Parisa Hafezi, Louis Charbonneau, John Irish dhe Arshad Mohammed
Irani dhe gjashtë fuqi botërore ranë dakord për një plan bërthamor të martën, duke përmbyllur më shumë se një dekadë bisedime me një marrëveshje që mund të transformojë Lindjen e Mesme, të cilën Izraeli e quajti “dorëzim historik”.
Sipas marrëveshjes, sanksionet e vendosur nga SHBA, BE dhe OKB do të hiqen me rënien dakord të Iranit që të pranojë kufizime afatgjata për një program bërthamor që perëndimi dyshonte se kishte qëllimi krijimin e një bombe atomike.
Arritja e marrëveshjes është një fitore politike e madhe për presidentin amerikan Barack Obama dhe presidentin e Iranit Hasan Rohani, një pragmatist i zgjedhur dy vjet më parë me premtimin për zvogëlimin e izolimit diplomatik të një vendi me 77 milionë banorë.
Por të dy udhëheqësit përballen me skepticizëm nga përkrahësit e vijës së ashpër në vendet e tyre, pas dekadash armiqësie mes dy vendeve që i referohen njëri-tjetrit si “Satani i madh” dhe një anëtar i “kolonave të së keqes”.
Megjithëse bisedimet kryesore ishin mes SHBA dhe Iranit, katër anëtarët e tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB, Britania, Kina, Franca dhe Rusia, ishin pjesë e marrëveshjes, ashtu siç ishte dhe Gjermania.
“Gjithë puna e madhe u shpërblye dhe arritëm një marrëveshje. Zoti i bekoftë njerëzit tanë,” i tha Reuters një diplomat iranian, me kusht të mbetej anonim para lajmërimit publik të marrëveshjes. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti marrëveshjen “një gabim të madh me përmasa historike”.
“Irani do të përfitojë një loto, një dhuratë financiare prej qindra miliarda dollarëve, që do ta ndihmojnë të vazhdojë agresionin dhe terrorin në rajon dhe në botë,” tha ai. “Irani do të përfitojë një rrugë të garantuar drejt armëve bërthamore.”
Zv/ministria i jashtëm izraelit Tzipi Hotovely e quajti marrëveshjen një “dorëzim historik”. Ajo shkroi në Twitter se Izraeli do të “përpiqet me të gjitha mënyrat për ta ndaluar ratifikimin e marrëveshjes”, një kërcënim i qartë për të përdorur ndikimin e tij për ta bllokuar në Kongresin e kontrolluar nga republikanët.
Kongresi ka 60 ditë për ta studiuar marrëveshjen, dhe nëse voton kundër saj, Obama mund të përdorë veton kundër votimit të Kongresit. Për të hedhur poshtë veton do të duheshin dy të tretat e kongresmenëve, që do të thotë se do të kërkohen dhe disa vota nga demokratët që të rebelohen kundër një nga arritjeve të presidentit të tyre, me qëllim që të hedhin poshtë marrëveshjen.
Bisedimet përfundimtare në Vjenë zgjatën afërsisht tre javë mes sekretarit të shtetit të SHBA John Kerry dhe ministrit të jashtëm të Irani Mohamad Javad Zarif, e paprecedentë mes dy vendeve që kanë qenë armiq qysh kur revolucionarët iranianë sulmuan ambasadën amerikane në Teheran më 1979 dhe morën pengë 52 amerikanë.
Për Obamën, diplomacia me Iranin, e nisur në fshehtësi më shumë se dy vjet më parë, së bashku me normalizimin e marrëdhënieve me Kubën, shënojnë arritje në trashëgiminë e komunikimit me armiqtë e tij që tmerruan paraardhësit e tij për dekada.
Urrejtja e Iranit për SHBA, një cilësi e dallueshme e sistemit sundues të tij, u shfaq vetëm javën e kaluar, kur mbylli muajin e agjërimit të Ramazanit me një ditë protestash, ndërsa turmat thërrisnin “Vdekje Izraelit” dhe “Vdekje Amerikës”.
Agjencia IRNA e Iranit tha se miliarda dollarë të ngrirë do të çliroheshin pas marrëveshjes, dhe do të hiqeshin sanksionet ndaj bankës qendrore, kompanisë shtetërore të karburanteve, shoqërive detare dhe ajrore. Ai do të ruajë të drejtën të pasurojë ca uranium, në një masë që vendet perëndimore thonë se nuk është e mjaftueshme për armë bërthamore, që Irani e ka mohuar gjithmonë se ka qenë qëllimi i tij.
“MEKANIZMI I RIKTHIMIT” PËR SANKSIONET
Diplomatët perëndimore thanë se sipas marrëveshjes përfundimtare, Irani pranoi mekanizmin “e rikthimit”, sipas të cilit disa sanksione mund të rivendosen brenda 65 ditëve, nëse shkel marrëveshjen. Embargoja e OKB për armët do të qëndrojë dhe për pesë vjet dhe ndalimi për blerjen e teknologjisë së raketave do të qëndrojë për tetë vjet.
Paralel me marrëveshjen, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) shpalli një marrëveshje me Iranin për një hartë (roadmap) me të cilën do të zgjidhë çështjet kryesore të saj me Teheranin deri në fund të këtij viti.
Marrëveshja kryesore me fuqitë botërore varet te mundësia e IAEA për të inspektuar zonat bërthamore iraniane dhe te përgjigjet e Iranit për pyetjet rreth synimeve ushtarake të mundshme të kërkimeve të kaluara.
Mundësia e një marrëveshje prej së cilës përfiton Irani është shqetësues për aleatët e SHBA në Lindjen e Mesme. Teherani nuk e njeh Izraelin dhe mbështet armiqtë e tij. Shtetet arabe të sunduar nga myslimanë sunitë, veçanërisht Arabia Saudite, mendojnë se Irani me shumicë shiite përkrah armiqtë e tyre në luftërat në Siri, Jemen e vende të tjera.
Por ka dhe një arsye të fortë që SHBA të përmirësojë marrëdhëniet me Iranin, ndërsa të dy vendet përballen me një armik të përbashkët, Shtetin Islamik, grupi militant i myslimanëve sunitë që ka marrë nën kontroll pjesë të Sirisë dhe Iranit.
Për Iranin, fundi i sanksioneve do të sjellë një shpërthim ekonomik duke hequr kufizimet që e kanë pakësuar në mënyrë drastike eksportin e naftë dhe kanë dëmtuar importet. Mundësia e një marrëveshje ka ndihmuar në uljen e çmimeve globale të naftës, për shkak të mundësisë se do të kthehet në treg nafta e Iranit.
Çmimet e naftës ranë më shumë se një dollar të martën, pas arritjes së marrëveshjes.