Shoqëria e konsumit kritikohet mjaft për egoizmin dhe pasivitetin që përhap në shoqëri. Një tezë shumë e njohur është ajo që vendos përballë konsumatorin me qytetarin. I pari konsiderohet si i prirë për nga interesat vetjake dhe si pre e manipulimit të kulturës së konsumit. I dyti shihet si i angazhuar publikisht dhe politikisht. Nën këtë ndarje ndodhet supozimi se tregtia dhe tregu janë forma të ulta dhe të pamoralshme të veprimtarisë njerëzore, krahasuar me marrjen pjesë në votime, protesta apo aksione të tjera publike e politike. Konsumi konsiderohet i ulët, sepse objektivi i saj është kënaqja e nevojave materiale të njeriut, ndërsa qytetaria aktive konsiderohet moralisht më e lartë, sepse objektivi i saj është e mira e përbashkët. Jo vetëm kaq, por kritika ndaj kulturës së konsumit thotë se konsumatorët i largohen çështjeve publike dhe politikës, duke parapëlqyer të kalojnë një pjesë të mirë të kohës në shitore e qendra tregtare dhe duke rendur pas modeleve të elektronikës, modës së fundit të veshjeve dhe argëtimeve të të reja që ofrohen nga tregu. Sipas kritikëve që qytetarët të jenë subjekte nevojitet që ata t’i largohen tregut. Emblematike për kritikën ndaj konsumit ishte parulla kryesore e disa sindikatave dhe shoqatave më 1 Maj 2009 se dita e punëtorëve nuk mund të ishte ditë normale feste: “Mos bli asgjë, mos shit asgjë, protesto!”.

Mirëpo, një shikim i kujdesshëm e dallon se kjo ndarje hermetike midis konsumatorit dhe qytetarit është e thjeshtuar dhe e pabazë. Janë vetë politikanët gjatë fushatave zgjedhore ata që u kërkojnë qytetarëve që të votojnë duke pasur parasysh interesin vetjak, si p.sh. do të paguajnë më pak taksa, apo do të kenë më shumë investime në zonën e tyre etj. Për më tepër, politika shpesh është një veprimtari e larguar nga e mira e përbashkët dhe e përshkuar nga interesat egoiste. Fjalori i gjuhës shqipe përmban fjalën “politikanizëm” për të emërtuar këtë lloj sjellje joparimore të politikanëve, të interesuar vetëm për fitoren e pushtetit dhe pasurimin e tyre vetjak, pa lidhje me interesat dhe të mirën publike.

Në krahun tjetër, mund të argumentohet se konsumi në vetvete është më shumë se sa një sjellje egoiste dhe mund të marrë parasysh vlerat shoqërore dhe të mirën publike. Me fjalë të tjera, konsumi mund të jetë një sjellje politike. Zgjedhjet që ne bëjmë në blerje kanë ndikimin e tyre në treg dhe përtej tij. Gjithashtu bojkoti kolektiv i mallrave të një vendi të caktuar është shprehje e vetëvendosjes ndaj kolonizimit. Kryengritja amerikane ndaj Perandorisë Britanike filloi me bojkotin ndaj çajit anglez në Boston. Shekuj më vonë, Gandi u bëri thirrje indianëve që të prodhonin vetë në mënyrat artizanale veshjet e tyre, si një hap i rëndësishëm kundër varësisë koloniale dhe drejt pavarësimit ekonomik dhe politik të Indisë. Në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje! ka organizuar disa fushata për bojkotimin e mallrave serbe, si një mjet ndërgjegjësimi dhe veprimi politik i qytetarëve shqiptarë për t’u shkëputur nga kolonializmi serb. Bllokimi që kjo lëvizje u bëri mallrave serbe në pikat kufitare të Merdares dhe Dheut të Bardhë në janar të këtij vitit kishte të njëjtin qëllim: vendosjen e reciprocitetit tregtar me Serbinë.

