, të dyshuar si zervistë (forca ose agjentë të Napolon Zervës, nacionalist grek). Njëri prej tyre vdiq në burg dhe u hap fjala se vdiq nga torturat. Partizanët pretendojnë se, akuzat për tortura janë hapur nga “reaksioni”, por ky është një justifikim rutinë i tyre. Në po atë dokument thuhet që të burgosurve iu janë bërë “shtrëngime”. Përveç kësaj, ka dëshmi të shumta, të cilat janë bërë publike që gjatë luftës, se partizanët përdornin torturat. Kjo gjendet e pasqyruar edhe në dokumente britanike të kohës. Në mënyrë më të drejtpërdrejtë, fakti që torturat përdoreshin nga partizanët zbulohet në një radiogram të Enver Hoxhës, ku ai urdhëron që Zai Fundo të torturohet dhe pastaj të pushkatohet.
Turpërimi i femrave: Për këtë lloj krimi (përdhunimi i femrave) e kam gjetur vetëm një dokument, por personi që e kishte kryer u dënua me vdekje. Pavarësisht legjitimitetit që kishin (ose jo) ndëshkuesit, për të bërë ekzekutimin e autorit të krimit, nuk mund të thuhet se përdhunimi ishte karakteristikë e sjelljes partizane, siç ishin shumë krime të tjera. Ka pasur disa ekzekutime, me gjyqe partizane, me objekt marrëdhëniet mashkull-femër, por nuk kanë qenë raste përdhunimi. Për turpërimin e femrave janë përdorur forma të tjera, siç përmendet në një rast: gjatë bastisjeve nëpër shtëpi, partizanët kanë kontrolluar sënduqet e grave dhe kanë marrë veshje të tyre. Raporti (i mbushur me indinjatë) është bërë nga këshilli nacionalçlirimtar i Elbasanit.
Shpërngulja e popullsisë: Për këtë lloj krimi nuk ka shumë dokumente. Në një rast Spiro Moisiu jep urdhër për zhvendosjen e popullsisë së Korçës, me pretekstin se po vjen “armiku”, por armiku nuk e prekte popullsinë, me përjashtim të rasteve kur provokohej, ose kur në qendrat e banuara strehoheshin partizanët (banditët, siç thirren në dokumentet gjermane). Sidoqoftë, djegia e fshatrave dhe terrori shkaktonte indirekt shpërngulje të popullsisë.
kampet e përqëndrimit: Ekzitojnë disa dokumente që flasin për ekzistencën e fushave të përqëndrimit, nën kontrollin e partizanëve. Por dhe burime të tjera e konfirmojnë ekzistencën e një kampi përqëndrimi në fshatin Punëmirë të Korçës, ku të burgosurit vdisnin nga puna e rëndë (e detyruar) dhe torturat.
puna e detyruar: Brigada VI përdori banorët e zonës së Dëshnicës (Përmet) për shkatërrimin e rrugëve. Ashtu si edhe në rastet e vrasjeve, plaçkitjeve, etj., edhe këtu viktimat janë banorë të një zone që konsiderohet si reaksionare. Kjo qasje ndëshkuese ndaj “reaksionarëve” u pa edhe pas mbarimit të luftës, kur të burgosurit politikë (“reaksionarët”) u përdorën për tharjen e kënetës së Maliqit, hapjen e rrugëve dhe ndërtimin e shumë veprave, me të cilat, regjimi komunist, krenohej, duke i paraqitur si vepra të socializmit.
Djegia e shtëpive: Një nga format e përdorura më së shumti nga komunistët për ndëshkimin e kundërshtarëve politikë. Ky është një krim lufte, i cili është bërë – dhe kjo është e vërtetuar – me urdhrin e komandës më të lartë partizane. Më 21 mars 1944, me një urdhër të përbashkët, komandanti i Shtabit të Përgjithshëm dhe komisari i tij, Spiro Moisiu dhe Enver Hoxha, urdhërojnë djegien e Starovës së Pogradecit. Aksioni u krye nga batalioni I i Brigadës IV, më 14 prill 1944. Pasi grabitën ushqimet dhe bereqetin e fshatit, partizanët e dogjën krejt Starovën, “me përjashtim të pak shtëpive që qëndronin mirë”. Partizanët, siç e tregon ky rast dhe shumë të tjerë, ishin banditë të nivelit më të ulët. Para sa ta ndëshkonin, e vidhnin viktimën. Në fushatat e djegieve ka edhe situata paradoksale. Në fshatin Piskal (Dangëlli), partizanët i grabitën pasurinë që kishte Sabri Nuredinit, ballist, kurse shtëpinë nuk ia dogjën, se ia kishin djegur gjermanët. Në rastin e djegies së Sinës (Dibër) paradoksi shkon edhe më tej. Fshatin Sinë e dogji Batalioni I i Brigadës. Zv/komisari i brigadës, Manush Myftiu, e raportoi këtë fakt në KQ të PKSH-së, më 5 gusht 1944. Ai e konsideronte “gabim” ose “devijim” këtë krim, megjithatë e përcolli informacionin, madje e përsëriti edhe në Plenumin e Beratit, katër muaj më vonë. KQ i PKSH-së dhe komanda e lartë e ushtrisë nuk morën ndonjë masë për autorët e krimit dhe nuk e trajtuan as si “gabim” apo “devijim”. Mirëpo, 38 vjet më vonë, kur ish-komandanti i Batalionit I të Brigadës V, Kadri Hazbiu, u vendos në shënjestër, akuzuesit e tij u kujtuan ta dënonin edhe për djegien e Sinës. KQ i PKSH-së i bënte krimet me vetëdije dhe i përdorte për të ndëshkuar autorët e tyre, vetëm në rastet dhe kohën që e shikonte të arsyeshme.
