pb
Libri më i ri i Çelo Hoxhës është i pari në 70 vitet e fundit që e analizon luftën bazuar në doktrinën e luftës së drejtë, si dhe që e vlerëson veprimtarinë e ushtrisë partizane dhe të PKSH-së duke ballafaquar dokumentet e tyre me ligjin ushtarak të hartuar nga vetë komunistët në janar 1945. Libri përmban rreth 150 dokumente, të cilat vërtetojnë krimet e luftës të kryera nga ushtria partizane.
Në krimet e luftës të dokumentuara përfshihen: vrasje, ekzekutime, pengmarrje, rekrutime me forcë, grabitje prone, djegie shtëpie, vendosje e njerëzve në punë të detyruar, vrasje civilësh të pafajshëm etj. Të gjitha këto janë dëshmi e tipologjisë së klikës që zaptoi pu-shtetin, madje edhe e abuzimit të sotëm me termin “Nacionale”, që shoqëron këtë Lufte, pasi e tillë nuk qe aspak. Kjo jo vetëm per terrorin e aplikuar ndaj popullisë së çliruar, por edhe për reduktimin e kombit brenda një territori të sunduar nga PKSH-ja, duke njësuar kështu Atdheun me Partinë.
Për një kohë të gjatë shumë krime janë fshehur në emër të luftës kundër pushtuesit, por ky libër përmbledh 24 dokumente që tregojnë se ushtria partizane kreu të njëjtat krime dhe në një kohë që në Shqipëri s’kishte pushtues të huaj, në periudhën dhjetor 1944-mars 1945. Për lexuesin po sjellim konkluzionet e këtij studimi.
***
Ç. H.
Partia Komuniste Shqiptare ishte një krijesë e huaj. Deri në vitin 1941, idetë komuniste qarkullonin në disa grupime të vogla njerëzish pa ndikim, të cilat u shpërndanë me porosi të Kominternit (“me shpërndam celulat komuniste të deriatëhershme”), sepse ishin kundër varësisë prej tij, i cili synonte të vendoste nën kontroll lëvizjen komuniste botërore.
Në vitin 1941, në Shqipëri ekzistonte një parti politike me varësi nga jashtë, Partia Fashiste. Krijimi i partive të tjera ishte i ndaluar dhe PKSH-ja u krijua në mënyrë të paligjshme. Dallimi mes PFSH-së dhe PKSH-së ishte ky: njëra varej nga Roma, tjetra nga Moska (por nën kujdesin e Partisë Komuniste Jugosllave).
Në rezolucionin e PKSH-së flitet më ashpër për nazizmin sesa për fashizmin, megjithëse Shqipërinë e kishte pushtuar i dyti. “Ato hordhi shkatërruese, plaçkitën dhe vranë njerëz të cilët për 20 vjet ndërtuen socializmin”. Arsyeja: në qershor 1941, Gjermania (naziste) kishte sulmuar Bashkimin Sovjetik.
Ajo që komunistët thoshin atëherë për nazistët, mund të thuhej dy vjet më vonë dhe mund të thuhet edhe sot, për veprimtarinë e instrumentit ushtarak të PKSH-së, Ushtrinë Nacionalçlirimtare. Shtëpitë e djegura prej saj janë me qindra dhe, siç e keni vënë re, dy fshatra – Starova dhe Sina – u dogjën plotësisht; djegia e shtëpive vazhdoi të bëhej edhe pas luftës. Plaçkitja ishte krimi më i përhapur ndër partizanë, por dhe vrasjet në popull morën shumë jetë të pafajshme. Ushtria gjermane, e cila shkaktonte dëme në BS, përmbushte detyrat ushtarake të caktuara nga një regjim totalitar. Ushtria partizane bënte të njëjtën gjë në vendin e saj, sepse drejtohej nga një strukturë me mendësi totalitare dhe, kur mori pushtetin, vendosi një regjim totalitar po aq kriminal sa edhe nazizmi.
PKSH-ja dhe UNÇ-ja ishin e njëjta gjë. Në dokumente të këtij libri e kemi parë që komandantët partizanë ia drejtojnë raportet KQ të PKSH-së, ose KQ iu jepte urdhra komandantëve partizanë. Në fakt, dokumentet do të binin në të njëjtat duar, pavarësisht kujt strukture i adresoheshin.
