Duke shfletuar Mosmarrëveshjen (botimi II) e Ismail Kadaresë përshtypja e parë është amalgama e ngjarjeve historike dhe e fenomeneve sociale të shtrira nga Mesjeta deri te konferencat shkencore me tematikë historiografike, të përshkuara dendur me stilin që gërsheton penën e artistit dhe ideal-tipin e historianit shqiptar, i cili natyrisht lundron njëherazi në të gjitha epokat historike. Megjithatë, Kadare, i veçantë siç është në fushën e tij, kërkon të shkëlqejë jo vetëm në historiografi, por edhe në disiplina të tjera, të cilave u qaset me po aq vetëbesim shkencor. Mes tyre mund të dallohet gjuhësia, mbase për familjaritetin e shkrimtarit me fjalën, ku ndër të tjera kultivon etimologjinë:
“Duke përfituar, siç ndodhte shpesh, nga mosshpjegimi etimologjik i fjalës, “gjuhëtarë e këmbëzbathur” shqiptarë […], ose historianë të tipit Nathalie Clayer, kanë dashur ta shpjegojnë zanafillën e fjalës “komb” nga arabishtja kavm (tribu). Përveçse cinik, shpjegimi është grotesk. Për rilindësit shqiptarë, të shquar si pastrues të gjuhës shqipe nga fjalët e huaja, një xanxë disa herë e kthyer në mani, për të mos thënë në prirje raciste, sidomos ndaj gjuhëve turke e arabe, nuk do të përfytyrohej kurrë se më të shenjtën fjalë për ta, kombin, ta huazonin pikërisht nga arabishtja. Pa folur pastaj për cilësimin përçmues “tribu”, i cili, në këtë rast, përmes fjalës, i kalonte kombit shqiptar.
Fjala “komb”, me zanafillën baritore […], në kuptimin e parë do të thoshte nyje, thurje. Me sa duket, këtej e kishin nxjerrë rilindësit. Me të njëjtin kuptim baritor fjala gjendej në greqishten e pakultivuar, (kombos), pra kurrsesi me kuptimin e kombit (ethnos). Nga përkimi me fjalën latine combinatio (nyjëtim, ndërthurje, kombinim), ka gjasë që fjala të ketë zanafillë të largët indoevropiane, për të tria gjuhet që u përmenden (f. 259-260)”.
Sipas Kadaresë fjala shqipe komb vjen nga greqishtja kombos, që do të thotë ‘nyje’, e cila nga ana e saj lidhet me fjalën latine combinatio, që shkrimtari e përkthen si ‘nyjëtim’ e ‘ndërthurje’. Zbulim ose jo, përmes këtij zinxhiri Kadare hedh poshtë origjinën arabe të termit komb, pasi ka nënvizuar se për rilindësit, të mllefosur ndaj idiomave turko-arabe, ishte e pakonceptueshme që termi komb të merrej nga kavm. Një arsye më tepër është fakti se fjala kavm, sipas Kadaresë, shqipërohet në ‘tribu’.
Shkrimtari kalon gradualisht në këtë konkluzion. Fillimisht i paraprin argumentimit gjuhësor-etimologjik duke e përgatitur kampin sipas dikotomisë Ne/Ata, me kufirin e pakalueshëm në mes: fjalia hapëse bart gjykimin e Tjetrit si «këmbëzbathur» – përtej nuancave metaforike –, kurse kontributi apo studimi (konkretisht i N. Clayer-it) konsiderohet si prurje e një kategorie të veçantë më shumë sesa e një personi. Është më se e qartë tendenca për ta kategorizuar të Ndryshmen me etiketa («këmbëzbathur») dhe grupe («të tipit»). Po kështu përfundon edhe argumentimi, me ndërlidhjen familjare ose të paktën kulturore të ‘greqishtes + latinishtes + shqipes’, për t’i ndarë nga Ato, arabishtja dhe turqishtja.
Modeli i leximit sipërfaqësor vërehet menjëherë në fjalinë e parë. Historianes Clayer i atribuohet një tentativë interpretimi etimologjik, megjithëse ajo e shpjegon qartazi në fusnota se e ka huazuar nga Hasan Kaleshi, nga përdorimi i termit prej Kostandin Kristoforidhit dhe se është ndihmuar nga fjalori i Johan Hahn-it. Ky i fundit madje i shqipëron termat kombe(të) dhe komp(bi) me domethënien ‘kopsë’, kurse fjalën kom (të gegërishtes) me ‘familje’, ndryshe nga etimologjia e propozuar nga Kadare (N. Clayer: 2009, f. 254). Do të kishte mjaftuar leximi i plotë i faqes, e nuk po themi i tekstit, përpara kalimit në etiketa dhe kategori. Fundja, Clayer lexon interpretimin e S. Frashërit.
