Unë jam mysliman amerikan
Donald Trump është një demagog që ka krijuar një mjedis për pranimin e fanatizmit kundër amerikanëve myslimanë dhe nuk është vënë hiç para përgjegjësisë nga partia e tij dhe mediet kryesore. Pretendimet e tij të rreme, si ideja qesharake që mijëra myslimanë në New Jersey festuan 11 shtatorin, janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Historia na ka mësuar se pasojat janë të mëdha nëse nuk e trajtojmë menjëherë rrezikun që ai përfaqëson dhe nëse nuk bashkohemi kundër urrejtjes. Politikat e tij të pamoralshme, të paligjshme, dhe të çuditshme – si ndalimi i myslimanëve të hyjnë në SHBA dhe ndërtimi një muri për t’i mbajtur larg – i nxit mbështetësit e tij të jenë vigjilentë karshi komuniteteve me ngjyrë, përfshi myslimanët.
Kjo është veçanërisht shqetësuese në një kohë kur po shikojmë një rritje pikiatë të krimit të urrejtjes kundër amerikanëve myslimanë dhe atyre që perceptohen të jenë myslimanë, vandalizmi kundër xhamive dhe sulmi kundër grave që veshin perçe.
Megjithatë, e dini çfarë më tremb më shumë se Donald Trump? Shumica e heshtur. Ai u ka dhënë kurajë njerëzve të shprehin hapur sjellje urrejtje dhe fanatike aq sa në disa raste ka marrë forma të dhunshme – dhe kjo është gjëja më e rrezikshme nga të gjitha.
Linda Sarsour
Unë jam grua
Të gjithë kandidatët republikanë që garojnë për president do të ishin tmerr për të drejtat e grave, por Donald Trump duket se përfiton kënaqësi të veçantë në përçmimin e grave – ose siç na quan të gjithave: llum, të dhjamosura, lopë ose kone.
Përderisa Trump-i nuk ka përvojë politike, nuk mund të flasim për qëndrimin e tij politik ndaj grave, ne kemi vetëm fjalët për orientim. Dhe ato fjalë pikturojnë një tablo shqetësuese me urrejtje të thellë për gratë.
Trump- e ka quajtur “të neveritshme” një grua që i jepte gji një fëmije, tha se mund të kishte kryer marrëdhënie me vajzën e tij, nëse nuk do të kishin pasur lidhje gjaku, e përçmoi një kundërshtar duke e quajtur “pussy” [organi gjenital femëror, në zhargon], është shkruar në revistën New York që gratë duhet t’i trajtoni si “plehra”, dhe u shpreh për një moderatore debati që u tregua e ashpër me të, se mund të kishte pasur menstruacionet. Më vonë ai e quajti të njëjtën grua “bimbo”. Ai është gjithashtu një person që ka ngacmuar një grua në avion, për përdhunimet në ushtri fajëson faktin që burra e gra shërbejnë bashkë, është kundër abortit, është akuzuar për dhunë fizike nga dy gra, dhe ka qenë pronar për një kohë të gjatë i programeve Miss Universe dhe Miss SHBA – dy nga garat më shumë seksiste. S’është nevoja të kemi sfond politik të tij për të kuptuar sa i rrezikshëm është Donald Trump-i për gratë – ai na e ka dëshmuar vazhdimisht.
Jessica Valenti
Unë jam një afrikan amerikan
Donald Trump-i është zëdhënës i nocioneve ksenofobike, raciste, të pakëndshme të turmës që e mbështet. Ai ri-tweet [publikon në adresën e tij në Tweeter] supremacistët e bardhë. Ai nuk distancohet nga KKK [Ku Klux Klan]. Raportimet e tubimeve të tij tregojnë se ai u jep leje atyre të shprehin shpirtin e tyre racist. Dhe kjo është e frikshme.
Përpjekja e medieve kabllore për të qenë të drejta dhe të balancuara i normalizon pikëpamjet e tij nativiste, dhe njerëzit i zbatojnë ato në praktikë. Javën e kaluar, një person i bardhë në Milwaukee qëlloi tre nga fqinjët e tij pasi mësoi se të paktën njëri prej tyre ishte nga Porto Riko. Dyshohet që një polic nga Ilinoi mori pjesë në goditjen me thikë të një adoleshenti arabo-amerikan në Kaliforni. Në këtë moment s’ka më rëndësi nëse Trump-i fiton apo humbet, dëmi është kryer.