Vjedhja, plaçkitja, shkatërrimi i pronës shtetërore e private: Ky mund të thuhet se ka qenë krimi më i përdorur nga partizanët. Mes të tjerave, një nga arsyet ishte vjedhja dhe plaçkitja për të siguruar ushqimin e partizanëve. Një porosi e Nako Spirut për Dali Ndreun, gjatë dimrit 1944, është ilustrimi më i qartë i krimeve të kësaj kategorie: “[Forcat partizane] Bukë do të hanë dhe të merni me vehte nga fshatet, nga miqtë dhe nga armiqtë, me të mirë dhe me forcë.” Partizanët grabisnin çfarë iu dilte para. Pas një “aksioni”, bilanci i arritjeve ishte ky: “1 Maqinë shkrimi, 2 krevatë portatif e një Ballancë Peshimi”.
Grabitja e pasurisë shtetërore s’ka nevojë të dëshmohet me dokumente, megjithëse nuk mungojnë, sepse është e skalitur në mermer. Në Tiranë ekzistojnë ende disa pllakate, të cilat glorifikojnë grabitje të bëra nga partizanët; tri nga ato ndërtesa vazhdojnë të jenë, siç ishin atëherë, ministri. Një pllakat gjendet te Bashkia e Tiranës. Një nga autorët e grabitjeve, Sabaudin Gabrani, është figurë historike e nderuar, emrin e tij e mban një shkollë 9-vjeçare në Tiranë.
Dëmtimi i pronës, sidomos asaj private, veç formës së drejtpërdrejtë, banditizmit ashiqare, kishte edhe formën e fshehjes pas artikulimeve të koncepteve juridike: rekuizim, sekuestrim, konfiskim. Në shumë raste, për shembull, jepet porosi që ushqimi të sigurohet duke sekuestruar – si gjithmonë – pasurinë e “reaksionarëve”. Sekuestrimi, rekuizimi dhe konfiskimi janë masa ligjore që ndërmerren ndaj dikujt si ndëshkim ndaj një veprimtarie të caktuar, kriminale, që ai ka kryer. Në rastin e partizanëve, ajo masë, edhe sikur të ishte e pranueshme, jepej me qëllim përfitimin e ushtruesit të masës, jo ndëshkimin e personit ndaj të cilit ushtrohej. Në një rast, rekuizimi është i kësaj forme: “Të rekuizohen sa më parë 20 kafshë dhe mbasi të grumbullohen të nisen për në Ramicë.” Ushtria partizane kishte nevojë për kafshë ngarkese, atëherë lëshohej urdhër që gjithë fshatit t’i grumbulloheshin ato. Një rast tjetër, “rekuizim” me urdhër të Spiro Moisiut: “Rekuizoni 200 topa letrë, qoftë poligrafi qoftë ordinare dhe një sasi bojë poligrafi dhe letrë dylli për nevoja të agit-propit të Shtabit.”
PKSH, UNÇ dhe strukturat e tyre vartëse nuk kishin asnjë autoritet ligjor, as gjatë luftës e as pas saj, sepse pushtetin e morën me dhunë. Shkurt: sekuestrimi, rekuizimi dhe konfiskimi që kanë kryer partizanët gjatë luftës ishin grabitje e pasurisë private ose shtetërore dhe, sipas ligjit 41, neni 14, personat përgjegjës duhet të ishin dënuar si kriminelë lufte.