PKSH u krijua si parti politike, por pushtetin e synoi dhe e mori me dhunë. Në rezolucion thuhet qartë: “Asht e nevojshme me likuiduem […] politikanllëkun”. Ajo udhëzon që në rezolucion krijimin e njësiteve guerile “si skelet të ushtrisë së ardhshme”. Udhëzimi ishte në përputhje me deklaratën e Molotovit, e cila parafrazohet në rezolucion: “Në fillim të kësaj lufte shoku Molotov ka thanë që ka fillue vargu i luftave imperialiste të përbotshme të cilat do të shdrrohen në një varg revolucionesh”.
Një organizatë e paligjshme, e cila ushtron dhunë për të arritur qëllime politike është, në përkufizim juridik dhe historik, një grupim terrorist. Veprimtaria e komunistëve të Gjirokastrës përputhet me këtë përkufizim. Ata bënin atentate (vrisnin) për të popullarizuar PKSH-në. Shumë dokumente të tjera zbulojnë se, komunistët (pjesë e PKSH-së apo UNÇ-së) vrisnin, me qëllim frikësimin e njerëzve, për të ndalur largimet nga PKSH-ja ose dezertimet nga UNÇ-ja. Ky terrorizëm, siç zbulojnë dokumentet, bëhej me urdhër nga organet më të larta drejtuese të PKSH-së dhe UNÇ-së. Një organizatë, e cila gjykon njerëz, i dënon me vdekje dhe i ekzekuton, nuk mund të konsiderohet parti politike. Mjafton ekzekutimi i Zef Ndojës që PKSH-ja të përmbushë kriteret e një bande.
Në vitet e fundit ka pasur historianë që i pranojnë krimet e regjimit komunist, por i ndajnë ato nga periudha e luftës, duke pretenduar se lufta ishte një veprimtari e lavdishme etj. Gjërat nuk mund të ndahen me thikë, regjimi komunist nuk vendosi brenda natës të vriste, burgoste apo internonte njerëz, të grabiste pronën, apo të dënonte qytetarët me punë të detyruar.
Ndarja e historisë në periudha është një konvecion akademik. Dy periudhat, lufta dhe paslufta, dallohen vetëm prej faktit që në Shqipëri kishte ose jo ushtarë gjermanë, gjërat e tjera kanë vazhdimësi. Pas lufte, PKSH-ja dhe UNÇ-ja vazhduan të bënin të njëjtat gjëra. Nga spastrimet “e reaksionarëve” në Shqipërinë e Jugut, të Mesme dhe Verilindore, gjatë periudhës gusht 1943 – nëntor 1944, të cilat i bënte UNÇ-ja, gjatë dimrit 1944-1945 u kalua në spastrimin e “reaksionarëve” të Shkodrës, Malësisë së Madhe, Kelmendit etj. Në të dyja periudhat dhe në të gjitha vendet, partizanët nuk reshtën së bëri të njëjtat gjëra: vrasje, burgosje, internime njerëzish, djegie shtëpish, plaçkitje pronash etj. Gjatë dimrit 1945, komunistët nuk mund të pretendonin që ishin duke luftuar pushtuesin, sepse në Shqipëri s’kishte asnjë ushtar gjerman.
Ashtu si UNÇ-ja, PKSH-ja vijoi të punonte me mentalitetin e luftës edhe shumë vite më vonë pasi ajo kishte mbaruar. Dallimi mes ekzekutimit të Zef Ndojës (1943) dhe ekzekutimit të 22 vetëve, më 26 shkurt 1951, ishte numri i viktimave. Të dyja palët u dënuan me vdekje nga politika totalitare. Përfundimi është i qartë: PKSH-ja dhe UNÇ-ja ishin dy organizata me karakter të qartë terrorist, të cilat punuan për marrjen e pushtetit me dhunë dhe, pasi e morën, vazhduan veprimtarinë kriminale të tyre deri ditën e fundit të regjimit totalitar që instaluan në Shqipëri.