Doan Dani
Tzvetan Todorov-i doli këto ditë në tregun shqiptar të librit me aliazhin e tij eseistik më interesant, Konkuista e Amerikës. Çështja e “tjetrit” (botim i Pika pa Sipërfaqe), që shkrin mjeshtërisht njohuri të mirëfillta historiografike në funksion të analizës filozofike dhe përshkrimit antropologjik. I kultivuar në Parisin e viteve ’60, kur strukturalizmi gjuhësor kishte zbuluar fusha të reja aplikimi me emra si C. Levi-Strauss, J. Lacan, M. Foucault e L. Althusser, dhe sigurisht i influencuar nga kontakti me kritikun letrar R. Barthes, Todorov-i shpalos mprehtësinë e stilit të tij analitik etiko-filozofik pikërisht në La conquête de l’Amérique. La question de l’autre (1982).
Eseistika e Todorov-it dallohet në mënyrë të veçantë për larminë e tematikës dhe personazheve, përmes të cilëve autori komunikon mendimin e tij. Jo rastësisht Konkuista e Amerikës ndahet në katër akte, zbulimi, pushtimi, dashuria dhe njohja, të cilat shpjegohen me leximin e dëshmive historike të shkëputura nga personazhe si Kolombi, Las Casas, Sepúlveda, Durán, Sahagún dhe kronistët e ngjarjeve që kanë për protagonistë mbretin astek Montezuma dhe Cortés-in, udhëheqësin e ekspeditës spanjolle në Meksikë (1519).
Todorov-i vendos përballë dy botë, të Vjetrën dhe të Renë, me tradita, sisteme vlerash, histori e perspektiva të ndryshme nga njëra-tjetra, dhe gërsheton detajet e ekspansionizmit europian me panoramën antropologjike të indianëve. Libri përshkruan ngjarje rrëqethëse nga masakrat spanjolle dhe sakrificat njerëzore të astekëve, zbret në thellësitë e botëkuptimit të indianëve, evidenton shkaqet e dështimit të tyre përpara spanjollëve paralelisht me shkaqet e triumfit të spanjollëve, përshkon fazat e zbulimit, pushtimit, sundimit dhe tjetërsimit.
Megjithëse dy botët vihen përballë, autori nuk ka aspak për qëllim theksimin e përplasjes e aq e tepër të hierarkisë së civilizimeve. Madje Todorov-i vendos në ekuilibër dy realitetet kur pohon se «njeriu mund të ngurrojë nëse i duhet të zgjedhë mes një shoqërie që bën flijime dhe një shoqërie që kryen masakra»: për Todorov-in sakrifica është vrasje fetare dhe publike, por nuk ndodhet në pozita superiore as vrasja spanjolle, e cila sipas tij është masakër, mundësisht e fshehur. «Nëse aty-këtu ua kam njohur epërsinë, nuk është për t’u bërë elozhe konkuistadorëve», shkruan Todorov-i, sepse «është e nevojshme të analizohen armët e pushtimit, po deshëm që një ditë ai të reshtë». Prandaj konfrontimi që kërkon të realizojë Todorov-i duhet kërkuar përtej rrezikut akut të rrëshqitjes në krahasimin (ende sot aktual) të “shoqëri të civilizuara vs. shoqëri të pacivilizuara”.
Thelbi i librit është raporti mes ‘Vetes’ dhe ‘Tjetrit’. Këtu ndodh përplasja. Marrëdhënia me tjetrin:
së pari, është një gjykim vlerash (plani aksiologjik): tjetri është i mirë apo i keq, e dua apo nuk e dua, ose, ashtu siç thuhet në atë kohë, ai është i barabarti im ose ai është më poshtë se unë (sepse, kuptohet, në shumicën e rasteve, unë jam i mirë dhe e vlerësoj veten). Së dyti, kemi veprimin e afrimit ose largimit në lidhje me tjetrin (plani prakseologjik): i përqafoj vlerat e tjetrit, identifikohem me të; por edhe e barazoj tjetrin me veten, i imponoj imazhin tim. Mes nënshtrimit ndaj tjetrit dhe nënshtrimit të tjetrit, ka edhe një pozicion të tretë, që është asnjanësia ose indiferenca. Së treti, unë e njoh ose e nuk e njoh identitetin e tjetrit (ky i bie të jetë plani epistemologjik).
