pb
Vrasja e katër personave në Kryeqytet nuk trondit dhe madje duket se nuk shqetëson aspak kaosin shqiptar. Përbën lajm vetëm implikimi i politikës sepse nuk është stina e verës, kur politikanë e qokaxhinj televizionesh shkojnë së bashku me pushime ndërsa mediat e shkruara, për të mos u tharë me vapën, plasin nëpër faqet e para lloj-lloj makabritetesh. Ky i fundit, që i tillë është, kthehet në spektakël sepse ka politikanë. Ç’thotë Rama? Po Basha? Sigurisht, ndonjë status facebook-u i Berishës është gjithmonë dekorues. Dhe shfaqja vijon në mënyrën më neveritëse të mundshme. Nga njëra anë opozita gjen pretekstin e radhës për sulm. Basha mësohet të ketë thënë se:
Fëmijë pushtetarësh lëvizin të armatosur pa frikën e policisë që merret me gjithçka përveç rendit dhe sigurisë. Rama, i ka hapur luftë çdo qytetari të këtij vendi por jo kriminelëve që ai vetë i ka promovuar në parlament, në administratë dhe kudo. Apeli i PD të cilit i janë bashkuar sot të gjithë qytetarët është pastrimi i parlamentit, politikës dhe administratës nga krimi dhe lidhjet e tij.
Strazimiri është si përherë i përpiktë:
Autori i dyshuar, djali i deputetes Xhuvani, i ndaluar nga Policia, është jo vetëm një vrasës serial, i pandëshkuar, por dukshëm me imunitet politik gjë që është shfaqur hapur edhe në televizionet tona. Autori i dyshuar, djali i deputetes Xhuvani, ka mbështetjen e Policisë, pasi ishte një nga persant që i shpëtoi aksionit të Lazaratit dhe u transportua me mjete ushtarake në Tiranë e u soll në oborrin e parlamentit për t’ia treguar edhe kamerave.
Berisha shkon më tej:
Por duke përdorur imunitetin parlamentar të nënës se tij, lidhjet e saj politike me kupolën e PS dhe Edi Ramën, I. Ramën dhe B. Topin, vrasësi nuk vuajti as dhe një vit dënim. Pas lirimit ai vendosi selinë në zonën elektorale të deputetes Xhuvani, bënte ligjin në këtë zonë dhe në ato përreth dhe ishte financues i PS dhe kryesor në drogën në Lazarat.
Perse nuk u zgjuan më herët xhanëm? K. Xhuvani doli i larë nga e njëjta drejtësi që e varrosi 21 janarin, që prasët e zënë Ilirit na i futi për suposta fallso, aq sa LSI-ja u bë feja kryesore në vend. Tani nuk vlejnë tonet ushtarake, kërkesat për revolucion me parrulla romantike, akuzat e dala nga filmi La piovra. Aty i kanë pasur fëmijët e politikës. Po fundja, prej s’mbahet mend ia kanë hapur dyert llumit për në Parlament.
Nga ana tjetër, ngaqë ndeshja është e sikletshme, luhet me emocionet: L. Xhuvani e veshur me të zeza; Rama e përqafon teksa na kujton kontributet artistike të familjes dhe bën më shumë rolin e edukatorit. Pastaj, nga viktimë ish-deputetja shndërrohet në heroinë dhe model politik e gati gati edhe familjar, pasi fundja “Kostandini është burrë”, pohon Kryeministri, e duke qenë kështu s’ka përse të fajësohet familja.
E nëse mesazhi i tërheqjes së Luiza Xhuvanit nga angazhimi politik, duhet t’i vlejë politikanëve si mësim shembullor dhe politikës, si pikë kthese në raport me etikën e aktivistëve të saj, ai duhet t’u vlejë gjykatësve si një dëshmi domethënëse për çfarë ka ndryshuar në Shqipëri në marrëdhëniet mes shumicës qeverisëse dhe gjykatave të këtij vendi.
Gjatë fjalimit Rama i kujtoi shqiptarëve 21 janarin, shkaktarin e të cilit e ka tashmë aleat kryesor; i kujtoi disa ngjarje që vetëm me vrasjen e fundit nuk lidhen, dhe e mbylli me medaljen heroike akorduar deputetes heroinë. Pra: “Ja se kush jemi ne”! Mungon edhe ndonjë kryebashkiak rilindës t’a shpallë qytetare nderi dhe tabloja plotësohet. Kjo po që është aftësi aktrimi.
Për gjithë këtë shpërthim moraliteti Rama nuk duhej të priste që djali i deputetes të vriste përsëri. Nëqoftëse Xhuvani largohet si nëna e një personi të akuzuar për vrasje, për të njëjtën karrierë nuk duhej kandiduar më. Pastaj është kollaj ta largosh Xhuavnin, se fundja nuk hyn në rrethin e të fortëve të Partisë, ata që duke u bërë deputetë kanë larë hesapet me karriera të dyshimta e nganjëherë qartësisht kriminale, dhe po të duan e mbajnë peng Kryeministrin me festa ditëlindjesh. Xhuvani ishte zgjedhur për të zbutur imazhin e këtij soji në aleancën anti-Berisha. Largimi i saj është përsëri manovër imazhi, madje mjaft komode. Shembujt Rama t’i bëjë me atë llumin e konsoliduar, që i ka dhënë Parlamentit tiparet e një kupole me shumë nuanca. Kostandini është produkt pikërisht i kësaj klime. Dhe qytetarët këtë presin.