Gjyqet partizane ishin një krim më vete. UNÇ-ja ishte një strukturë e paligjshme, prej së cilës, për rrjedhojë, nuk mund të rridhnin veprime të ligjshme. Kjo, sa i përket anës formale, por edhe zhvillimet në realitet nuk ndihmojnë për t’i dhënë të drejtë UNÇ-së. Gjyqet partizane ishin një formalitet, pa substancë. Anëtarët e gjyqit ishin, në shumicën e rasteve, komandantët e komisarët, të cilët “gjykonin” kundërshtarë politikë, ushtarakisht të dorëzuar. Gjyqi i 65 fshatarëve në Matjan të Lushnjës, të cilët ishin ushtarë të Ballit ose përkrahës të tij, e ilustron më së miri falsitetin e gjyqeve partizane. Fshatarët u zunë rob nga Brigada I, e cila udhëhiqej nga Mehmet Shehu, pastaj, po ky ishte kryetari i gjyqit që i dënoi ata me vdekje. Përveç kësaj, komandanti i batalionit I të brigadës, Xhelal Staravecka, bën një akuzë edhe më të rëndë për këtë ngjarje. Sipas tij, nga grupi i fshatarëve të arrestuar, u përzgjodhën për t’u vrarë vetëm myslimanët; ortodoksët, thotë Staravecka, u liruan me ndërhyrjen e Dushan Mugoshës, i cili ishte ortodoks jugosllav. Vetë Mehmet Shehu, pak ditë pas ngjarjes, e vlerësoi gjyqin si një veprim terrorist, kurse akuza e vrasjes me bazë fetare e klasifikon atë, edhe juridikisht, si gjenocid. Për gjyqin e Matjanit kemi vetëm deklarata të protagonistëve, kurse për ekzekutimin e një komandanti partizan, nga “gjyqi” partizan, ekzistojnë disa dokumente, në të cilat jepet urdhri për krijimin e gjyqit, akuzat, anëtarët e gjyqit dhe raporti përfundimtar i gjyqit. Ky gjyq, që presupozohet të ishte ushtarak, është bërë me vendim të PKSH-së, e cila i shkruan komisarit të Brigadës I (person politik), si vijon: “Tele Baçin duhet ta arrestoni, t’i bëni gjyq dhe ta pushkatoni.” Gjyqi, siç shihet, ka qenë një formalitet. Edhe në parim, edhe po t’i analizojmë të gjithë një nga një, gjyqet partizane shfaqen ashtu siç kanë qenë: farsë.
Pengmarrja, historikisht ka qenë dhe vazhdon të jetë aktivitet banditësh. Ka disa dokumente që tregojnë se pengmarrja është ushtruar nga forcat partizane. Pengmarrja me profilin më të lartë është ajo e Ali Këlcyrës, në Gjirokastër, më 11 qershor 1943, të cilin më vonë e liruan nga presioni i forcave nacionaliste, por asokohe partizanët ishin ende nëpër çeta të ndara. Megjithatë, pengmarrja vazhdoi edhe kur ushtria partizane ishte më e konstrukturuar. Në nëntor 1943, batalioni i Bërzhetës, Librazhd, mori peng disa fshatarë, për shkak se, vëllezërit e tyre, sipas informacionit partizan, kishin marrë armë nga gjermanët dhe ishin arratisur. Qëllimi i pengmarrëjes ishte shkëmbimi i pengjeve me armët gjermane që zotëronin vëllezërit e viktimave. Në gusht 1944, komanda e vendit të Palasës, Vlorë, mori peng të birin e pronarit të një mushke; qëllimi ishte marrja e mushkës për nevoja të ushtrisë partizane. Në raste të tjera, pengmarrja emërtohet si internim. Për shembull, në Dangëlli, Brigada II “internoi” një person, i cili do të lirohej vetëm në rast se i vëllai largohej nga Balli. Shumica e këtyre dokumenteve janë raporte për Shtabin e Përgjithshëm.
Terrorizmi është një nga metodat që PKSH-ja dhe UNÇ-ja përdornin për të shtrirë ndikimin e tyre. Në një dokument thuhet qartë se, pas disa atentateve që kanë bërë komunistët e Gjirokastrës, popullariteti i PKSH-së është rritur shumë. “Kanë mjaftuar këto aksione kundra spiunëve për t’a dominuar gjith krahinën t’onë të gjerë,” thuhet në dokument.
