enver_hoxha_dhe_miladin_popovici1

Çelo Hoxha

Qytetarët e Kosovës, në një pjesë të madhe, kanë një strukturë emocionale të deformuar. Ata përjetojnë ndenja të kundërta, njëkohësisht, për pjesë identitike të të njëjtit objekt. Në Kosovë adhurohet Enver Hoxha dhe urrehet Tito (ose Millosheviçi e të tjerë), kur të dy janë e njëjta gjë. Ky deformim vjen se ata njohin vetëm variantin komunist të historisë së Shqipërisë (londineze). Kur shikon se dhe Arbën Xhaferri, një ndër shqiptarët më të ditur e ndër të paktët mendimtarë të gjallë të kësaj race, mendon se “Enver Hoxha ka më shumë merita për Kosovën sesa për Shqipërinë”, sipas një interviste të tij me Enver Robellin, niveli i enverizmit te shqiptarët e ish-Jugosllavisë është i lartë. Arbër Xhaferri, dhe gjithë ata që mendojnë si ai, duhet të lënë urgjentisht çdo punë që kanë në duar dhe të lexojnë ca histori Shqipërie, por jo variantin e shkruar nga shërbëtorët e diktaturës.

Partia Komuniste Shqiptare, 1941, ishte instrumenti politik me të cilën jugosllavët e përdorën për shkatërrimin e kombit shqiptar. (Në lidhje me Shqipërinë Jugosllavia zbatonte platformën serbe). PKSH u themelua nga dy jugosllavë, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Deri në 1948, PKSH punoi për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Kjo është e vërtetuar.

PKSH nuk ishte parti politike, por bandë. Ajo s’kishte ideologji. Lidhja e brendshme e anëtarëve të saj ishte kompromentimi me pjesëmarrje në krime. Këtë e kanë deklaruar vetë komunistët në Plenumin II të PKSH, 23-28 nëntor 1944, në Berat. Anëtarët e saj, të zgjedhur nga Popoviçi dhe Mugosha, ishin gangsterë, analfabetë dhe pjesëtarë të pakicave jo shqiptare. Kjo formulë ishte kopjuar nga Rusia. “Shumica e udhëheqsve kryesorë të komunizmit nuk ishin rusë, por anëtarë të minoriteteve,” vëren Emil Lengyel, në librin “Nationalism, the last stage of communism”, 1969.

Gjatë luftës gjithë vizioni i PKSH ishte ndërtuar nga Tito, i cili e përcillte me anë të letrave. Për të futur Shqipërinë në gjirin e Jugosllavisë, Tito e dinte që do të haste pengesa. Ai u tregua i vëmendshëm që në nisje, në rezolucionin e themelimit të PKSH nacionalistët u cilësuan rrezik. Pas luftës rezolucioni u falsifikua, rreziku nacionalist u zëvendësua me rrezikun nazist, por në 1949 historiani jugosllav Vladimir Dedijer, botoi pjesë nga rezolucioni origjinal.

Qemal Stafa e gëlltiti karremin i pari. Në 1942, ai filloi të përhapte urrejtjen për nacionalistët. “Nesër do të jenë armiqtë tanë”, i kishte thënë Koço Tashko, e ky ia përcolli informacionin Kominsternin. Stafa u vra shpejt, por u kthye në hero, kur, në fakt, ishte veç një terrorist i mbetur në tentativë. Antinacionalizmi i PKSH vazhdoi dhe pas vdekjes së tij, por brenda rrethit të saj të ngushtë. Në fillimet e saj, PKSH ndihej e dobët dhe u përpoq që të krijonte një farë fronti të përbashkët me Ballin Kombëtar. Nacioanlaistët i shikonin me dyshim komunistët, sepse ata, sipas Mid’hat Frashërit, kryetarit të BK, bashkëpunonin me “elemntë kriminalë, jugosllavë dhe grekë”. Dyshimi i nacionalistëve rezultoi i bazuar. Megjithatë, me nxitjen e aleatëve, BK pranoi dhe kështu u mbaj mbledhja e Mukjes, gusht 1943. Në Mukje u ra dakord që nacionalistët dhe komunistët të bashkoheshin në “luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botnisht e të garantuem nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipni etnike”. Sipas dëshmitarëve okularë, Miladin Popoviçi ia grisi në sy Enver Hoxhës proklamatën e marrëveshjes dhe ia flaku copat në fytyrë. Jugosllavët nuk mund të pranonin që PKSH të luftonte për Shqipërinë etnike. Ata donin që PKSH të merrte pushtetin dhe Shqipëria t’i bashkohej Jugosllavisë. Për këto arsye nisi lufta civile. Lufta civile synoi, dhe ia arriti, mposhtjen e nacionalistëve.

