Me vendimin e parë të këtij lloji, Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut urdhëroi (të premten e kaluar) shpërbërjen e një partie të majtë të vogël me akuzën se mbështet Korenë e Veriut në dëm të sigurisë kombëtare të Jugut dhe në kundërshtim me kushtetutën e saj.
Gjykata kërkoi gjithashtu t’u hiqen mandatet deputetëve – pesë gjithsej – të kësaj partie.
Partia Progresive e Bashkuar “synon të përdorë mjete të dhunshme për të përmbysur sistemin tonë demokratik” dhe “të vendosë përfundimisht një sistem komunist të tipit të Koresë së Veriut”, tha gjykata me nëntë anëtarë në vendimin e saj të transmentuar në televizor. Vendimi shënoi një fitore politike për presidenten Park Geun-hye dhe Shërbimin Inteligjent Kombëtar e Ministrinë e Drejtësisë, të cilët bënë ankimin ligjor në nëntor 2013 dhe i kërkuan Gjykatës Kushtetuese të shpërbënte atë parti. Rreth 100 mijë anëtarët e partisë kanë qenë ndër kritikët më të zhurmshëm të zonjës Park, shpesh duke e thirrur si fantazma e ringjallur e babait të saj, diktatorit ushtarak Park Chung-hee, i cili e sundoi vendin me grusht të hekur prej 1961 deri më 1979.
Vetëm me pesë deputetë, kjo parti është fuqi minore në Asamblenë Kombëtare me 300 anëtarë. Por ankimi në Gjykatë nxiti një betejë ligjore të vëzhguar me kujdes në lidhje me kufijtë e lirisë së veprimtarisë politike në Korenë e Jugut.
Asnjë parti politike në Korenë e Jugut demokratike nuk është mbyllur nga qeveria ose një vendim gjykate qysh prej kohës së Syngman Rhee, presidenti diktatorial themelues i Koresë së Jugut, i cili ndaloi në parti të majtë më 1958. Me ligj, Gjykata Kushtetuese mund ta shpërbëjë një parti, nëse gjashtë ose më shumë nga nëntë gjykatësit e saj bien dakord që “partia dhunon rendin bazë demokratik.” Në vendimin e saj, gjykata tha se të gjithë anëtarët, përveç njërit, votuan pro shpërbërjes së partisë.
Vendimi hyri në fuqi menjëherë. Me ligj, të gjitha pasuritë e partisë do të konfiskohen nga qeveria. Komisioni qendror i zgjedhjeve tha se në prill do të zhvillohen zgjedhje të reja për të zënë vendet parlamentare të boshatisura nga vendimi i gjykatës.
Zyra e presidentes nuk kishte koment të menjëhershëm për vendimin.
Jashtë gjykatës, aktivistë konservatorë e brohoritën lajmin, duke valëvitur flamurin kombëtar. Park Dae-chool, zëdhënës për partinë qeverisëse Seanuri Parti, e quajti vendimin si “një gjykim të kthjellët kundër gjithë atyre që mohojnë Korenë e Jugut” dhe “një fitore për demokraci të lirë”. Republika e Koresë është emri zyrtar i Koresë së Jugut.
“Sot është dita kur demokracia u shpall e vdekur në Korenë e Jugut,” tha Lee Jung-hee, kryetari Partisë Progresive së Bashkuar, gjatë një fjalimi në mitingun e anëtarëve të partisë jashtë gjykatës. Ajo e akuzoi Gjykatën Kushtetuese për “hapjen e derës së totalitarizmit.” Disa anëtarë të partisë qanë.
Partia kryesore në opozitë, Aleanca e Politikës së Re për Demokraci lëshoi një deklaratë ku tha se, megjithëse ishte kundër politikave të Partisë Progresive të Bashkuar, ajo ishte kundër faktit që fati i një partie politike të vendosej nga një vendim gjykate, dhe jo përmes zgjedhjeve.
Presidentja Park e mori postin në shkurtin e kaluar mes tensioneve të ngritura me Korenë e Veriut. Veriu inauguroi një raketë me distancë të largët në dhjetorin 2013 dhe zhvilloi një test bërthamor dy javë para marrjes së detyrës prej saj.
Ndërsa premtoi hakmarrje të fortë kundër çdo provokimi të mëtejshëm të Koresë së Veriut, qeveria e saj veproi kundër politikanëve vendas të akuzuar për “pasim të Koresë së Veriut.” U arrestua deputeti Lee Seok-ki dhe disa anëtarë të tjerë të Partisë Progresive të Bashkuar me akuzën e pazakontë për tradhti, në shtator. Pastaj bëri ankim për shpërbërjen e partisë.
Zoti Lee dhe të tjerët u dënuan me burg nga dy në nëntë vjet, nga një gjykatë apeli në gusht, me akuzën për grumbullimin e 130 simpatizantëve në maj vitin e kaluar dhe duke bërë thirrje për rebelim të armatosur kundër qeverisë së Koresë së Jugut, në rast lufte me Korenë e Veriut. Avokatët e zotit Lee i kanë mohuar akuzat. Gjykata e Lartë do të vendosë për çështjen e tij në janar.
Koreja e Jugut mbeti teknikisht në luftë me Korenë e Veriut pas tre viteve luftë që përfundoi më 1953 me armëpushim, jo marrëveshje paqeje. Ajo bllokon hyrjen e qytetarëve në faqet e internetit të Koresë së Veriut dhe arreston qytetarë që ridërgojnë (ripostojnë) postime në Twitter me materiale propagandistike të Koresë së Veriut.
Programi i Partisë Progresive të Bashkuar bën thirrje për “korrigjimin e historisë së turpshme të kombit, e helmuar nga pushtimet imperialiste, përçarja kombëtare, diktatura ushtarake, tirania dhe monopoli i kapitalit financiar” dhe konglomeratit gjigante nën kontroll familjar. Partia Progresive dëshiron t’i japë fund pranisë ushtarake amerikan, të prishë “aleancën servile me SHBA” dhe të bashkojë Veriun me Jugun.