Të gjithë autorët e analizuar nga Todorov-i sjellin eksperiencën vetjake në këtë dikotomi. Kapitulli i parë fillon me Kolombin, zbuluesin e Amerikës, me mënyrën sesi ai e shikon panoramën gjeografike dhe humane që zbulon. Todorov-i ofron një Kolomb ndryshe, jo thjeshtë zbulues dhe kristian i devotshëm, por një hibrid mes Adamit të zbritur në Amerikë dhe vetë Zotit. Ai emërton çdo gjë dhe kategorizon duke e asimiluar kontinentin e zbuluar me atë që njeh. Për Kolombin indianët janë thjeshtë objekte, ashtu si elementet e tjera të peizazhit. Ai e ndan botën mes identikes dhe asgjësë: kur nuk ka një realitet identik me atë të Kolombit, nuk ka asgjë.
Cortés-i, ndryshe nga Kolombi, e konsideron indianin një gjysmë-subjekt, kurrsesi në një plan me Veten. Ai përpiqet të njohë dhe të kultivojë komunikimin, që më pas të realizojë nënshtrimin e Tjetrit. Inferioriteti i Tjetrit teorizohet mjaft kthjellët nga Sepúlveda, i cili nuk e koncepton shoqërinë pa hierarki, prandaj e justifikon luftën kolonizuese ndaj indianëve. Durán-i dhe Sahagún-i, falë angazhimit në njohjen empirike të shoqërisë indiane, arrijnë të afrohen me Tjetrin, pa hequr dorë nga vullneti i asimilimit total në traditën e krishterë. Kjo shpjegon përse Durán-i nënvizon rrezikun e sinkretizmit fetar dhe kriptopaganizmit të indianëve. Ato sigurisht hedhin themelet e klimës së dialogut.
Ndër personazhet kryesore, domenikani Las Casas është ai që më së shumti ndodhet pranë indianëve. Las Casas-i e denoncon ashpër dhunën e konkuistadorëve dhe përpiqet t’i kuptojë indianët i frymëzuar nga dashuria dhe egalitarizmi i krishterë. E megjithatë, as ai nuk heq dorë nga asimilimi, vetëm se e percepton arritjen e tij përmes metodave jo të dhunshme. Skema me të cilën ai e interpreton realitetin indian është ekskluzivisht kristiano-eruopiane. Pra Las Casas-i, me gjithë paternalizmin e tij, nuk i njeh indianët, thjeshtë i do: ai mbetet në rrafshin emocional.
Kurse indianët, përveçse prezantohen përmes leximit të burimeve spanjolle, shfaqin një hendek komunikimi me njerëzit, edhe pse i kanalizojnë energjitë e tyre në komunikimin me botën, me trashendenten. Ata e përdorin shumë pak fjalën, madje, sipas kronistëve të cituar nga Todorov-i, fjala konsiderohej prerogativë femërore, ndërsa burrat flasin me armë. Me sa duket, mungesa e komunikimit – dhe, kuptohet, e njohjes – solli zhdukjen e “Perandorisë” Asteke nga një grusht ushtarësh spanjollë. Indianët janë Tjetri që shpërbëhet nga konkuistadorët, por janë edhe një Vetja kur Todorov-i vendos ta analizojë botën nga këndvështrimi i tyre.
Todorov-i alternon fazat dhe mënyrat e raportimin me Tjetrin për ta mbyllur librin me një profeci të Las Casas-it, i cili gati-gati e mallkon Spanjën për mizoritë e kryera në Amerikë. Te ky pasazh Todorov-i zëvendëson Spanjën me Europën dhe sjell në vëmendje përpjekjet e saj për bërë «që të zhduket tjetërsia e jashtme». A nuk është imponim emërtimi i amerikanëve si ‘indianë’, kur India ndodhet në pjesën tjetër të globit?
