Doan Dani
Një ndër proverbat që ngjason si urtësi e lënë përgjysmë është “mos i shiko gunën, por shikoji punën”, ku vlera e brendësisë i mbivendoset sipërfaqes ose, thënë ndryshe, dukjes, shfaqjes, aparencës, çdo gjëje që i nënshtrohet të parit nga Tjetri. Nga një këndvështrim guna është ajo çka Ne i manifestojmë shqisave të Tjetrit, pra prezantimi i statuseve, roleve, identifikimeve, identitetit, zgjedhjeve, mesazheve dhe vetëm në rastin më ekstrem i mundësive. Edhe njeriu primordial, në varësi të origjinës, në imagjinatën tonë zgjodhi për prezantim “gjethen” ose lëkurën e tij. Shoqëria e aparencës sigurisht e ekstremizon “kopertinën”, por nuk është jo-aparente shoqëria totalitare. Regjimi të cilin jetoi Shqipëria për gjysmë shekulli, pikërisht me uniformitetin e imponuar (veshje, shtëpi, ceremoni, ushqim, sjellje, mendim etj) e ngriti aparencën në skemë. E çfarë tjetër veçse “të gjithë njëlloj”? Nuk janë indiferente ndaj “kopertinës” as shoqëritë në stadet tradicionale, madje këto duken edhe më të ngurta, sepse të tillë janë identifikimet, statuset, rolet e për rrjedhojë edhe zgjedhjet, mesazhet e sjelljet.
A e komunikon guna punën ose kopertina përmbajtjen? Fundja këtu qëndron thelbi i proverbit. Në një botim të 1973, Historia e Shqipërisë për klasën e 8-të ka në kopertinë një femër (ilustrimi 1), që mishëron Shqipërinë, me kazmë dhe pushkë në dorë, sipas motos dominuese, si dhe pak më e femërizuar për sa i përket veshjes, nëse i referohemi “dekoltesë” dhe gjurit të zbuluar (gjithmonë në masë të përmbajtur), por me përmasa fizike më afër virilitetit. Frontespici (ilustrimi 2) ka katër imazhe: i pari paraqet rrënojat e antikitetit, si dëshmi e kulturës së origjinave; i treti paraqet kthesën e personifikuar nga themelimi i epokës socialiste (PK-ja); i katërti ndërtimin e saj; kurse i dyti paraqet luftën, qëndresën dhe rrënimin, e një epoke të shtrirë nga antikiteti deri në 1944. Vërehet një përputhje perfekte dhe obsesisve e imazhit (guna, kopertina) me përmbajtjen (puna). Janë imazhet mbi të cilat është ndërtuar historia shqiptare dhe vijon të portretizohet, përfshi edhe dy imazhet e enverizmit që akoma janë sot ikonografia e një turme nostalgjike. Në këtë rast kopertina i komunikon lexuesit mesazhe koncize, të thjeshta, pa pasur nevojën e thellimit të domosdoshëm të përmbajtja.
Si shembull tjetër mund të shërbejë kopertina e versionit origjinal të Orientalizmit të Edward Said-it, që mban riprodhimin e Le charmeur de serpents, një pikturë e Jean-Léon Gérome-së (ilustrimi 3), i cili është përdorur edhe në versione të tjera të librit. Gérome-ja është i famshëm për pikturat e frymëzuara nga imazhe orientale, në mënyrë të veçantë të hamameve, që ai i idealizon sipas këndvështrimit personal. Piktori francez e krijon Orientin duke e sintetizuar atë në disa imazhe ideal-tip, kryesisht përçuese të seksualitetit e sensualitetit, që Said-i i dekosntrukton mrekullisht me argumentet e tij. Imazhi i kopertinës shkrihet kështu tërësisht me përmbajtjen dhe qëllimin e librit të Said-it, çka vërehet edhe me versionin italian, pjesërisht me versionet franceze, ndërsa në shqip është preferuar një qëndrim neutral ndaj tematikës me sfond orientalist. Mesazhi i kësaj kopertine kuptohet pas leximit të librit.