Gjyqet e hapura, ekzekutimet në publik, janë një metodë tjetër e përdorur nga ushtria partizane, të cilat bëheshin me qëllime terroriste. Në një letër, 22 nëntor 1943, Enver Hoxha porosit që dezertorët të mos përjashtohen nga partia, por të thirren në Pezë, të gjykohen dhe të pushkatohen, për t’i bërë shembull, që të mos dezertojnë të tjerët. Ai, me këtë porosi, urdhëron që të ushtrohet terror. Pasojat e një porosie të tillë gjenden në një dokument të Brigadës I. Kur kaloi për në veri, Brigada I u përfshi nga dezertimet masive. Zgjidhja për t’i frenuar ishte pushkatimi i disave, për t’iu treguar, atyre që kishin ndërmend të dezertonin, se cili ishte fundi i tyre në rast se guxonin. Këto dokumente, thjesht mbështesin mendimin e Sejfulla Malëshovës, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe KANÇ, i cili në plenumin e Beratit, 23-27 nëntor 1944, e përkufizoi si terroriste veprimtarinë e PKSH-së. Po aty, Tuk Jakova, themelues i PKSH-së, komisar i Brigadës I dhe Divizionit I më vonë, pjesëmarrës në shumë vepra terroriste, vlerësoi si terroriste veprimtarinë e UNÇ-së. Përfaqësuesi jugosllav në këtë plenum e miratoi fjalën e Malëshovës. Askush nuk i kundërshtoi vlerësimet e tyre.
Krimet e ushtrisë partizane vazhduan dhe gjatë vitit 1945, kur në Shqipëri s’kishte më ushtri pushtuese. Raportet e ushtrisë në këtë periudhë nuk ndryshojnë aspak nga ato të periudhës së pushtimit, me përjashtim të toponimeve dhe emrave të viktimave, sepse ushtria partizane vazhdon ekzekutimin e shqiptarëve (ata që nuk i ekzekuton i burgos ose internon), grabitjen e pronës, djegien e shtëpive të qytetarëve shqiptarë. Në pak rreshta të një fonogrami lexohet gjithë drama e zonës së Veriut në muajt e parë të vitit 1945. Të frikësuar prej ushtrisë partizane, banorët arratiseshin nga banesat në male dhe jetonin në shpella. Ushtria i ndjek kudo që janë dhe kur i kap, i ekzekuton, pa e ditur kush janë e ç’kanë bërë. Më fatlumët i internon.
Në një dokument tregohet se partizanët kanë rrethuar një shpellë, ku pretendohet të jetë fshehur armiku dhe në po atë dokument mësohet që në shpellë ka pasur popullsi civile, me qindra vetë. Të gjitha ngjarjet që përshkruhen në këto dokumente kanë ndodhur pas hyrjes në fuqi të ligjit ushtarak.
Pa u mbushur ende një muaj nga dalja e ligjit, Mehmet Shehu jep urdhra për kryerjen e krimeve të tjera. Në një urdhër për forcat partizane në qarkun e Shkodrës, ai porosit të bëhen pushkatime pa gjyq, djegie shtëpish, sekuestrime pasurish etj. Në dokument gjendet fryma terroriste dhe frika nga perceptimi i partizanëve prej popullit si terroristë. Mehmet Shehu urdhëron: “T’u digjen shtëpit dhe t’u internohen familjet, dhe në rast kapen mbas afatit të pushkatohen pa gjyqë”, ose: “Kujt t’i kërkohet arma duhet të dorëzojë armën ose shpirtin”, kurse, nga ana tjetër, porosit: “Nga sjellja e ç’do partizani do të mvaret në se neve do t’i lemë përshtypjen e drejtë popullit si mbrojtës i interesave të tij dhe tmerri i armikut ose si element terrorista të pa principtë.”
Duke parë përmbajtjen e njëjtë të të gjitha dokumenteve, para e pas luftës, qartësohet diçka tjetër: ushtria partizane, gjatë gjithë kohës nuk luftonte për çlirimin e Shqipërisë, por për marrjen e pushtetit. Çdo person i vrarë prej partizanëve për shkak të bindjeve të tij politike është dëshmi e luftës civile.
Për të gjitha këto krime, përveç personave që kanë marrë pjesë drejpërsëdrejti në to, ka përgjegjësi edhe një numër njerëzish që ishin larg nga terreni i ngjarjeve: anëtarët e KQ të PKSH-së dhe Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ-së, sepse ata, siç cilësohet në ligj, “kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, eksekutuar ose ndihmuar në vepra kriminale.”
_______________________________________________
* Kjo është hyrja e librit më të ri të autorit, me titull “Krimet e komunistëve gjatë luftës, 1942-1945”, i cili del së shpejti nga botimi, botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit”. Ky variant ka disa ndryshime të lehta për shkak të përshtatjes me mediumin ku botohet. Për shembull, këtu nuk janë vendosur burimet e dokumenteve të cituara ose të referuara, kurse në libër ky material është i pajisur me referncat përkatëse.