2.xh
Sa herë që bie fjala për “kombin kosovar” – si projekt ose edhe si realitet – kombëtaristët shqiptarë reagojnë me zjarr, duke shpjeguar se diçka e tillë ose nuk ekziston, ose do të sillte përçarje të kombit shqiptar ose të idesë kombëtare.
Në fakt, edhe Fjalori i Shqipes së Sotme (2006), e përkufizon kombin si “bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht, në bazë të bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit psikik, që shprehet në bashkësinë e kulturës”; çka do t’i përfshinte shqiptarët e Kosovës brenda kombit shqiptar.
Nga ana tjetër, ata autorë që flasin për “komb kosovar” u referohen, mes të tjerash, thënieve dhe deklaratave të liderëve politikë të cilët dhanë ndihmesën vendimtare për çlirimin e Kosovës nga zgjedhja serbe dhe shpalljen e pavarësisë së këtij shteti; dhe në përgjithësi atij diskursi politologjik që u koagulua rreth zhvillimeve politike në Jugosllavinë e pas-1990-ës.
Nexhmedin Spahiu, i cili ka shkruar shpesh për këtë punë, shpjegon në një artikull te MAPO se ai përkufizim që e lidh kombin me etninë është kapërcyer tashmë; dhe se pranimi i “kombit kosovar” është implicit në planin e Ahtisaarit dhe në përpjekjet për ta njohur shtetin e Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare.
Ai vëren edhe se, kur Kosova shpalli pavarësinë, ishin Tony Blair dhe Hillary Clinton që, gjatë vizitave të tyre atje, i dëshiruan “jetë të gjatë kombit kosovar.”
Nuk pretendoj t’i jap dum këtij problemi të koklavitur me një shkrim të shkurtër; por vetëm dua të vë në dukje se koncepti i kombit ka edhe ai vetë karakter kombëtar, duke ndryshuar nga gjuha në gjuhë; dhe sidomos se në anglishte – gjuhë të cilën e flasin Blair dhe Clinton –nation përdoret rëndom për të shënjuar shtetin sovran.
Kështu, edhe United Nations është përkthyer në shqip si Kombet e Bashkuara; pa çka se bëhet fjalë për një organizatë shtetesh, jo kombesh në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
Kur presidenti i ShBA George W. Bush deklaroi, më 19 shkurt 2008, se “soon we will establish full diplomatic relations with the new nation of Kosovo” ai i referohej, pa dyshim, shtetit të sapothemeluar, jo kombit të Kosovës.
Një kërkim i thjeshtë, në Google, për the new nation of Kosovo, jep rreth 10,600 hite; të cilat pas gjase të gjitha i referohen shtetit të ri kosovar.
Spahiu natyrisht e di këtë, prandaj thekson – që në hyrje të artikullit të lartcituar – se është “gabim i madh” që fjala nation, në dokumente dhe tekste të anglishtes, të përkthehet si “shtet.”
Mirëpo këtu nuk është fjala të shpiken gabime në përkthime; por thjesht të përcaktohet nëse përkthimet reflektojnë gjuhën shqipe si realitet, apo dëshirat e përkthyesve individualë, me ose pa axhendë politike.
Në shqipen e sotme, anglishtja nation mund të përkthehet, sipas rastit, “komb” ose “shtet”: në varësi të kontekstit.
Kështu, Neni 4.1 i Kartës së Kombeve të Bashkuara lexon:
Membership in the United Nations is open to all other peace-loving states which accept the obligations contained in the present Charter and, in the judgment of the Organization, are able and willing to carry out these obligations.
Çka dëshmon se, sidoqë organizata në fjalë quhet Kombet e Bashkuara, pjesëtarët e saj janë shtete (states).
Në shqipe ne United Nations e kemi përkthyer vërtet si “Kombet e bashkuara”, por kjo nuk na detyron gjë që të vëmë shenjën e barazimit midis shtetit dhe kombit, si dy realitete të ndryshme, edhe në histori edhe në bashkëkohësi.
Për të njëjtën arsye, kur dëgjon të thuhet, në anglishte, “a Belgian national of Moroccan descent”, nuk bëhet fjalë për dikë që i përket kombit belg, një entitet i diskutueshëm; por thjesht për një nënshtetas të Mbretërisë së Belgjikës.
Po ashtu, an Albanian national është dikush që zotëron një pasaportë të Republikës së Shqipërisë, jo një pjesëtar i kombit shqiptar (mund të jetë minoritar nga Dropulli, bie fjala).
Në botën frankofone, prej nga shqipja ka marrë shumë koncepte të dijes humane bashkë me emrat përkatës, dallohen dy kuptime të fjalës nation: i pari rrjedh nga filozofia gjermane e fillimshekullit XIX, dhe që e përkufizon kombin si një bashkësi njerëzore të themeluar mbi gjuhën, fenë, kulturën, historinë dhe origjinën etnike; ndërsa i dyti, që rrjedh nga idetë e Revolucionit francez dhe filozofia frënge e shekullit XVIII (iluminizmi) dhe që e sheh kombin si një bashkësi njerëzore të themeluar mbi vullnetin “për të jetuar së bashku”.
Nëse është kështu, atëherë koncepti i kombit lidhet me identitetin e pjesëtarëve të tij; ndërsa ai i shtetit me organizimin e tyre politik.
Çfarë erdhi si e re, në gjeografinë politike të Ballkanit të vitit 2008, nuk ishte gjë kombi kosovar, në kuptimin që i jep shqipja kësaj fjale; por shteti kosovar, si shtet i pavarur, me pjesën më të madhe të qytetarëve të vet që i përkasin kombit shqiptar.
Që Kosova quhet nation në anglishte, kjo nuk i bën kosovarët komb në shqipe, pavarësisht se ç’thotë Nexhmedin Spahiu; meqë anglishten ende nuk e kemi pranuar si kushtetutë semantike të koncepteve politike mes shqiptarësh.