Ajo përqindje amerikanësh të bardhë që mbështesin Trump-in kanë marrë kurajë. Klima që kjo krijon për ekstremizmin e amerikanëve të bardhë dhe dhuna është kërcënimi. Kandidatura e Trump-it dhe mbështetësit e tij manifestojnë supremacinë e bardhë që po lufton kundër ndryshimeve demografike në këtë vend. Nuk e di se kë kam frikë më shumë në këtë moment: mundësinë e Trump-it president, apo dhunën e etshme të turmës që i shkon pas.
Syreeta McFadden
Unë jam gazetar
Njeriu veç mund ta imagjinojë si mund të jetë liria e shtypit me presidentin Trump. Vetëm në dy javët e fundit, Trump-i e ka përshkruar trupën e gazetarëve që mbulojnë fushatën e tij si “gazetarë hajdutë e gënjeshtarë”, një nga zyrtarët e Trump-it kërcënoi ta arrestonte një gazetar, një fotograf u godit në një nga tubimet e tij. Përbuzja e Trump-it për Amendamentin e Parë [kushtetuta] nuk është diçka e re – në shumë mënyra, ai ka treguar urrejtje për thuajse për gjithë nenet kryesore të tij, qoftë për lirinë e shtypit, grumbullimit apo fesë. Por ai duket se çdo ditë gjen mënyra të reja për të tronditur dhe për të trazuar: të hënën tha se çdo person që proteston kundër tij duhet të arrestohet, sepse “njolla e arrestimit” do të “shkatërronte jetën e tyre”.
Ndoshta shpresa jonë e vetme, nëse ai bëhet president është se që njohja e amendamentit të parë prej tij është zero. Ai u ankua për lirinë e fjalës së tij kur kundërshtohet nga qytetarë që ushtrojnë të drejtën e tyre [të fjalës], madje një herë deklaroi se Univision, një kompani private, dhunoi amendamentin e parë për anulimin e transmetimit të Miss Universit.
Ai ka kërcënuar vazhdimisht se do t’u kërkojë dëmshpërblim gazetave lajmet e të cilave nuk i pëlqejnë, dhe është e vështirë të numërohen këto. Për shkak se organizatat e medieve nuk para përshtaten me kërkesat e tij censuruese, ai ka pretenduar se do të “krijojë” ligje për shpifjen kur të jetë president.
Ai nuk e di që nuk asnjë ligj që ai mund ta anulojë, nëse nuk llogarisni vetë amendamentin e parë. Por veprimet e tij më të fundit tregojnë se ai nuk do ta lërë t’i presë rrugën as Ligji i të Drejtave.
Trevor Timm
Unë jam meksikan amerikan
Ne miksikano-amerikanët kemi qenë viktima të rastësishme të fushatës së Donald Trump që nga dita e parë. Asokohe njerëzit ishin të gatshëm ta toleronin, por ne nuk e kemi parë kurrë si një shaka.
Strategjia e tij nuk ka ndryshuar: zhytu në racizmin ekzistues, fryje me retorikë, premtime për dëbime në masë dhe ngritjen e një muri, dhe pastaj fute këtë energji në fushatë! Dhe po funksionon goxha mirë.
Më pak njerëz argëtohen tani krahasuar me kohën kur Trump-i hyri në garë. Por mendimet e mia janë njëlloj. Unë mendoj për miqtë e mi pa dokumente. Përfytyroj jetën pa ata. Shqetësohem për ta. Mendoj për familjen time me ngjyrë kafe, për nënën dhe abuelot, dhe mundohem të imagjinoj çfarë mund t’u ndodhë atyre nëse fiton Donald Trump-i.
Amerika ka kryer shumë dëbime në masë tashmë. Amerika ushtron fushata kundër refugjatëve të Amerikës Qëndrore. Amerika ka miratuar dhe më parë ligje të tipit “më trego pasaportën”. Çfarë mund ta ndalojë presidentin Trump në zbatimin e politikave që ai ka premtuar?
Tensioni do të vazhdojnë të rritet. Ajo që ndodhi në Çikago [përplasje mbështetësish Trump dhe antiTrump] tregon se po shkojmë drejt një pike shpërthimi. Në javët e ardhshme besoj se do të ketë trazira të tjera. Por për ne latinot tensioni ka qenë njëlloj. Ne jemi të zemëruar. Ne kemi frikë.
John Paul Brammer