Durim Berisha*
Të zgjohesh, të kalosh ditën dhe të biesh në gjumë duke dëgjuar thirrje për shtetin, për republikën, për kombin e të tjera “pallavra” nuk është më risi. Është dëshpëruese, kur ende pa kaluar një dekadë nga bërja shtet (se të çliruar ende nuk jemi), detyrohesh që koncepte, të cilët kanë vlera sublime, janë të shenjtë e të patjetërsueshëm (kombi, shteti, republika), t’i quash “pallavra”. Por, nga panorama e sotme politike kosovare, nuk ka mundësi të quhen ndryshe, sepse në këto momente vlen thënia “dëgjoje kush po e thotë dhe jo çka po thotë”. Vlen ky parim sepse sot, ata që deri dje ishin miq, ishin një, të pandarë në rrugëtimin e tyre politik, në pikëpamjet e tyre për të “ndërtuar” shtetin, për të “punuar” për shtetin, për të “ndryshuar” këtë gjendje të mjerueshme, i gjejmë në të dy anët e pushtetit. Përpos etjes së pangopshme për pushtet, këtë elitë politikë e bashkon karakteristika e përbashkët e injorancës totale mbi shtetin, mbi republikën dhe mbi kombin: vetëm inati se nuk munden të ndajnë hiset barabar i ka ndarë dhe i ndanë çdoherë.
Një qasje e tillë ndaj rolit të secilit nuk mund të jetë tjetër përveçse mungesë e të kuptuarit të sistemit politik dhe kushtetues. Nuk mund të gjejmë justifikim tjetër për të përshkruar këtë kaos shoqëror dhe shtetëror, përpos se duke u munduar të argumentojmë se kjo shoqëri dhe kjo elitë politike vuan nga parimet e shtetbërjes dhe njohja e funksioneve që ushtrojnë. Të dëgjosh në një sistem parlamentar (demokratik, jo komunist) të zgjedhurin nga populli teksa argumenton çdo abuzim të tij me votëbesimin është ilustrimi më bindës. Të jesh i zgjedhur i popullit kërkon përgjegjësi, kurse votëbesimi nuk është mburojë nga zbatimi i ligjit. Koncepti i imunitetit nënkupton mbrojtjen nga ndjekja penale për mendimin dhe bindjen politike të shprehur, apo për votën e tij në procesin e vendimmarrjes. Këto detyra i ka Parlamenti, të prononcohet dhe të vendosë në emër të sovranit popull. Si organ shtetëror përmes vendimeve të tija ai e shpreh vullnetin e popullit, prandaj i ndalohet çdo deputeti të keqpërdorë këtë kuptim (i zgjedhur i popullit) për të folur në emër të tërë popullit. Ai flet vetëm në emër të votuesve të tij, me të cilët ai ka raport të llogaridhënies për konceptin dhe platformën që i ka paraqitur.
E në këtë sistem kushtetues në të cilin demokracia është përfaqësuese, për t’u mbrojtur nga totalitarizmi, konstitucionalistët kanë vënë baza të forta përmes të cilave ky organ përfaqësues ndikohet nga opinioni publik. Përmes mediave, tubimeve dhe peticioneve, shoqëria e ndikon punën e parlamentit. Këto parime – të garantuara në Kushtetutën kosovare – nënkuptojnë që numri i atyre të cilëve, përmes këtyre lirive dhe të drejtave themelore, i adresojnë një qëndrim publik të zgjedhurve të tyre, të jetë më i lartë sesa numri i votuesve të opozitës, me qëllim që të tregohet se shoqëria ka bërë ndryshime sasiore në orientimin e tyre politik.
Mos të harrojmë se po flasim për shoqëri të vërteta parlamentare, në të cilat puna e të zgjedhurve dhe organeve shtetërore bazohet në frymën parlamentare, në të cilat parlamentarizmi është rrënjosur si koncept në çdo sferë të jetës, në të cilat dokumentet kushtetuese dhe ligjore vlejnë, përpos që ekzistojnë. Në shoqëri të tilla nuk do të ishin lejuar deputetë marioneta të zgjedhura nga populli, që i shërbejnë urdhrave të shefit, por as të atillë që të servirin pamje lufte në hapësirën e institucionit i cili ka përkufizimin klasik “forum i diskutimit dhe vendosjes publike”. Pra të tillë që nuk kanë lidhje me parlamentarizmin, të tillë që një Republike Parlamentare i kanë zhveshur çdo element të parlamentarizmit. Fundja kuvende popullore kemi edhe në sistemet komuniste.
Por nuk janë fajtorë këta politikanë, kjo tubë njerëzish që nuk mund të quhet elitë politike, sepse nuk është e tillë. Fajtorë jemi të gjithë ne që kemi heshtur, të gjithë në që kemi krijuar një klimë të tillë ku njerëzit që dinë dhe mund të na udhëheqin nuk mund të depërtojnë. Sepse ata nuk na premtojnë diploma pa dije e punësim pa meritë. Do të përkujtoja për secilin prej nesh një thënie të ish-Kancelarit gjerman Helmut Schmidt i cili në një intervistë para shumë dekadave kishte thënë se:
“gjatë Luftës së Dytë Botërore isha i burgosur i luftës. Mendoja shumë rreth asaj se çka i nevojitet popullit tim. Kuptova se ajo që i nevojitet është drejtësia”.
Drejtësia nuk nënkupton vetëgjyqësi apo anarki, por vetëdije qytetare, kushtetuese dhe ligjore.
*Autori është Kandidat për Doktoraturë në të Drejtën Publike, Doktrinën Shtetërore dhe Historinë Kushtetuese në Universitetin Bielefeld në Gjermani.