Sidoqoftë edhe bojkoti i mallrave e ruan një lloj dënimi moral të tregut, sepse nënkupton se tregu në vetvete nuk bën dallime etike, se ai është amoral dhe bojkoti i mallrave të caktuar është një lloj largimi apo abstenimi politik i qytetarëve nga tregu. Krahas bojkotit ka edhe nisma konsumatorësh që tregojnë për një moralizim në rritje të tregut dhe konsumit. Tani produktet ekologjike apo ato të “tregtisë së ndershme”, (të cilat synojnë një fitim më të drejtë për prodhuesin fillestar) kanë një klientelë shumëmilionëshe dhe po shënojnë rritje të madhe në shumë rajone të botës. Në këtë mënyrë, qytetarët anembanë botës pikërisht me anë të zgjedhjeve të tyre gjatë konsumit dëshmojnë prirjet e tyre politike, duke i detyruar korporatat që t’i përshtaten valës moralizuese dhe të shfaqen publikisht si të përgjegjshme ndaj mjedisit dhe shoqërisë. Arsimi, zgjerimi i shtresës së mesme shoqërore, zbulimet shkencore në mjekësi, mediat, shërbimet e shëndetit publik, përparimi teknologjik kanë rritur ndikimin e konsumatorëve në treg dhe deri në mënyrat e prodhimit të mallrave dhe të ofrimit të shërbimeve.

Blej_shqipTregu është i pandashëm nga shoqëria njerëzore, pavarësisht prej nivelit të zhvillimit të saj në histori dhe pavarësisht faktit se sociologët termin e “shoqërisë së konsumit” e përdorin për të karakterizuar shoqërinë kapitaliste të disa dhjetëvjeçarëve të fundit. Edhe pse nuk mund të konkurronte suksesshëm me kapitalizmin, sistemi socialist u përpoq që të krijonte imazhin e konsumit me anë të MAPO-ve (Magazina Popullore), si homologe të qendrave tregtare në Perëndim. Përderisa tregu dhe konsumi zënë një vend qendror edhe për qytetarët në shekullin e ri nuk ka përse qytetaria si praktikë politike dhe përparimtare të veçohet patjetër nga tregu. Tregu mund të jetë një arenë për të zhvilluar fushata publike të qytetarëve, jo vetëm për të drejtat që ata kanë për të marrë mallra dhe shërbime cilësore dhe të shëndetshme nga tregu dhe mbi bazën e të cilave zhvillohen nismat për mbrojtjen e konsumatorit, por edhe për çështje që e kapërcejnë interesin konsumator si të tillë.

Duke vazhduar arsyetimin tonë me këtë  frymë, gjykojmë se janë të duhura, të drejta dhe të nevojshme ato fushata qytetare që kërkojnë ta lidhin çështjen e rritjes së prodhimit shqiptar edhe me nxitjen dhe orientimin e konsumatorit shqiptar drejt mallrave vendase. Në Shqipëri tashmë janë bërë të njohura fushatat mediatike dhe panairet e nismës qytetare Blej Shqip!, sikurse në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje! ka zhvilluar fushatën Duaje Tënden! Qëllimi i projekteve të tilla qytetare është, krahas shtimit dhe përmirësimit të cilësisë së produkteve shqiptare, të edukohet konsumatori që të zëvendësojë, aty ku është e mundur produktet e jashtme me ato vendase. Nisma të tilla vijnë pikërisht në kohën kur edhe shumë firma shqiptare kanë investuar shumë para e mund për arritjen e standarteve evropiane të mallrave të tyre, e megjithatë përballen me një mosbesim nga ana e konsumatorit, i mësuar të vlerësojë pozitivisht markat e huaja. Kjo ka bërë që shumë produkte shqiptare në treg të shiten me emërtime të huaja!

