pb
Nevoja e identiteteve kolektive për memorie është jetike. Ajo kultivohet duke celebruar një aparat mito-simbolik të përbërë nga ngjarje, vende, personazhe dhe veçori dalluese, të cilat i komunikohen masës përmes mjeteve të nd
ryshme, ku ndër më të hershmet dhe më të konsoliduarat janë arkitektura, skulptura e piktura. Funksioni i tyre është rievokoimi i simbolikave, me të cilat publiku-konsumator ndodhet në kontakt të përditshëm dhe të qëndrueshëm.
Shqipëria pluraliste trashëgoi nga regjimi metodën dhe stilin celebrues, të përshtatur sigurisht sipas nevojave të vetëlegjitimimit dhe rishkrimit të memories. Kulmi i monumentalistikës të pas-1990 përkon me celebrimet e 100 vjetorit të Pavarësisë, por gjatë këtyre viteve janë ngritur ose ngulur monumente gjithandej. Stili dominues ka qenë anarkia, e shprehur në stil, në përzgjedhjen e fetishit, në mesazhin e simbologjisë dhe në shfrytëzimin e gjeografisë urbane. Secila mund të jetë stacion i veçantë analitik, por këtu do të shqyrtohet vetëm gjeografia e monumenteve të një qyteti si Shkodra dhe në mënyrë me specifike dy nga sheshet kryesore të qytetit, që ndjekin me përpikmëri rrëmujën urbanistike të pas-’90.
(1) Skenografia e sheshit Nënë Tereza përfshin 5 monumente. Pozicioni dominues i takon monumentit të Luigj Gurakuqit, emri i të cilit mbante Universiteti i Shkodrës që nga 1989. Përmasat dhe bronzi japin sadopak idenë e vlerës së personazhit. Ngjitur me të, në janarin e kaluar, u ngul “një gjë” e paguar për monument, që shumica e shkodranëve, nga ato të cilët e kanë vënë re, nuk e kanë të qartë nëse është relikt i personazhit ngjitur, vend për afishim e reklamave apo për lidhjen e biçikletave. Në fakt është përmendorja e tentativës së 14 janarit të 1990 për heqjen e bustit të Stalinit nga i njëjti shesh. Për kohën ishte ngjarje epike. Bashkia e djathtë e qytetit dhe kryesia e PD-së, pas 25 vitesh meditim, arritën te kjo gjëja, e cila natyrisht e shpërfytyron mesazhin, e kthen memorien në material për barsoleta dhe përkujtimin në parodi të hipokrizisë.
(2) Sheshi përballë Bashkisë së qytetit është tabloja monumentale më e dendur: gati-gati lulishtja ka më shumë monumente se pemë. I pari në linjë, me 12 pa 1 pllaka (frontale) të një objekti që i mungon vetëm rubineti për ta kompletuar, përkujton rrëzimin e parë në Shqipëri të bustit të Enver Hoxhës, datuar 13 dhjetor 1990. Rëndësia e ngjarjes nuk përputhet kurrsesi me shëmtinë e monumentit. Duket sikur e ka vënë Enver Hoxha për t’u tallur me ata që e hoqën.
Menjëherë pas tij, pak a shumë 2 metra larg, ngrihet rebusi i kopjuar nga ndonjë sekuencë e filmit Mumia (dalë në 1999), kushtuar Gjergj Fishtës. Disa metra me mbrapa ngrihet një obelisk kushtuar memories së Hasan Riza Pashës, komandantit të garnizonit osman që dha jetën për mbrojtjen e Shkodrës nga ofensiva e trupave serbo-malazeze. Djathtas “rrugës së qumështit” bën hije një monument që mbahet mend si i kohës së regjimit; majtas është vendosur një statujë femërore, sa për kuotat rozë; kurse në vijim linear me tre monumentet ndodhet memoriali i 2 Prillit, pllakat e të cilit, marrë nga stoqet e ndonjë Sh.p.k-je të pas-’90, nuk mund të vrojtohen për shkak të një monumenti më të madh, të quajtur Grand Hotel Europa.
Hoteli, me një veshje prej xhami dhe metali të kinezërive që i kanë siguruar 5 yjet, dhe rastësisht pronë e familjes së deputetit të LSI-së, z. Agron Çela, është i pozicionuar në lulishten më të madhe dhe qendrore të qytetit, si memorial i zaptimit të pronës publike. LSI-ja, përmes prefektit, z. Paulin Radovani, ka qenë forca më e shqetësuar për fatin e Pesë Heronjve të Vigut, të cilët, pas shumë peripecish, u sistemuan përsëri jashtë qytetit, në një rrethrrotullim në rrugën për Koplik. Kjo e bën monumentin të dobishëm për sinjalistikën e rrugës.
Si çdo monument i respektueshëm, edhe hoteli ka zonën rrethuese të fetishit. Natyrisht, një bahçe private e lulishtes publike, e shndërruar në bar. Por jo vetëm, meqenëse kishte mbetur një copëz e pashfrytëzuar mes memorialit të Hasan Riza Pashës dhe barit të hotelit, rishtazi është menduar të riparohet ky problem qytetar. Ngaqë monumentit i mungonte këndi i lojërave për fëmijët, përse të mos zgjerohej edhe pak, me teknikën e bymimit privatizues? Muri rrethues i monumentit të heroit të rrethimit të Shkodrës është bashkëngjitur tani me ambientin rrethues të hotelit dhe madje i bën si shpatull gardhit të tij të alumintë. Me këto ritme obelisku mund të shndërrohet në këndin e DJ të hotelit ose në shtyllë banderolash partiake. Kjo ndodh 70 metra nga Bashkia, nga rruga ku pedonalon kryetari, z. Lorenc Luka.
Pas pemëve mund të vërehet gjimnazi 28 Nëntori, më i rëndësishmi i qytetit, ku, krahas edukimit, brezat e ardhshëm shohin në laboratorin real se edhe duke studiuar sistemet e vlerave nëpër librat shkollorë e ardhmja është ajo e kamerierit, rojës, ashensoristit, banakierit, menaxherit të monumentit që kanë përpara ose, fundja, në këtë vend nuk vlen shkolla.
Teksa memoria është shndërruar në leckë për të fshirë ca xhama pushtetesh, nëpër media qarkullojnë lloj-lloj ulërimash kritike për mosrespektim e këtij, atij, asaj e atyre me ndonjë monument që vulos përkatësi në gjeografinë urbane. Kur derexheja është kjo, sa të ngulen monumente si hunj, për të garuar në shëmti e përdhosje, heshtja është turpi minimal. Përndryshe monumenti, kur nuk zë thjesht një hapësirë publike më shumë, si bar i radhës, me siguri i komunikon masës kotësinë e publikes, mosbesimit te institucionet dhe degradimin në tërësi.