A prodhojmë mendim?
21 Janari, datë emblematike e absurdit shqiptar, më ka mbajtur pezull e si në gjemba me një pyetje të thjeshtë në dukje. Për çfarë arsye shkruajmë? Ku është thelbi i protestës së mendimeve tona? Ato që u serviren të tjerëve, janë si fotografitë e celularit, që bëhen me “tonelata”. Pakush kthehet për t’i parë të tijat. Por ama të gjitha, ose më të mirat u serviren të tjerëve në rrjetet sociale. Të këtilla janë edhe ambicjet tona, aspiratat tona, vetëdija jonë banale. Sepse ky mbetet kusuri i kapacitetit tonë. Gjej tek populli ynë, një masë trembëse shkruesish dhe një masë qesharake lexuesish. Si ta kuptojmë këtë?! Nuk kam asnjë synim të bëj moral në këtë pikë. Në shumë nivele morali i kësaj natyre dhe i shumë të tjerave më duket shumë vulgar. Dua shumë thjesht t’u përcjell këtë mesazh atyre që pandeh se e kuptojnë: Kur nuk denjon të lexosh vetë, pse pretendon që të tjerët të denjojnë të lexojnë ato çka t’i shkruan?!
Kushdo që shkruan cilësisht, kam përshtypjen se nuk e ka prioritet suksesin se sa ngurtësimin dhe lëndësimin e ideve dhe bindjeve që i përvallen në kokë dhe në kraharor gjatë muzës. Persona të kësaj natyre as që nuk kanë dëshirë të vetquhen ose vetshpallen shkrimtarë, poetë, gazetarë, publicistë, filozofë, mendimtarë, antropologë etj. Modestia është anonimati i tyre i tejzgjatur dhe virtyti i tyre mbetet të jetë trajtesa e fjalës. Individët me cilësitë në fjalë, janë vëzhdues, analizues dhe shtjellues të pakursyer të realitetit ose realiteteve që i shfletohen vërdallë, siç na shfletohen ne para syve veprat e tyre.
Sa i takon atyre që shkruajnë në njëfarë mënyre për tellallizëm, në të kundërt, i vetmi etalon që u hyn gjithnjë në punë është suksesi i “veprës” së tyre. Pa këtë sukses puna e tyre edhe e shkëlqyer qoftë, në sy të tyre nuk bën dy para. Në të anasjelltë me të parët, këta (të dytët) peshkojnë për atribute dhe tituj. Sa më shumë tituj përpara emrit aq më mirë. Vetkënaqësia është kalbja vizuale dhe virtuale e kinse shkrimtarëve, poetëve dhe filozofëve me cilësitë në fjalë. Preferojnë pozitën si konstante absolute dhe influencën si mashë që mbron duart e tyre nga djegia. Gjuha e tyre shterpëzon me shterpësinë e saj, duke qenë një gjuhë pazari. Në shërbim të parave që sikletshëm priten për tu shfletuar gjatë ngazëllimit të numërimit.
I rikthehem pyetjes. A krijohet mendim? Pra a thellohen këta njerëz, kjo masë e madhe adulte e shoqërisë shqiptare dhe mbi të gjitha kush është arsyeja dhe objekti i mendimit të tyre?
Ngjan si pyetje me një orientim tangent shkencor, por nuk është korrektësisht ashtu. Kujtoj se barikadë mes njeriut dhe shtazës është një dymijëmijëvjeçar evoluim mendimi, sipas teologjisë. Edhe më shumë se 2 mijë, sipas ateologjisë.
Sot në shekullin e Teslës, mundësitë janë të panumërta për të shkëlqyer, për tu dalluar, për të evoluar me anë të shkëmbimit në rrjet të mendimeve, ideve, qëndrimeve dhe bindjeve. Konkretisht çfarë ndodh?! Një shkëmbim i paarsye imazhesh dhe videosh vulgare dhe turbulluese, në kërkim të partnerizimit dhe ndërzimit. Si bagëtitë që përmbushin një sërë obiektivash shtazorë, në fund të ndërzimit, secili celularin e vet dhe le të vazhdojë lundrimi i pakuptimtë në rrjet! Lundrim në trafik nonsensesh në vajtje dhe ardhje. Një tmerr kurvërie dhe epshndjellësie kurorzon tutje-tëhunë e mendimit panshqiptar.