Nuk ka asnjë dyshim që deri në 1948 PKSH punonte për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Data e “çlirimit” të vendit u shpall 29 nëntori, kur dihet që qeveria komuniste hyri në Tiranë në 28 nëntor 1949. Data 29 ishte simbolike për Jugosllavinë dhe, kur të futej në federatë, Shqipëria ishte e integruar dhe me simbolet. Jo vetëm kaq, duke ngulmuar për 29 nëntorin si çlirim i Shkodrës, jugosllavët tentuan që të fiksonin në kujtesën e shqiptarëve, si kufi verior të tyre, Shkodrën. Nga ana tjetër, në 1946, Tito i sugjeroi Enver Hoxhës që Shqipëria të mbante 28 mijë ushtarë, një për çdo kilometër katror të Shqipërisë. Numri i dëshmorëve shqiptarë të luftës u caktua gjithashtu të ishte 28 mijë, një shifër që duket e dalë nga goja e Titos. Pra, Shqipëria do të futej në federatë me 28 mijë km katrorë dhe, nëse dilte më vonë, do të dilte po me këtë sipërfaqe. Me krijimin e incidentit të Kanalit të Korfuzit, ku u dëmtuan disa anije angleze, të cilat ndeshën në minat e vendosura në ujërat shqiptare nga jugosllavët, Tito i shpalli botës kufirin jug-perëndimor të Jugosllavisë. Më herët, në kushtetutën jugosllave, neni 44, ishte parashikuar pranimi i republikave të reja në federatë dhe në ndërtesën e re të Federatës, në Beogradin e ri, ishte parashikuar ndërtimi i shtatë kabineteve: një për çdo republikë, përfshi dhe Shqipërinë.

Në krye të politikës shqiptare gjatë gjithë kësa kohe ishte një person: Enver Hoxha. Ai është përgjegjësi kryesor për tradhëtinë kombëtare.

Me orinetimin e jugosllavëve, vitin e parë në pushtet, komunistët shkatërruan ekonominë dhe në verën e vitit 1946 në Shqipëri u shfaq kriza e bukës. Në kulmin e krizës, nëntor 1946, Jugosllavia i ofroi Shqipërisë një marrëveshje ekonomike, sipas të cilës bashkoheshin doganat, barazohej monedha dhe çmimet. Enver Hoxha ishte në ballë të punës për bashkimin e dy vendeve. Shtypi i huaj shkroi që në korrik për bashkimin, pas nënshkrimit të traktatit shqiptaro-jugosllav të miqësisë. Në 5 janar 1948, ai deklaroi në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PKSH: “Sekretar i Përgjithshëm nuk jam unë, por Mareshali. Ne jemi parti, si partitë e republikave të tjera me sekretarët e saj, me vijën e njëjtë me të tjerat. Këtu është çështja që ne ta kuptojmë partinë në këtë kuadër.” Koçi Xoxe e këshilloi të matej disi, por Hoxha sqaroi: “Unë kam thënë se edhe Partia duhet të shkojë në baza federale, pse e gjithë kjo vijë politike që shtrojmë aty të çon.”. Dhe më tej: “Atë që thashë e them prapë se të gjithë sektorët të shkojnë në atë rrugë, me baza federale, duke qenë kështu Sekretar i Përgjithshëm Titoja. Kështu vendi do të shkojë në një federatë.”