Kjo arritje e europianëve, sipas Todorov-it, lidhet me aftësinë e tyre për njohjen e Tjetrit dhe shembulli i Cortés-it është ilustrim i mjaftueshëm. Sigurisht që autori e kundërshton superioritetin e shfaqur nga personazhi Cortés, sepse slogani i tij është «të jetosh dallimin brenda barazisë».
‘Të tjerët jetojnë në ne dhe ne jetojmë në ata’ është njëherësh paradigmë dhe titull i njërës prej përmbledhjeve të fundit të Todorov-i, që e sintetizon në një farë mënyrë librin i cili sapo ka dalë në tregun shqiptar:
Mund të thuhet […] se jeta njerëzore ndryhet mes dy skajeve, atij kur un-i pushton botën dhe atij kur bota e tret un-in […]. Dhe meqë zbulimi i tjetrit njeh shumë shkallë, qysh nga tjetri i parë si objekt, i shkrirë më botën rretheqark, e deri tek tjetri si subjekt, i barabartë me un-in, por i ndryshëm nga ai, me një pafundësi ngjyresash të ndërmjetme, mund ta kalosh gjithë jetën pa arritur kurrë tek zbulimi i plotë i tjetrit.
Parimisht, sipas Todorov-it, njohja e Vetes kalon përmes zbulimit të Tjetrit, që ndodhet jashtë por edhe brenda Vetes. Ai ofrohet të ilustrojë fenomenin e konkuistadorëve në mënyrë që ne të kuptojnë/njohim nëse jemi imitues të tyre në sjelljen tonë ndaj Tjetrit dhe sa jemi në gjendje të zbulojmë Tjetrin te Vetja.
Mendoj që libri i shërben klimës së ligjërimit shqiptar për dy arsye thelbësore. Së pari, mënyra e përdorimit të narrativës historike nga Todorov-i është në vetvete model analitik për të shkuarën dhe leksion për atë lloj qasjeje që nuk shkëputet dot nga imponimi i gjykimeve të parafabrikuara. Së dyti, akoma më e rëndësishme, autori mënjanon kategorikisht hierarkinë e vlerave të ngritur mbi përdorimin e shkallës krahasuese të mbiemrit: përfundimi se ‘kjo kulturë është më e mirë se ajo’ nuk gjen hapësirë në analizën e Todorov-it. Libri e shfaq më së miri këtë qasje të Todorov-it edhe kur nuk duket e pamundur mundësia për t’i gjykuar indianët si inferiorë nisur nga njësia matëse e vlerave dhe rezultati i impaktit me spanjollët. Një shoqëri që jeton me hierarki nuk i shpëton dot pozitës së denigruesit të Tjetrit ose/dhe të nënshtruarit kur Tjetrin e konsideron dominues. Dhe nënvizoj që Todorov-i e ndërlidh Veten me Tjetrin. Interesi rritet nëse mendohet që aktorët e ofruar nga Todorovi-t ndërveprojnë në shek. XV-XVI.
Vepra e Todorov-it meriton vëmendje të veçantë në tërësinë e saj edhe thjeshtë për dilemat identitare të shprehura nga autori në mjaft ese. Përgjithësisht deri më sot është njohur në shqip falë botimeve në Kosovë, ku edhe ato pak prurje janë të përqendruara në prodhimtarinë e tij kritiko-letrare. Tani më në fund vjen në shqip vepra më e rëndësishme, mbi të cilën është ngritur mendimi i tij filozofik. Lexuesi do të mund ta shijojë këtë punim falë edhe rrjedhshmërisë së fjalive dhe finesës së leksikut, të cilat janë natyrisht rezultat i përkushtimit të përkthyesit Primo Shllaku.