Mi thartojnë sytë publicistika qokaxhie e shpurës televizive, radiofonike dhe gazetareske e opinionndërtuesve. Krijojnë kakofoni dhe tërheqin vëmendje me anë të bëmave të të tjerëve. Ky është konteksti, përbërja, brumi i kujtdo që nuk krijon, nuk sjell dot në jetë diçka të re, të tijën nga fillimi në fund. Këmbëngulje kryeneçe në sofizmin e bëmave të të tjerëve. Kush merret me bëmat e personazheve të famshëm, korr sukses apriori, për punën e shkëlqyer, ose korr një shuk të hollash, për mospublikim dhe heshtje.
Ky është bërë qëllimi i vërtetë i gazetarisë, si profesion në masë të gjerë i paguar pak. Shantazhimi dhe makinacioni “nën rrogoz”. Qëllimi?! Çfarë tjetër përpos parasë dhe asaj që paraja mund të blejë duke defekuar deri në thelb të unit kuptimor.
Një mendje mund të thotë: “Të këtillë ka e gjithë bota.”
Më vjen të përgjigjem se bota të ofron ty mundësinë e pafundësisë dhe të pananësisë, po aq sa të ofron mundësinë e guhakësisë së herëpashershme. Në mënyrë që ti të informohesh për t’ia përmirësuar jetën vetes, ose të rrish 2 orë në kafene me 5 miq nga të tutë, pa shkëmbyer asnjë fjalë. Gjithsecili karshi tjetrit në pakuptimësi të plotë, me sytë e pashqitshëm nga monitori i celularit.
Kujt i vlen konkretisht kjo guhakësi masive dhe apati potenciale në rritje?
Në filozofinë politike, për të shpallur juridikisht fituesin në një konflikt me shumë viktima, nga të dyja palët, shërben një term shumë interesant: “Epërsia morale”. Sipas mendimit tim, një pjesë e mprehtë e popullatës, në veçanti “shfletuesit” po edhe tinzarët dhe ambiciozët, gëzojnë apriori (për 1001 arsye) këtë epërsi morale, për të luajtur në prapaskenën e shfrytëzimit të mundësive dhe përvetësimin e privilegjeve. Moralisht këta janë fitues. Pasi ti ishe aty, mund të kishe bërë diçka. Por nuk e kishe mendjen! Sa keq!
Në vendin tonë ke të bësh me diapazone të përçudnuar vetëdijeje. Njerëz të kushtëzuar shpirtërisht dhe fizikisht. Konfliktohen herë pas here edhe me të afërm dhe familjarë. Të fshehur pas gardheve të lartë që rrethojnë shtëpitë e tyre. Paranoik dhe jo tolerant. Rrjedhimisht të dhunshëm. Nuk dinë çfarë duan, përveç parasë që është karremi kombëtar i lumturisë.
Institucionalizimi i objektivave shtazore
Ky karem i lumturisë, sundon pa kurrfarë shqetësimi kudo. Përjashto disa shtojca të “vogla”, si familja, nderi etj. që më së shumti e tradhëtojnë nënshtimin tërësor të individit karshi qëllimit të tij makiavelist. Megjithatë, sa i takon këtyre shtojcave të “vogla”, jam paksa skeptik, pasi kam mësuar se çfarë ndodh në raste të caktuara në familjet shqiptare, për disa para më shumë. Të gjithë, nga më i madhi tek më i vogli, i kanë rënë një herë lapsit në mardhëniet koniugale. Madje sa më “i madh” të jesh aq më shumë i bie lapsit. Të ngjashme me këto kemi rastet anormale, kur mardhëniet mes vllezërish, janë prishur për hir të pronave. Tregtia, matrapazllëku për më saktë, tradita shqiptare! E njëjta përshtypje edhe sa i takon nderit. Për shembull, kam mësuar se tani gjaqet lahen me jo më shumë se 20 mijë euro…
Këto janë dukuri që krijojnë shumë pështjellim dhe ne u bëjmë larg sa të mundim. Sidomos publikisht. Këto të vërteta ne na pëlqen tua gjykojmë vetëm të tjerëve. Por e vërteta është se gjithsecilit i duhet shumë luftë, për t’i bërë rezistencën e duhur gjunjëzuesit të madh. Pasi i njëjti karem, ndoshta vlen edhe për lumturinë tonë. Në këtë pikë pra, jemi një shoqëri kompakte dhe sa i takon mobilizimit karshi karemit, ai është një mobilizim i njëtrajtshëm dhe tejet solid. Njëtrajtësisht lypim.
Lypim sepse e vendosim veten në pozitën e dikujt që nuk meriton asgjë. Ose për më saktë nuk denjojmë të perpiqemi për të merituar diçka.