Sipërfaqësimi i librit
Një pikturë e artistit Gérome, referuar ‘Banjës turke’ (ilustrimi 4), është vendosur në kopertinën e botimit në shqip të disa udhëtimeve të Evlija Çelebiut, përkthyer nga punimi i përgatitur prej Robert Elsie, i cili nga ana e tij paraqitet me kopertinë neutrale njëngjyrëshe. Në qoftë se tek Said-i imagjinata e Gérome-së gjen përputhshmëri logjike ose «perfekte», siç e cilëson Bryan Turne, te Çelebiu nuk ndërpritet, qoftë edhe tangjent, me qëllimin e autorit, për faktin e thjeshtë se ai nuk niset nga vullneti i kritikës së botëkuptimit europian të Orientit dhe nuk shkon përtej numërimit statistikor të hamameve publike e private në trevat shqiptare, tek-tuk me ndonjë gjykim kalimtar e jo më të përshkruajë brendësinë e dinamikat e tyre që, në të kundërt, i sugjeron me forcë kopertina e kolanës Intelligenda e shtëpisë botuese ‘55’, e cila, ndër të tjera, edhe titullin e monografisë së Franz Babingeri-t e ka shpërfytyruar në Mehmet Pushtuesi, duke shpërfillur origjinalin dhe kontekstin në këmbim të vullnetit për të injektuar te lexuesi një imazh specifik që në titull.
Në këtë rast kopertina është e pavarur nga përmbajtja: nga sintezë vizuale, e kritikueshme në përmbajtjen e Said-it e si e tillë e pranueshme, shndërrohet në mjet transmetimi mesazhesh stereotipizuese me sfond erotik, të cilat evidentojnë botëkuptimin e botuesve të versionit në shqip dhe jo të narrativës apo autorit në vetvete. Pra guna/kopertina nuk komunikojnë punën/përmbajtjen, e as nuk e kanë atë qëllim. Ato mbeten të lidhura në mënyrë ombelikale me konceptimin e imazhit në periudhën e regjimit enverist. Objektivi është komunikimi i mesazheve përtej përmbajtjes. Fundja aq mund të ndërhyjë botuesi i një vepre të shkruar disa shekuj më parë, gjithmonë duke e marrë të mirëqenë etikën e përkthimit.
Ka edhe një ironi të fortë, sepse kjo ndodh pasi në kopertinën e pasme shkruhet: «përshkrimet e dhëna nga Evlijai për qytetet dhe fshatrat shqiptare na zbulojnë se këto ngërthenin të gjitha elementet e një kulture islame të përpunuar hollë, nga e cila tragjikisht vetëm pak gjurmë kanë shpëtuar gjatë rrjedhave të historisë». E kur do të nevojitej ilustrimi i kësaj kulture të humbur me ndonjë imazh, “hollësia” e propozuar është një femër me ngjyrë, gjysmë e zhveshur, që i lan shpinën një tjetre, të bardhë dhe nudo, brenda një hapësire të dekoruar me çezme dhe germa arabe. Ajo çka riprodhohet nga kopertina ndikon në humbjen e mëtejshme, madje në devijimin e imagjinatës kolektive drejt një realiteti margjinal, aspak identifikues, por potencialisht përgjithësues.
Një model i tillë i përshtatet më së miri një shoqërie që edukohet nga elitat të ndalet tek sipërfaqja, që kult-ivon boshllëkun, kult-izon aparencën dhe mjaftohet me konsumimin e mesazheve vizuale, që beson se kollarja, një fytyrë e depiluar, makijazhi e ndonjë “doc.as.prof.dr.”, më shumë se mjete komunikimi janë tërësia e brendësisë. Këtu po, vlen proverbi.