FoxyLady News
Gazeta Koha Ditore na tërhoqi vëmendjen me një artikull mbi shtatlartësinë e Skënderbeut, të përcjellë zinxhir nga një sërë mediash në Shqipëri dhe Kosovë. Megjithëse hipoteza e raportuar prej saj është botuar që në 1971 dhe është ritrajtuar në një sërë artikujsh prej historianit Kristo Frashëri, gazeta e paraqet lajmin si një zbulim. Aspekti qesharak i temës dhe pasaktësia e përllogaritjes dhe mënyrës së nxjerrjes së përfundimit, e bëjnë situatën groteske. Më tepër se gjatësia e heroit u zbulua injoranca. Por, sidoqoftë, të keqen e Skënderbeut dy metrosh, kur lexon në arkivat e gazetës raportimin e lajmit mbi zbulimin e të ashtuquajturave ‘piramida të Bosnjës’. Fillimisht shkruhej se:
Një zbulim i fundit ka nxjerrë në pah se piramida më e vjetër në botë e gjetur deri tashti është ngritur në Bosnjë dhe është ndërtuar nga ilirët. […] Së pari është më e larta dhe më e madhja në botë, por edhe më e lashtë se piramidat e Egjiptit. Së dyti, sepse kjo piramidë është ndërtuar nga ilirët dhe baza materiale e përdorur ka qenë beton, duke demonstruar se 12 350 vjet më parë, kur
është ndërtuar kjo piramidë, civilizimi ilir ka qenë dukshëm më i përparuar se qytetërimet e tjera. […] qytetërimi ilir, që kuptohet qartësisht se ka qenë shumë më i avancuar se ç’jemi ne sot.
Dy vite më vonë, ndryshon përmbajtja por jo ena:
Piramidat e zbuluara në Bonjë, të cilat për shekuj me radhë mbaheshin sekretë nga shërbimet jugosllave dëshmojnë se ilirët janë civilizimi më i lashtë në botë. […] Në rrafshin mbi piramidë, në një radius katër metrash e gjysmë, është matur rrezatimi elektromagnetik 28 killohercash, një dukuri e panatyrshme dhe njerëzimi ende nuk e shfrytëzon në teknologji, transmeton ina lajmet. […] Të gjitha testimet kanë treguar se ato materiale janë të vjetra rreth 38 mijë vjet”, pohon Osmanagiqi. […] Ne kemi analizuar në gjashtë institute për materiale të cilët kanë konstatuar se ky është një material artificial tre herë më cilësor se ai i shekullit 21.
Po përpiqemi ta përmbledhim. Pra, janë zbuluar disa piramida në Bosnje, të ndërtuara nga ilirët, një herë 12.350 vite më përpara e një herë 38.000 vite, të cilët ndërkohë kishin shpikur tullën prej betoni. Ilirët rezultojnë qytetërimi më i hershëm në botë, më i përparuari i kohës, por edhe i ditëve tona, ngaqë materiali i përdorur prej tyre është “tre herë më cilësor se ai i shekullit 21” dhe njerëzimi ende nuk e njeh “dukurinë e panatyrshme” të “rrezatimit elektromagnetik 28 killoherc”. Gjithashtu, raportohet se këtë madhështi ilire e ka fshehur shërbimi sekret jugosllav, për shekuj.
Me sa duket kemi të bëjmë me Ilirë të tjerë nga ata që njeh bota, sepse këta i paraprijnë Krishtit me rreth 10.350 dhe 36.000 vite, kurse stërgjyshërit tanë – nëse nuk kanë mbirë nga dheu – me sforcime pranohet se kanë ardhur në Ballkan nga fundi i mijëvjeçarit të dytë para fillesave të kalendarit Gregorian. Mbetet pastaj mister nëse pellazgu i këtyre i ilirëve të jetë direkt majmuni i Darwinit. Se ku u fshehën ilirët për 34 mije vite as që e pyet veten gazeta. Mbase kanë hyrë në piramidë, meqenëse ishte aq e madhe.
Interesant është ky materiali ‘edhe tullë edhe beton’, që të kujton të famshmen patate, ndërkohë që mjafton konsultimi i një fjalori të gjuhës shqipe për të mos i njësuar: ose tullë ose një material ndërtimi prej betoni me çfarëdo emri tjetër. Zbulim në vetvete është shpikja e betonit 36.000 vite para Krishtit. Doli edhe betoni ilir.
I thjeshtuar, betoni është përzierje e zhavorrit me çimento e ujë, që nuk mund të ekzistojë përpara shek. XVIII, ndërsa llaçi me ngjitës gëlqeror e materiale inerte të vogla (plus ujë) njihej maksimumi në Egjiptin e mijëvjeçarit të III para K. Por ja që sipas gazetës paskan kaluar 35-38 mijë vite harresë të kësaj shpikjeje dhe madje akoma nuk përdoret, sepse betoni i sotëm vazhdon të jetë 300{27a26d44c9c795719c11a40db985c5750e2ed32f08477077955f29848ab5c8fa} më pak cilësor.
Akoma më interesant është pohimi se shërbimet sekrete jugosllave kanë ekzistuar me shekuj, ndërkohë që Jugosllavia është arnuar nga rrënojat e Luftës së Parë Botërore, pra akoma nuk ka kaluar një shekull nga themelimi i saj.
E rëndësishme për Kohën është të spërkaten dy artikujt me superioritetin ilir, në këtë garë komike të inferiorizimit të Tjetrit, sikur gjoja po i shërben shqiptarizmit, kombit, atdheut, identitetit, por me këto ritme feja e shqiptarit do të jetë padyshim marrëzia dhe sigurisht është mënyra më e lirë për ta dërrmuar nacionalizmin, e jo më kot vëllai i Flakës është sponsorizuar shumë herët nga Sorrosi, që vetëm nacionalizëm nuk prodhon. E tepërt të thuhet që këtu informimi është varrosur një herë e mirë.