Sigurisht që Hahn-i nuk është «i tipit» të Clayer-it, ndërsa Kristoforidhin e konsiderojmë si një ndër rilindësit më të shquar shqiptar. Po kështu edhe S. Frashërin, i cili në veprën Besa yahud ahde vefa (1874) shkruan se «për një kohë të gjatë kam ëndërruar të shkruaj një pjesë letrare, me qëllim që të përshkruaj disa zakone dhe tradita të Arnavud Kavmi» (G. Gawrych: 2007, f. 11). Natyrisht që rilindësit u përpoqën t’i jepnin gjuhës shqipes një karakter të sajin, sa më të diferencuar, për të krijuar pastaj identitet, siç ka ndodhur në mjaft tradita të tjera kombëtare, por as që duhet neglizhuar se shumica e tyre ishin bejlerë, pashallarë, nëpunës administrate ose thjesht persona të formuar kulturalisht nën çadrën osmane apo klerikë, qofshin këta jomyslimanë, si në rastin e Gj. Fishtës (zgjatim i Rilindjes), vepra e të cilit gëlon nga turqizmat. Clayer-i nuk bën asgjë tjetër veçse i referohet rilindësve, atyre pra që Kadare i përdor si kundër-argument me parimin përjashtues se «nuk do të përfytyrohej kurrë».
Pjesa më interesante e arsyetimit të Kadaresë është përpjekja gjuhësore, e cila nxjerr në pah mënyrën e arsyetimit: sipërfaqësore, plot kapërcimet pindarike e pasaktësi. Së pari, fjala arabe kavm nuk përkon saktësisht me ‘tribu’. Përkundrazi, ajo identifikon një grup personash që mund të numërohen edhe me gishtërinjtë e njërës dorë. Jo vetëm kaq, por kuptimi modern i termit kavm në gjuhën e origjinës përkon çuditërisht me kuptimin që ka në shqip e jo vetëm.
Së dyti, kombos ka domethënien e ‘nyjës’, por si vërtetohet që kjo fjalë u përdor për të sjellë në shqip fjalën komb? Pse rilindësit, në cilësinë e «racistëve», duhet të kishin përzemër një term grek e jo një term arab? Pse pikërisht ‘nyjën’ (kombos) e jo ‘grupin’ dhe ‘grupin me histori të përbashkët (kaum dhe el kaum)’? Meqenëse ishin aq shqiptarizues, pse nyjën në greqisht e jo nyjën në shqip?
Të paktën Clayer-i ofron një tentativë interpretimi, me disa referenca serioze, ndërsa Kadare mjaftohet me pohimin, që mbetet i vakët kur zanati, studimet dhe eksperienca e tij prekin tangjent shkencat e gjuhësisë dhe historiografisë. Kështu ai lë të supozohet se konkluzioni është thjesht fryt i ngjashmërisë (komb/komb[os]), i gërshetuar me obsesionin vetjak për të këputur lidhjet gjuhësore me një traditë 500 vjeçare, siç ka bërë masivisht me ri-shikimin e veprave të tij gjatë këtyre dy dekadave. Që ngjashmëria është argument i verbër e ilustron krahasimi i fjalës bar(i) me homologet në shqip.
Së treti, termi latin combinatio përbëhet nga parashtesa cum (me) dhe fjala bīni, e cila do të thotë ‘dy (e) nga dy’. Nisur nga kuptimi ‘nyje’, fjala (greke) kombos nuk ka asnjë lidhje me fjalën (latine) com-binatio. Për rrjedhojë, zinxhiri grupues greqisht-latinisht-shqip, që Kadare shpik, mbetet pa hallka lidhëse dhe shndërrohet në një vrimë në ujë.
Nëse një studiues/e ka mangësi në interpretim, kjo në vetvete nuk e justifikon shpikjen etimologjike dhe paragjykimet. Po ja që vetëm në mediokritetin shqiptar flladi i Nobelit në letërsi mund të bëjë mrekullinë e shndërrimit të kandidatit në kombinat shkencash. Dhe ta shesin për shkencë, e më keq akoma, për mbrojtje të miteve nga çmitizuesit.