Institucionalizimi i objektivave shtazorë, “Ha, pi, ..i, rri” i ka themelet e hershme në sistemin arsimor që aplikohet në vendin tonë. Ky i fundit na merr për dore që kolopuçë e deri sa martohemi brenda tij. (Vlen për një kategori të gjerë.) S’e kuptojmë se ajo shkollë që kemi ndjekur këmba këmbës me eufori prej të marri, deri në pjekuri të viteve, nuk na dedikohet ne, apo dijes, shkencës, formimit, por vetëm parave tona. Sa herë që të krijohet iluzioni dhe fantazia se ja hodhe një pedagogu debil, kij parasysh 5-ën e tij me bojë blu, e blerë nga 5-a jote me ngjyrë lejla. Bjeri lapsit dhe përpiqu edhe një herë të kuptosh se kush është i barabartë e më debil. Ai që luan me ty, apo ti që luan me veten tënde?!
Skandalet e pasaktësive të vogla, vit pas viti, janë bërë një, për të formuar pazëllin e madh të një individi gjysmak. Ato të shoqërojnë një jetë të tërë. Tek e fundit nuk janë më të zotët ata që e mbajnë vendin e punës, por qëndrimi servilosës. Ndaj dhe bisneset shqiptare dhe administrata, nuk shquhen për individë novatorë, por vetëm për qokaxhinj të shefave. Këta të fundit në anën tjetër lodrojnë rolin e agallarëve poliedrik, të gjithditur, të gjithnjohur, të gjithndritur, të gjithpushtetshëm, por të heshtur, për hir të moskompetencës së tyre reale në thuajse asgjë dhe për hir të elokuencës së tyre butaforike.
Sahanlëpirësit më tipik, janë disa tipa të kollarisur, që kanë një tangërllëk të lodhur prej ushtari provincial. Kanë uzurpuar në disa pozicione, ku kihet dy gjëra më shumë në dorë. Dhe çfarë bëjnë me përgjegjësitë e tyre ekstra?! U vërsulin vartëseve epshin e tyre rondokop, pa e ditur as vetë arsyen konkrete. Ndoshta ndjekin stereotipin, “Shef-Nënpunëse” trend qesharak prej dekadash.
Normalisht nëse dikush bën një “Juridik” të bekuar, dy parime më shumë se të tjerët i ka. Dreqi ta marrë! Dy norma më shume se të tjerët, përvetësohen si detyrim karshi atyre viteve, kur si anëtar i partisë tu dha mundesia të prekësh libra me dorë.
Duhet një arbitraritet në shumë fusha të jetës, për hir të po kësaj jete. Diçka e llojit “Ky individ vlen, ky tjetri nuk vlen.” Faji i mbetet atyre që kanë për detyrë formimin akademik të individit. Ata që e kanë këtë detyrë, vijojnë me mendësinë e turbullt”…përzgjedhjen e bën tregu i punës”. Prodhojnë fiktivisht “profesionistë” të një kalibri sipëror, si mjekë, juristë, inxhinierë, arkitektë etj. Por në mos diku, diku tjetër ajo e ngratë diplomë, do ta bëjë punën e sajë.
Pse më pëlqen rinia e dikurshme? Sepse i kishte dy pare mend në kokë. Të motivuar nga prindër të përgjegjshëm, që u thoshin fëmijëve të tyre: “…po të kesh mendje për shkollë, shkollohu, përndryshe rrëmbe kazmën…” Ndërsa tani… Po e jetojmë dita-ditës. Rrimë urtë dhe lëpijmë ku të mundim. Ndërkaq të tjerë breza përcillen nga ky institucion gjysmak i objektivave minimale shtazore. Ky i fundit askund nuk shpie ujë, përveç burimit të atyre që këtë milet e duan sa më të nënshtruar. Sa më të shtypur. Që të mos bëj “gëk” me gojë edhe kur i merret jeta. Por të rrijë duke luajtur në kompjutër ose telefon ndërsa vitet përcillen në boshllëk totalitar. Si gjatë monizmit, kur shumkush hiqte dorë nga shkolla e lartë, prej frikës së një emërimi në fund të botës.
Normalisht që të vjen keq, sepse “peshqit e mëdhej” përgatisin shesh, që të bëjnë edhe në të ardhmen përshesh.
Në këtë botë që rrotullohet kaq shpejt për hapat tanë, duke mos lënë kuptim për pothuajse asgjë, mendoj se, më shumë se kushdo dhe gjithçka ka rëndësi një logjikë e shëndoshë dhe disa miq që të duan pa kushte. Meqë sipas të gjitha gjasave, lumturia është qëllimi i thjeshtë i jetës njerëzore, mendoj se rruga më e shkurtër për tek ajo është dashuria e vërtetë. Diçka që “karemi kombëtar i lumturisë”, nuk mund ta blejë dot.