Synimi i nismave të tilla është që tregu të shndërrohet nga një hapësirë e ndërveprimit sporadik për shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve për interesat e palëve, në një mënyrë për të krijuar mirëbesim dhe lidhje afatgjata midis tyre. Sipërmarrjet shqiptare kanë nevojë për konsumatorë besnikë dhe ata mund t’i sigurojnë me anë të produkteve dhe shërbimeve cilësore. Që lidhja kombëtare është një garanci për sipërmarrje të suksesshme, këtë më mirë e dëshmojnë bankat dhe sipërmarrjet private të sigurimeve, të cilat janë përhapur nëpër trevat shqiptare pikërisht duke reklamuar origjinën shqiptare të tyre, edhe pasi janë bërë pjesë e grupeve financiare ndërkombëtare. Nga ana e tij, qytetari shqiptar, përveç gëzimit të të drejtave civile dhe politike, ka të drejtat e tij si konsumator për produkte dhe shërbime cilësore dhe të sigurta, që pajtohen me nevojat dhe mundësitë e tij. Sigurisht që edhe ekonomia kombëtare përfiton në disa plane nga mbyllja e rrethit prodhim-konsum brenda vendit. Paratë e qarkulluara ngelin brenda vendit (Shqipërisë apo Kosovës) dhe investohen përsëri nga sipërmarrjet, duke rritur punësimin. Të ardhurat në buxhet rriten, sikurse edhe investimet publike, duke ndikuar kësisoj në mirëqenien e përgjithshme të shqiptarëve. Duke u forcuar në tregun brendashqiptar, sipërmarrjet shqiptare mund të bëhen konkurruese edhe në rajon e më gjerë. Markat e suksesshme shqiptare i japin edhe botës diçka nga qenia shqiptare, sidomos në qarkullimin global të imazheve.

Sigurisht që pa një ekonomi të fortë kombëtare nuk mund të aspirojmë forcim të faktorit shqiptar në Ballkan. Dihet mjaft mirë se vendet që janë kryesisht tregje për produktet e huaja, ndodhen në një pozitë neo-koloniale dhe nuk mund t’i mbrojnë denjësisht interesat e tyre kombëtare. Zhvillimi i qëndrueshëm vjen nga prodhimi i brendshëm, i cili rrit mirëqenien dhe kapacitetin kulturor të punonjësve.  Prodhimi dhe konsumi i mallrave vendase ndihmon edhe formimin e qeverive të përgjegjshme që kujdesen për interesat e popullit dhe të ekonomisë kombëtare. Në kohën e tanishme, kur politika kryesore qeveritare në hapësirën shqiptare është privatizimi i pasurive kombëtare në favor të sipërmarrjeve të huaja, është e pritshme që qeveritë shqiptare të mendojnë në radhë të parë se kujt do t’ia shesin ato dhe se çfarë mund të përfitojnë për vete politikanët. Shqiptarët me paratë e djersës së tyre të derdhur tjetërkund po konsumojnë mallra të huaj në atdheun e tyre, së bashku me të papunët që konsumojnë edhe ata punën e emigrantëve tanë. Siç shkruan Albin Kurti, “çdo qytetar kudo në botë, sikurse edhe te ne, është gjithsesi konsumator, por në Kosovë qytetarët nuk janë më shumë sesa konsumatorë. Janë njerëz me gojë, ama disi pa duar” (Publikja shqiptare, f. 143). Me sa shkruam më sipër, tregojmë se qytetaria nuk humbet krejtësisht në konsum, sepse për sa kohë që ekziston mundësia për të zgjedhur produkte të huaja dhe ato të vendit, mbetet një zgjedhje politike për t’u bërë nga konsumatori shqiptar. Eshtë detyra jonë që me shtimin e prodhimit kombëtar ta zgjerojmë mundësinë e zgjedhjes në treg.

Sido që të jetë, nuk duhet harruar se kombi ka edhe një përmasë të pamohueshme ekonomik, prandaj ekonomia duhet t’i shërbejë afrimit të shqiptarëve me njëri-tjetrin. Këto  janë arsye pse fushatat “Blej Shqip” dhe “Duaje Tënden” i japin një veti morale tregut dhe nxisin veprimin qytetar në treg e përtej tregut.