Matina Stevis Dhe
Charles Forelle
Wall Street Journal
Athinë – Te një bankomat poshtë Akropolit, Angjeliqi Andreaqi shtrëngoi kartën e bankës me të dyja duart. Ajo i paguan faturat e saj me para në dorë, qiranë 330 euro dhe telefonin 39 euro duhej t’i paguante të mërkurën.
“Cipras e ka kthyer vendin në Kore të Veriut,” tha zonja Adreaqi, 83 vjeç, duke tundur kokën kur përmend kryeministrin, Aleksis Cipras. “Nuk më besohet që në këtë moshë të rri në radhë për racionin e parave.”
Ajo tërhoqi sa mundi – vetëm 60 euro – dhe shkoi menjëherë të paguante telefonin. Ajo tha se do t’i duhej të vinte pesë ditë rresht për të marrë para për qiranë.
Kjo është jeta e përditshme në Greqi, që kur ajo mbylli sistemin bankar dhe vendosi kontroll për të frenuar rrjedhjen e parave jashtë vendit.
Partia qeverisëse në Greqi vazhdoi të thotë se po u ofronte kreditorëve kompromise të reja dhe bëri thirrje për votë kundër në referendumin e të dielës. Liderët evropianë i hodhën poshtë propozimet si të pamjaftueshme dhe thanë se do të pezullonin bisedimet e mëtejshme deri pas referendumit.
Sondazhet e para në Greqi, që kur zoti Cipras bëri thirrje për referendum, tregojnë rezultate kundërshtuese, por sugjerojnë që rezultati do të jetë i ngushtë.
Ngrirja e sistemit bankar është momenti më dramatik që Greqia kalon gjatë krizës pesëvjeçare të borxhit – dhe ndoshta më kryesorja. Që prej të hënës grekët mund të tërheqin vetëm 60 euro në bankomate dhe nuk mund të nxjerrin para jashtë vendit.
Sa do të zgjasin paratë e mbetura dhe sa të shqetësuar do të jenë grekët, do të jenë faktorë të rëndësishëm në referendumin e së dielës, në lidhje me kërkesat e kreditorëve për më shumë masa shtrënguese në shkëmbim të fondeve të tjera. Sa më i fortë shtrëngimi, aq më shumë grekë do të votojnë “po” për t’u pajtuar me kreditorët, thonë analistët.
Sa për të mërkurën, sistemi bankar grek kishte një miliardë euro gjendje, sipas një personi të familjarizuar me gjendjen. Edhe me kufizimin 60 euro në ditë për tërheqje nga bankomatët, “është çështje ditësh” derisa të mbarojnë paratë, tha ky person.
Por të mërkurën shumë bankomatë në Athinë kishin radhë me njerëz në pritje të tërhiqnin racionin e tyre të përditshëm. Kriza e ka mbytur ekonominë. Tregtarët raportojnë rënie të shpenzimit. Tregtarët e shumicës nuk mund të paguajnë për furnizim. Ekuivalentët e huaj të importuesve nuk shesin.
Kompania ajrore Ryanair Holdings PLC, që bën linjat e Athinës, Selanikut dhe qyteteve të tjera greke, tha të martën se për biletat pranonte para të thata në aeroport, për shkak se klientët grekë kanë probleme në pagesat me karta bankare. Kompania e ka qendrën në Irlandë dhe pagesat elektronike jashtë vendit janë të ndaluara.
“Frika më e madhe që ka pasur komuniteti i biznesit është bërë realitet,” tha Kostandin Mihalos, presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë e Athinës.
Zoti Mihalos ka dhe një biznes ushqimor me shumicë, dhe 65 për qind e produkteve të tij importohet. Këtë javë, furnitorët e tij të huaj nuk dërgojnë më, duke e lënë me rreth 20 ditë mall në magazina. “Unë kam para të mjaftueshme në llogarinë time për të bërë import,” tha ai. “Nuk më lejohet të bëj transferim elektronik.
Fillimisht kriza e parave preku tregtarët e vegjël. Ata i kanë më të vogla mundësitë të marrin paradhënie nga furnitorët e tyre, sidomos ata që shesin produkte jo rezistencë që importohen në vazhdimësi. Kristos Gjeorgjiopulos është pronar i një supermaketi në Pllakë, lagje piktoreske e Athinës e pëlqyer nga turistët. Ai shet shampanjë dhe këmbë gaforresh ruse.
Nuk blen askush. “Nuk kam pasur asnjë klient të vetëm për dy ditë,” thotë ai të mërkurën. Ai po e mbyll dyqanin dhe thotë se nuk e di kur do ta hapë. U dha ca këmbë gaforresh punëtorëve të tij dhe mori ca për vete. “Nuk i kam paguar punëtorët dhe nuk e di kur do t’i paguaj,” shtoi ai.
Marije Palanxhian-Raksevski, drejtoreshë marketingu te Mini Raxevksy, një firmë greke me rroba për fëmijë, është varur nga reklamat në Google Inc. për të siguruar shitje nga konsumatorë në Greqi e kudo tjetër.
Të martën vonë, ajo mori një e-mail që i thoshte se karta e kreditit të korporatës, me të cilën bën pagesat për reklamat, nuk ishte pranuar. “Fushata jonë tani është zhdukur,” tha ajo.
Kush ka para të thata e kush nuk ka është diçka arbitrare. Aspasia Kurana, pensioniste 80 vjeçe, të martën bënte Pazar në një nga tregjet e hapura të shumta të fruta perimeve në Athinë.
Ajo e mori pensionin e saj prej 600 eurosh të martën e shkuar. Vajza e saj e kishte tërhequr të gjithë.
Të hënën, vajza e zonjës Kurana dhe dhëndëri nuk mund të tërhiqnin më shumë se 60 euro nga pagat e tyre në bankë. “Për ca ditë do të përdorim pensionin tim,” tha zonja Kurana. “Mund të blej dhe ca qershi për nipin tim. I do shumë.”