Shqiptarët duhet të jenë të qartë: Enver Hoxha ka qenë deri në fund armik i Kosovës, njëlloj me Titon dhe udhëheqësit e tjerë serbë. Në plenumin e jashtëzakonshëm të KQ të PKSH, 18-20 dhjetor 1946, Enver Hoxha deklaroi: “A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresiste. Pra, në këtë situatë, përkundrazi, duhet të bëjmë ç’është e mundur që kosovarët të vëllazërohen me jugosllavët… Ata që nuk e kuptojnë këtë, ne e kemi për detyrë t’i luftojmë”. Dhe i luftoi të gjithë.

Kulti i Enver Hoxhës në Kosovë besoj se ka nisur pas vitit 1948, kur Shqipëria u prish me Jugosllavinë, por ai u masivizua në kohën e demostratave të vitit 1981 në Kosovë. Në këtë kohë në trojet shqiptare kishte mbërritur televizori, i cili e lehtësoi punën e propagandës dhe një vit më vonë Enver Hoxha botoi vepërn e tij Titistët. Kjo vepër është një gënjeshtër e gjatë 592 faqe (sipas botimit të Tiranës), por kosovarët nuk kishin si ta njihnin anën tjetër të historisë, realen. Pas 1948, Enver Hoxha nisi demaskimin e qeverisë së Beogradit, por e bënte këtë kryesisht për propagandë të brendshme dhe për t’i dëshmuar besnikëri Bashkimit Sovjetik. Prishja me Jugosllavinë nuk u bë nga shqiptarët. Bashkimi Sovjetik u dha u urdhër satelitëve të tij të distancoheshin nga Tito, dhe Enver Hoxha, në vend të Titos, zgjodhi këtej e tutje të kishte padron Stalinin.

Pas vitit 1948, Tirana i kushtoi vëmendje Kosovës, veçse jo për interes të kosovarëve. Me të ajo kërcënonte Jugosllavinë, mendonte vetëm si t’i prishte rehatinë Titos, thjesht kërkonte sa më shumë mundësi për tu dukur e vlefshme në sytë e Stalinit. Luftën kundër nacionalizmit, brenda Shqipërisë, Enver Hoxha e vazhdonte në mënyrë koseguente, duke i dhunuar ata brez pas brezi. Kjo ishte në interes të Titos. Në luftën kundër Shqipërisë, Titos i duhej dikush që t’i luftonte shqiptarët nga brenda, se nga jashtë ai i luftonte vetë. Ky njeri ishte Enver Hoxha. Mbajtja e një Shqipërie të dobët ishte suksesi më i madh i Titos.

Në 21 mars 1921, Mid’hat Frashëri e këshillonte Bedri Pejanin se “ne dimë me shpëtue Kosovën, por duhet ma parë me forcue Shqipninë, se anija do nji hu që të lidhet”. Në kohën e mbretërisë, Shqipëria po shkonte drejt këtij qëllimi, por gjithçka u hodh në erë nga lufta, jugosllavët dhe komunistët. Kur erdhi në pushtet, Enver Hoxha bëri pikërisht të kundërtën, atë që ishte në interes të Serbisë: e mbajti Shqipërinë të dobët, gati në gjendje urie. Sikur Shqipëria të mos kishte dalë aq e dobët nga komunizmi, rruga e Kosovës drejt pavarësisë do të kishte qenë më e lehtë, e ndoshta dhe më e shpejtë.

 

* Argumentat e këtij artikulli janë të gjitha të mbështetura në burime historike serioze, por këtu nuk janë vendosur referencat burimore për shkak të natyrës së shkrimit.